Prokuroria Nis Hetimet për Zjarrin në Zhilivodë
“Pas incident të zjarrit në lokacionin e gërmimit në Zhilivodë, EULEX-i vizitoi vendin e ngjarjes së bashku me kryeprokurorin e Qarkut të Mitrovicës. Një ekip i përbërë nga një prokuror vendës dhe një prokuror i EULEX-it, do të hetojë se çfarë shkaktoi zjarrin dhe do të përcaktojë nëse ishte rast aksidentale apo kriminal”, thuhet në një komunikatë shtypi të EULEX-it.
“Një raport do të hartohet pas hetimit dhe konkluzionet do të komunikohen”, thuhet në njoftimin shpërndarë mediave.
Punimet në varrin masiv, më të madhin të dyshuar në Kosovë për shume vite, u pezulluan këtë të hënë pas rënies së një zjarri. EULEX-i tha se zjarrfikësit shkuan në vendin e zhvarrosjes dy ditë pasi zjarri filloi. Një zëdhënës tha se ishte e paqartë se cilat ishin arsyet për këtë vonesë.
Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se policia dhe pjesëtarët e shërbimit të zjarrfikësve dhe të shpëtimit, kishin intervenuar qysh të shtunën, kur ra zjarri së pari, dhe e kishin shuar. Porse, zjarri ishte rindezur të dielën dhe të hënën. Sidoqoftë, sipas Qeverisë, gjendja ishte vënë nën kontroll.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, pas një vizite që i kishte bërë këtij lokacioni tha se zjarri që ka kapluar fushëgropat e thëngjillit nuk do të ndikojë në shtyrjen e përfundimit të projektit të zhvarrimit.
Sipas planifikimeve të Komisionit ndërministror për Persona të Zhdukur dhe ekspertëve të EULEX-it, gjatë ditëve në vijim do të përfundojë edhe procesi i gërmimit vlerësues në Zhilivodë dhe ky projekt do të jetë zyrtarisht si rast i mbyllur.
Zhvarrosjet në Zhilivodë filluan më 31 gusht 2010.
Që atëherë, puna është ndërprerë dy herë për shkak të kushteve të motit. Zona është një nga lokacionet më të mëdha për zhvarrosjet, e zbuluar në Kosovë në vitet e fundit.
Për shkak të madhësisë së zonës, Departamenti i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it mbështetet me logjistikë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, FSK, që po përdorin makineritë e rënda për të arritur 30 metra nën tokë, ku dyshohet se gjendet varri masiv.
Nuk ka shifra zyrtare në lidhje me numrin e trupave në varrin masiv, por një delegacion i Beogradit tha së fundi se dyshon se eshtrat e më shumë se 20 serbëve të Kosovës mund të gjenden aty.
Ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it planifikojnë të vlerësojnë më shumë se 30 vende të dyshuara varesh masive këtë vit, si pjesë e kërkimit të tyre të vazhdueshëm për persona të zhdukur nga lufta në Kosovë dhe pasojat e saj. Plani është që të bëhen vlerësime të vendit dhe zhvarrosje në Gjakovë, Pejë, Klinë, Prizren, Mitrovicë, Skenderaj dhe Podujevë.
Trembëdhjetë vjet pas fundit të luftës në Kosovë, 1,400, dhe 6,019 persona që u raportuan të zhdukur tek Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nga familjet e tyre ende nuk janë gjetur. Shumica e të zhdukurve janë shqiptarë të Kosovës.