Ilustrim

Provat që policia përkrah kontrabandën në veri

Një hetim tetëmujorësh nga BIRN, zbulon se Policia e Kosovës është e përfshirë në importimin ilegal të mallrave në veri të Kosovës pas vendosjes së tarifës mbi produktet serbe.

Në afërsi të Leposaviqit, në veriun e Kosovës, një litër benzinë kushton 88 cent. Diku tjetër në Kosovë, çmimi mund të jetë deri në 1.13 euro. Ky ndryshim në çmim është rezultat i mallrave kontrabandë që hyjnë në veri nga Serbia, zbuloi BIRN, pas një hetimi mbi rrjetet e kontrabandës që kanë funksionuar përgjatë kufijve për më shumë se një dekadë.

Megjithë tarifën prej 100 përqind ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, e cila u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, të shesh produkte të freskëta të qumështit të prodhuara në Serbi në supermarketet e Leposaviqit, nuk paraqet ndonjë problem.

“Rrjeti i kontrabandës është ndërtuar përgjatë krejt kësaj zone”, tha një zyrtar policor i cili punon në pjesën veriore dhe i cili ka rënë dakord të bashkëpunonte në mënyrë anonime me ekipin e BIRN-it, duke zbuluar rrugët e kontrabandës dhe mënyrën se si ata veprojnë.

“Për të kryer kontrabandë, ju nevojiten lidhje me njeriun që vozitë një Passat gri [Volkswagen],” tha ai për BIRN.

Sipas tij, shoferi ka lidhje me një zyrtar epror të lartë të policisë dhe roli i tij është të shoqërojë kamionët që transportojnë mallra në rrugën pranë fshatit Kushtovë në Mitrovicën Jugore, duke siguruar që policia të mos i ndalojë automjetet për inspektim me kusht që të paguajnë një pagesë.

Makina është filmuar disa herë nga ekipi i BIRN-it, prapa kamionëve që mbanin kontrabandë.

Gjatë tetë muajve, BIRN ka vendosur kamera në të gjitha rrugët e njohura ku po transportoheshin mallrat, dhe bisedoi me anëtarët e rrjeteve të kontrabandës që paguajnë para për policët në veri me qëllim që të sigurojnë kalimin e sigurt për aktivitete të kontrabandimit.

Lopët që kalojnë kufirin

Qyteti i Zubin Potokut ndodhet 50 kilometra larg Leposaviqit në Kosovën veriore, në rrugën që të çon në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak, pranë Liqenit të Ujmanit.

Në Zubin Potok, kontrabanda zhvillohet vetëm disa qindra metra larg nga pika e kalimit kufitar. Për 24 orë, sa kamerat e BIRN-it filmuan rrugën, më shumë se 10 kamionë kaluan pa u ndaluar ose penguar nga autoritetet.

Lloje të ndryshme të mallrave, përfshirë bagëtinë, janë kontrabanduar në këtë zonë.

Sipas burimeve të BIRN-it, ekzistojnë dy grupe të shqiptarëve, një nga Kushtove dhe tjetra nga Vushtrria, të cilët kanë krijuar lidhje me kontrabandistët e Zubin Potokut për të importuar bagëtinë.Në Serbi, çmimi i mishit është më i ulët se në Kosovë dhe bagëtia blehet për një çmim më të lirë në qytetin e Sjenicës, në Serbinë jugperëndimore.

Grupet serbe të kontrabanduesëve pastaj kanë për detyrë ta sjellin bagëtinë në Zubin Potok. Afër një fabrike të mobiljeve jashtë qytetit, bagëtia pastaj i dorëzohet kontrabandistëve shqiptarë.

Për të gjitha bagëtitë e importuara ligjërisht në Kosovë, aplikohet një sistem i regjistrimit të etiketave në vesh për të verifikuar origjinën e lopës. Trafikantët shqiptarë janë të organizuar: pasi kafshët theren në Kosovë, ata i mbledhin etiketat e bagëtive të therrura dhe i ripërdorin ato në bagëtitë që sillen përgjatë kufirit nga Serbia, duke mbuluar me sukses gjurmët e tyre.

