Kremlini. Foto: Wikimedia Commons/NVO.

Pse 9 maji është një ditë e madhe për Rusinë dhe çfarë do të thotë shpallja e luftës

Rusia mund ta ketë pushtuar Ukrainën më 24 shkurt, mirëpo presidenti Vladimir Putin këmbëngul që trupat e tij po kryejnë një “operacion special ushtarak” në vend të shpalljes së luftës.

Megjithatë, zyrtarët dhe analistët perëndimorë besojnë se kjo mund të ndryshojë më 9 maj, një ditë simbolike për Rusinë, me një deklaratë zyrtare të luftës që do t’i hapë rrugën Putinit për ta zgjeruar fushatën e tij.

Çfarë është 9 maji?

9 maji, i njohur si “Dita e Fitores” brenda Rusisë, përkujton humbjen e nazistëve në vitin 1945.

Kjo ditë shënohet nga një paradë ushtarake në Moskë dhe liderët rusë tradicionalisht qëndrojnë mbi varrin e Vladimir Leninit në Sheshin e Kuq për ta vëzhguar atë.

“9 maji është dizajnuar për një ekspozim para turmës vendase, për ta frikësuar opozitën dhe për ta kënaqur diktatorin e kohës”, tha për CNN James Nixey, drejtor i Programit Rusi-Euroazi në Chatham House.

Zyrtarët perëndimorë kanë besuar prej kohësh se Putini do të përdorë rëndësinë simbolike dhe vlerën propagandistike të ditës për të shpallur, ose një arritje ushtarake në Ukrainë, një përshkallëzim të madh të armiqësive – ose të dyja.

Presidenti rus ka një sy të mprehtë për simbolizmin, pasi ka nisur pushtimin e Ukrainës një ditë pas Ditës së Mbrojtësit të Atdheut, një ditë tjetër ushtarake vendimtare në Rusi.

Përgatitja për mobilizim?

Putin ka shumë opsione në tryezë, sipas Oleg Ignatov, analist i lartë për Rusinë në Crisis Group. “Shpallja e luftës është skenari më i vështirë”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky – i cili nuk i ka shpallur zyrtarisht luftë Rusisë – vendosi ligjin ushtarak në Ukrainë kur filloi pushtimi rus në fund të shkurtit.

Një opsion tjetër për Putinin është ta miratojë ligjin e mobilizimit të Rusisë, i cili mund të përdoret për ta filluar një mobilizim të përgjithshëm ose të pjesshëm ushtarak “në rastet e agresionit kundër Federatës Ruse ose në rast të një kërcënimi të drejtpërdrejtë agresioni, shpërthimi i konflikteve të armatosura të drejtuara kundër Federatës Ruse”.

Kjo do t’i lejonte qeverisë jo vetëm të grumbullonte trupa, por edhe të vendoste ekonominë e vendit në një bazë lufte.

Forcat ruse kanë humbur të paktën 15,000 ushtarë që nga fillimi i luftës, sipas Nixey, dhe do të nevojiten përforcime nëse Moska dëshiron t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë.

Mobilizimi mund të nënkuptojë zgjatjen e rekrutimit për ushtarët aktualisht në forcat e armatosura, ftesën e rezervistëve ose sjelljen e burrave të moshës luftarake që kanë pasur stërvitje ushtarake, tha Ignatov.

Por ai përfaqëson një rrezik të madh për qeverinë e Putinit, tha ai.

 “Kjo do t’a ndryshonte të gjithë narrativën e Kremlinit”, tha Ignatov, duke shtuar se masa do ta detyronte Putinin të pranonte se pushtimi i Ukrainës nuk ka shkuar sipas planit.

“Është një vendim shumë i rrezikshëm”, shtoi Ignatov, duke shpjeguar se mobilizimi në shkallë të plotë do ta dëmtonte gjithashtu ekonominë ruse në vështirësi.

Përveç kësaj, mund ta zvogëlojë mbështetjen për Putinin në vend, pasi disa rusë e mbështesin pushtimin e Ukrainës pa dashur të shkojnë personalisht dhe të luftojnë, tha analisti.

“Nëse ata shpallin mobilizim të plotë, disa njerëzve nuk do t’u pëlqente”, tha Ignatov.

Mund të jetë ende e mundur që Putini ta miratojë ligjin e mobilizimit pa i shpallur zyrtarisht luftë Ukrainës, tha ai.

Putini gjithashtu mund ta vendosë ligjin ushtarak në Rusi, duke i pezulluar zgjedhjet dhe duke e përqendruar më tej pushtetin në duart e tij, tha Ignatov.

Kjo do të vendoste rregulla të tilla si kufizime për burrat në moshë luftarake që largohen nga vendi, të cilat gjithashtu mund të rezultojnë jopopullore, shtoi ai.

Çfarë tjetër mund të ndodhë?

Nëse Putini nuk e shpall luftën, ai mund të kërkojë diku tjetër për ta bërë një deklaratë përmes së cilës do ta shënonte Ditën e Fitores.

Opsione të tjera përfshijnë aneksimin e territoreve të shkëputura të Luhanskut dhe Donetskut në Ukrainën lindore, duke bërë një shtytje të madhe për Odesën në jug, ose shpalljen e kontrollit të plotë mbi qytetin port jugor të Mariupolit.

Ka gjithashtu indikacione se Rusia mund të planifikojë ta shpallë dhe aneksojë një “republikë popullore” në qytetin juglindor të Khersonit.

“Ai (Putini) do të jetë në gjendje të deklarojë se ushtria ruse pati disa fitore në Ukrainë”, tha Ignatov. “Ai mund të përpiqet të përdorë këtë datë për të forcuar mbështetjen e tij”.

Megjithatë, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të bëjë Rusia dhe presidenti i saj, shtoi analisti.

“Të gjitha vendimet merren nga një njeri dhe disa këshilltarë të tij”, tha Ignatov.

Megjithatë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price tha të hënën se ka “arsye të mirë për të besuar se rusët do të bëjnë gjithçka që munden për ta përdorur” 9 majin për qëllime propagandistike.

“I kemi parë se rusët me të vërtetë se i dyfishojnë përpjekjet e tyre propagandistike, ndoshta, pothuajse me siguri, si një mjet për shpërqendim nga dështimet e tyre taktike dhe strategjike në fushëbetejë në Ukrainë,” tha Price në një konferencë të Departamentit të Shtetit të hënën./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala