Qeverinë Hoti nuk e çel pranvera

Marrëveshjet e Uashingtonit kanë rezultuar me tensione të mëtejme brenda koalicionit qeverisës të Kosovës, tensione këto të cilat mund të bëjne që ajo të mos e mbijetojë dimrin 

Mosmarrëveshjet e fundit publike mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe mungesa e kandidatit të përbashkët për presidentin e ardhshëm të Kosovës kanë shpërfaqur përçarje serioze në koalicionin qeverisës të Kosovës.

Pas marrëveshjeve të arritura në Uashington, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka insistuar që mospajtimet nga anëtarët e delegacionit të partisë së tij kanë rezultuar me ndryshime tek pika që kishte të bënte me Liqenin e Ujmanit, ndërsa kryeministri, Avdullah Hoti, dhe lideri LDK-së, Isa Mustafa, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kundërshtuar këto pretendime.

Njëkohësisht, Haradinaj e ka kundërshtuar edhe mungesën e përfaqësuesve nga partia e tij në Bruksel, ku negociatat midis Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë me lehtësimin e BE, duke deklaruar se “gjërat nuk mund të vazhdojnë më tej kështu”.

Ndërkohë, AAK ka përkrahur publikisht Haradinajn si kandidat për presidentin e ardhshëm të Kosovës. Sidoqoftë, LDK ka refuzuar ta mbështesë Haradinajn, me nënkryetarin e partisë, Lutfi Hazirin, i cili ka deklaruar se vendimi për presidentin e ardhshëm është në duart e LDK-së.

Pasojat nga këto mosmarrëveshje e bëjnë që data e skadimit të Qeverisë së Kosovës është bukur shumë e përcaktuar. Në qoftë se LDK pranon kërkesën e AAK-së për ta mbështetur tentimin e Haradinajt për t’u bërë president, atëherë ka shumë të ngjarë që Qeveria të mos mbijetojë përtej, në rastin më të mirë, pranverës së vitit 2021.

Çelësi për jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës është në duart e AAK-së dhe, nëse mosmarrëveshjet midis LDK-së dhe AAK-së vazhdojnë akoma, atëherë çështja nuk është nëse por kur Qeveria do të rrëzohet. AAK madje mund ta ketë në konsideratë faktin se mund të fitojë më shumë nga pazaret në koalicion nëse shkakton zgjedhje të reja tani sesa dikur më vonë, duke e vendosur LDK dhe kryeministrin Hoti në pozitë shumë të pasigurt.

Partia e Haradinajt shpesh e ka rindërtuar synimin dhe ndikimin e saj mbi ligjërimin publik duke përvetësuar çështje të spikatura si qëllimet të saja prioritare. Në vitin 2015, ishte mbrojtja e Kullës, Zhlebit dhe Çakorrit si vijë e demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi. Pastaj, në vitin 2018, ishte tarifa e famshme prej 100 përqind për mallrat serbe.

Pretendimet e partisë për mbrojtjen e liqenit të Ujmanit në Uashington përsëri i japin mundësi AAK-në të përdorë këtë strategji, duke e portretizuar veten si partinë më të përkushtuar për të mbrojtur territorin e Kosovës, burimet dhe sovranitetin e saj – kauzë e re për të përqëndruar aktivitetet e partisë.

AAK është e vetëdijshme për ndikimin kritik që ka mbi LDK-në dhe koalicionin qeverisës  dhe për narrativën e re që mund ta përdorë gjatë fushatës elektorale.

Ndërkohë, Vetëvendosje po përballet me dilemën: të vazhdojë t’i mbajë “vijat e saj të kuqe” kundër bashkëpunimit me partitë e tjera të mëdha kosovare që ajo i ka kritikuar qysh nga themelimi i saj apo të angazhohet me AAK dhe PDK për të shpejtuar rënien e Qeverisë.

Për momentin, është e qartë se Vetëvendosje nuk i ka siguruar 40 nënshkrimet e kërkuara për të filluar mocionin e e saj për votë mosbesimi ndaj Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, e lëre më shumicën parlamentare të nevojshme për ta rrëzuar atë.

Sidoqoftë, çarja e mundshme e marrëdhënieve midis LDK-së dhe AAK-së i ofron Vetëvendosjes një mundësi që ta krijojë një momentum për shtimin e mbështetjes së nevojshme politike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në rast se vendos të kapërcejë rubrikonin dhe të përmbyllë një marrëveshje me AAK dhe PDK, Vetëvendosje do të gjindej në një pozicion unik për ta riformuar skenën politike në favor të saj. Pyetja është nëse Vetëvendosje do të ishte e gatshme ti plotësonte kërkesat e AAK-së, që nënkupton bashkëpunim politik pas zgjedhjeve apo emërimin e një kandidati të përbashkët për President, në këmbim të mbështetjes së saj.

