Pse qeverisja komunale kaq larg vëmendjes së mediave?

Veprimi i ambasadorit gjerman, Christian Heldt, i cili me karrocë invalidore na dëshmoi se sa të vështirë e kanë ecjen në trotuaret tona qytetarët me nevoja të veçanta, na tregon shumë për temat që ne si shoqëri vendosim t’i debatojmë.

Kjo jo vetëm për faktin se personat në karrocë nuk kanë ku të ecin, por se askush nuk merret me trajtimin e kësaj teme edhe pse çdo ditë dalim nga banesa që nuk kanë pjerrina dhe lëvizim në trotuare të bllokuara.

Nuk merremi dhe nuk e diskutojmë pse ecim edhe skaj kontejnerëve të mbushur e rrugëve të papastruara, e kur kthehemi në mbrëmje fëmijët nuk kemi as 5 metra katrorë park për t’i shëtitur.

Nuk merremi me faktin se kur i dërgojmë fëmijët në shkollë duhet t’i dërgojmë me shoqërues për shkak se siguria në trafik është zero, e kur futen në klasë nuk ka sapun për t’i larë duart.

Këto janë tema dytësore për ne për shkak se jemi të fokusuar vetëm në nivelin e lartë dhe atë vetëm në zhvillimet rreth temës se kush po mbetet apo kush po themelon Qeverinë.

Nuk ka familje në Kosovë e cila gjatë mbrëmjes nuk ndjek të paktën një edicion të lajmeve, një debat apo edhe nuk lexon në mediat online informacionet e prodhuara.

Të gjithë i ndjekin debatet qorrazi, pa e pyetur veten se pse nuk kemi ku të shërohemi dhe pse papunësia është shumë e lartë?

Të fokusuar në “temat e mëdha” gazetarët kanë lënë anash problemet si ai i karrocës e që në shoqërinë tonë janë të shumta.

Realiteti na tregon se para dilemës se kush çka bëri më 1999 apo edhe kush e si po vendoset në Qeveri vendi ka probleme më të mëdha në arsim, shëndetësi, ekonomi e deri te qeverisja lokale.

Në fakt, qeverisja lokale ka nisur të bëhet temë e parëndësishme, nuk është trendi nuk sjell klikime dhe temat janë të vogla për gazetarët e qendrës ndërsa mediat lokale nuk kanë kapacitete të tematizojnë problemet komunale.

Kjo u ka hapur rrugë disa faqeve dhe portaleve fantome që të nisin të merren me lajme nga komunat. Lajmet gjysmake, e disa edhe propaganduese të prodhuara nga këto faqe, do lënë pasoja të mëdha në diskursin publik lokal.

Në këtë klimë, ata që janë të thirrur për t’u dhënë zgjidhje problemeve në nivelin lokal nuk kanë fije presioni publik ndërsa puna dhe mospuna e tyre lidhet vetëm me vullnetin ose jo për të qeverisur mirë.

Në një situatë të tillë gazetarët duhet të udhëhiqen nga parimi i të mirës publike e jo vetëm i klikimeve.

Pyetja bazike do të ishte sa i kontribuoj interesit të publikut, nëse e nis ditën dhe kontaktoj dy ekspertë që komentojnë opsione se si do jetë vendimi i Kushtetueses dhe sa i kontribuoj interesit të publikut nëse shkruaj apo raportoj që një familje nuk arrin të dalë nga banesa sepse nuk ka shkallë për personat me nevoja të veçanta.

Duke shmangur temat e tilla normalisht që u kontribuojmë atyre që përfitojnë më së shumti – pushtetarët e politikanët, të cilët nuk duan të japin llogari.

Tashmë është e njohur se krizat politike e etnike në vend vazhdimisht janë krijuar për të mbytur debate për tema të tjera në vend.

Shembulli i ambasadorit gjerman na tregon se për qytetarin ka shumë gjëra të rëndësishme dhe gazetarët duhet ta kenë parasysh këtë. Një shkollë jofunksionale, një ambulancë pa ilaçe, një spital pa shtretër, një fshat pa kanalizim, një tender në komunë i keqpërdorur, një rrugë e shtruar vetëm në letër, janë tema që duhet të gjejnë vend çdo ditë.

Këtu fillimisht redaktorët dhe drejtorët e mediave duhet t’i parashtrojnë vetes një pyetje: Pse diçka që është temë për ambasadorin nuk është trajtuar në gjashtë muajt e fundit nga mediumi që e udhëheq? Pse lejojmë që hapësirën e artë që e kemi ta mbushim vetëm me thashetheme të politikanëve e i lëmë anash problemet e qytetarëve?