Pse vret COVID-19?

Një grimcë e virusit – vetëm e 50 milionta pjesë e një milimetri – është përgjegjëse për gjunjëzimin e krejt botës.

Virusi SARS-CoV-2 është vetëm një paketë mikroskopike e proteinave, yndyrës dhe materialit gjenetik e quajtur ARN.

Mirëpo qindra mijëra njerëz në botë kanë vdekur nga sëmundja që ajo shkakton, COVID-19.

Kanali televiziv britanik, Sky News, ka bërë një përmbledhje studimesh dhe analizash nga institute të ndryshme mjekësore si dhe nga ekspertë mjekësorë, lidhur me atë se pse vret koronavirusi, kë dhe në ç’mënyrë vret, si futet në trupin e njeriut, si shpërndahet, cilat pjesë të organeve njerëzore i dëmton më së shumti dhe cilën kategori njerëzish e sulmon më shumë dhe arsyen pse i sulmon?

Si futet në trupin tonë?

Kur është jashtë trupit, virusi jeton në spërklat e lagështisë. Njerëzit e marrin virusin duke i prekur vendet e lagështa. Aty virusi mund të mbijetojë për shumë orë apo edhe ditë të tëra. Mënyra më e zakonshme se si virusi futet në trup është kur njerëzit e thithin atë përmes gojës ose hundës.

Virusi mund të jetojë jashtë trupit por jo përgjithmonë. është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë, por në temperaturën e dhomës mbijeton në sipërfaqe të çelikta deri në shtatë ditë. Ndërkohë që mbijeton në spërklat e madhësisë mikroskopike në ambiente të lagështa, virusi pret derisa të mund të transferohet në një trup – ky trup jemi ne.

Mënyra më e zakonshme e depërtimit nëpër qelizat tona është kur thithim spërklat si pasojë e teshtitjes apo kollitjes nga një person i infektuar. Megjithatë, për shkak jeton në sipërfaqe, njerëzit që i prekin ato sipërfaqe mund të infektohen nëse prekin hundën, gojën ose sytë, duke i dhënë mundësinë virusit që në këtë mënyre të futet në trupin tonë.

Pasi të ketë depërtuar në trup, ai e çan rrugën e tij drejt qelizave që e lejojnë atë të përsëritet, më shpesh në rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë.

Si shpërndahet?

Me tu futur në trupin tonë, ai ka si objektiv qelizat tona. Pas injektimit të RNA, ai pastaj ai kopjohet, duke prodhuar shumë kopje të vetvetes. Këtë e bën përmes diçkaje të quajtur shkëputje virale, proces ky përmes të cilit një virus largohet nga një qelizë dhe lëviz për tu bërë banor i një qelize tjetër. Një mostër e marrë nga pjesa e pasme e fytit të një personi të infektuar rezulton me qindra miliona spërkla virale.

Pjesa e pasme e fytit, e quajtur faring, është ajo ku virusi është më aktiv në fazën e hershme të tij, duke shkaktuar një kollë të thatë. Nëse një person kollitet ose prek gojën e tij, atëherë do të bëjë shpërndarjen e spërklave të virusit në ambient.

Studimet e vazhdueshme kanë identifikuar një simptomë tjetër që ndodh zakonisht – humbjen e shijes dhe erës. Komuniteti mjekësor nuk e ka arritur ende një mendim uniform nëse humbja e shijes duhet të konsiderohet një lloj simptome për COVID-19.

Studime të tjera kanë zbuluar se virusi shkakton një varg simptomash që ndryshojnë shumë nga personi në person, duke përfshirë dhimbje të fytit, gulçim, dhembje dhe diarre.

Ekspertët mendojnë se virusi sulmon qelizat në pjesën e pasme të fytit ose hundës që rezulton në humbjen e shijes dhe erës. Ka pasur shumë debate në lidhje me atë se sa njerëz janë asimptomatikë – domethënë ata që janë të infektuar por nuk tregojnë simptoma.

