'Pushteti' mbi ndërmarrjet publike: Ministri i AAK-së shkarkon zyrtaren e emëruar nga qeveria Kurti

Refuzimi për t’i bërë presion bordeve që t’i pezullojnë konkurset për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve i ka kushtuar me vend pune udhëheqëses së Njësisë për Politika dhe Monitorim  të Ndërmarrjeve Publike, Fikrije Buzuku- Fejza.

Ajo është shkarkuar nga pozita nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi me arsyetimin se “më nuk përfaqëson ‘interesat dhe politikat’ e ministrit.

Gjithë historia nisi kur në disa prej Ndërmarrjeve Publike nisen të hapën konkurse publike për plotësimin e pozitave udhëheqëse. Derisa ministria kërkoi që këto konkurse të stopohen për një kohë, Udhëheqësja e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Fikrije Buzuku- Fejza, e cilësoi atë si ndërhyrje në punët e Bordeve të Përkohshme nëpër këto Ndërmarrje Publike.

Në komunikimet e brendshme, Shefi i kabineti të ministrit Kuçi, Bedri Berisha, ia kishte treguar edhe arsyen e shkarkimit.

“Konsiderojmë që ju nuk përfaqësoni interesat dhe politikat e Ministrit dhe aksionarit në lidhje me ngritjen e performancës të Ndërmarrjeve Publike, përgjegjësi të dala nga ligjet në fuqi”, thuhet në mes tjerash në një mesazh elektronik që ia kishte përcjell Berisha- Buzuku- Fejzës.

Buzuku-Fejza ishte emëruar më 22 prill të këtij viti nga ish-ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari.

Ndërsa, në arsyet e shkarkimit thuhet se “Fikrie Buzuku- Fejza shkarkohet nga pozita për shkak të refuzimit të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me nenin 37 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, duke i pamundësuar aksionarit (qeverisë) në ushtrimin e përgjegjësive ligjore në raport me Ndërmarrjet Publike”.

Gjithashtu, thuhet se, ajo me veprimet e veta ka rënë ndesh me politikat e ministrit.

Por, me këto konstatime nuk është pajtuar vetë Fikrie Buzuku- Fejza. Ajo ia ka dërguar një letër ministrit Kuçi pas shkarkimit.

“Me këtë akt të kequdhëzuar e të paligjshëm, kabineti juaj po hakmerret ndaj meje pse nuk kam pranuar t’u ndërhyj drejtorëve të ndërmarrjeve në punët që ata duhet t’i kryejnë të pavarur”, thuhet në mes tjerash në letrën e saj.

Ajo ka thënë se është shkarkuar nga pozita meqë nuk ka pranuar “të tejkaloj kompetencat dhe të cenoj interesin publik”.

Disa prej Ndërmarrjeve Publike aktualisht kanë vetëm borde të përkohshme pasi Qeveria Kurti shkarkoi ato që ishin paraprakisht, nën arsyetimin se shumë prej Ndërmarrjeve Publike operonin me humbje.

Në pesë Ndërmarrje Publike janë hapë konkurse për pozita udhëheqëse, ndër to edhe Telekomi, Posta e KRU Prishtina.

Në shkresën e saj thotë se qeveria aktuale është angazhuar për të penguar e zhbërë çdo ecuri të ligjshme që në sytë tuaj i takonte qeverisë së kaluar.

“Në veçanti, keni vënë në shënjestër bordet e përkohshme të drejtorëve të ndërmarrjeve publike, që janë emëruar nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti, mes muajve mars dhe qershor”, thuhet në shkresën e saj.

Fikrie Buzuku- Fejza, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se ka pasur presion nga kabineti i ministrit, Blerim Kuçi, që tu dërgoj një rekomandim ndërmarrjeve publike të cilat i kanë hapur konkurset për t’i pezulluar ato.

Ajo thotë se e dërgoi një rekomandim të tillë për ato që veçse kishin hapur konkurse, por ka refuzuar ta dërgoj atë herën e dytë kur iu kërkua.

“Fillimisht më kanë bë presion me ua dërgu rekomandimin për pezullim të konkurseve, pesë ndërmarrjeve Publike që i kanë të hapura konkurset, është kërkuar nga unë që të dërgohet rekomandimi që edhe ndërmarrjeve tjera që nuk i kanë hapë konkurset që mos t’i hapin, mi parandalu hapjen e pozitave dhe konkurseve. Për herën e dytë nuk e kam dërguar rekomandimin e herën e parë e kam dërgu sepse kam pas presion”, tha Buzuku- Fejza.

Sipas saj, ndalimi i konkurseve nëpër Ndërmarrje Publike është ndërhyrje në punën e Bordeve të Përkohshme. Sipas saj, ligji për Ndërmarrjet Publike nuk e përmend askund që një bord i përkohshëm nuk mund të hapë konkurse.

