Qëndrimet e Arben Vitisë rreth shamisë, autostradës, termocentralit dhe martesave në mes gjinisë së njëjtë

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia në intervistën dhënë për KALLXO.com ka treguar se ai por edhe Vetëvendosje është kundër ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, në modelin siç është prezantuar, si autostradë e mbyllur.

Ai thotë se autostradën duhet të jenë të hapura, ku kyçja u sigurohet edhe fshatra.

Vitia që është edhe kryetar i qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë në këtë intervistë ka deklaruar se është kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Përveç kësaj, Vitia ka deklaruar se është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, e cila është përballur me probleme të shumta kohëve të fundit.

Përveç telekomit, Vitia ka thënë se është edhe kundër privatizimit të Trepçës. Sipas tij, aseti i Trepçës duhet të mbetet nën menaxhim të shtetit.

Ai nuk ka dhënë përgjigje sa i përket ndërtimit të termocentralit ë tretë me qymyr në Kosovë, nëse është për apo kundër saj, duke thënë se janë duke punuar në program.

“Ne do të shpalosim programin, jemi duke punuar në program dhe pikat programore që do të bëhen publike shumë shpejtë”, ka thënë Vitia për KALLXO.com

Nëse Vitita do të bëhet deputet, ai thotë se kauzat e tij do të jenë , çështja e shëndetësisë, shëndeti, mirëqenia e qytetarit dhe çështjet ambientaliste.

I pyetur se nëse do të mbetet deputet apo do të shkojë në ndonjë post tjetër, Vitia thotë se kjo nuk varet nga ai.

“Kjo varet nga z.Kurti dhe nga Qeverisja Kurti”, tha ai.

I pyetur për taksat e shtetit, se cilat duhet të ulën dhe cilat të rriten, Vitia thotë se këto do të bëhen publike.

“Ne jemi pro taksës progresive e kemi sqaruar këtë. Mirëpo po e përsërisë të gjitha këto pika do të bëhen publike para fushatës zgjedhore”, tha ai.

I pyetur se cilat janë tri amandamentet e para që do t’i paraqesë për ndryshim, Vitia thotë se kjo do të bëhet në koordinim me grupin parlametnar.

“Ne nuk operojmë si deputet individual. Në koordinim me VV do të propozohen amendamente nga secili deputet për shumë sfera”, tha Vitia duke shtuar se ai nuk do të votoj ndryshe nga qëndrimi i grupit parlamentar.

Duke i komentuar tri problemet kryesore të Komunës së Prishtinës, Vitia thotë se janë disa.

“Ka mjaftë, nuk isha ndal. Kaosi urban, problemet ambientaliste e shumë të tjera”, tha ai.

Ndërsa ai ka refuzuar mundësinë se do të ndërroj ndonjëherë partinë, duke thënë se kjo është e pamundur.

I pyetur se cili grup i diskriminuar në shoqëri do ta ketë përkrahjen e tij si deputet, Vitia thotë se fokusi i tij do të jetë shëndetësia.

“Të gjitha grupet e diskriminuara, por duke u nisur nga sfera pre nga vij unë, shëndetësia dhe mirëqenia sociale dot a ketë përkrahjen time”, tha ai.

I pyëtur se është pro apo kundër djegjes së qymyrit nëpër shtëpi, Vitia thotë qytetarëve duhet t’i gjendet nji zgjidhje.

“Deri ta gjejmë një alternativë tjetër për qytetarët, besoj se qytetarët nuk kanë mundësi tjetër. Edhe kjo do të diskutohet. Ne do të sjellim politika qytetarëve, që do të iu ofroj mundësi më të lira të ngrohjes se sa me qymyr”, tha ai.

Vitia ka deklaruar se është kundër idesë për shkëmbim të territoreve me Serbinë, ndërsa sa i përket tarifës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë, Vitia thotë se ata janë për reciprocitet.

“Ne jemi për reciprocitet që është një shkallë më lartë”, tha Vitia.

