Qemajl Aliu përballë premtimeve të tij - Si u qeveris Shtimja në mandatin e parë të VV-së?
Përfundimi i mandatit të parë të Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, e gjen këtë komunë duke u përballur me probleme të vazhdueshme që po ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Mungesa e ujit të pijes në fshatra, problemet me rrugët e pashtruara, projektet të papërfunduara, pretendime për punësime familjare, janë disa prej çështjeve me të cilat u sfidua i pari i Shtimes, Qemajl Aliu nga LVV në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës.
Ku e kapi në rrenë Krypometri kryetarin e Shtimes?
Para se ta fitonte mandatin e tij të parë në Shtime, Qemajl Aliu dha një mori premtimesh, për të cilat edhe i fitoi votat e qytetarëve të kësaj komune.
Mirëpo, tri vite pas, Krypometri, “vulosi” premtimet që i realizoi e ato që dështoi t’i realizonte Aliu në qeverisjen e tij.
“Mbikalimin do ta bëjmë në vitin e parë të qeverisjes”.
Kështu pati premtuar Qemajl Aliu në vitin 2021 në #DebatPërnime, mbikalimin në fshatin Davidoc, në pjesën e magjistrales.
Krypometri e vlerësoi “me kos” këtë premtim të tij, pasi, edhe pas tre viteve mandat, fshati Davidoc i Shtimes, nuk ka nënkalim.
Komuna e Shtimes, në përgjigjen me shkrim është arsyetuar se kjo rrugë menaxhohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe se pavarësisht aplikimit të Komunës për mbikalim, Ministria nuk ka lidhur kontratë për vendosjen e tij.
Ndërkaq, në debat, kryetari e pranoi vetë se mbikalimet ende nuk janë vendosur.
Ai tha se aplikimi u krye që në vitin e parë, jo vetëm për këtë mbikalim, por edhe për Belnicë, Pjetërshticë dhe Carralevë.
“Për hir të së vërtetës, mbikalimet akoma nuk janë vendosur”- tha Aliu.
Deri në fund të mandatit të tij të parë, Aliu premtoi edhe ujë të pijshëm për secilën shtëpi të Shtimes.
“Ujësjellësi do të shkojë në çdo shtëpi të çdo qytetari të Komunës së Shtimes deri në fund të mandatit të parë timin”.
Kështu e premtonte, Qemajl Aliu zgjidhjen e problemit me ujësjellësin në Shtime në vitin 2021.
Por, tashmë në vitin 2024, qytetarët e kësaj komune vazhdojnë të ankohen ende për mungesën e ujit.
Banori i fshatit Reçak, Beqë Beqiri ka deklaruar se lagjja “15 Janari”, edhepse ka sistemin e ujësjellësit, nuk ka ujë.
“Prej se është fut ujësjellësi, s’kemi pasë fare (ujë). Gypat janë, a na s’kemi kurrë hiç ujë”- tha Beqiri.
Komuna e Shtimes ka filluar punimet fshatin Rashincë për ujësjellës, por banorët atje i kundërshtojnë këto punime. Në një protestë, ata deklaruan se nuk po merret uji nga viset malore, por tek fshati i tyre që është në rrafsh.
“Po dojnë me i hapë edhe tri puse këtu me e furnizu komplet Komunën e Shtimes. Në qoftë se i hapin këto tri puse, ne si fshat kemi qelë puse të tjera edhe na hupin ujin në këto tre puse”- është ankuar banori tjetër nga fshati Rashincë, Bardhyl Haxhiu.
Ndërkaq, kryetari Qemajl Aliu gjatë debatit, për protestën në Rashincë deklaroi se është takuar me banorët dhe se Komuna nuk ka diku tjetër ku të marrë ujë.
Për puset e banorëve, tha se garanton që nuk do të ketë impakt në to.
“Kapaciteti i ujësjellësit në Komunën e Shtimes është 40 litra për sekondë, tash jemi duke investu në dy bazene shtesë dhe do të shtohet kapaciteti edhe me 30 litra për sekondë. Besoj në fund të vjeshtës mund të përfundoj si proces dhe nga pranvera 80% e territorit të Shtimes do të mbulohet 24 orë me ujë”- deklaroi kryetari Aliu.
