Propozime Për të Penguar Keqpërdorimet Zgjedhore

Gjatë shqyrtimit të neneve të Draftligjit për Reformën Zgjedhore, fillimisht anëtarët e Komisionit për Legjislacion propozuan ndryshimin e nenit 54 për certifikimin e kandidatëve.

Florian Dushi propozoi që mos të certifikohen ata kandidatë të cilët ushtrojnë ndonjë post ekzekutiv në ndonjë shtet tjetër.

 Ai tha se kjo na ka ndodhur me Krstimir Pantiqin. Për postet e Pantiqit në dy shtete, Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në dhjetorin e vitit të kaluar.

“Krstimir Pantiq pasi ka fituar zgjedhjet në Mitrovicën Veriore, kemi kuptuar se ai ka qenë zëvendësministër në Qeverinë e Serbisë”, tha Dushi, anëtari i LDK-së në KQZ.

Edhe anëtarët tjerë të komisionit u pajtuan me ndryshimin e nenit 54 që përcakton përshtatshmërinë e kandidatëve të subjekteve politike.

Anëtarët e Komisionit propozuan që në librin e votimeve lista e votuesve të jetë më fotografi.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se me fotografinë në listat e votuesve, sigurohet një votim më i mirë dhe ka hapësirë më pak për manipulim, por kërkoi që pikërisht për shkak të fotografisë të ndryshojë neni 93 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që përcakton dokumentet e identifikimit me të cilat mund të votohet.

Sipas nenit 93, votuesi për të votuar duhet të ketë: një letërnjoftim të vlefshëm, pasaportë të vlefshme, dokument të vlefshëm të udhëtimit, leje të vlefshme të vozitjes së Kosovës, kartelë të vlefshme të personit të zhvendosur brenda vendit (PZhBV) dhe kartelë të vlefshme e refugjatit.

“Mjafton edhe një certifikatë e lindjes dhe votuesi mund të votojë, pasi që ai në librin e votimit e ka foton e tij”, propozoi Daka lehtësim të mënyrës së votimit.

Disa nga anëtarët tjerë të komisionit nuk u pajtuan me fjalët e Dakës, por propozuan që nga dokumentet e vlefshme për votim të hiqen kartela e refugjatit dhe të dokumenti i udhëtimit.

“Edhe pse fletëvotimi përmban foto identifikimi, votuesi duhet të ketë dokument identifikimi”, tha Arben Gashi, kryetar i Komisionit.

Këtë e përkrahu edhe Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes.

“Në këtë nen duhet të mbesin dokumentet e identifikimit”, tha ajo.

Në komision u diskutua edhe për logon e institucioneve të Kosovës në fletëvotime. U tha se kjo çështje duhet të harmonizohet me ligjet për simbolet dhe dokumentet zyrtare.

“Duhet të shohim se a konsiderohet dokument zyrtar fletëvotimi, apo konsiderohet tjetërlloj dokumenti,  mirëpo në dokumentin përcjellës duhet të jetë në secilin dokument logoja e Republikës së Kosovës”, tha Arben Gashi, kryetar i komisionit kur foli pas mbledhjes për media.

Edhe Valdete Daka tha se kjo çështje duhet të shqyrtohet me Ligjin për Simbolet e Kosovës.

Anëtarët e komisionit, po ashtu propozuan ndryshim të nenit 92 për kabinën votuese.

“Të shkurtohet kutia e votimit sepse ma mirë duket votuesi, kutia mbetet vetëm sa e mbulon fletëvotimin dhe krejt pjesa e sipërme shihet”, tha anëtari i KQZ-së Florian Dushi.

Këtë e përkrahën edhe anëtarët tjerë të KQZ-së dhe komisionit. Në mbledhje kishte edhe pjesëtarë të organizatave joqeveritare.

Albert Krasniqi nga Instituti KIPRED, propozoi që të ndryshohet pika 4 e nenit 92 për të drejtën dhe fshehtësinë e votës.

“Është një propozim që kabinat e votimit të kthehen me shpinë nga vëzhguesit, për të ndaluar atë vjedhjen e votave, përmes asaj që quhet ‘treni bullgar’”, tha Krasniqi .

Më 8 nëntor 2013, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje përmendën keqpërdorimin e votave nëpërmjet të ashtuquajturit “trenit bullgar”.

Sipas VV-së, “treni bullgar” është metodë manipulimi, me anë të së cilës një votues që pajtohet për ta shitur votën, e merr një fletëvotim fals të plotësuar jashtë vendvotimit nga blerësit e votave, duke e fshehur atë. Ky votues, si votuesit tjerë në vendvotim merr fletëvotimin që i takon, por në kutinë e votimit fut fletëvotimin fals që e mori në jashtë vendit ku votohet.

Ai më pas fletëvotimin origjinal e të paplotësuar e nxjerr jashtë vendvotimit, duke ua dorëzuar blerësve të votave. Kështu nis cikli i votave të manipuluara.

Po ashtu, anëtarët e komisionit propozuan që menaxheri i qendrës së votimit të ketë vetëm përgjegjësi teknike, pasi formulimi i punës së menaxherëve të tillë në Draftligjin e Zgjedhjeve propozuesve iu duk i paqartë.

“Menaxheri i QV-ve duhet të sigurojë që vendvotimet të kenë ndriçim adekuat dhe mbrojtje nga aksidentet elementare”, thuhet në draftligj.