Propozohet Dekorimi i Politikanëve të Akuzuar

(E plotësuar)

Gazeta Jeta në Kosovë ka kuptuar se në tavolinën e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbërritur një propozim për dekorimin e burrave që drejtuan Grupin e Unitetit në negociatat për statusin final të vendit.

Në propozim përfshihet gjithashtu kërkesa që Jahjaga të dekorojë edhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë.

Dekorimi pritet të bëhet pas tri javësh, më 17 shkurt, gjatë festës së pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 

Ai është dërguar në Presidencë nga Këshilli Organizativ, i ngritur në fillim të janarit, që merret me përgatitjen e festimeve, i drejtuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. 

Këtë e ka konfirmuar, Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zëdhënës i Këshillit Organizativ. 

“Presidentes i është dërguar kërkesa për t’i dekoruar të gjithë anëtarët e Grupit të Unitetit që kanë qenë në negociata dhe deputetët që shpallën Pavarësinë”, thotë Krasniqi. 

“Nuk e dimë ende nëse Presidentja ka vendosur apo jo”, shtoi ministri.

Presidentja ende nuk ka vendosur për këto dekorime.

“Presidenca së shpejti do të formojë komisionin përkatës i cili do të shqyrtojë propozimet. Unë nuk i kam parë ato”, thotë Arbër Vllahiu, këshilltar për media i Presidentes Jahjaga. 

Sipas Memli Krasniqit, propozimi përfshin edhe dekorimin e të gjithë deputetëve që kanë shpallur pavarësinë me “Urdhrin e Pavarësisë”.

“Urdhri i Pavarësisë” është e treta nga njëmbëdhjetë dekoratat që mund të japë Presidentja e Kosovës, bazuar në rregulloren për llojet dhe procedurën e dhënies së dekoratave. 

Por a do të mundet Presidentja të dekorojë të gjithë deputetët e legjislaturës së tretë, të cilët ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008?

Legjislacioni për dekorata parasheh kufizime ligjore për pretendentët e dekoratave.

“Propozime nuk mund të bëhen për ata persona që kanë qenë të dënuar për krim të rëndë apo janë nën hetime sipas ligjeve në fuqi”, shkruan në nenin 22 të Rregullores për Llojet dhe Procedurat e Dhënies së Dekoratave. (shih rregulloren) 

Kjo periudhë legjislative zyrtarisht ka zgjatur nga 13 dhjetor 2007 deri me 3 nëntor 2010. 

Rregullorja nuk përcakton mënyrën se si Presidentja do të informohet për njerëzit që janë nën hetime dhe nëse kjo do të bëhet në bashkëpunim me prokurorinë. 

Por rregullorja parasheh se dekoratat mund të shoqërohen me shpërblim në të holla.

 
Atifete Jahjaga | Foto: president-ksgov.net  

 

Së paku katër deputetë akuzohen për vepra penale

Gazeta Jeta në Kosovë ka identifikuar së paku katër deputetë e ish-deputetë të asaj periudhe cilët janë dënuar ose janë në procese gjyqësore për vepra penale.

Bujar Bukoshi, i cili ishte deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është në proces gjyqësor penal pasi që akuzohet nga EULEX për shpërdorim të detyrës zyrtare. Aktakuza për këtë vepër penale është konfirmuar dhe Bukoshi ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendëskryeministrit. (shih linkun) 

Fatmir Limaj, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, akuzohet për krime lufte dhe ndër të tjera për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, pranim të ryshfetit dhe pastrim parash. Në të njëjtën kohë, ai është duke u ballafaquar me dy procese gjyqësore dhe aktualisht ndodhet në paraburgim (shih linkun) 

Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ish anëtar i Kryesisë së  legjislaturës së tretë, është dënuar me tetëmbëdhjetë muaj burg, të suspenduar për dy vite nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, për keqpërdorim të pozitës zyrtare për përfitime dhe qëllime personale. Ai është dënuar pasi që gjatë kohës sa ishte Kryetar i Kuvendit të Kosovës kishte blerë një palë syze dhe kishte rregulluar dhëmbët me para të taksapaguesve kosovarë. (shih linkun) 

Rrustem Mustafa, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, akuzohet nga EULEX-i se ka kryer veprën penale të krimeve kundër popullatës civile. Procesi gjyqësor kundër tij është duke vazhduar. (shih linkun)

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në rast se Presidentja do të dekoronte deputetë të tillë, ajo mund të rrezikojë të shkelë ligjin.

Nazim Haliti, zëvendës-drejtor i Forumit për Iniciativa Qytetare, thotë se vetë ideja për t’i dekoruar deputetët është e paarsyeshme dhe e panatyrshme. 

“Kjo është e tepërt”, thotë Haliti për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Është e paarsyeshme t’i nderosh në mënyrë të njëjtë ata njerëz kur dihet se në përbërje të atij legjislacioni apo ‘Grupi Uniteti’ ka persona me karrierë dhe të kaluar të ndryshme, si dhe nën hetime e me probleme me ligjin”, thotë Haliti.  

Këta njerëz të cilët janë propozuar të dekorohen janë paguar dy herë.

“Për punën e bërë si të zgjedhur të popullit e marrin rrogën edhe me një vendim të turpshëm ia kanë dhënë vetës edhe nga 500 euro, që janë ‘lodhur’ duke e shpallur pavarësinë”, thotë Haliti. 

Vendimi për shpërblim të cilit i referohet Haliti, i takon shkurtit të vitit 2008, kur të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, firmëtarë ta deklaratës së pavarësisë, ishin shpërblyer me nga 500 euro.

