Qeveria Miraton Projektligjin për Përgjime Telefonike

Qeveria e Kosovës miratoi, të hënën, projektligjin për përgjime telefonike. Vendimi vjen vetëm disa ditë pak shpërthimit të skandalit me përgjime telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë të PDK-së.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se ky projektligj është pjesë e kritereve që nevojiten për liberalizimin e vizave të Kosovës me BE-në. Por, ai e ka pranuar se zhvillimet e fundit e kanë përshpejtuar dërgimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se me përgjimin e telefonave të disa prej zyrtarëve të lartë të PDK-së ditëve të fundit është shkelur privatësia e individit.

“Respektimi i ligjit dhe parimeve të demokracisë nuk bëhet duke cenuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë.

“Me këtë projektligj do të mbrohet privatësia”, ka shtuar Kuçi.

Kuçi nuk ka dashur të komentojë përgjimet, por ka thënë se për këto duhet të bëhen hetime nga EULEX-i në bashkëveprim me institucionet kosovare të drejtësisë.