Ai poashtu është deklaruar kundër ndërtimit të hidrocentraleve nëpër lumenjtë e Kosovës, pasi që sipas tij po e dëmtojnë ambientin. Tutje, duke folur për monopolin në homologimin e veturave, Vitia thotë se është kundër monopolit.

Ndërsa sa i përket mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna, nëse ato nuk akreditohen nga Agjencia e Akreditimit, Vitia thotë se duhet pasur një proces të mirë.

“Akreditimi do të thotë cilësi edhe një proces i mirë i akreditimit do ta rriste cilësinë e të gjitha universiteteve”, tha tutje ai.

Ndërsa duke folur për bartjen e shamisë në shkolla, Vitia thotë se nga mosha 16 vjeçare, secila grua mund të vendosë nëse dëshiron të mbajë shami apo jo.

“Nga mosha 16 vjeçare secila grua mund të vendos se do apo nuk do të mbajë shami”, tha ai.

Ndërsa për martesat në mes të gjinisë së njëjtë, Vitita thotë se është pro tyre.

“Çdo gjë që përkon me lirinë e përgjithshëm, absolutisht jemi pro”, thotë ai.

Ai ka deklaruar se është pro kuotës për deputetë nga diaspora si dhe që është për heqjes së kartonit të gjelbërit për diasporën.

Vitia poashtu ka thënë se është pro ridizanjimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar.

Vitia thotë se fushatën është duke e financuar me mjete të veta personale. Ndërsa momentalisht ai thotë se ka vetëm një vend pune dhe se do ta mbajë vetëm një punë kur të bëhet deputet.

Pasurinë, Vitia thotë se e ka bashkë me bashkëshorten, ndërsa të ardhurat e tij janë 750 euro në muaj.

Vitia thotë se kur sëmuret preferon spitalet publike para atyre private, ndërsa thotë se kur të sëmuret gjatë kohës sa të jetë deputet, do të vizitoj spitalet publike.

Fëmijët e tij vijojnë mësimet në shkollat publike. Duke folur për familjarët e tij të papunë dhe nëse do t’i punësoj, ai përgjigjet kështu.

“Asnjë familjarë s’ka qenë i punësuar sa kam qenë në pushtet dhe asnjë s’do të punësohet. Momentalisht e kam një familjarë të papunësuar”, tha ai për KALLXO.com

Ndërsa i pyetur se për cilin projekt do ta kushtëzonte votën e tij për buxhet, Vitia thotë se kjo nuk mund të ndahet.

“Buxheti është si tërësi. Buxheti nënkupton gjithë zhvillimi dhe nuk mund të thuash që me një projekt ta kushtëzosh apo jo”, tha tutje ai.

Vitia thotë se nëse bëhet deputet, kontributin e tij më të madh do të jap në shëndetësi.

“Sfera ime është shëndetësia. Unë jam mjek dhe këtu besoj se do ta jap kontributin tim”, tha ai.

Vitia nuk e di se saktësisht sa pyetje parlametnare e sa takime do t’i mbajë, por thotë që do të bëjë sa ma shumë që është e mundur.

I pyetur se deri në cfarë viti makinat nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë, Vitia nuk jep përgjigje.

“Ne jemi pro ambientin, pro ruajtjes së ajrit. Ne do ta bëjmë në qeverisje ligjin që ne mes tjerash do të jetë edhe kjo”, tha ai për KALLXO.com

Vitia thotë se ai do të jep dorëheqje nëse ndaj tij ngritët aktakuzë, ndërsa ka deklaruar se do të votoj për rrëzimin e Qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

Ai poashtu ka deklaruar se nuk do e votoj një qeveri që ka mbi 15 ministri, ndërsa thotë se një ministër nuk duhet të ketë më shumë se 1 zëvendësministër.

Vitia thotë se nuk do të votoj për antarë të bordeve të ndërmarrjeve publike nëse ata nuk i plotësojnë kushtet për emërim.

Tutje, Vitia thotë se fondet e partisë do t’i bëjën transparente si dhe do t’i publikojnë faturat dhe dokumentet.