Tutje, ai shtoi se deri në fund të mandatit, 100% e Shtimes do të furnizohet me ujë.
Përveç ujit të pijshëm, Aliu në fushatën zgjedhore, në vitin 2021 premtoi edhe kolektorin edhe impiantin ujërave të zeza, qysh brenda mandatit të tij të parë.
Ndërkaq, pas tri viteve, kolektori i ujërave të zeza është në përfundim e impianti ende nuk është ndërtuar.
Ndonëse kolektorin dhe impiantin e premtoi para tre viteve, në debat, kryetari tha se nuk mund të premtoj se do të përfundoj deri në fund të mandatit pasi, sipas tij, ky është projekt i Ministrisë së Ekonomisë.
“Nuk mundem me premtu, sepse ai është projekt nacional i Ministrisë së Ekonomisë, por edhe Komuna e Shtimes tashmë është e përfshirë”- tha Aliu.
Premtimi tjetër që nuk u përmbush nga Aliu është ai i renovimit të Qendrës Rinore, madje qysh në vitin e parë të qeverisjes.
“Brenda vitit të parë do të renovohet dhe do të mirëmbahet nga punëtorët”- premtoi Aliu në 2021.
Ndërkaq, Krypometri e vlerësoi “Me kos” këtë premtim të Aliut, pasi kjo Qendër Rinore nuk u renovua në vitin e parë.
“Qendra Rinore është nis, është nën mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore. Është dashtë me u projektu një vit nga Instituti i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, është në proces renovimi dhe po investohen diku 800 mijë euro. Në pranverën e ardhshme presim me e funksionalizu plotësisht”- deklaroi Aliu.
Edhe vetë nga Komuna e Shtimes tregojnë se renovimi ka filluar në muajin korrik dhe se është ende duke u renovuar aktualisht.
Edhe premtimi për ndërtimin e dy çerdheve në Shtime, nuk u përmbush në plotni.
Ndonëse, Qemajl Aliu i LVV-së, në vitin 2021, kishte premtuar dy çerdhe, Krypometri gjeti se disa çerdhe në Shtime janë në proces të ndërtimit, por që asnjëra nuk është funksionalizuar.
“Çerdhja në Muzeqinë është në prag të përurimit dhe funksionalizimit. Kurse në Godanc është përfunduar ndërtimi i pjesës së vrazhdë. Rinovimi i çerdhes në Shtime është në procedurë prokurimi, ndërsa janë në plan të ndërtohen edhe dy çerdhe të tjera, në Petrovë dhe Carralevë”– thuhet në përgjigjen me shkrim nga Komuna e Shtimes.
Ndërkaq, Qemajl Aliu tha se ndonëse akoma nuk është funksionalizuar asnjë çerdhe, deri në fund të mandatit do të ndërtohen pesë çerdhe.
Në mesin e premtimeve të Qemajl Aliut nga VV-ja, ishte edhe ndërtimi i sheshit nga rruga “14 Dhjetori” deri tek sheshi “Adem Jashari”.
Ndërkaq, Krypometri zbuloi as deri në vitin 2024, komunarët në Shtime nuk “i’a prenë shiritin” sheshit të ri.
Përgjatë rrugës që u premtua se do të bëhej shesh, lëvizja e lirshme e veturave, konfirmonte se nuk kishin filluar as punimet për ndërtimin e këtij sheshi.
Në debat, kryetari tha se sheshi do të ndërtohet pas përfundimit të unazave të qytetit dhe ndërtimit të objektit të ri të Komunës.
Pikërisht unazat e qytetit ishin premtimi tjetër që nuk u përmbush plotësisht nga Aliu.
Premtim u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’ për shkak se ‘unaza e vogël’ ka përfunduar, por jo edhe ‘unaza e madhe’.
Unaza në drejtim të Lipjanit është e kryer. Ajo në drejtim të Ferizajt veç ka filluar punën dhe deri në pranverën e ardhshme pritet me u kry”– deklaroi Aliu.
“Ne do të bëjmë edhe parkingje mes Xhamisë dhe Shkollës Profesionale në Shtime dhe do të bëjmë edhe parkingje nëntokësore”- ishte premtimi tjetër i Aliut.
