PTK - Shtyrja e Katërt

Qeveria vendosi të mërkurën që të shtyjë për të katërtën herë afatin e dorëzimit të ofertave për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës (PTK).

Ishte caktuar që data 14 mars të jetë e fundit për dorëzimin e ofertave nga konkurrentët, por Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së vendosi të mërkurën që t’iu japë kohë pretendentëve deri më 21 mars të këtij viti.

“Shtyrja ka ardhur si rezultat i kërkesës së investitorëve për kompletimin e dokumenteve të tyre”, thuhet në kumtesën e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik (MZHE).

Më tej, MZHE-ja në arsyetimin e saj thotë se ka marrë parasysh vëllimin e madh të dokumenteve të nevojshme që kërkohen nëpërmjet këtij procesi privatizimi, të cilin e klasifikon si “kompleks”.

“Me këtë vendim komisioni… favorizon konkurrencën e cila është vendimtare për suksesin e procesit të privatizimit…”, thuhet në këtë kumtesë. 
   
Njëjtë ishte thënë edhe me 23 janar, kur Qeveria e Kosovës kishte shtyrë për herë të tretë afatin e dorëzimit të ofertave për privatizimin e PTK-së.

James Schmidt, këshilltar strategjik për privatizim, kishte deklaruar në një konferencë shtypi se shtyrja ishte bërë për të rritur konkurrencën, në mënyrë që të ketë oferta me çmime sa më të larta.

Ndërkohë, vetë ministri Beqaj kishte deklaruar se kjo do të ishte shtyrja e fundit në tenderin e dytë të procesit të privatizimit të Postë-Telekomit.

Po atë ditë ishte njoftuar se ka ndryshime ne konzorciumet që janë në garë për privatizimin e PTK-së.

KQP kishte miratuar përfshirjen e Citigroup Venture Capital International Advisors (CVCI) në konsorciumin e Twelve Hornbeams S.a.r.l /Avicenna Capital LLC, dhe përfshirjen e Central Balkan Investments Limited (CBI) në konsorciumin e M1 International Ltd.

Në fillim, në garë ishin pesë konzorciume, por mbetën katër pas tërheqjes zyrtare të “Albright Capital Menagment”.

Por, në katër konzorciumet e mbetura ka kompani që kanë lidhje me politikanë si dhe kanë probleme me shkelje ligjore.

Ndërkohë Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së kishte shtyrë për herë të parë afatin e dorëzimit të ofertave në nëntor të vitit 2012.

Qeveria kishte thënë se këtë po e bënte me kërkesë të investitorëve.

Afati ishte shtyrë deri më 15 janar të vitit 2013.

Por, më 9 janar ishte njoftuar se procesi po shtyhej edhe për dy javë tjera.

Shtyrja e dytë ishte arsyetuar me anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, si dhe nga interesimi i këtij institucioni financiar për mbështetje të procesit të privatizimit.