VIDEO: Gratë ushtare me grada të larta

Rukije Kurti ishte vetëm 19-vjeçare në vitin 1999, kur për herë të parë veshi në trupin e saj uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga ai ‘betim’, kjo uniformë i është bërë veshja kryesore në gardërobën e saj ndër vite.

Sot, Kurti është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe mban gradën e rreshter të klasit të parë dhe punon si motër medicinale në kompaninë e de-minimit.

“Karriera ime ushtarake ka filluar qysh në kohën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj ku kam shërbyer në zonën operative të Pashtrikut, pastaj prej transformimit të UÇK-së në TMK, kam shërbyer në zonën e dytë mbrojtëse në Prizren dhe më pas fati e deshi që të jem edhe pjesë e FSK-së”, thotë ajo.

Si dëshmitare e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, ajo tregon sfidat e saj drejt këtij profesioni.

“Sfida ka mjaftë duke marrë parasysh që puna në uniformë dallon, pra profesioni ushtarak dallon nga profesionet e tjera, duke marrë parasysh se edhe je në gatishmëri edhe kur nuk je në orar të rregullt të punës”, thotë ajo.

Por, ajo thotë se FSK-ja është një vend i mundësive për secilin individ.

“FSK-ja është vend i mundësive, të jep mundësi që të trajnohesh, shkollohesh si në mënyrë profesionale edhe akademike”, shton ajo.

42-vjecarja, e cila është nënë e dy fëmijëve, thotë se shpesh herë ndjehet që nuk i ka ofruar dashurinë e merituar të tyre.

“Duke marrë parasysh që unë jam edhe një bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve, duke e ditur që nuk kam qenë edhe aq afër fëmijëve të mi për shkak të punës në FSK, është e vështirë, por meqenëse e kam pasur përkrahjen e fëmijëve dhe bashkëshortit, më kanë mbështetur në çdo aspekt dhe ia kemi dalur mungesës time që nuk kam qenë çdo herë pranë tyre”, thotë ajo.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK),  viteve të fundit është duke e rritur numrin e grave që bëhen pjesë e ushtrisë dhe kanë grada të larta.

Në FSK, aktualisht janë 10.89 për qind gra ushtare dhe pjesa tjetër janë burra.

Edhe Antigona Muharremaj është pjesëtare tjetër e FSK-së e cila ka gradën e kapitenes. Ajo është shefe në sektorin e operacioneve dhe trajnimeve në regjimentin e shëndetësisë.

Ajo para 12 vitesh u bë pjesë e ushtrisë dhe ndjehet krenare për punën që e bënë.

“Ideja e të bashkangjiturit Forcës së Sigurisë së Kosovës ka filluar në vitin 2009 dhe jam ndjerë e privilegjuar më dhënien e kësaj mundësie, është nder dhe kënaqësi t’i shërbesh vendit tënd, një institucioni i cili ka barrë edhe përgjegjësinë kryesore për sigurinë e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, thotë ajo.

Epiteti i ushtares ngjallë ndjenja krenarie për të.

“Bartja e kësaj uniforme është një ndjenjë që të jep emocion krenarie, me bartjen e kësaj uniforme nuk përfaqësojë vetëm veten time, por FSK-në edhe është një fakt që rrit nivelin e përgjegjësisë edhe sigurisht të bën me u ndje e privilegjuar që je pjesë e uniformës”, thotë ajo për KALLXO.com.

Muharremaj rrëfen se rreshtimi për në ushtri të Kosovës ia ka ndryshuar jetën.

“Uniforma është më strikte, dëshiron përgjegjësi do më shumë obligime dhe që t’ia dalësh të gjitha këtyre duhet të jesh një person me personalitet të fortë, shumë potencial dhe duhesh të jesh në nivel të detyrës 24 orë dhe të shërbesh në FSK kurrë nuk është rutina e njëjtë, mund të ndryshohet agjenda gjithmonë”, thotë ajo.

Edhe ajo sikurse kolegia e saj, Rukije Kurti thotë se të jesh grua në FSK, ka edhe sfida.

“Sigurisht se ka sfida dhe personalisht ndodhem mes tri objektivave që kanë interesat ë ndryshëm, familja, karriera ushtarake dhe profesioni mjekësor. Jam në vijë të specializimit të Oftalmos që fa lëndoj FSK-në për vijimin e saj dhe sa jam në të njëjtën kohë pjesë e FSK-së”, thotë më tej ajo.

Muharremaj ka një mesazh për vajzat që dëshirojnë të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

“Gjitha që kanë interes që të bëhen pjesë e FSK-së, o kisha motivuar që të konkurrojnë dhe t’ia japin një mundësi vendit dhe shtetit që të shërbejnë në FSK dhe është një prej institucioneve me nivelin e përgjegjësi më të lartë dhe ndihen të privilegjuar me ofrimin e shërbimeve, sigurimit e shtetit dhe qytetarëve”, thotë në fund kapitenja.

Nga viti 2015 deri në vitin 2019 është rritur dukshëm numri i grave të cilat bëhen ushtare, kurse në vitin 2018 përqindja e rritjes ka qenë 9%.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës për çdo vit rekruton kadetë të rinj.