Anipse parkingjet u ndërtuan, parkingu nëntokësor në Shtime, nuk ka filluar ende së ndërtuari.
E kryetari deklaroi se parkingu nëntokësor fillon pas ndërtimit të objektit të ri të Komunës.
Edhe ndarja e barabartë e drejtorive mes grave e burrave, ishte premtim tjetër që nuk u realizua në tërësi nga Aliu.
Kjo pasiqë, ne vitin 2021, Aliu premtoi se në kabinetin e tij, gratë do të udhëheqin me 50 % të drejtorive komunale.
E Krypometri gjeti se në Komunën e Shtimes, nga 11 drejtori sa janë gjithsej, vetëm 5 prej tyre udhëhiqen nga gratë.
Edhe lista e uzurpatorëve të pronave publike ne komunë, ndonëse u premtua se do të publikohej, as pas tre viteve qeverisje të Aliut, lista vazhdon të mos jetë publike në faqen zyrtare të komunës.
Fshatrat të cilat nuk kishin salla sportive, u premtuan se do të bëheshin në këtë mandat të Aliut.
Mirëpo, Krypometri vlerësoi se në disa fshatra të kësaj komune nuk ka ende salla të sportit.
“Sallat e sportit në katër fshatra janë në proces të ndërtimit, kurse në Muzeqinë mbetet të funksionalizohet. Është hapur tenderi për ndërtimin e sallës në fshatin Zborc, ndërsa për dy salla të tjera (në shkollën e fshatit Rashincë dhe Vojnoc si paralele të ndara), kemi bërë kërkesë në MASHTI për ta ndërtuar gjatë vitit të ardhshëm”– thuhet në përgjigjen me shkrim nga Komuna e Shtimes.
Sfida e përballjes me akuzat për punësime familjare
Në Asamblenë e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu i VV-së u përballë me kritika e akuza të asamblistëve opozitarë për punësime familjare.
Asamblisti nga Lëvizja për Bashkim, Rexhep Gashi i’u drejtua kryetarit Qemajl Aliu dhe drejtorëve komunalë me akuza për punësime familjare në këtë komunë.
Gjatë debatit, asamblisti Gashi doli me një listë të emrave të atyre që i cilëson si punësime familjare, për çka thotë se janë bërë nga kryetari dhe kabineti i tij.
“Një listë të punësimeve që ishin këtu. Me të vërtetë ishte, mos të them qesharake, por këta kanë thënë se të afërmit ‘do t’i thirrim në ahengje shtëpiake’, ndërsa këta i paskan thirrë një numër prej 19, të cilët, të gjithë janë drejtorët e përfshirë dhe kryetari”– deklaroi Gashi.
Gashi, potencoi edhe pretendimet e tjera të tij për punësime familjare në vetë institucionet e Komunës së Shtimes nga kryetari Aliu i VV-së.
“Personi zyrtar Qemajl Aliu, VV kryetar, ka punësuar: Agon Aliun, Bujar Beqën, Erona Beqën, Arbnora Aliun, Mustafë Halilin, Yllka Aliun, Gazmend Aliun. [Këta janë] të punësuar në QKMF, në ujësjellës, në QKMF me Caritas, shoferë komune, subvencione, bursa”– deklaroi Gashi.
Tutje, asamblisti Gashi vazhdoi me listimin e personave që thotë se u punësuan nga drejtorët komunalë.
“Yllka Fejzullahu, Drejtoresha e DKA-së, Erleta Fejzullahu- punësim në DKA, Ilir Fejzullahu- punësim në Komunë, Fatmire Mehmeti- punësim në Komunë, Zejnie Veliu- punësim në DKA dhe është asambliste, Negjipe Hysiqi. Arbenita Frangu- Maliqi është punësim komunal. Bardhyl Rushiti, drejtor i Shërbimeve Publike, ka punësuar Nora Rushitin motër në Entin Special, Burbuqe Rushitin kushërire- punësim në DKA. Arbona Qorrolli, balldëska e kryesuesit punësim në DKA, Arbenita Ademi kushërira e kryesuesit- punësim në DKA. Drejtori i Administratës, Valon Januzi ka punësuar Drita Januzin kusherire- punësim në DKA”– shtoi tutje Gashi.