Ekipi i BIRN gjeti etiketa të ripërdorura të gjethëve të ngordhura në veri

Kur ekipi i BIRN vizitoi zonën ku grupet e kontrabanduesëve bënin ndërrimin e bagëtive, dy kamionë të braktisur ishin parkuar aty, një me targa të Novi Pazarit dhe tjetri me targa, të cilat sipas të dhënave të marra nga baza e të dhënave të Policisë së Kosovës, janë nga fshati Kushtovë.

Kamionët, njëri prej të cilëve ishte plot me bagëti, ishin braktisur për shkak se grupi i kontrabanduesëve ka një rrjet vëzhgimi përgjatë rrugës për t’i njoftuar ata për automjetet që vijnë.

Një makinë policie që nuk ndalet për ti inspektuar kamionët që transportojnë kontrabandën, është filmuar aty pranë.

Perfitimet nga kontrabanda e mallrave nga veriu i Kosovës vlerësohet të jenë në miliona dhe Qeveria e Kosovës vazhdon ti tolerojë lidhjet e policisë me kontrabandën.

Përfshirja e policisë me rrjetet e kontrabandës

Në përgjigjen e tyre ndaj BIRN-it, Policia e Kosovës tha se ata janë të vetëdijshëm për rrugët e ilegale përmes të cilavë kontrabandistët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në veri, por nuk kanë dhënë ndonjë shpejgim se pse nuk janë marrë masa për të ndalur këtë fenomen mjaft të përhapur në veri të Kosovës.

Që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, katër komuna në veri të Kosovës, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe Mitrovica e Veriut kanë mbetur jashtë mbikëqyrjes së plotë të ligjit të Republikës së Kosovës, pasi që policia nuk ka qenë në gjendje të ushtrojë kontroll të plotë mbi këtë zonë.

Më 18 shkurt, si përgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë, në veri të Kosovës shpërtheu dhuna, me njerëz të maskuar duke i djegur dy pikat e kalimit kufitar.

Në korrik të vitit 2011, Qeveria e Kosovës dërgoi njësi speciale të policisë në Jarinje dhe Bernjak në përpjekje për të marrë kontrollin e dy pikave të kontrollit që lidhin Kosovën dhe Serbinë dhe të cilat ishin rrugët kryesore për mallrat e paligjshme që futen në Kosovë.

Pikat në Jarinje dhe Bërnjak ishin nën kontrollin e punonjësve të policisë të veshur me rrobat e tnë rroba civile e të cilët që merrnin paga nga qeveria e Serbisë në atë kohë.

Grafit serb në Mitrovicën Veriore

Deri në fund të vitit 2013, Jarinje dhe Bërnjak ishin nën kontrollin e policisë së Kosovës. Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje në vitin 2013 duke integruar prezencën e policisë paralele që ishte nën kontrollin e Beogradit në Policinë e Kosovës. Në një proces të shkurtër tranzicioni, rreth 300 anëtarë të ministrisë së brendshme të Serbisë, u bënë pjesë e Policisë së Kosovës brenda pak javësh.

Veriu mburrej me norma të larta të aktiviteteve të kontrabandës në Kosovë. KJo marrëveshje rezultoi me dyfishimin e numrit të punonjësve të policisë në veri, megjithatë aktivitetet e kontrabandës mbeten fitimprurëse edhe për pesë vjet më vonë.

Informatorët që kanë rëne në kontakt me BIRN-in janë lodhur nga këto pagesa, thanë ata dhe nuk janë të kënaqur me rritjen e kostos së pagesave që duhet t’i bëhen policisë.

“Kemi numrin e telefonit të shefit të ndërrimit të cilin e kontaktojmë dhe na udhëzon për rrugët e hapura”, tha njëri prej kontrabanduesëve i cili  u pajtua të flaësë me BIRN dhe të shpjegojë mënyrën se si vepron rrjeti i kontrabandimit.

Ka dy rrugë ilegale në zonën e Leposaviqit, tha ai. Shefi i ndërrimit të policisë e dërgon një patrullë përgjatë vetëm një rruge, duke i lënë rrugët të tjera të lira për të kryer transportimin e kontrabandës pa ndonjë pengesë.

Zyrtarët policorë kanë krijuar një sistem pagesash që u mundëson atyre të shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me kontrabandistët.