Çështja tjetër ndërlidhet me të ardhmen e ish-kandidates së LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanit, ndërkohë që komentet e fundit thonë se nuk ekziston mundësia e përshtatshme e pajtimit midis saj dhe LDK-së pas shkarkimit të saj nga udhëheqja partiake në muajin qershor të këtij viti.

Formimi i një partie të re apo bashkëpunimi me Vetëvendosjen janë përmendur si mundësi për të ardhmen politike të Vjosa Osmanit. Një iniciativë e re pritet të ketë rol kryesor në formimin e qeverisë së ardhshme, ndërsa nëse qëndrimet e saj parimore të mbajtura përgjatë viteve e përkthehen në sigurim të përkrahjes nga votuesit e pakënaqur të LDK-së, kjo mund të ketë efekte shkatërrues për partinë më të vjetër politike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

Për PDK-në, viti 2020 nuk mund të kishte shkuar shumë më keq se kaq. Me konfirmimin e mundshëm të aktakuzave në pritje nga Dhomat e Specializuara në Hagë kundër udhëheqësve të saj, de facto dhe de jure, kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, hapësira e manovrimit të PDK-së për ti shtyer zgjedhjet e parakohshme mbetet disi e kufizuar.

PDK mund ta konsiderojë joshëse opsionin për t’u bërë pjesë e Qeverisë, duke zëvendësuar AAK-në, por ajo e di që veprimi i tillë mund të jetë vetëm i përkohshëm, pasi formatimi qeveritar i kësaj natyre nuk do të ishte i mjaftueshëm për të siguruar zgjedhjen e një Presidenti të ri, edhe në rast se mandati i Hashim Thaçit si president vazhdon deri në prill të vitit 2021.

Kjo do t’u jipte partive tjera mundësinë për t’i bojkotuar qëllimisht seancat parlamentare të thirrura për zgjedhjen e presidentit, dështimi i së cilave do të nënkuptonte shpërbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

Të qenurit pjesë e qeverise shumë jopopullore për vetëm disa muaj nuk do të ishte ide atraktive për udhëheqjen e PDK-së, pasi që kjo do të mund të rezultonte vetëm në humbjen e mëtejshme të mbështetjes nga elektorati.

Skenari i vetëm nën të cilin PDK mund t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme është nëse arrin ta bindë LDK-në që bashkarisht ta mbështesin kandidaturën e Haradinaj për postin e presidentit. Sidoqoftë, kjo duket si një veprim i pamundur, pasi PDK-ja mund të përjetojë një kosto të konsiderueshme politike nga reagimet e brendshme partiake, si dhe nga rënia e përkrahjes elektorale.

Kursi më i arsyeshëm i veprimit për PDK-në, marrë parasysh shpërbërjen e koalicionit qeverisës midis LDK-së dhe AAK-së, është ta mbështesë shpërbërjen e Kuvendit, në vend që të përfshihet në tentimet e kota dhe inxhinieringun politik që duken të jenë të destinuara të dështojnë.

Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja e ka përmbyllur objektivin e saj kryesor duke nënshkruar pjesën kosovare të marrëveshjeve në Uashington. Megjithatë, kostoja që partia mund ta pësojë si rezultat i kundërshtimeve nga opozita dhe partnerët e saj të koalicionit mund të rezultojë me humbjen e statusit si parti në pushtet.

Situata politike ndërlikohet edhe më tej nga dorëheqja në pritje e Presidentit Thaçi nëse konfirmohen aktakuzat e Prokurorisë Specialiste kundër tij. 

Me ndërmjetësin kryesor për krijimin e qeverisë shumë shpejt jashtë skenës, do të jetë e vështirë për LDK të bindë koalicionin e tyre qeverisës që ta vazhdojnë partneritetin e tyre nëse nuk i bindet kërkesës së AAK për ta mbështetur kandidatin e saj për president.

Leva e LDK-së mbi AAK-në është minimale dhe nuk ka shumë mundësi tjera nëse AAK vendos t’i bojkotojë procedurat e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo situatë delikate jo vetëm që minon aftësinë dhe thirrjen e LDK-së për të joshur partnerë të rinj politikë, por gjithashtu do t’i jepte goditjen e fundit qeverisë aktuale.

Me AAK-në që mbart rolin përcaktues, i mbetet Vetëvendosjes të ofrojë motivimin final për ta bindur këtë parti që të largohet nga qeveria dhe t’i përbashkojnë përpjekjet e tyre për të shkaktuar zgjedhje të reja.

(Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN)