Prokurori Salustro Vë në Pikëpyetje Kredibilitetin e Gjykatës

Shkresa e prezantuar sot në gjykatë, e dorëzuar dy ditë më parë nga prokurori i rastit dhe e cila shkresë kishte të bënte më programin e dëshmitarëve të mbrojtur, bëri që Fatmir Limaj dhe mbrojtja e të pandehurve të reagonin dhe kundërshtonin një gjë të tillë.

“Më 16 korrik, prokurori i ka dorëzuar gjykatës një shkresë të siguruar nga shefi i Njësisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të EULEX-it”, thotë kryetari i panelit gjykues Malcolm Simons.

I pari që ka reaguar ndaj shkresës së tillë ka qenë vetë Fatmir Limaj.

“Nuk mund ta shoh ndryshe përveç mos-respekt total ndaj kësaj gjykate” deklaroi Limaj i cili iu drejtua gjykatës me fjalët “Ju keni kërkuar vetë atë raport dhe iu është refuzuar nga EULEX-i”.

“Për ta ruajtur kredibilitetin e kësaj gjykate, ju nuk duhet ta merrni absolutisht parasysh atë” shtoi Limaj.

Kjo është quajtur joparimore edhe nga mbrojtësi Xhafer Maliqi i cili shtoi se ky raport ishte refuzuar më herët si  raport më përmbajtje sekrete, ku në kërkesën e gjykatës për të njëjtin raport, EULEX-i ishte përgjigjur se ato janë sekrete dhe Bashkimi Europian nuk lejon qasje në to.

Maliqi në këtë proces gjyqësor mbron të akuzuarin Naser Krasniqi.

Vetë prokurori Salustro deklaron se “Në këtë dokument nuk gjendet absolutisht asgjë që në dokumente është klasifikuar si sekret. Këtu vetëm shpjegohet se cilat janë kushtet për të hyrë në programin e dëshmitarëve të mbrojtur. Zoti Zogaj është pranuar dy herë në këtë program dhe nuk ka pasur nevojë për trajtim psikologjik” përfundon prokurori.

Në gjykimin e sotëm ishte paraparë dëshmia e tre ekspertëve psikiatrikë, mirëpo prokurori i cili edhe kishte propozuar dëgjimin e tyre në cilësinë e dëshmitarëve, në momentet e fundit, përkatësisht një ditë para seancës, kishte kërkuar që të njëjtit të mos ftohen fare për të dëshmuar në ditën e sotme.

Në seancën e sotme prokurori propozoi gjithashtu një analizë të ekspertizës shëndetësore të Agim Zogajt, të cilën do ta bënte prokuroria në mënyrë të pavarur. Edhe kjo hasi në kundërshtim të mbrojtjes.

“Edhe prova ka një kufizim. Gjithë kjo po ndikon në zgjatje të procedurave, arresti shtëpiak etj.. Për mosefiçiencë të prokurorisë të mos pësojmë ne” shtoi Limaj. Më tej Limaj deklaroi se këtë ekspertizë kishin kërkuar në fazën e parë dhe prokurori ka thënë se nuk ka nevojë të bëhet.

Në fund Limaj deklaroi se pajtohet me propozimin e gjykatës, që gjykata të caktojë një ekspert të pavarur i cili do të trajtojë të gjitha raportet ekzistuese.

Në rastin “Kleçka”, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, akuzohen për krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës.

Limaj ishte liruar fillimisht nga akuzat në maj të vitit të kaluar, por prokuroria ishte ankuar ndaj aktgjykimit dhe rasti është kthyer në rigjykim.

Limaj dhe të tjerët janë  kthyer nën arrest shtëpiak këtë javë, pasi gjykata mori parasysh kërkesën e prokurorit për këtë.