“Sapo të mbarojmë transportin, ne duhet t’i dorëzojmë paratë në dyqane ushqimore ose në pikat e derivateve dhe pastaj nga atje, policia e cila i merr ato para, na lejon të kalojmë tutje”, tha kontrabandisti.

Shuma, sipas tij, varion nga 50 euro për makina deri në 200 euro për kamionë të mëdhenj, në varësi të asaj që transportohet. Ekzistojnë mbi 150 kamionë në zonë që marrin ryshfet nga policia në baza mujore.

Dëshmitë se policia toleron kontrabandën

Një nga dy rrugët ilegale që çojnë në Serbi është një rrugë me emrin Sharpej, disa qindra metra nga pika kufitare e Jarinjes. Dritat e kamionëve të kontrabandës mund të shihen nga Jarinja pa asnjë problem.

BIRN ka vendosur kamera filmimi 24 orëshe të transportit në atë zonë.

 Në një periudhë njënatëshe përgjatë rrugës Sharpej, kamera ka filmuar mbi 20 vetura të cilat kalonin kufirin me Serbinë në mënyrë ilegale.

Atë natë, sipas kallxuesit të BIRN-it, rruga ishte e lirë për aktivitete të kontrabandimit.

Kallxuesit kanë përmendur dy vende ku duhet të dorëzohen pagesat për policinë në mënyrë që të sigurohet kalim i sigurt: një pikë derivatesh në anën e djathtë të rrugës Leposaviq-Zubin Potok dhe një supermarket në po të njëjtën rrugë.

Për të konfirmuar nëse policia ka pranuar pagesa nga njerëzit që transportonin mallrat nga Serbia, duke përdorur kamera të fshehta njëkohësisht, ekipi i BIRN-it me sukses ua dorëzoi paratë njerëzve të cilët punonin në pikën e derivateve.

Ekipi hetues i BIRN-it ka paguar 30 euro në pikën e derivateve dhe ka dhënë edhe 30 euro tjera për individët që punojnë në supermarket. Sipas kallxuesit, mesazhi ‘paratë për policinë’ ose ‘paratë për Shpikin’ mjafton që të arrihet komunikimi, pasuar me pagesa, udhëzime këto të cilat BIRN i përcolli përmes një letre.

Pak ditë më vonë, BIRN bëri një pagesë të tretë në një vend tjetër dhe iu tha “tash grahi” shlirë, pasi pagesa ishte kryer.

Ishte e pamundur që BIRN të gjurmonte rrugëtimin e parave nga lokalet, por sipas kontrabandistëve ato para shkonin në xhepat e zyrtarëve të policisë lokale.

“Zyrtarët policorë  kanë krijuar shumë pasuri, kanë blerë banesa në Beograd, makina të mira këtu dhe prona në zonën e Kopaonikut”, tha kontrabandisti.

Për të, lufta kundër njerëzve të përfshirë në këto rrjete kontrabandimi është e rrezikshme. Dhe se secili  zyrar policor i cili punon në pjesën veriore dhe bashkëpunon me homologët e tij në Prishtinë, konsiderohet të jetë tradhëtar, tha ai, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për policinë që të vazhdojë së mbajturi  praktikën e mosndëshkimit.

Që nga integrimi i strukturave paralele serbe, vetëm Inspektorati Policor i Kosovës mban të drejtën e hetimit të policëve të korruptuar në këtë zonë.

Policia e Kosovës i tha BIRN-it se është në dijeni të rrugëve ilegale, mirëpo, sipas saj,  mbyllja e tyre bie nën përgjegjësinë e KFOR-it.

Sipas kallxuesit të BIRN, përpjekjet për të kontaktuar autoritetet jashtë veriut kanë qenë të pafrytshme, duke e vënë theksin tek një fenomen që shkon përtej një rrjeti të vogël të izoluar kontrabandistësh në veri.

“Kemi provuar disa herë që të paralajmërojmë Prishtinën se çfarë po ndodh, por gjithnjë pa rezultat. Ndonjëherë, kur i bëjmë pagesat, thuhet se këto para shkojnë edhe në Prishtinë”, tha kontrabandisti.