Disa studime këtë shifër e kanë vendosur deri në 87%, në varësi të komunitetit që studiohet, megjithatë konsensusi i përgjithshëm thotë se mund të jetë rreth 40% deri në gjysmën e atyre të infektuar në përgjithësi.

Ekzistojnë gjithashtu sugjerime që virusi mund të përhapet nga njerëz që janë asimptomatikë ose presimptomatikë – do të thotë se ata mund të transmetojnë virusin përpara se të shfaqin ndonjë simptomë e të qenit i sëmurë.

Një studim kinez i 94 pacientëve ka treguar se niveli më i lartë i shkëputjes së viruseve ka ndodhur pikërisht atëherë kur simptomat kishin filluar të shfaqeshin – domethënë pacientët do të kishin lëshuar spërkla virale përpara se të shfaqnin ndonjë simptomë. Shkencëtarët zbuluan se rreth 44% e atyre që ishin të infektuar nga totali prej 94 pacientëve e kishin marrë virusin përpara se personi të kuptonte se ishte sëmurë. Studime të tjera kanë vlerësuar se numri i rasteve të shkaktuara nga transportuesit asimptomatikë dhe presimptomatikë është në mes 40% dhe 80%.

Ndërkohë që rruga kryesore për infektim mund të jetë spërklat e kollitjes, ekzistojnë gjithashtu dëshmi në rritje që një nga mënyrat me të cilat infektohen njerëzit është përmes transportuesëve të frymëmarrjes.

Si ndikon në kanalet e frymëmarrjes dhe në mushkëri?

Virusi vazhdon të sulmojë në raste më të rënda qelizat speciale në mushkëri.

Kupa dhe qelizat ciliatike kanë për detyrë t’i mbajnë mushkëritë me lagështi duke larguar çdo gjë të padëshiruar nga rrugët e frymëmarrjes. Ndërsa këto qeliza vriten, ato bien në mushkëri duke krijuar bllokime. Por, për shkak se këto qeliza normalisht kanë detyrë të pastrojnë bllokimet, një situatë e tillë pastaj mund të rezultojë me pneumoni, një gjendje në të cilën qeset e ajrit që na lejojnë të marrim oksigjen, pësojnë ndezje.

Nëse një pacient nuk arrin të përmirësohet brenda një jave, sëmundja bëhet më serioze.

Virusi duket se është tërheqës në veçanti për qelizat e mushkërive. Lidhet me një enzimë të quajtur ACE2, e cila shtrihet në sipërfaqen e disa prej qelizave në qeset e ajrit – një ndarje në mushkëri. SARS-CoV-2 më pas përdor ACE2 për të fituar qasje dhe sulmuar qelizat. Kjo bën që ato të ndizen dhe të rezultojnë me pneumoni.

Studimet kanë treguar që dëmtimi i mushkërive nga COVID-19 mund të jetë aq i rëndë saqë pacientët që mbijetojnë mund të mbesin me vështirësi të frymëmarrjes gjatë gjithë jetës.

Dëmi mund të shkaktohet nga pneumonia ose nga sindroma e shqetësimit të frymëmarrjes akute (ARDS), e cila mund të jetë pasojë e infeksionit, dhe do të thotë që mushkëritë nuk po i japin trupit oksigjenin që i nevojitet. Kjo rezulton në diçka të quajtur hipoksi (hypoxia) – mungesë oksigjeni në qarkullimin e gjakut.

Nga ata që shfaqin simptoma, rreth 20% kanë një formë më serioze të COVID-19 dhe kërkojnë trajtim në spital. Kjo shpesh bëhet e dukshme kur njerëzit hasin vështirësi në frymëmarrje.

Në shumë raste, kërkohet ndihmë për të futur oksigjenin në rrjedhën e gjakut, qoftë duke marrë frymuar oksigjen të pastër, duke përdorur një ventilator për të ndihmuar mushkëritë e tyre të dobësuara, ose duke përdorur një teknikë të quajtur oksigjenim të membranës ekstrakorporale (ECMO), kur gjaku është oksigjenuar artificialisht jashtë trupit para se të kthehet.