Ajo ka rrëfyer edhe presionin, që sipas saj, i është bërë për t’i arsyetuar ndalimin e hapjeve të konkurseve të reja dhe stopimin e konkurseve që të cilat veçse janë hapur.

“Kabineti i ministrit dhe këshilltari i tij më ka thirr mua dhe zyrtarin ligjor dhe na ka pyet se, si mundemi ne t’i stopojmë konkurset nëpër Ndërmarrje Publike të cilët janë hapur prej Bordeve të Përkohshme. Unë iu kam thënë që është ndërhyrje në punën e bordeve, sepse është detyrë ekzekutive e bordeve me u merr me konkurset për pozitat e larta, pavarësisht a është bord i përkohshëm apo i përhershëm. Dallimi i bordeve të përhershme dhe përkohshme është vetëm koha, asgjë tjetër nuk specifikohet në ligj”, ka thënë ajo.

Në një bisedë për KALLXO.com, vetë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka arsyetuar shkarkimin e Buzuku- Fejza. Sipas tij, ajo nuk përfaqësonte politikat e ministrisë që drejton ndërsa tha se ka vepruar në kuadër të ligjit.

“Ajo nuk po i përfaqëson me ligj interesat e aksionarit, ne jemi 100% aksionar të Ndërmarrjeve Publike. Gjithçka kemi vepruar brenda ligjit, ajo nuk po e kupton, ose ka refuzu me kuptu. Kemi dhënë një rekomandim- letër lidhur me politikë bërjen e aksionarit dhe ajo ka refuzuar me i zbatu rekomandimet tona, me i përcjell më tutje. Ajo se ka kry brenda ligjit, ose ka refuzu me kry detyrën e vetë brenda ligjit”, tha Kuçi për KALLXO.com.

Sipas Kuçit, pozita e Udhëheqëses së Politikave dhe Njësisë së Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike, bëhet përmes emërimit të ministrit dhe nuk është ndonjë pozitë e shërbyesve civil.

“Kjo pozitë emërohet prej ministrit, nuk është shërbyes civil por emërohet prej ministrit. Ministri e emëron me i zbatu politikat e veta”, tha ai.

Buzku- Fejza ka thënë se, prej që në ministri ka shkarkuar ministri i ri, ka pasur pyetje se nga kush është emëruar. Ajo thotë se nuk ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë, së pari, nuk jam emëruar nga VV, unë jam emëruar nga ministrja Hajdari me vendim, nuk  kam shku si partiake, unë jam apartiake, jam jashtë partive dhe nuk jam shku prej VV-së. Sepse jam konsiderua edhe në fillim kur jam shku sepse praktikat kishin qenë ashtu, gjithmonë partitë i kishin emëruar njerëzit në atë pozitë”, ka thënë ajo.

“Edhe kur erdhi ministri i ri, prej fillimit jam pyet nga njerëzit e kabinetit të tij se, si ke ardh ti këtu, iu kam thënë që më ka emëruar ministrja”, deklaroi Buzuku- Fejza. “Pozita ime nuk ia ka bë askujt diçka të padrejtë, as nuk është larguar askush nga puna, as paraardhësi im, sepse atij i ka përfundua mandati para se unë të emërohem. Unë jam emëruar, jam thirr në intervistë nga ministrja Hajdari dhe pas një jave jam emëruar, nuk e kam njohur më herët”, tha në fund ajo.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka dhënë edhe disa prej arsyeve pse ka kërkuar stopimeve të konkurseve nëpër Ndërmarrjet Publike.

“Ndërmarrjet Publike po funksionojnë me Borde të Përkohshme, këto borde kanë afate kufizuese kohore prej gjashtë muajsh, ne i kemi nis procedurën e shpalljes së bordeve të rregullta dhe iu kemi preferuar të gjitha Ndërmarrjeve që kanë nis procedurat me konkurse me i ndalu e sidomos ato që janë të ndjeshme dhe që kanë performancë negative dhe ku jemi me humbje”, tha ministri i Ekonomisë dhe Ambientit.

Kuçi tha se kanë nis procedurat për zgjedhjen e Bordeve nëpër Ndërmarrjet Publike dhe kjo do të ndodhë së shpejti.

“Besoj që brenda një kohe i bëjmë bordet e rregullta, ato janë kompetencë e qeverisë. Çdo anëtar i bordit do të zgjidhet brenda ligjit për Ndërmarrje Publike”, deklaroi ai.

Ndaj pezullimit të konkurseve publike nëpër Ndërmarrjet Publike ka reaguar edhe ish-ministrja, Rozeta Hajdari.

Ish-ministrja Hajdari reagon për inicimin e pezullimit të konkurseve në ndërmarrjet publike

www.kallxo.com