Protesta Shtyn Privatizimin e Tregut (TV)

Tregtarë gjilanas dhe aktivistë të Vetëvendosjes u bënë bashkë të mërkurën për të protestuar para Kuvendit Komunal të Gjilanit me kërkesën që kuvendi ta heqë nga rendi i ditës privatizimin e tregut të qytetit.

Protestuesit u ngritën edhe kundër paralajmërimeve për zhvendosjen e këtij tregu në një lokacion tjetër, duke argumentuar se vendi ku tani ndodhet tregu është më i përshtatshëm.

Komuna planifikon që tregun e gjelbër të Gjilanit që ndodhet jo shumë larg ndërtesës së Prokurorisë Themelore të këtij qyteti, ta zhvendosë në një ambient tjetër në periferi.

Enver Ismajli përfaqësuesi i tregtarëve që ishte prezent në mbledhjen e kuvendit,  tregoi se falë masës së madhe të protestuesve u vendos që tregu të mos zhvendoset dhe të mos privatizohet.

“Ne po e kundërshtojmë këtë privatiim , sepse ne mbajmë familje nga puna në treg, afër 300 familje dhe për këtë jemi kundër privatizimit dhe zhvendosjes së tregut “, thotë Ismajli.

Ismajli bëri me dije se kryetari i kuvendit Izmi Zeka ka premtuar se do të ketë konsultime më të gjera me tregtarë, ndërsa shtoi se privatizimi dhe zhvendosja e tregut janë shtyrë për më vonë, duke mos e ditur afatin se kur do të ndodhë kjo gjë.

Gjatë protestës, derisa aktivistë të Vetëvendosjes së bashku me protestues tregtarë kërkonin nga asamblistët të mos e shqyrtojnë këtë pikë të rendit të ditës, nga salla e kuvendit doli Sadudin Berisha, këshilltar komunal i LDK-së për t’iu drejtuar protestuesve .

Berisha u bashkua me pakënaqësinë e të tubuarve, duke thënë se si rezultat i përpjekjeve për ta larguar dhe për të mos e trajtuar si duhet çështjen e tregut, Grupi i këshilltarëve të LDK-së ka lëshuar seancën e kuvendit komunal.

“Nuk jemi që asesi ai treg të mos trajtohet si duhet,  por jo me një mandat të ikur, ne kemi kërkuar që kjo çështje të diskutohet së bashku me ju pas zgjedhjeve të 3 nëntorit “, tha Berisha.

Kuvendi komunal i Gjilanit ka 41 këshilltarë, njëzet prej të cilëve i takojnë koalicionit qeverisës të komunës dhe njëzet të tjerë opozitës, derisa njëri nga këshilltarët është i pavarur.

Gjilani qeveriset nga PDK-ja në bashkëpunim me AKR-në, Partinë Demokratike Turke të Kosovës(KDTP) dhe Partinë Social-Demokrate.

Kur këshilltari gjilanas Tefik Maksuti gjatë muajit maj kaloi nga PSDK-ja në LDK, partia më e madhe opozitare e vendit kërkoi që kryesuesi i kuvendit komunal të Gjilanit të zgjidhet nga radhët e saj, pasi LDK-ja me Maksutin, e kaloi numrin e asamblistëve të PDK-së në raport 15 me 14.

Izmi Zeka, kryesuesi i Kuvendit komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, i tha atëherë Gazetës Jeta në Kosovë se me LDK-në do të matemi në zgjedhje.

Këshilltari komunal i pavarur i Gjilanit, Arianit Sllamniku, pasi u hoq nga rendi i ditës çështja e privatizimit të tregut, tha se tregu i kësaj komune është pikë e nxehtë dhe ndoshta do të jetë përcaktues për mandatin  e ardhshëm qeverisës.

“Këto dy subjekte politike (PDK e LDK) që janë të përfshira në kuvend, po e shfrytëzojnë në mënyrën më të dhunshme dhe më të vrazhdë , interesin qytetar dhe manipulimin me ndjenjat , ekzistencën dhe moralin qytetar “, tha Sllamniku.

Edhe Ridvan Shala, njëri nga protestuesit që shet në tregun e gjelbër që 15 vjet tha se është kundër privatizimit të tregut, pasi privati posa ta marrë tregun do ta rrisë çmimin e qirasë për tezgat.

“Komunës i paguaj qira 90 euro për 10 metra të shfrytëzuara , ndërsa kur e merr privatniku ai e merr për përfitim të vetin dhe na e rritë çmimin “, thotë Shala, duke shtuar se nuk e do as zhvendosjen e tregut në një vend tjetër.

Heqjen e privatizimit të tregut të Gjilanit nga seanca e rendit të ditës të kuvendit komunal, e pranoi për Gazetën Jeta në Kosovë edhe zëdhënësi i komunës Shefik Surdulli.

 “Ishte një kërkesë e komunitetit të tregtarëve të tregut të gjelbër që kjo pikë të mos shqyrtohet , të hiqet nga rendi i ditës dhe realisht kjo pikë u  hoq nga rendi i ditës , për t’u dhënë hapësirë dhe të diskutohet  dhe të binden se kjo është e domosdoshme, është ligjore dhe në interesin e tyre  “, tha Surdulli .

Sipas Surdullit heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës në séancën e së mërkurës, e kërkoi vetë kryesuesi i kuvendit komunal Izmi Zeka, ndërsa të njëjtën gjë e kërkuan edhe grupi i këshilltarëve të LDK-së për t’u mbetur merita.

“[Kërkesa] më shumë ishte marketing politik [i LDK-së] për shkak të zgjedhjeve lokale”, përfundoi zëdhënësi Surdulli.