Punëtorët Kërkojnë Rrogat e Papaguara Nga Kosova Petrol-i

Bedri Selmani, pronar i Kosova Petrol-it, përveç që ka borxhe ndaj shtetit për qira ta papaguar dhe nuk ka licencë për të vepruar në tregun e derivateve, po akuzohet edhe nga punëtorët e tij për mosdhënie të pagave. 

Sabit Hashani, është punëtor i stafit teknik të Kosova Petrol-it dhe ai ka ndërprerë punën. 

Thotë se nuk i janë paguar tetëmbëdhjetë paga. 

“Punën nuk jemi duke e vazhduar.. nuk dalim pa na e bërë pagesën”, thotë ai. 

Ai është në mesin e shtatë vetave që e kanë ndërprerë punën prej 21 janarit të këtij viti.

Ndërprerjen e punëve nga këta punëtorë, e  ka konfirmuar edhe Xhevat Hoti, menaxher i stafit teknik. Thotë se nuk është duke u punuar për shkak të mosdhënies së pagave.

“Në një farë mënyre ne kemi punuar si me ndërprerje. Në rastet kur është bë nga një pagesë simbolike, ka filluar puna”, tha ai. 

Hilmi Sylejmani është njëri prej punëtorëve më të vjetër aty. 

Thotë se ka punuar qe 35 vjet, prej kohës kur pompat menaxhoheshin nga INA e Zagrebit. 

“Një ankesë e kemi bë para 8 muajve, një para 4 muajve dhe një tjetër para 10 ditëve. Ne kemi bërë shkresën se jemi në grevë pune dhe pa na i bë pagesat e rrogat me na përcjell në muajt nuk do të dalim në punë”, tha Sylejmani.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje Bedri Selmanit, pronarit të Kosova Petrol-it dhe Leonora Selmanit, drejtoreshës së kompanisë. Ata ende nuk kanë dhënë një përgjigje lidhur me çështjen e punëtorëve. 

“Punëtorëve nganjëherë u janë paguar nga 100 euro”

Ali Sylejmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Kosova Petrol-it, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se problemi me pagat e papaguara për 250 punëtorë të kompanisë, ka nisur që nga nëntori i vitit 2012.

Sipas tij, punëtorëve nganjëherë u janë paguar nga 100 euro- por jo të gjithëve.

“Prej 34 pompave janë 18 pompa që kanë pas nga pak mall edhe ata (punëtorët) i kanë marrë nga pazari, po tjerët si drejtoria, shërbimi teknik nuk kanë marrë kurrgjë, janë edhe pompat tjera diku 13 që nuk kanë pas mall që një vit”, tha Sylejmani. 

Kryetari i Sindikatës Sylejmani, thotë janë zhvilluar takime me drejtoreshën ekzekutive Leonora Selmani, rreth mundësisë së pagesave.

Thotë se drejtoresha Selmani kishte deklaruar se kompania është zhytur në borxhe dhe se nuk po ka mundësi të paguajë punëtorët.

Lidhur me problemin e punëtorëve të Kosova Petrol-it është njoftuar edhe sindikata amë ku janë të anëtarësuar punëtorët e kësaj kompanie. 

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës  (SPEVZ) që është në kuadër të BSPK-së, ka thënë se ka një vit që janë duke u marr me punëtoret e kësaj kompanie.  

 “Ka disa punëtorë që i marrin pagat në një mënyrë tjetër pasi që kompania brendapërbrenda ka bërë një lloj diskriminimi, pasi që në pjesën e Prizrenit dhe Ferizajt i furnizon pompat e benzinës me derivate dhe ata në një farë forme vetanake i ndalin mjetet”, tha Azemi.

Ai thotë se ka disa pompa tjera që nuk furnizohen asnjëherë dhe kështu me paga kanë mbetur shumë mbrapa.

Azemi thotë se më 23 dhjetor të vitit të kaluar ka takuar Leonora Selmanin, drejtoreshën ekzekutive të Kosova Petrol-it. 

“Ajo tha se edhe pse hapin nuk do të mund ta zëmë për një kohë të shkurtër, së paku çdo muaj do t’u paguajë nga një rrogë. Takimi i fundit me të ka qenë me 23 dhjetor, por nuk ka pas asgjë pas këtij takimi”, tha Azemi.

Vetëm dy ankesa në Inspektorat të Punës

Në fundvitin e vitit 2013, dy punëtorët e Kosova Petrolit H. S dhe N. G, të dy nga Prishtina, kanë paraqitur ankesë në Inspektoratin e Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi që nuk ishin paguar.

Inspektorati i Punës përmes zyrës për informim, e ka konfirmuar se kanë pranuar dy ankesa të punëtorëve të Kosova Petrol-it.

“Ankesa e H. S-së është paraqitur me datën  30 tetor 2013, derisa ankesa e N. G-së është paraqitur më datën 14 nëntor 2013”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës.

Sipas Inspektoratit të Punës, pas ankesave gjatë 20 dhe 25 nëntorit 2013 është bërë inspektimi në Kosova Petrol, me ç`rast kanë marrë premtim nga menaxheri i Burimeve Njerëzore Besnik Selmani se do ta kryejë borxhin ndaj tyre.

“Më datën 27.11.2013 kanë lidhur aktpajtim ndërmjet punëdhënësit dhe kërkuesve, në praninë e inspektorëve të punës”, thuhet në këtë përgjigje.

Gjatë muajit janar, sipas Inspektoratit të Punës, është kryer edhe një riinspektim në Kosova Petrol.

Inspektorati konkludoi më pas se kompania nuk ka përmbushur marrëveshjen.  Në përgjigjen e Inspekoratit të Punës dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, thuhet se në këtë rast do të veprohet bazuar në ligj. 

Ali Sylejmani, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, tregoi se si sindikatë nuk e kanë bërë asnjë ankesë në Inspektoratin e Punës, pasi nuk e kanë parë të arsyeshme një gjë të tillë. 

“E dimë se sipas ligjit Inspektorati i Punës ka të drejtë ta dënojë pronarin deri në 10 mijë euro edhe nga kjo çka bëmë – kurrgjë”,  tha Sylejmani.

Kompania Kosova Petrol llogaritet nga autoritet shtetërore si uzurpatore e pronës shoqërore. 

Lexoni më shumë rreth kompanisë Kosova Petrol-

– Zvarritja e Shtetit Dështon Afatin e Kryerjes së Rrethrrotullimit 

– Shteti e Çon në Gjyq Kosova Petrol-in

– Aplikacione të Pasuksesshme të Biznesmenit të Fuqishëm

Bedri Selmani Miliona Euro Borxh Shtetit

– Mesic e Sanader Nuk e Lëkundën Kosova Petrol’in