E menjëhershëm ishte kundërpërgjigjja e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, për këtë deklaratë të asamblistit nga Lëvizja për Bashkim.
Fillimisht , kryetari i komunës, pranoi të sqaroj vetëm pretendimin e Gashit për punësimin e djalit të vëllait të tij duke e arsyetuar këtë punësim me “mungesë kuadrosh”.
“Është një klauzolë në shëndetësi që e kam apliku nga dita e parë. Pasi kemi mungesë kuadrosh, kemi dalë edhe me kërku mjek të përgjithshëm deri në Pejë. Nipi im, Agon Aliu që është mjek në QKMF-në e Shtimes, për një vit deri sa ka pasë mjekë me licencë nga komuna e Shtimes, edhe pse janë me diploma prapa tij, ai asnjëherë nuk ka apliku. Ka apliku dhe është pranu në konkursin që nuk ka qenë asnjë mjek nga komuna e Shtimes”– deklaroi Aliu.
Ndërsa Drejtori i Shërbimeve Publike, Bardhyl Rushiti mohoi se ka ndikuar në punësimin e motrës së tij.
“Është përmend emri i motrës. Ajo punon në Entin Special pa u bërë unë ende drejtor dhe nëse ma gjejnë vetëm një argument më të voglin që unë kam ndiku këtu, unë ju garantoj që jap dorëheqje nga Drejtori i Shërbimeve Publike”– u arsyetua Rushiti.
Ndërkaq, asamblistja nga VV, e cila u punësua si mësimdhënëse deklaroi se “ ka 13 vjet përvojë pune në arsim”.
“Nuk e kam pritë qeverisjen Aliu që me ardh dhe me më punësu. Prej vitit 2000 deri në 2007 kam qenë mësimdhënëse e Matematikës, e që për arsye politike më është shkëput kontrata e punës. Nga 2010 deri në 2013 kam qenë mësimdhënëse në Gjimnazin ‘Naim Frashëri’, prapë u shkëput kontrata. Tash në vitin 2022 jam punësu prapë”– deklaroi Veliu.
Drejtoresha e Arsimit në Shtime, Yllka Fejzullahu, po ashtu mohoi ndikimet politike në punësime.
“U përmendën shumë emra, Arbnora Aliu nuk ka lidhje me kryetarin. Burbuqe Rashiti nuk punon në DKA. Fatmire Mehmeti, një herë u tha që mësimdhënëse, tash në Komunë. Komplet janë dezinformata”– deklaroi Fejzullahu.
“Pas shiritit”- cila është cilësia e projekteve të promovuara në Shtime?
Ekipi i KALLXO.com në Shtime u ndesh me parregullsi e mangësi në projektet që i përuroi në rrjetet e tij sociale, Qemajl Aliu përgjatë tri vite qeverisje në këtë komunë.
Në shator të vitit 2023, Qemajl Aliu i’a preu shiritin shkollës “Abdullah Shabani” në fshatin Carralevë.
Mirëpo, edhepse kaluan vetëm një vit nga përurimi i këtij objekti, tashmë në vitin 2024, në shkollën e re, shihen të çara në mure, ujë që pikon, lagështi në mure e salla të edukatës fizike të pafunksionalizuara.
Fajin për këtë Aliu e hedh tek pushteti që ja la pas Naim Ismajli i PDK-së në Shtime, të cilin e mposhti në garën për kryetar komune në vitin 2021.
“E kemi trashëgu me probleme. Na është deshtë me i shtu edhe 50 mijë euro për me e funksionalizu këtë shkollë, por prapë është me defekte, sepse komplet çatia është e çakorduar”– deklaroi Qemajl Aliu.
Po ashtu ekipi i KALLXO.com verifikoi se fusha e sporteve në fshatin Zborc, e cila u promovua nga kryetari Aliu në gusht të vitit 2024, ka probleme me qasje.
Kjo ngase rruga që të dërgonte deri tek fusha ishte e pashtruar dhe se kur binte shi, mbushej me baltë.
