Pse Nuk Ngrehin Padi? :)

Përgjimet telefonike të rrjedhura javë më parë nuk duhet të përdoren për të politizuar edhe më shumë gjykatat dhe prokuroritë, ndonëse kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që EULEX-i të largohet dhe sponzorimi i një ligji për përgjimet nga Qeveria — që kufizon mundësitë e këtij misioni — shkojnë në këtë drejtim.

Qeveria ishte shumë e acaruar me publikimin e pesë klipeve të telefonatave mes deputetit Adem Grabovci dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, ministres Vlora Çitaku, kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku dhe Kadri Veselit, ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Ajo i konsideronte ato si ndërhyrje në zonën e mbrojtur të privatësisë dhe si joligjore. Nuk është hera e parë që institucionet politike në vend “e marrin” detyrën e gjyqësorit. Iniciativa e deputetëve për rigjykimin e “Rastit Kiçina” tregon sa i përhapur është ky trend.

Por, bazuar në legjislacionin në Kosovë dhe praktikat ndërkombëtare, asnjëra nga shkeljet e përmendura nga Qeveria në rastin e përgjimeve nuk qëndron.

Tek çështja e privatësisë, në aspektin juridik, duhet dalluar ata që vullnetarisht i janë nënshtruar jetës publike dhe ushtrojnë funksione publike dhe ata që rastësisht mund të bëhen protagonistë publikë. Të përgjuarit i takojnë kategorisë së parë dhe interesi publik për të kuptuar për jetën e tyre private mbizotëron, duke i lënë atyre shumë pak të drejtë në privatësi.

Kushtetuta parasheh respektimin e fshehtësisë së komunikimit, por interpretimi i saj nuk mund të bëhet në mënyrë kaq të ngurtë, pa shikuar praktikat e vendeve europiane. Jo vetëm që mediat kanë publikuar këso materialesh kur kanë qenë në pyetje zyrtarët e lartë, por gjykatat kanë përkrahur ato madje edhe në raste të yjeve të show biz-it. Për shembull, në rastin e njohur të  modeles Naomi Campbell, e cila ishte fotografuar derisa dilte nga një klinikë rehabilituese pak kohë pasi kishte deklaruar publikisht se ajo ishte shëruar nga varësia e drogës, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut kishte gjetur se media kishte të drejtë të botonte faktin që ajo ende konsumonte narkotikë dhe se ishte duke u shëruar.

Në rastin e përgjimeve të liderëve të PDK-së, ata kanë biseduar ekskluzivisht për “skenën politike”, punësimin e dajave dhe nipave, udhëtimet zyrtare etj. Për opinionin ka qenë me rëndësi të kuptohen po ashtu çarjet ndërpartiake në subjektin politik në pushtet, gjuha e liderëve si dhe mënyra se si dhe kujt i raportojnë deputetët e shumicës. Asnjë gjykatë në vendet e zhvilluara këtu nuk do të gjente element të shkeljes së privatësisë.

Por, a ishin joligjore përgjimet?

Jo.

EULEX-i konfirmoi se ato ishin bërë me urdhër të një prokurori nga ky mision. Neni 258 i Kodit të Procedurës Penale thotë se përgjimet mund të bëhen vetëm nëse ato i lejon gjyqtari i procedurës paraprake. Meqë këto përgjime janë bërë me leje të gjykatës, gjatë fazës hetimore në rastin “Limaj-MTPT”, atëherë ato janë në përputhje të plotë me bazën ligjore në Kosovë.

Edhe deputeti Adem Grabovci konfirmoi se kishte qenë duke u hetuar në të njëjtin rast. E konstatimi se përgjimet ndaj tij nuk është dashur të dorëzohen tek mbrojtja e “Grupit të Limajt” pasi ai nuk është akuzuar, nuk përbën vlerësim të bazuar në ligj, por shprehje të mendimit të lirë. Është në kompetencën e prokurorisë që të vendosë se kush duhet të përgjohet dhe ajo është e obliguar me ligj të përcjell gjithë materialin përkatës tek mbrojtja. E këto përgjime mund të kenë vlera rrethanore për hetimin përkatës gjithashtu. Arsyetimet e prokurorisë do t’i dëgjojmë së shpejti në gjykatë.

U tha edhe se telefonatat e përgjuara ishin konfidenciale. Çdo material në momentin e dorëzimit në gjykatë, me ndonjë përjashtim të vogël, është dokument publik dhe nuk mund të kategorizohet si dokument konfidencial. Për më tepër, nëse këto përgjime nuk do të ishin publikuar në media ato do të ishin transmetuar gjatë seancave gjyqësore – të cilat janë të hapura për publikun/mediat.

 “Të dëmtuarit” e përgjimit, deri më tash nuk kanë ngritur ndonjë padi lidhur me përgjimet, përkundër paralajmërimeve të shumta (me siguri ende nuk kanë gjetur shkelje ligjore :).

Në vend të kësaj, pas disa ditësh, Qeveria propozoi një projektligj për përgjimet që ia zvogëlonte hapësirën EULEX-it për përgjime. Politika e saj duket se është e drejtuar kah zvogëlimi i mundësive që zyrtarët e saj të mbesin të kontrolluar, sesa kah vendosja e sundimit të ligjit. Sfera publike, në kushte normale, do të duhej t’i shprehte mirëseardhje EULEX-it në terrenin që e kanë pritur qytetarët: në zbatimin e ligjit. Fatkeqësisht, edhe vetë ky mision më shumë është marrë me politikë në të kaluarën. Sidoqoftë, ndoshta gjykimet për korrupsion, përfshirë në ish-Ministrinë e Transportit nëse konfirmohet aktakuza, do të mund të hedhin pak dritë në çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me menaxhimin e parasë publike.

Por, si mund të ndodhë që Kryeministri i një vendi të përgjohet? – pyesnin.

Është pyetje e gabuar.

Fotoja duhet të shikohet më gjerësisht. Në Kosovë, para se rrezikim të sferës private të zyrtarëve të lartë, ka shumë më tepër tendencë të përditshme që publikja të privatizohet prej tyre.