Profilet e 'ekipit qeveritar' të Albin Kurtit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një videomesazh ka bërë të ditur emrin e zëvendëskryeministrit të dytë dhe të 5 ministrave të kabinetit të tij.

Për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë ka propozuar Haki Abazi.

Ish-analisti, Haki Abazi është bërë pjesë e Vetëvendosjes me 20 gusht të vitit 2019.

Ai ka diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi në Universitetin e Prishtinës, dhe George Mason në SHBA. Hakiu është bartës i shumë pozitave në institucione ndërkombëtare.

Ka 20 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata të ndryshme ndërkombëtare nëpër shumë vende të botës dhe mbi 1 mijë projekte të realizuara.

Gjithmonë sipas të dhënave që Vetëvendosje ka publikuar në faqen zyrtare, Abazi është duke bërë studime në fushën e Energjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Universitetin e Cumbrias në Britaninë e Madhe.

Haki Abazi: Foto: KALLXO.com
Haki Abazi: Foto: KALLXO.com

Ai ka publikuar me dhjetëra shkrime, analiza në media dhe gazeta profesionale, artikuj akademikë dhe ka zhvilluar ide unike në fushën e përkrahjes së zhvillimit të demokracisë, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ndërkaq, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës për tri mandate radhasi e cila u propozua për ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, studimet i ka përfunduar pranë Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik. Ajo është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosjes në shtatorin e vitit 2010.

Albulena Haxhiu Foto: KALLXO.com
Albulena Haxhiu Foto: KALLXO.com

Në legjislaturën e V dhe VI, ajo ka drejtuar Komisionin për Legjislacion si një ndër komisionet më të rëndësishëm të Kuvendit.

Ajo ka qenë një nga deputetet më të zëshme në Kuvendin e Kosovës, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me drejtësinë.

Kurse, kandidatit të vetëm shqiptar që hyri në garën për presidencë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka iu besua ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë.

Blerim Reka është kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ai kandidon si kandidat i pavarur por që mbështetet nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Reka ishte Ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Ai ka mbajtur edhe poste këshilluese diplomatike dhe juridike siç është Këshilltari i Presidentit të Republikës së Kosovës për Integrimin në BE. Reka ishte Këshilli Ligjor i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe anëtar i Ekipit të Ekspertëve për Strategjinë Kombëtare dhe Integrimin në BE. Reka ka qenë profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe E Drejtës së BE-së në Universitetin e Evropës Juglindore që nga viti 2002.

Ai mban një doktoratë në të Drejtën Publike Ndërkombëtare dhe të Drejtën Civile dhe Ekonomike. Reka është autor i 18 librave.

Në anën tjetër, nënkryetarit të VV-së Besnik Bislimi iu besuan financat e shtetit, përkatësisht për Ministria e Financave dhe Transfereve.

Besnik Bislimi – Foto: KALLXO.com

Bislimi është nga Komuna e Gjilanit. Ka studiuar për analiza makroekonomike në Universitetin e Zagrebit në periudhën 1990-1994.

Ka doktoruar në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë në sferën e Makroekonomisë me specializim në politikat fiskale dhe tranzicionin drejt ekonomisë së tregut. Në Andreë Young School of Policy Studies të Georgia State University në Atlantë, SHBA përmes Programit të Bursave Fulbright ka ndjekur hulumtimet e postdoktoratures në sferën e decentralizimit fiskal për vendet në zhvillim.

Që nga viti 2004 punon në Universitetin Amerikan në Kosovë ku ka ligjëruar dëri më tani Makroekonominë; Politikat Fiskale; Analizat dhe Politikat Monetare; Ekonomiksin e Resurseve Natyrore dhe Mikroekonominë. Po ashtu mban pozitën e Udheheqësit të njësisë për ekonomiks në Universitetin Amerikan dhe atë të Drejtorit Menaxhues të Qendrës për Hulumtime brenda këtij universiteti. Njëkohësisht ligjëron lëndet Makroekonomia 1 dhe 2 në Akademinë Regjionale të Procreditit në Veles të Maqedonisë.

Më herët ka punuar për gjashtë vite në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë si asistent për Makroekonomi dhe Financa Publike, ka mbështetur Universitetin e Prishtinës me projekte të financuara nga Pakti i Stabilitetit, DAAD-i Gjerman dhe ËUS Austria; ka qenë këshilltar për politika fiskale i projektit CBF të UNDP-së; këshilltar në disa projekte të GTZ; Ekspert për politika fiskale i zyrës FAO; ka punuar si këshilltar dhe bartës i projektit për institucione të ndryshme.

Duke u bazuar në të dhënat e publikuara në linkedin.com, ministrja e propozuar për Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka një përvoje të gjatë në projekte të huaja.

Ajo nga tetori i vitit 1999 deri në gusht 2000 është angazhuar si zyrtare e projektit në KPMG USA. Nga korrik 2001 deri shkurt 2004 si këshilltare biznesi në Chemonics International. Zyrtare e privatizimit nga shkurt 2004 – gusht 2005 në Trustin e Kosovës. Gjithashtu ajo për tri vite ka ligjëruar në fakultetin e Shkencave të Biznesit në Univeristetin e Pejës. Mes tjerash, nga prilli është angazhuar si koordinatore për arsimin e lartë dhe qeverisje në Agjensinë Austriake të Zhvillimit (Austrian Development Agency).

Në anën tjetër, ish-drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia ka diplomuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si mjek në Mitrovicë. Ka punuar si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”.

Arben Vitia – Foto: KALLXO.com

Që nga viti 2010, ai është aktivist në Vetëvendosje ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi.

Në vitet 2013 deri në 2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës. Vitia ka qenë në këtë drejtori që nga mandati i parë i Shpend Ahmetit në krye të komunës por që u shkarkua nga Ahmeti në fillim të muajit nëntor.

Në biografinë e Vitisë të publikuar në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, thuhet se ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA.

Në vitin 2018 është emëruar si Koordinator i Qendrës së LVV-së dhe po në atë vit është zgjedhur si Kryetar i kësaj Qendre ku vazhdon të jetë akoma. Arbeni është anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Sot, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë të ditur emrat ministrave që do të jenë në krye të pesë ministrive.

“Për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë: Haki Abazi, ministre të Drejtësisë, Albulena haxhiu, ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, prof. Blerim Reka, për ministër të Financave dhe Transfereve, prof. Besnik Bislimi, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, ka bërë ditur Kurti në një video të postuar në rrjetin social ‘Facebook’.

Propozimi i këtyre ministrie vjen pa një marrëveshje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.

Këto dy parti kanë shfaqur mospajtime në ndarje të posteve gjatë bisedimeve për koalicion bashkëqeverisës.