Arben Zharku

Qendra Kinematografike pa drejtor, Arben Zharku konfirmon shkarkimin 

Arben Zharku ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ia ka shkëputur kontratën si drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës. 

Në korrik të këtij viti Zharku ishte suspenduar nga pozita e drejtorit të QKK-së, dhe ndaj tij kishte filluar një procedurë disiplinore nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, iniciuar nga Këshilli Drejtues i QKK-së. 

MKRS ende nuk ka e bërë publik vendimin për shkarkimin e Arben Zharku nga posti i drejtorit të QKK-së. 

Shkarkimi i Zharkut nga pozita e drejtorit të QKK-së vjen pak ditë pasi Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave (KZKA) në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit hodhi poshtë ankesën e Zharkut, kundër gjetjeve të Komisionit Disiplinor i ngritur nga MKRS. 

Shkarkimi 

Arbren Zharku ka konfirmuar përmes Facebookut shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të QKK-së. 

Zharku ka shkruar se kontrata i është ndërprerë në mënyrë arbitrare nga MKRS-së. Ai ka shkruar se për këtë veprim të ministrisë i ka ndjekur procedurat ligjore.

“Para disa muajsh jam larguar nga puna në Qendrën Kinematografike të Kosovës! Normalisht mandati im do të duhej të përfundonte në mars të vitit 2022, mirëpo Ministria e Kulturës me arbitraritet dhe shkelje ligjore e shkëputi kontratën, dhe për këtë çështje veç se kam ndjekur hapat ligjor”, ka shkruar Zharku, ndër të tjerash në Facebook. 

Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se shqyrtimi dhe konstatimi i disiplinës ndaj zyrtarit në fjalë tashmë ka përfunduar në procedurë administrative.  

“Sipas këtij rezultati të procedurës, është vërtetuar ekzistimi i përgjegjësisë disiplinore për shkelje të rendë të detyrave nga ana e të proceduarit. Ndërsa, kompetenca e emërimit dhe shkarkimit përfundimtar në kushtet dhe rrethanat e përcaktuara ligjore është kompetencë e Ministrit të MKRS -së sipas Ligjit për Kinematografi. Ministri Çeku në asnjë rast nuk ka bëreë dhe as nuk bën kompromis me parimet e ligjshmërisë. Ligji do të zbatohet në çdo rast në MKRS dhe kjo nuk ka alternative”, ka thënë ajo, për KALLXO.com. 

Shkarkimit të Zharkut nga pozita e drejtorit të QKK-së i ka paraprirë vendimi i Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit datë,( 03.12.2021), për hudhjen poshtë të ankesës së Zharkut të datës 05.11.2021. 

KZKA i MKRS-së ka vërtetuar shumicën prej pretendimeve të Komisionit Disiplinor ndaj Zharku, sidomos, favorizim të projekti të filmit “Ekzil” e mos realizimin e të hyrave nga bashkëfitimi për projektet e mbështetura nga QKK-së, sipas ligjit për kinematografi dhe çështjen e borxheve. 

Suspendimi 

Arben Zharku ishte zgjedhur drejtor i QKK-së në vitin 2014, ndërsa për herë të dytë në shkurt të 2018-ës.  Në vazhdimësi, sidomos gjatë mandatit të dytë ndaj Zharkut janë ngritur dyshime nga filmbërësit për keqpërdorim të postit, favorizime dhe parregullsi në menaxhimin e QKK-së. 

Telashet për Zharkun filluan me emërimit të Këshillit Drejtues të QKK-së, pasi në krye të MKRS erdhi Hajrulla Çeku. 

Pak muaj pas konsolidimit ky Këshill ngriti akuza ndaj Zharku për dyshimet për keqpërdorim të pozitës së drejtorit.  

Në korrik të këtij viti Zharku u suspendua nga pozita e drejtorit të QKK-së. U formuar një Komisioni Disiplinor i cili mori vendim që Zharku të shkarkohet, por ky vendim u anulua për parregullsi nga KZKA në MKRS.  

Më pas në majin e kaluar, në nëntor 2021, një tjetër Komision Disiplinor – po i MKRS-së shqyrtoi vërtetësinë e akuzave të KD-së, duke propozuar masë disiplinore “largim nga shërbimi publik” për Zharkun.  

Ish-drejtori Zharku u ankua ndaj këtij vendimi. Por, në fillim të këtij muaji (03 dhjetor 2021) KZKA në MKRS hodhi poshtë ankesën e Zharkut, duke i hapur rrugë shkarkimit të tij.