Ndonjëherë, pacientët nuk kanë probleme me frymëmarrjen, megjithatë dihet se kanë nivele jashtëzakonisht  të ulëta të oksigjenit në gjak.

Një tipar kurioz dhe aq i pashpjegueshëm i COVID-19 është që shumë pacientë kanë një nivel hipoksie që, në rrethana normale, rezulton me vdekje. Mirëpo disa pacientë janë plotësisht të vetëdijshëm dhe me sa duket nuk janë në dijeni për ashpërsinë e sëmundjes së tyre.

Është quajtur “hipoksi e lumtur”, sepse ata, edhe pse do të vdesin, akoma e përshkruajnë veten si “të rehatshëm” dhe shpesh janë, për shembull, në gjendje të flasin me njerëz dhe të përdorin telefonat e tyre ndërkohë që janë të hospitalizuar.

Normalisht, njerëzit duhet të kenë një saturim të oksigjenit në gjak prej rreth 95%, atëherë kur matja e nivelit të oksigjenit bëhet përmes gishtërinjve. Por disa prej tyre kanë përjetuar nivele aq të ulëta të nivelit të oksigjenit të tillë si 50 ose 60%. Kjo mendohet se është e lidhur me virusin që shkakton mpiksjen e gjakut, megjithëse shumë studime tjera janë në zhvillim e sipër.

Në ç’mënyrë vret?

Ekspertët mjekësorë po përpiqen të kuptojnë shumëllojshmërinë e mënyrave përmes të cilave COVID-19 po vret njerëzit.

Disa pacientë COVID-19 kanë pësuar goditje, kriza dhe inflamacion të trurit. Disa pacientë vazhdojnë të zhvillojnë pneumoni më të rëndë dhe vdesin nga dështimi i frymëmarrjes, pasi sistemet e tyre imunitare janë të dëmtuara dhe të paafta për t’i mbrojtur ato. Një numër i konsiderueshëm i njerëzve me COVID-19 vuajnë nga dëmtimi i mëlçisë. Megjithatë, një shkak i zakonshëm i vdekjes është dështimi i shumëfishtë i organeve. Pacientët gjithashtu janë duke iu nënshtruar një forme të një sindromi inflamator të quajtur si stuhi citokine (cytokine storm), e cila mund të sulmojë shumë vend brenda trupit në të njëjtën kohë.

Shkalla e vdekjeve që raportohet për COVID-19 në disa vende, duket tmerruese. Disa sisteme shëndetësore në të gjithë botën kanë të bëjnë me një në 10 ose më shumë prej atyre që testojnë pozitiv me vdekjen. Ka raporte joformale nga kujdesi intensiv që pacientët po preken në mënyra të ndryshme. Por ajo që në të vërtetë po vret njerëzit mbetet akoma një temë debati.

Disa ekspertë mendojnë se ashpërsia e sëmundjes varet nga sasia e virusit ndaj të cilit dikush ekspozohet. Kjo mund të shpjegohet me faktin se pse aq shumë profesionistë shëndetësorë  kanë vdekur apo janë infektuar rëndë, kur ata kanë pasur vështirësi për qasje në pajisjet mbrojtëse personale (PPE). Por të tjerët thonë se duhen më shumë prova. Ajo që është e qartë tanimë është se virusi në formën e tij më serioze sulmon shumë pjesë të trupit.

Deri më tani, pacientët me Covid-19 kanë vdekur nga: nivele katastrofike të ulëta të oksigjenit në gjak, dështimi i organeve (me mëlçinë dhe veshkat veçanërisht të cenueshme), infarkti, dështim të frymëmarrjes, koagulim i madh i gjakut dhe emboli.

Megjithëse po bëhen shumë debate në lidhje me këtë, këto shkaqe të vdekjes mund të vijnë nga tendenca e virusit për t’i targetuar qelizat në zemër, enët e gjakut, mushkëritë, zorrët, mëlçinë dhe veshkat. Këto organe kanë një numër të madh qelizash që kanë ACE2 në sipërfaqen e tyre.

