Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zëvendësministër te Rama, ministër te Kurti

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e re të Kosovës do të udhëhiqet nga Hajrulla Çeku.

Kjo do të jetë hera e parë që Çeku do të jetë pjesë e ekzekutivit në Kosovë. Ndërsa pjesë e legjislativit për herë të parë ai është bërë në legjislaturën e shtatë, 2019-2021.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019, si kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hajrullah Çeku kishte grumbulluar 12 mijë e 125 vota, ndërsa në zgjedhjet e 14 shkurtit Çeku ka marrë 17 mijë e 674 vota.

Kontributin e tij në Kuvendin e Kosovës, Çeku e ka dhënë si Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis dhe anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Hajrulla Çeku para se të bëhej pjesë e institucioneve të Kosovës, ka qenë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë, nga viti 2017 deri në vitin 2018, post nga i cili kishte dhënë dorëheqje.

Shkollimi dhe aktivizmi i Hajrulla Çekut

Hajrulla Çeku është lindur në vitin 1983 në qytetin e Prizrenit.

Ai ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Shkenca Politike” dhe ka magjistruar në “Qeverisje dhe Zhvillim Lokal” në Universitetin e Trentos në Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.

Për më shumë se 15 vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.

Sipas të dhënave të publikuara në web- faqen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Çeku ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit, ndërsa në cilësinë e ekspertit të jashtëm ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Hajrulla Çeku ka përfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara, Maltë, Gjermani, Belgjikë, Kroaci dhe Francë.

Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën angleze, turke dhe serbe

Pasuria e ministrit të ri të kulturë

Në Agjencinë Antikorrupsion për vitin 2020, Hajrulla Çeku kishte deklaruar dy prona të paluajtshme në vlerë prej 190 mijë eurove.

Një tokë prej në sipërfaqe 10 ari të trashëguar, Çeku e kishte vlerësuar me 100 mijë euro, dhe një banesë 84 metra katrore të blerë në vlerë prej 90 mijë eurove, ai i ka deklaruar në emër të përbashkët me gruan e tij.

Si pasuri të luajtshme, ministri i kulturës ka deklaruar një veturë me vlerën prej 12 mijë eurove.

Ministri Çeku dhe bashkëshortja e tij kanë rreth 80 mijë euro detyrime financiare në një nga bankat në Kosovë.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Çeku ka thënë se të hyrat e vetme i ka nga paga si deputet i Kuvendit të Kosovës.