Prokurorja Përdor Xhirime të BIRN-it në Rastin "Tolaj"

Në seancën e së premtes trupi gjykues ia ka vazhduar ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolajt, masën  e arrestit shtëpiak, me arsyetimin se nuk kanë pushuar bazat për heqjen e kësaj mase.

Tolaj do të vazhdojë të jetë në arrest shtëpie deri më 8 maj. Gjashtë të akuzuarit tjerë të Rastit “Tolaj e Bukoshi” do të mbrohen nga liria.

Kryetarja e panelit gjykues i informoi palët se gjykata nuk do të kishte mundësi ta dëgjojë si dëshmitare Nurtene Zeqirin, pasi ajo ndodhej në Zvicër. Kjo dëshmitare nuk mund të fliste as nëpërmjet video-lidhjes, por dëshmia e saj e mëparshme do të lexohej në procesverbal, për shkak të rëndësisë që përfaqësonte.

Ditën e premte në rastin “Tolaj e Bukoshi”, Kinemaja ABC 1 ku po mbahen seancat vërtet i përngjau vendit ku shfaqen filmat, pasi me kërkesë të prokurores Bamieh u lëshuan disa video-incizime.

Në agjendën e kësaj seance ishte planifikuar që  të bëhet shikimi i video CD-ve të propozuara nga prokurorja Bamieh, si dhe dëgjimi i disa përgjimeve telefonike dhe të SMS-ve, të urdhëruara nga gjykata në vitin 2011, që kishin të bëjnë me Ilir Tolaj.

Megjithatë avokatët e të pandehurve u ankuan se nuk kishin pranuar paraprakisht këto përgjime, andaj gjykata vendosi që në këtë seancë të bëhet vetëm shikimi I dy video CD-ve.

Shumica e këtyre xhirimeve që kishin të bëjnë me rastin gjyqësor që Jona-Med fitoi kundër Ministrisë së Shëndetësisë si dhe diskutimet lidhur me kristalizimin e sirupit për fëmijë Paracetamol, janë marrë nga emisioni “Jeta në Kosovë”, prodhim i BIRN-it.

Xhirimi i dytë i referohej kohës kur ish-ministri Bukoshi kishte pushuar nga puna ish-sekretarin permanent Haxhi Kamberin.

Seanca e ardhshme u caktua për datën 15 Maj.

Sheqiri: Zyrtarët nuk mund të takohen me ofertuesit

Rasti “Tolaj dhe të tjerët” vazhdoi edhe të enjten, me paraqitjen para trupit gjykues të ekspertit të prokurimit Agim Sheqiri.

Sheqiri që punon nga viti 2010 në Organin e Shqyrtimit të Prokurimit Publik shpjegoi procedurat e tenderimit dhe mënyrën e nënshkrimit të kontratave në bazë të Ligjit për prokurimin publik.

Ai tha se kontratat kornizë, kontrata këto që përpilohen kur nuk dihet çmimi i caktuar, nuk i ka njohur ligji në vitin 2006, ndërsa shtoi se personalisht është kundër kontratave të ashtuquajtura 1+1.

“Ligji nuk u adresohet kontratave 1+1, megjithatë praktika i njeh. Unë personalisht kam qenë kundër këtij tipi të kontratave si rezultat i paragjykimeve të ndryshme të krijuara në opinion.”- deklaroi eksperti Sheqiri.

Kur foli për procedurat e prokurimit emergjent, Sheqiri përsëri tregoi se ligji e parasheh një prokurim të tillë, përveç në rastet kur kjo emergjencë lidhet me problematikën e cila buron nga individi ose stafi.

Në vitin 2007 Kompania “Ekskluziv shpk Gjilani” fitoi shpejt lejen për importim barnash dhe një tender emergjent, pasi pronari i saj Burim Shkodra njihte personalisht edhe Tolajn, edhe Arbenita Pajazitin, të dy tash të akuzuar.

Sheqiri shpjegoi në detaje edhe procedurat e hapjes së ofertave të tenderëve. Ai tha se nuk është e mundur që për një ditë të anulohet tenderi e të rishpallet, pasi nga hapja e ofertave deri te vlerësimi i tyre, duhet të kalojë një periudhë prej 96 orëve, ose katër ditëve.

Çdo ofertuesi të eliminuar duhet me procesverbal t’i jepet arsyeja e eliminimit. Bashkë me kohën e ankesave, një tender mund të anulohet dhe të rishpallet vetëm pas dhjetë ditësh.

Eksperti Agim Sheqiri tha se ligji nuk lejon takimin e zyrtarëve pjesëmarrës në përgatitjen e dosjeve të tenderimit me ofertuesit.

Gjatë seancës së djeshme prokurorja Bamieh është ankuar se mbrojtja me ndërhyrjet e saj po ndikon në përgjigjet e ekspertit.

Aktakuza e prokurores Maria Bamieh e ngarkon ish-Ministrin e Shëndetësisë Bujar Bukoshi se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme.

Po ashtu, ai akuzohet se nuk kishte vazhduar kontratat me tri kompani kosovare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit. Për këtë pjesë aktakuza është konfirmuar.

Po ashtu aktakuza është konfirmuar për Ilir Tolajn në disa nga pikat e aktakuzës.

Tolaj para gjykatës do të përgjigjet për tentim dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare ose të autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.