Projektligjit për Sponsorizime T’i Rriten Lehtësirat Tatimore

Këshilltarja e Lartë Politike në Ministrinë e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Jehona Shyti, tha se kjo ministri  është e interesuar të ndryshojë Ligjin për Sponsorizime e Donacione duke rritur lehtësirat tatimore për biznese“.

“Ne si ministri që nga fillimi kemi qenë të interesuar që të rrisim lehtësira tatimore deri në 8% për sponsorizime dhe deri 10% për donacione, por kjo nuk është çështje e cila mund të ndryshohet nga ministria e Kulturës, për arsye se varet nga Ministria e Financave edhe bashkë me ta duhet të gjendet zgjidhja”, tha Shyti.

Shyti shtoi se buxheti i Ministrisë së Kulturës është rritur dukshëm gjatë viteve të fundit,për rreth 70 % gjegjësisht nga 11 milionë në 20 milionë, por kjo shumë nuk është e mjaftueshme për të mbështetur të gjitha aktivitetet .

“ Për këtë nevojitet që projektligji të përpunohet edhe më tej, në aspekt të dispozitave për lehtësira tatimore dhe përcaktimit të masave kontrolluese për aplikimin e drejtë të ligjit”.

Në anën tjetër, Qerkin Berisha nga Ministria e Financave, tha se Ministria e Financave nuk është fajtor e për zvarritjen e këtij projektligji, por fajtor kryesor për ngecjen e këtij projektligji është fakti se kjo fushë është e rregulluar përmes ligjeve tatimore në fuqi, dhe ka rrezik që projektligji të bie ndesh me ligjet ekzistuese.

Ai gjithashtu foli edhe për rëndësinë e analizimit të kostove të projektligjit dhe analizës së projektligjit në aspekt mikrofinanciar.

Në  këtë organizim kishte përfaqësues të institucioneve relevante, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve dhe kompanive që veprojnë në Kosovë.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se projektligji është zvarritur tej mase dhe sipas tij ai ka rëndësi tejet të veçantë.

Ndërkaq, Erolld Belegu, president i Bordit të Guvernatorëve të Odës  Amerikane, tha se Oda Amerikane ka qenë e përfshirë në draftimin e Projektligjit për sponsorizime dhe donacione.

“ Projektligji i propozuar, si i tillë nuk i shërben askujt, pasi që nuk përmban dispozita që do të rregullonin lehtësirat tatimore dhe që do të inkurajonin bizneset të kontribuonin në zhvillimin e sportit, kulturës dhe rinisë në vend, përmes donacioneve dhe sponsorizimeve”, tha Belegu.

Në këtë tryezë u tha se lehtësirat tatimore në vendet e BE-së shkojnë deri 20%, kurse në SHBA deri në 75%.

Dajana Berisha, Drejtoreshë Ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare, sqaroi se rëndësia e këtij ligji rritet edhe më tej, kur merret parasysh fakti që interesimi i komunitetit të donatorëve për Kosovën është në rënie, por ajo theksoi se është me rëndësi që fushëveprimi i ligjit të zgjerohet dhe të mos jetë i kufizuar vetëm në kulturë, rini dhe sport.

Ndërkaq pjesëmarrësit e tjerë nga shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit shpalosën idetë dhe rekomandimet e tyre mbi këtë temë. 

Dhe në fund konkludim i përbashkët i kësaj tryeze ishte që lehtësimet tatimore të rriten, të përmirësohet përmbajtja e ligjit ,sepse kështu do të inkurajohet rritja e sponsorizimeve dhe i donacioneve, të ketë masa të kontrollit më të detajuar dhe gjithashtu të bëhet një analizë e kostove financiare.