Ndërsa, banorët nga ky fshat ankohen se kanë probleme me vetë fushën pasi sipas tyre, fëmijët pësojnë lëndime nga fusha e asfaltuar.
“Staza mbrapa është shumë e thellë. Me ra ndonjë fëmijë, mundet me u lëndu. Me pasë një rrethojë tjetër që me u mbrojtë fëmijët kish qenë pak më mirë”– u ankua Afrim Muharremi nga Zborci.
Aliu thotë se nuk e kishin paraparë shtrimin e rrugës.
“Territori ku është ndërtu është i mbytur nga uji. Si fushë është ndër më të mirat. Kërkesa e banorit për qasje – faleminderit që na e ka dhënë këtë ide, ne do t’i përgjigjemi”– tha Qemajl Aliu.
Edhe në rrugën që lidhë fshatrat Godanc e Gjyrkoc , kryetari Aliu u lavdërua me punimet cilësore që thoshte se po kryheshin në këtë rrugë.
Mirëpo, gjendja në terren ishte ndryshe nga fotografitë e publikuara nga kryetari.
Pikërisht në rrugën “17 Shkurti” në Shtime që ai e promovoi në gushtin e vitit 2024, në vende të ndryshme ishte e dëmtuar, një pjesë asfalti kishte filluar të lëvizte e në pjesë të tjera dukej se asfalti ishte prerë për t’u munduar që të sanonin dëmet e shkaktuara në rrugën e promovuar pak muaj më parë.
Edhepse vetë e promovoi në rrjetet e tij sociale, në debat, kryetari deklaroi se kjo rrugë nuk ka as pranim teknik.
“Rruga ’17 shkurti’ i ka ato probleme, kjo është e vërtetë. Para se me u asfaltu ajo rrugë, aty është investu edhe në kanalizim dhe ky është problem mes operatorit që e ka bërë kanalizimin dhe atij që e ka vendos rrugën mbi”– deklaroi Aliu.
Në parkun e fshatit Davidovc të Shtimes, kryetari Qemajl Aliu në shtator të vitit 2023 tregoi se u investuan 144 mijë euro.
Një vit më pas, në këtë park shihen drunj të tharë, pajisjet sportive të dëmtuara, ulëse të dëmtuara, mungesë uji në çezmen afër parkut e edhe tavolinës së ping-pongut i mungon rrjeta.
Këtë park, Aliu e quajti ndër parqet më të bukura që e kanë ndërtuar, megjithatë pati një arsyetim edhe për dëmet e shkaktuara aty.
“Është e vërtetë që aty ka fenomene të vandalizmit dhe të dëmtimit. Këtë vit e kemi përzgjedh një kontraktor që varrezat dhe parqet të mirëmbahen”– ka thënë Aliu.
“Raportimi…” – Shtimja me performancë të dobët
Në bazë të të dhënave të raportit të performancës të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) që gjithsej mat 16 fusha, Shtimja del që në fushën e barazisë për punësim dhe shërbime sociale, zë vendin e 33-të.
Në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike, zë vendin e 27-të.
Është e renditur e shtata në fushën e transportit publik, ndërkaq vendin e 28-të e zë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe në fushën e kujdesit primar shëndetësor zë vendin e 18-të.
Në këtë komunë, sipas këtyre të dhënave, nuk ka asnjë të punësuar me aftësi të kufizuara.
Për këtë, i pari i Shtimes ka një arsyetim.
“Në konkurset që kemi hapë deri më tani, nuk ka apliku asnjë person me nevoja të veçanta. I vetmi person që ka apliku me nevoja të veçanta ka pasë rezultate minimale dhe nuk ka arritur me i kap kriteret”.
Ndërkaq, për performancën e dobët, të nxjerrë nga raporti i MAPL-së, Aliu thotë se problemi është tek forma e raportimit jo të duhur nga ana e komunës për plotësimin e të dhënave.
“E vërteta është te raportimi… do t’a keni rezultatin e vitit të ardhshëm, ku kur të raportohet drejtë dhe të regjistrohen edhe këto informacione kjo nuk do të jetë në këtë përshkallëzim”- deklaroi Aliu.