Program qeverisës apo listë dëshirash?

Për shumicën dërrmuese të historisë politike të pasluftës në Kosovë programet qeverisëse ishin rezultat i diskutimeve midis partive politike që kërkonin formimin e një koalicioni qeverisës të negociuar mbi politikat e nxjerra nga platformat e tyre të ndryshme elektorale. Ky proces pazari shpesh nënkuptonte që fituesve të zgjedhjeve u duhej t’i zbehnin politikat e tyre dhe të bënin kompromise me partnerë më të vegjël në këmbim të mbështetjes së tyre. Votës së tyre.

Mirëpo, një rast të tillë nuk do ta kemi sivjet. Fitorja bindëse e Vetëvendosjes më 14 shkurt i dha mundësi Kurtit ta formojë Qeverinë pa pasur nevojë për një partner dhe, në teori, të krijojë një program qeverisës duke mos patur nevojë për koncesione.

Fitorja e Vetëvendosjes ishte veçanërisht inkurajuese për mbështetësit e saj duke parë politikat e tyre sociale të proklamuara para zgjedhjeve, kështu duke rritur shpresat se një shoqëri më e barabartë, premtim ky i bërë shumë shpesh nga partia në fjalë, do të mund të përmbushej përmes Qeverisë së re.

Në ditën e 50-të që kur Qeveria Kurti 2 e mori detyrën, më në fund u bë publik programi qeverisës i cili i përshkruan prioritetet e tij kryesore. Dhe, ndërkohë që shumë nga politikat sociale të cilat kjo parti i ka mbështetur gjatë gjithë ekzistencës së saj janë prezente në program, në shumë prej tyre mungesa e detajeve lë hapësirë për më shumë pyetje sesa jep përgjigje lidhur me atë se si dhe kur saktësisht këto politika do të zbatohen.

Ky program shpesh mbetet retorik, i paqartë dhe nuk arrin të sigurojë detaje të mëtejshme nga ato të paraqitura në platformën zgjedhore të Vetëvendosjes. Në vend të ekspozimit më të qartë të politikave në dallim prej premtimeve zgjedhore, ndryshimi kryesor midis programit dhe platformës zgjedhore është se shifrat dhe objektivat specifike  janë larguar në shumë raste.

Për shembull, në lidhje me arsimin parashkollor, në mënyrë ambicioze gjatë fushatës zgjedhore Vetëvendosje kishte premtuar se do të ndërtojë 160 çerdhe në gjithë Kosovën. Sidoqoftë, kjo shifër mungon plotësisht në programin qeverisës dhe aty shihen vetëm premtime për “ndërtimin e çerdheve të reja” dhe “rialokimin e hapësirave ekzistuese në shkolla” në vend të tyre.

Vetëm 44 çerdhe publike aktualisht janë funksionale në Kosovë dhe intervenimi shtetëror për ta rritur qasjen në arsimin parashkollor shpesh ishte identifikuar me të drejtë nga Vetëvendosja si një politikë kryesore në luftën kundër varfërisë dhe pabarazisë gjinore. Në një debat së fundmi të organizuar nga BIRN, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arberie Nagavci, përsëri e nënvizoi rëndësinë e sigurimit të qasjes së barabartë në arsimin parashkollor dhe premtoi se do ta  dyfishojë numrin e çerdheve brenda mandatit të parë qeverisës.

Sidoqoftë, edhe dyfishimi i numrit të çerdheve publike në Kosovë do të ishte vetëm rreth një e katërta drejt objektivave prej 160 çerdhesh të cilat u premtuan nga Vetëvendosje në muajin shkurt të këtij viti.

Ndërkohë që shifrat mungojnë, premtimet e tjera të bëra në fushatën elektorale vazhdojnë të jenë të padetajuara. Në fushatën parazgjedhore, Vetëvendosje premtoi një skemë të banimit të përballueshëm, duke u ofruar 4,000 familjeve banesa përmes skemës së pagesave minimale prej 120 euro për 120 muaj ose 150 euro për 150 muaj.

Premtimi elektoral është rishfaqur në programin qeverisës, duke e cekur një kosto vjetore për buxhetin e Kosovës prej 22 milionë eurosh. Sidoqoftë, detaje të tjera nuk janë dhënë. Nuk ka asnjë datë të mundshme të lansimit të kësaj skeme, nuk ka informacion se si do të sigurohet strehimi nga shteti, ose vendet në të cilat do të ofrohen banesat.

Një çështje tjetër e rëndësishme është se kush do të ketë prioritet për këtë skemë. Në muajin shkurt, platforma elektorale citonte çiftet e reja, nënat vetushqyese dhe punëtorët e sektorit publik duke përfshirë mësuesit, mjekët, zyrtarët e Policisë dhe zjarrfikësit, si dhe nëpunësit civilë. Sidoqoftë, programi qeverisës përmend vetëm “4,000 familje” si përfitues të kësaj skeme.

Për një skemë që parashikohet të kushtojë gati 90 milionë euro gjatë mandatit qeverisës, mungesa e detajeve të dhëna është, thënë së buti, dekurajuese. E gjithë kjo politikë gjigante përshkruhet me një paragraf të vetëm. 

