Prokurori vendos se kush duhet ta lëshojë e kush ta shfrytëzojë një banesë në Prizren

Një kontest juridik i cili sipas praktikës gjyqësore do duhej të zgjaste me muaj të tërë e mbase edhe vite, i është gjetur një “zgjidhje e shpejtë”.

Atë që nuk ia njohu Gjykata e Prizrenit paditësit R. A., pasi ia refuzoj kërkesën si të pa bazë, arriti t’ia njoh një prokuror i cili përmes një urdhëri të thjeshtë e largoi nga objekti banesor familjen Zogaj e cila për më shumë se 14 vite kishte qëndruar dhe jetuar në të.

 

Në vend të kësaj familje me një urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, të datës  02.07.2021 të nxjerrë nga prokurori Fatos Ajvazi u vendos R. A., edhe pse sipas gjykatës nuk posedonte asnjë dëshmi për të drejtën e tij në atë banesë.

KALLXO.com ka siguruar urdhërin e nxjerrë nga prokurori Ajvazi në të cilin urdhërohet Policia e Kosovës që ta largojë nga banesa familjen Zogaj dhe në vend të tyre të vendosej personi R. A.

DOKUMENT URDHERI

Ky urdhër nuk përmbante asnjë arsyetim se pse duhet të largohet familja Zogaj nga objekti dhe në të, të vendosej R. A. Përpos mungesës së arsyetimit, këtë urdhër më të dyshimtë e bën përcaktimi i plotfuqishmërisë së tij si dhe fakti se pesë ditë më vonë ishte nxjerr aktvendimi për fillim të hetimeve ndaj pjesëtarve të familjes Zogaj.

Urdhëra të tillë për lirim të pronës nuk figurojnë fare në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas këtij Kodi, prokurorët mund të lëshojnë vetëm urdhëra të përkohshëm gjatë hetimit të veprave penale, mirëpo të njëjtat që të jenë të vlefshëm duhet që brenda 3 ditëve të konfirmohen nga Gjykata.

Në rastin konkret sipas vendimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, prokurori Ajvazi nuk e ka dërguar fare në Gjykatë urdhërin për largim nga prona dhe rrjedhimisht gjykata nuk ka mundur të vendosë në lidhje me ligjshmërinë e tij, ashtu siç e kërkon Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, e të cilin Kod obligohet secili prokuror që ta repsketoj në plotni.

“Pas shikimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës kemi ardhur në përfundim se kërkesa e avokatit mbrojtës është e palejuar për faktin se në shkresat e lëndës të cilat prokurori i shtetit i ka parashtruar në Gjykatë, nuk ekziston një urdhër i tillë i marrë nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës.

DOKUMEND

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Prokuroria e Prizrenit në lidhje me ligjshmërinë e këtij urdhëri dhe bazën ligjore mbi të cilën i njëjti është lëshuar.

Po ashtu KALLXO.com ka kërkuar që ta intervistojë edhe vet prokurorin Fatos Ajvazi, i cili e kishte nxjerre urdhërin për lirim të pronës në fjalë mirëpo, i njëjti edhe pse ka patur në dispozicion kohë të mjaftueshme nuk ka pranuar të intervistohet duke kërkuar që t`ia drejtojmë pyetjet me shkrim.

Sipas Prokurorisë personat të cilët kanë qëndruar në atë pronë po dyshohen për uzurpim, teksa theksojnë se ka qenë kërkesë e të dëmtuarit që të kthehet në banesë.

“Kemi të bëjmë me kërkimin e një të drejte nga ana e të dëmtuarit R. I., i cili për 20 vite nuk ka reshtur së kërkuari drejtësi për një të drejtë që i takon me ligj. Po ashtu ju njoftojmë se ndaj S. Z. dhe N. Z., kanë filluar hetimet për shkak të veprës penale uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Mirëpo për çështjet për të cilat dha përgjigje prokuroria nuk u pyet fare nga KALLXO.com, përderisa për pyetjen se a ka të drejtë një prokuror të nxjerrë një urdhër të tillë, nuk u dha asnjë përgjigje.

Prokuroria e Prizrenit nuk ofroi asnjë përgjigje për bazën juridike mbi të cilën është thirrur prokurori kur ka lëshuar urdhërin për lirimin e pronës.

Sipas Ligjit dhe praktikave ligjore të deritanishme, vendimin për të drejtën e shfrytëzimit dhe pronësisë së sendeve e jep Gjykata kompetente dhe se nuk është parë e as dëgjuar ndonjëherë që një vendim i tillë do mund të nxirrej nga Prokurori i Shtetit.

” Për gjykim në kontestet lidhur me pronësinë dhe të drejtat sendore të tjera mbi sendet e paluajtshme,
në kontestet për shkak të pengim posedimit mbi sendin e paluajtshëm, si dhe në kontestet nga raportet e
qiradhënies së paluajtshmërisë, ose nga kontratat për shfrytëzimin e banesave apo të lokaleve të punës,
është ekskluzivisht kompetente gjykata në territorin e të cilës ndodhet paluajtshmëria”, thuhet në nenin 41 të Ligjit për proceduren kontestimore.

Pra, këto të drejta fitohen vetëm përmes procedurave gjyqësore në të cilat Gjykata është autoriteti i vetëm kompetent i cili vendos për pengim posedimet e të drejtës së shfrytëzimit të një prone, rrjedhimisht për lirimin e pronës nga personi i cili e pengon realizimin e të drejtës së shfrytëzuesit.