Sidoqoftë, një nga shkaqet më të mëdha të vdekjes, duket se janë mbrojtëset trupore gjatë kohës së parakalimit të tyre. Kjo mund të fillojë kur trupi dërgon një numër jashtëzakonisht të lartë të qelizave mbrojtëse për të mbrojtur virusin në mushkëri. Është ky veprim mbrojtës që në të vërtetë parandalon oksigjenin të hyjë në gjak.

Pastaj, pasi virusi përhapet më tej në organe të tjera, trupi reagon ndaj mbrojtjes së tij duke u mbingarkuar duke e shkaktuar atë që njihet si një stuhi citokine (cytokine storm) – një rritje e proteinave të vogla – në një përpjekje për ta mbrojtur atë, por që mund të rezultojë në hiperinflamacion. Një stuhi citokine është një lloj shoku septik në të cilin qelizat e bardha të gjakut lëshojnë citokina, të cilat i udhëzojnë qelizat e tjera të bardha të gjakut të lirohen sa më shumë dhe kështu me radhë, në atë që është në të fakt një qark reagimesh. Mund të shkaktohen kriza, humbje katastrofike të presionit të gjakut ose dështim i shumëfishtë i organeve, gjë që rezulton shpesh në vdekje.

Pavarësisht faktit se shifrat kryesore thonë se shkalla e vdekshmërisë është mbi 10%, shkalla e vërtetë e vdekjes ka të ngjarë të jetë shumë më e ulët se ajo, pasi shumë vende që kanë norma më të larta kanë nivele më të ulëta të testimit.

Studiuesit mjekësorë thonë se shumë vdekje në të cilat COVID-19 ishte faktor nuk kanë ndodhur direkt si rezultat i virusit, dhe njerëzit mund të kenë vdekur gjithsesi – për shembull, ka pasur raste të dokumentuara që pensionistët kanë qenë shumë të sëmurë, duke ardhur në spital dhe duke e marrë koronavirusin, por më pas duke vdekur nga sëmundjet e tyre. Megjithatë, COVID-19 është ende ndër shkaqet e vdekjes që përmendet në certifikatën e vdekjes.

Kë e vret?

Covid-19 godet disa grupe më shumë se të tjerët. Ato përfshijnë: personat me sëmundje tjera shoqëruese dhe të moshuarit. Një studim i hershëm i 44,000 pacientëve kinezë thotë se virusi sulmon më shpesh burrat, të moshuarit dhe ata me disa sëmundje mjekësore para-ekzistuese.

Burrat

Teoritë e hershme thonë që burrat kinezë kanë një jetesë më pak të shëndetshme sesa gratë andaj edhe ishin më të rrezikuar. Mirëpo disa studime tjera kanë zbuluar se burrat janë më pak të aftë të mbrohen edhe nga viruset tjera, të tilla si HIV dhe Ebola, sepse sistemet imunitare të grave janë në gjendje të zhvillojnë një mbrojtje më të fortë.

Të moshuarit

Rreziku për numrin më të madh të vdekjeve për të moshuarit është i bazuar në numrin e madh të vdekjes në shumë vende të tjera qysh nga përhapja e pandemisë jashtë Kinës.

Në pjesën më të madhe të Evropës, më shumë se gjysma e qytetarëve të moshës 80 vjeç ose më shumë që testojnë pozitiv për COVID-19 vdesin dhe katër në 10 nga ata të moshës 60-79 vjeç.

Fillimisht ishte menduar se Italia ishte goditur aq shumë nga pandemia dhe numri i madh i shkallës së vdekjeve sepse kishte një popullsi të madhe me të moshuar, krahasuar me vendet e tjera, mirëpo qysh nga momenti që numri i madh i vdekjeve në këtë vend ka stopuar ka të ngjarë që edhe Italia të përfundojë ngjashëm me shumë vende të tjera të Evropës, dhe, në fakt, numri i vdekjeve edhe mund të jetë më i ulët.

Disa studime kanë sugjeruar se arsyeja pse të moshuarit po goditen aq shumë është se ata kanë sistem imuniteti më të dobët sesa të rinjtë. Përveq kësaj, disa grupe njerëzish të moshës së re dhe grupe tjera me imunitet natyrisht më të dobët, të tilla si gratë shtatzëna, gjithashtu konsiderohen si të cenueshsme ndaj infeksioneve pandemike.