 
Fjalimi i Kryeministrit gjatë shpalljes së Pavaresisë | Foto: kryeministri-ks.net  

 

Rektori Gashi ka propozuar dekorimin e deputetëve

Dekorata pritet të marrin edhe të gjithë anëtarët e Grupi të Unitetit që ishte krijuar në vitin 2005, me vendimin e Presidentit Ibrahim Rugova. 

Ai përbëhej fillimisht nga Ibrahim Rugova – President, Nexhat Daci – Kryetar i Kuvendit, Bajram Kosumi – Kryeministër, Hashim Thaçi – Kryetar i PDK-së, Veton Surroi – Kryetar i Ora-s dhe Blerim Shala – Koordinator. 

Takimi i parë i “Grupit të Unitetit” ishte mbajtur në Shtëpinë e Presidentit Ibrahim Rugova në lagjen “Velania” në Prishtinë në tetor 2005.  

Përbërja e grupit kishte ndryshuar disa herë për shkak të situatave të krijuara politike. 

Në vend të Rugovës erdhi ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, në vend të Nexhat Dacit si kryetar i Kuvendit erdhi Kolë Berisha e në vend të ish kryeministrit Bajram Kosumi erdhi Agim Çeku.   

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se ideja e dekorimit të të gjithë këtyre e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi.

Këtë e ka konfirmuar Muhamet Bilalli, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, dhe anëtar i Grupit Organizativ. 

“Por ende nuk është marrë vendim përfundimtar”, thotë Bilalli.

Gazeta ka provuar ta kontaktojë rektorin Gashi, por ai nuk është përgjigjur.

 
Këshilli Organizativ i Festimeve } Foto: kreyminsitri-ks.net  

 

Ende nuk dihet sa do të kushtojnë festimet

Këshilli Organizativ përbëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Punëve të Brendshme, Forcës së Sigurisë të  Kosovës, ajo e Kulturës, Komuna e Prishtinës, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së etj. 

Është krijuar në ditët e para të vitit 2013 dhe deri më tash ka mbajtur katër takime. I pesti dhe përfundimtari pritet të mbahet të hënën rreth orës 15.00.  

Takimi i parafundit i Këshillit Organizativ është mbajtur më 21 janar. Në pika të përgjithshme tashmë dihet çfarë festimesh do të ketë për pesëvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe ato po organizohen për të bërë shënim më të dukshëm se në vitet e kaluara për shkak se vendi i bën gjysmë dekade që kur shpalli pavarësinë. 

Por rreth tri javë para festimeve ende nuk janë caktuar dhe ndarë kostot mjetet financiare që do të mublojnë shpenzimet e festës së Pavarësisë.

“Një listë e aktiviteteve është paraparë. Për mbajtjen e aktiviteteve Qeveria e Kosovës do të ndajë një buxhet”, thotë ministri Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shton se ende nuk dihet kostoja e festimeve dhe se organizatorët nuk janë duke u paguar ekstra.

Sipas deklaratës zyrtare të publikuar edhe në faqen e internetit të Kryeministrisë, është vendosur që ndër aktivitetet kryesore të jenë edhe dy akademi. 

Njëra do të jetë  më 15 shkurt që ndërlidhet edhe me 43 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës  dhe tjetra më 16 shkurt – akademia solemne e shënimit të pesëvjetorit të Pavarësisë.

Do të ketë edhe një koncert të Filarmonisë së Kosovës. 

“Do të ketë homazhe edhe nga një delegacion zyrtar që do të fillojnë tek varrezat në Prekaz, tek varri i komandantit Adem Jashari, në Prishtinë tek varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe përmendorja e komandantit  Zahir Pajaziti “, ka thënë ai. 

Ai ka përmendur edhe mbajtjen e Paradës së Pavarësisë në Prishtinë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në mbrëmje është parashikuar edhe një koncert i madh i pavarësisë, që po ashtu do të mbahet në Qendër të Prishtinës, ku do të marrin pjesë disa nga emrat më të njohur të skenës muzikore.

I gjithë festimi do të përfundojë me ndezjen e fishekzjarrëve, që do të ndodhë diku pas përfundimit të koncertit. 

Në këto aktivitete do të marrë pjesë edhe Komuna e Prishtinës. 

“Komuna nuk ka manifestime të ndara nga ato që vendosim bashkërisht në Këshillin Organizativ”, thotë Asdren Osaj, zyrtar për media në komunën e Prishtinës. 

Dekorata për 2430 dëshmorë?

Anëtarë të këtij Këshilli janë edhe tri shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së. 

Muhamet Bilalli thotë se tri shoqatat e UÇK-së, të familjarëve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve, të hënën paradite do të vendosin përfundimisht rreth propozimeve që do t’i paraqesin në Këshillin Organizativ. 

“Kemi propozuar që gjatë parakalimit të forcave të FSK-së, grupi i parë të jenë ushtarë me uniforma e flamuj të UÇK-së. Ky propozim është përkrahur”, thotë Bilalli. 

Edhe shoqatat kanë menduar për dekorata e tituj për t’iu ndarë familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve. Por thotë se e kanë një hall. 

“Ne kemi 2430 dëshmorë. Nuk mund të bëjmë dallime e të propozojmë dekorata vetëm për disa. Për ne të gjithë janë njësoj”. 

Në Këshillin Organizativ bën pjesë edhe Ministria e Punëve të Jashtme. 

Zëvendësministri Petrit Selimi thotë se për  festën e 17 shkurtit, ambasadat e Republikës së Kosovës në botë do të organizojnë kokteje rasti. 

“Kemi edhe garën për fotografinë më të mirë në rrjetet sociale dhe ekspozitën me dokumente të rralla të mbledhura nga diplomatët e Kosovës nëpër arkivat e ndryshme”, thotë Selimi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ekspozitë pritet të hapet në Kosovë e Shqipëri.