Për ta realizuar këtë të drejtë I. R., gjatë vitit 2018 ishte drejtuar në Gjykatën e Prizrenit, mirëpo në mungesë të prezencës së tij Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr padinë.

DOKUMENT

 

Dy vite më vonë, gjykatës me kërkesë për caktim të masës së përkohshme i ishte drejtuar edhe R. A. si përfaqësues i I. R., mirëpo gjykata e kishte hedhur poshtë kërkesën e tij pasi kishte vlerësuar se I. R. nuk ka të drejtë të kërkojë masë për pronën në fjalë.

“Gjykata pas analizimit të provave ka konstatuar se propozimi i palës paditëse R. A., për caktimin e masës së përkohshme në këtë fazë është i pabazë, pasi paditësi nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme me të cilën do të bëhej e besueshme e drejta e tij subjektive”, thuhet në vendimin e gjykatës të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Të njëjtin mendim me Gjykatën se R. A. nuk ka të drejtë subjektive në këtë pronë nuk e ndau prokurori Fatos Ajvazi. Ai nxori urdhërin për largimin e Nexhmedin Zogajt nga prona dhe në të e vendosi qytetarin R. A.

Pas këtij urdhëri, sipas pjesëtarit të familjes Zogaj, Sefedinit pranë objektit banesor kishin shkuar rreth 15 zyrtarë policorë të cilët kishin kërkuar që prona të lirohej dhe në të të vendosej R. A.

“Të premten e 2 korrikut 2021 jam larguar nga banesa pasi policia më ka ardh te dera me një urdhër prej prokurorisë që për 24 orë me e lëshu banesën. Janë kanë 10 deri në 15 policë që kanë ardh me atë urdhër, jam konsulltu me shumë njohës të ligjit dhe të gjithë më kanë thënë që ky urdhër është i kundërligjshëm”, deklaroj Sefedini.

Ai tha se në këtë banesë ishte vendosur në vitin 2006 dhe që nga ai vit po jetonte në të.

“Në këtë banesë jam strehu pas lufte, nuk e kam thy, e kam marrë e kam bo meremet dhe që nga 2006 jam t`u jetu në të. Që nga ky vit kam kërku zgjidhje mos me nejt në një pronë që nuk është e imja, ju kam drejtu HABITAT-it, Kuvendit komunal në Prizren, Ministrisë dhe të njëjtit më kanë thënë që për këto banesa duhet të bëhet zgjidhje me marrëveshje shtetërore pasi janë banesa pa status dhe nuk kanë pronësi”, dekoroj Zogaj.

E nxjerrja e urdhërit për lirim të pronës dhe kthim të saj tek ‘i dëmtuari’ konsiderohet e jashtëligjshme edhe nga ish kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha.

Hoxha thekson se prokurori nuk ka të drejtë të nxjerrë urdhër të kësaj natyre dhe se sipas tij as Policia nuk do duhej që të njëjtin ta zbatonte.

“Këso urdhërese nuk kam pa dhe nuk ka të drejtë prokurori të lëshoj urdhëresa të tilla por as policia të zbatojë urdhëresa të tilla”, tha avokati Hoxha.

Sipas tij kjo çështje duhet të zgjidhet nga gjykata e më pas me vendim përmbarimor të dilet në terren dhe të zbrazet banesa.

“Këto çështje zgjidhen përmes gjykatës, është çështje civilo-jurdike të cilën gjykata e vërteton dhe në momentin kur e vërteton atëherë shkon me përmbarues apo gjyqtar, bashkë me policinë që ta zbrazë atë banesë, përndryshe nuk është çështje e prokurorit por e gjykatës”, shtoj Hoxha.

Pas bisedës me ish prokurorin Hoxha, KALLXO.com ka kërkuar informacione në Policinë e Prizrenit për arsyet e zbatimit të kësaj urdhërese.

Komandanti i Stacionit Policor në Prizren, kolonel Faton Alija ka thënë se policia nuk ka ndërmarrë asnjë aksion pasi pala me vullnetin e saj i ka dorëzuar çelësat në polici.

“Policia nuk ka ndërmarr asnjë aksion sepse pala vullnetarisht i ka dorëzuar çelësat dhe se të gjitha veprimet e policisë në ketë rast janë bërë në konsultim dhe me autorizim të prokurorit. Policia, në konsultim dhe me autorizim të prokurorit të lëndës, çelësat ia ka dorëzuar të autorizuarit të pronarit të banesës, të njëjtën ditë”, tha Alija.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me përfaqësuesin e familjes Zogaj, avokatin Muhamet Shala i cili thekson se nuk është detyrë e prokurorit që të përcaktoj se kush ku duhet të banoj.

“Me një urdhëresë të tillë i është mundësu një qytetari të futet në banesë, për mendimin tim me një urdhërese të tillë nuk mund t`i lejohet dikujt e drejta e shfrytëzimit, për këtë duhet të vendosë gjykata, nuk është në detyrën e prokurorit se kush ku duhet të banoj”, tha Shala.

KALLXO.com ka qenë edhe në banesën ku tashmë është duke qëndruar R. A. për të kontaktuar më të mirëpo i njëjti nuk e ka hapur derën.