Ka shumë politika të tjera që janë të ekspozuara me mangësi të tilla. Për shembull, nuk ka asnjë datë të pritshme të fillimit të zbatimit të skemës për sigurimin e pagës minimale prej 250 eurosh për gjashtë muajt e parë të lehonisë për gjithë gratë e papuna.

Ndërkohë, nën politikat e hartuara për trajtimin e varfërisë, programi qeverisës premton “ridisejnim” të skemave të reja sociale dhe zotime për sigurimin e  garantuar të punësimit sezonal  për një anëtar të familjes nga secila prej rreth 25,000 familjeve të regjistruara në skemën sociale.

Mungesa e detajeve këtu është përsëri shqetësuese, nuk ka asnjë shtjellim mbi natyrën e punësimit sezonal apo se kur mund të fillojë ky punësim. Këto politika duken të mira në letër, mirëpo duhen siguruar detaje për mënyrën e jetësimit të tyre.

Një tjetër detaj me shumë rëndësi i cili mungon shpesh është kostoja dhe mënyra se si do të financohen këto politika, veçanërisht në mes të pandemisë shkatërruese.

Për shembull, një politikë substanciale për luftimin e varfërisë është zotimi për të filluar me shtesa mujore nga shteti për çdo fëmijë në Kosovë. Pagesat prej 20 eurosh në muaj do të bëhen për çdo fëmijë nën moshën 2 vjeç, ndërsa 10 euro shtesa në muaj do të sigurohen për çdo fëmijë nën 16 vjeç.

Është një politikë e cila shumë shpejt mund të bëhet me kosto të madhe. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 29,000 foshnje të reja kanë lindur në Kosovë në vitin 2019. Nëse supozojmë se këto shifra janë të ngjashme nga viti në vit, ka të ngjarë të ketë afër 60,000 fëmijë nën moshën 2 vjeç në Kosovë, që do të thotë një faturë prej afër 14.5 milionë eurosh në vit vetëm për pagesa të bëra për fëmijë nën moshën 2 vjeç. Numri i fëmijëve prej 2 deri 16 është shumëfish më i lartë.

Zotimi prej 250 eurosh pagë mujore për nënat e papuna gjithashtu ka një llogaritje. Shkalla e papunësisë për gratë ishte afër 33 për qind në vitin 2019 dhe ka të ngjarë të jetë përkeqësuar për shkak të pandemisë. Nëse supozojmë se rreth një e treta e foshnjave lindin nga nëna të papuna, implementimi i kësaj politike mund të kushtojë gjithashtu rreth 15 milionë euro në vit.

Të jemi të qartë, këto politika kanë nevojë për mbështetje të fuqishme shoqërore. Pagesa për nënat lehona mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme financiare për persona me status të pafavorshëm social dhe të ndihmojë në adresimin e pabarazisë gjinore, ndërkohë që prezantimi i përfitimit për fëmijë mund të shihet si fillimi i një forcimi shumë të nevojshëm të politikave të varfëra sociale në Kosovë.

Sidoqoftë, kostot ka të ngjarë të arrijnë në dhjetëra milionë euro dhe pyetja se ku do të gjenden paratë është e pashmangshme. Një rishikim i buxhetit i parashikuar në muajin qershor mund të zbulojë se ku janë bërë shkurtimet.

Vetëvendosje ka paraparë politika të rritjes së inspektoratit të punës për ta luftuar ekonominë gri, duke gjeneruar kështu më shumë të ardhura nga formalizimi i ekonomisë. Sidoqoftë, edhe këtu shifrat dhe objektivat janë humbur përgjatë transformimit nga platforma në program qeverisës. Në muajin shkurt Vetëvendosje premtoi se do ta pesëfishojë numrin e inspektorëve të punës, ndërkohë që programi qeverisës parashikon vetëm “një rritje” të inspektorëve.

Është një nga shumë fushat ku programi duket të jetë i mangët.

Është bërë traditë tashmë e zakonshme që qeveritë të gjykohen për 100 ditët e para të qeverisjes. Për Qeverinë e re Kurti është pritur afërsisht gjysmën e asaj kohe për ta parë programin e saj qeverisës. Sa i përket politikave sociale, programi qeverisës më shumë i ngjan një liste dëshirash sesa një rrugë e qartë drejt një ristrukturimi të kontratës sociale.

Kjo është veçanërisht dekurajuese në Kosovë pasi që po i vjen fundi durimit të qytetarëve për të parë ndryshime reale. Shumë politika janë harruar e rikthyer nga partitë politike përgjatë viteve – qytetarët ende po e presin implementimin  e një skeme të sigurimit shëndetësor të premtuar në çdo palë zgjedhje pas pavarësisë.

Programi qeverisës i Vetëvendosjes tashmë ka ngjallur shumë më shumë diskutime sesa shumica e programeve paraprake dhe kjo shënon një arritje në vetvete. Megjithatë këto politika  sociale po duken më shumë premtime zgjedhore sesa një program i zbatueshëm.

Ky shkrim është përthyer nga Prishtina Insight.