Pushon Procedura Penale Kundër Gjykatësit të Supremes

Gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Ergodgan Haxhibeqiri, akuzohej se në vitin 2011 në cilësi të kryetarit të kolegjit të Gjykatës së Qarkut në Prizren, nxori vendim të paligjshëm me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, ose tjetrin.

“  Duke e ditur se kërkesa e familjes së B.Sh-së. është e bazuar në dokumente të falsifikuara, ai nxjerrë aktgjykim në favor të kësaj familjeje, e në dëm të paditësit subsidiar, kështu duke e shpallur familjen Sh si pronare të paluajtshmërisë, në bazë të trashigimisë joekzistuese “, thuhet në aktakuzën e Fatos Kakelit.

Por kjo aktakuzë u hodh poshtë nga Gjykata Themelore e Gjilanit të premten, si e pabazuar. Edhe procedura penale kundër Haxhibeqirit pushoi në mungesë të provave.

Në arsyetimin e gjyqtarit Sahit Boroci thuhet se “pas shikimit dhe analizimit me kujdes të të gjitha shkresave të lëndës, është konstatuar se duhet të hidhet aktakuza e paditësit supsidiar Fatos Kakeli ndaj të pandehurit Ergogan Haxhibeqiri, ngase nuk ka prova se i njëjti e ka kryer veprën penale me të cilen akuzohet “.

Haxhibeqiri ngarkohej për veprën penale nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore.

Paditësi Fatos Kakeli i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Haxhibeqiri gëzon mbrojtje nga gjykata.

“ Gjyqtarin po e mbrojnë kolegët e tij, por unë nuk do të ndalem, do të ankohem në shkallën më të lartë kundër ketij vendimi“, tha Kakeli.

Gjyqtari Haxhibeqiri aktakuzën kundër tij e konsideroi përpjekje për t’ia ulur prestigjin.

“ Ka qenë tendencioze dhe me më zprapsë nga qëndrimet e mia dhe me më devalvu si gjyqtar. “ Në lëndën për të cilen akuzohem, kam vendosur në kolegj, pra kanë qenë edhe dy gjyqtarë tjerë, ndërsa jam akuzu vetëm unë “, tha Haxhibeqiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Më tutje në arsyetimin e vendimit për hedhje poshtë të aktakuzës kundër gjyqtarit të Supremes thuhet: “Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi për vendimet e marra, votimi i bërë, mendimi i shprehur dhe veprimet tjera brenda fushëveprimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre si gjyqtar.

Në seancën e konfirmimit të aktakuzës për këtë rast, të mbajtur më 20 janar ishte i pranishëm vetëm paditësi Fatos Kakeli, ndërsa mungonte i padituri Haxhibeqiri.

Haxhibeqiri kishte paraqitur kundërshtim për aktakuzën, duke kërkuar që ajo të hidhet poshtë, pasi sipas tij kjo çështje ishte tashmë e gjykuar.

Ish-Prokuroria Komunale në Gjilan, më 15 tetor 2012 po ashtu hodhi poshtë kallëzimin penal të Kakelit kundër Haxhibeqirit, me arsyetimin se veprimet e gjykatësit nuk përbëjnë vepër penale.

Edhe ish-Gjykata e Qarkut në Gjilan hodhi poshtë padinë e Kakelit kundër Haxhibeqirit, më 28 nëntor 2011. Atëherë Kakeli akuzonte Haxhibeqirin për shpërdoruim të detyrës zyrtare dhe autorizimit.