Njerëzit me sëmundje tjera shoqëruese

Lista e njerëzve me sëmundje tjera shoqëruese e që i bën ata më të cenueshëm ndaj COVID-19 është e njohur dhe shumë e gjatë. Mirëpo, nuk ka ndonjë të dhënë të saktë se pse kjo kategori njerëzish janë më të rrezikuar ndaj Covid-19.

Dihet, për shembull, se shumë njerëz me mbipeshë vuajnë gjithashtu nga sëmundje tjera, të tilla si diabeti, ose nga problemet e zemrës.

Shumë prej atyre që kanë sëmundje tjera shoqëruese thjesht i bëjnë ata më të cenueshëm sepse kanë sistem imuniteti më të dobët, që do të thotë se ata janë më pak të aftë të luftojnë çdo infeksion, përfshirë COVID-19.

Pakicat etnike

Grupet tjera të cilat dukshëm janë në rrezik janë njerëzit me ngjyrë, aziatikët dhe ata që kanë prejardhje nga pakicat etnike. Sipas një studimi të bërë publik në prillin e hershëm me pacientët britanikë nën kujdesin intensiv dhe me ventilatorë, për të zbuluar se pse më shumë njerëz me ngjyrë dhe njerëz me origjinë nga Azia janë subjekt i një infektimi më ta madh sesa në rastet e zakonshme, afërsisht 30% prej tyre ishin me ngjyrë, aziatikë apo e racës së përzier.

Tutje, sipas një analize të bërë nga gjiganti televiziv britanik Sky News, 62% e atyre që kanë vdekur nëpër spitalet britanike nga Covid-19 kanë qenë pjesë e këtyre grupeve. Me fjalë tjera, thotë ky studim, njerëzit me ngjyrë kishin katër herë më shumë gjasa për të vdekur nga Covid-19 sesa bashkëkombasit e tyre të bardhë.

Ekzistojnë shumë teori rreth asaj se pse ndodh një gjë e tillë, duke përfshirë edhe teorinë se popujt që vijnë nga njerëzit me ngjyrë dhe disa pakica etnike kanë nivele më të larta të ACE2 (një rregullator i funksionit të zemrës) ose se ka një nivel më të madh të diabetit në organizmin e tyre.

Fëmijët

Ajo që dihet tanimë është se fëmijët nuk preken përgjithësisht.

Studimet në disa vende kanë zbuluar se më pak se 2% e atyre që testojnë pozitivë janë nën  moshën 18 vjeçare dhe nga ata vetëm një pjesë e vogël janë prekur seriozisht. Fëmijët e vegjël duket se janë edhe më pak të prekur. Disa studime tjera kanë gjetur se nuk ka fëmijë nën moshën 10 vjeç që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Një prej arsyeve për këtë mund të jetë sepse fëmijët duket se kanë më pak të ngjarë ta përvetësojnë virusin.

Ka sugjerime, por kjo ende nuk duhet të konfirmohet, që fëmijët nuk e transmetojnë sëmundjen aq lehtë sa të rriturit ose madje, nuk e transmetojnë fare.

Sidoqoftë, shumë më konfuze janë studimet e tjera që kanë zbuluar se fëmijët mund të kenë sasi të mëdha të virusit në sistemin e tyre.

Edhe pse një numër i vogël fëmijësh po vdesin – përfshirë disa të porsalindur – dilema qëndron në faktin se pse, në përgjithësi, të moshuarit po vdesin në një numër të madh ndërkohë që foshnjat dhe parashkollorët – të cilët shpesh kanë sistem imunitar më pak të zhvilluar – po ia dalin shumë lehtë me koronavirusin.

Megjithatë, ekzistojnë studime tjera të cilat thonë se edhe pse pjesa më e madhe e fëmijëve shfaqin pak ose aspak simptoma, një pakicë e vogël prej tyre janë të prekur në mënyrë kritike nga koronavirusi në shumë vende të botës.