Prokuroria Informohet për Tenderin Problematik të UP-së

Rektorati i Universitetit i Prishtinës “Hasan Prishtina” i ka kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë hetime lidhur me tenderin për “Furnizim me Materiale Shpenzuese për Nevoja të UP-së”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një shkresë që Rektorati i UP-së i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit më 7 tetor të vitit 2014.

Aty shpjegohen pretendimet e Rektoratit që konsideron se kjo procedurë prokurimi nuk ishte e regullt.

Pretendimet e Rektoratit bëjnë fajtor Organin Shqyrtues të Prokurimit  e po ashtu dhe vetë Zyrën e Prokurimit të Universitetit të Prishtinës sepse nuk kishin kërkuar që të bëhet publike vlera e përafërt totale e kontratës në këtë tender.

Zyra e Prokurimit e UP-së më 7 korrik të vitit 2014 shpalli fitues në këtë tender kompaninë private “KGT” për tenderin në kohëzgjatje prej tri vjetësh.

Kjo kompani ishte e kontraktuar nga UP-ja në vitet 2012-2014.

Por Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se Universiteti i Prishtinës bleu produkte nga kjo kompani shumëfish më shtrenjtë sesa çmimet e tregut.

UP-ja shpenzoi 34 mijë e 283 euro për blerjen e një sasie të fletëve të tipit A4, përkundër që në treg e njëjta sasi mund të blihej me vetëm 23 mijë e 257 euro.

Po ashtu UP-ja harxhoi 10 mijë euro për blerjen e 6 mijë e 674 markerëve të cilët në treg nuk kushtonin më shumë se sa 2 mijë e 669 euro.

Tomë Gashi, pronar i kësaj kompanie, deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se është i vetëdijshëm që konkurroi me çmime që nuk përputhen me vlerën e tregut.

“Vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi që të fitojmë punë”, thotë ai.

Por në tenderin e ri, të vitit 2014, dy kompani tjera konkurrente në garë, “Aero Com” dhe “Blendi”, u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit. 

Ato u deklaruan në OShP se janë të pakënaqura në vlerësimin e konkurrentëve nga Zyra e Prokurimit dhe pretenduar se nuk është bërë trajtim i barabartë i kompanive garuese në tenderë. 

Organi Shqyrtues urdhëroi Zyrën e Prokurimit që të rivlerësojë tenderin.

Por Rektorati në shkresën drejtuar prokurorisë pretendon se kjo lëndë nuk është dashur të shqyrtohej nga paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje të vetëm një anëtari.

OShP-ja ligjërisht ka të drejtë të emërojë panele në përbërje prej 1, 3 dhe pesanëtarëshe. 

Por, sipas rektorit, kjo lëndë nuk është dashur të shqyrtohej nga vetëm një anëtar.

Sipas shkresës së Rektoratit edhe OSHP-ja, e edhe Zyra e Prokurimit të OShP-së nuk është dashur të anashkalojnë një element të rëndësishëm në këtë tender.

Asnjëra prej tyre, sipas shkresës së Rektoratit, nuk kanë kërkuar që të dihet vlera e parashikuar totale e kontratës për periudhën trivjeçare.

Në njoftimin për dhënie të kontratës të përgatitur më datën 7 korrik të vitit 2014 në faqen e KRPP-së janë shënuar vlerat e kontratatave të ndara në lote apo pjesë. 

Vlera e lotit të parë është 4 mijë e 815 euro, vlera e lotit të dytë është 6 mijë e 849 euro dhe vlera e lotit të tretë është 4 mijë e 304 euro.

“Në bazë të atyre vlerave, ato nuk dihen se a janë mujore, gjashtëmujore, apo vlera vjetore,” thuhet në shkresën e Rektoratit drejtuar Prokurorisë së Shtetit.

Sipas shkresës së Rektoratit në tenderë duhet të bëhet publike vlera totale e kontratës.

Ndërkohë Zyra e Prokurimit të UP-së edhe pas rivlerësimit të kërkuar nga OSHP-ja, shpalli fituese kompaninë e njejtë, “KGT”-në.

Por më 17 nëntor OShP-ja sërish e anuloi tenderin dhe vendosi që ai të ritenderohet. 

Kur ky proces prokurimi u ri-tenderua pasoi ankesa e kompanisë KGT.

Ajo u ankua ndaj vendimit të UP-së që nuk e ndau tenderin në lote. 

Një ankesë të tillë OShP-ja e ka pranuar duke kërkuar përsëri nga UP-ja që ta shpallë tenderin e ndarë në lote. 

Kjo kërkesë e OShP-së nuk është përfillur nga Zyra e Prokurimit të UP-së e cila tenderin e fundit e shpalli të pandarë në lote apo pjesë.