Shpend Maxhuni - Foto: KALLXO.com
Shkëlqimi dhe rënia e Shpend Maxhunit
Shpend Maxhuni ishte një ndër gjeneratat e para të atëherë Shërbimit Policor të Kosovës, i cili u rekrutua në vitin 1999 nga UNMIK-u. Gradimi i tij nëpër pozita në Polici shkoi duke u rritur ndër vite, duke arritur në pozitën e zëvendësdrejtorit në vitin 2011.
Ngritja e Shpend Maxhunit në karrierë u bë mbi shpinën e operacionit të 25 korrikut 2011 në veri të Mitrovicës. Ai vendosi ta zbatojë urdhrin e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi për shtrirjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, në Bërnjak dhe Jarinje.
Në fund të këtij aksioni u vra polici Enver Zymberi. Deri në orët e para të këtij aksioni, drejtor i Policisë së Kosovës ishte Reshat Maliqi. Ai u shkarkua nga Hashim Thaçi, me pretekstin se nuk pranoi ta zbatonte planin në tërësi.
Nga pozita e zëvendësdrejtorit në atë kohë, Shpend Maxhuni me automatizëm u emërua U.D. i drejtorit të Policisë së Kosovës. Ai udhëhoqi me Policinë e Kosovës deri në vitin 2018, kur pas skandalit të deportimit të 6 shtetasve turq dha dorëheqje nga drejtori i Policisë së Kosovës dhe u gradua në shef të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) .
Gjatë periudhës sa ishte në krye të AKI-së, Maxhuni u pa shumë rrallë në publik. Paraqitjet e tij të vetme ishin gjatë intervistimit në Komisionin parlamentar për “gylenistë” dhe në defileun me varkë krahas presidentit Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit, në ditën kur opozita po protestonte kundër ndarjes së territorit të Kosovës.
Pa u bërë dy vjet, që kur Maxhunni është emëruar shef i AKI-së, ai ka ofruar dorëheqjen.
Ai është dorëhequr nga kjo pozitë pak para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, ku sipas rezultateve preliminare e para ka dalë Lëvizja Vetëvendosje ndërsa e dyta, LDK.
Në ndërkohë, janë zhvilluar takime të delegacioneve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për koalicionin qeveritar për mandatin e ardhshëm.
Vjedhja e 25 kilogramëve ari në dhomën e dëshmive në Pejë
Maxhuni ka qenë drejtor i Policisë së Kosovës në kohën kur ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në Policinë e Kosovës.
Në Dhomën e Dëshmive në stacionin policor në Pejë, në periudhën shkurt-prill të vitit 2012 ishin vjedhur 25 kilogramë ar.
Në atë kohë kjo çështje kishte marrë vëmendje pasi që ari ishte nxjerrë nga stacioni jashtë mureve të ndërtesës nga një zyrtar policor.
Gjashtë persona janë hetuar në lidhje me këtë rast por në mungesë të provave ky rast është mbyllur.
Pas këtij skandali, Maxhuni e kishte shkarkuar Ahmet Hasin nga pozita e drejtorit të Policisë në Pejë.
Skandali me deportimin e 6 ‘gulenistëve’
Në mëngjesin e 29 marsit të vitit 2018 u arrestuan gjashtë shtetas turq nga Policia e Kosovës dhe u deportuan për në Turqi.
Të arrestuar ishin drejtori i Përgjithshëm i shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë, Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana. Në mesin e të arrestuarave dhe të deportuarve ishte edhe mjeku Osman Karakaja.
Në kohën e arrestimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovës, Shpend Maxhuni ka qenë drejtor i Policisë.
Pas deportimit të gjashtë shtetasve turq kryeministri i vendit thirri Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Këshill ky në të cilin bënin pjesë edhe ish – Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi të cilëve iu kërkua lirimi nga detyra.
Pas skandalit të deportimit të shtetasve turq, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës. Në vend të Driton Gashit, i cili u shkarkua nga pozita e drejtorit të AKI-së për rastin e deportimit të ‘gylenistëve’, u emërua Shpend Maxhuni. Nga drejtor i Policisë së Kosovës, pozitë të cilën e mbante për 7 vite, ai u emërua shef i AKI-së.
Deportimi i ‘gylenistëve’ ka nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.
Për të hetuar deportimin e tyre u formua një Komision hetimor parlamentar, i cili ka marrë në pyetje mbi 23 drejtues të lartë të institucioneve të implikuara në arrestimin dhe deportimin e këtyre 6 shtetasve turq. Një ndër ta ka qenë edhe Shpend Maxhuni. Maxhuni u intervistua me dyer të mbyllura nga Komisioni parlamentar.
Komisioni i krijuar në Kuvend ka hetuar rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i këtyre shtetasve turq nga Kosova, ndërkaq, disa herë nga ky komision janë deklaruar se kanë hasur në një numër të madh të parregullsive.
Një gjykatë turke ka dënuar me burg 2 prej 6 shtetasve turq, të deportuar nga Kosova. Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan janë dënuar me nga 7 vjet e gjashtë muaj burgim.
Ata akuzoheshin se i përkisnin organizatës së hoxhës Fetullah Gulen, e cila nga Turqia është shpallur terroriste.
Arma dhe droga në veturën e djalit të Shpend Maxhunit
Në fund të vitit të 2018, Prokuroria pati punë edhe me Shpëtim Maxhunin, djalin e tashmë ish-shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni. Me 12 tetor ai u ndalua nga Policia e Kosovës për posedim të armës dhe narkotikëve.
KALLXO.com ka raportuar për rastin e djalit të ish shefit të AKI-së, Shpëtim Maxhuni, i cili natën e 12 tetorit 2018 , u ndalua në fshatin Zllatar të Prishtinës.
Në një raport të gjatë të cilin Policia e ka dërguar te prokurori e të cilin e kishte siguruar KALLXO.com ishin përshkruar momentet kur policia ka ndaluar makinën ku ndodhej Maxhuni dhe detajet se ku u zbulua arma e cila u konfiskua atë natë.
Në makinë, sipas policisë, po udhëtonin Shpëtim Maxhuni që është djali i Shpend Maxhunit, Selim Ramadani dhe Arlind Kosumi. Raporti saktëson se policia e kishte ndaluar veturën Golf 4 dhe gjatë bastisjes në jaknën e djalit të Shpend Maxhunit kishte zbuluar revolen e tipit “Zastava” me katër fishekë.
Provat në lëndë saktësojnë se Maxhuni nuk ka mohuar se jakna është e tij dhe revolja ishte gjetur brenda saj. Ai kishte thënë në deklaratën në polici se revolja ishte e mikut të tij i cili e kishte harruar në makinë disa orë më parë.
Këtë deklaratë e kishte plotësuar edhe i dyshuari Rinor Maxhuni i cili kishte shkuar në polici ku kishte pranuar se revolja është e tij dhe se të njëjtën e kishte gjetur disa ditë më parë në parkun e Gërmisë nën një ulëse. Ai kishte pretenduar se revolja ishte një shkrepëse.
Asnjëri nuk kanë dhënë detaje para policisë se pse armën ilegale nuk e kishin raportuar në polici po kishin vendosur ta bartnin në makinë e në rrobat e tyre.
Djali i Shpend Maxhunit madje kishte rrëfyer në polici se revolen ilegale do t’ia kthente shokut të tij kur ai të kthehej prej dajallarëve. “Nuk e kam njoftuar për arsye që i njëjti më ka njoftuar se po shkon tek dajtë në Istog dhe e kam lënë që kur të kthehet t’ia jap”, kishte deklaruar Maxhuni në polici.
Detaje të tjera në kallëzim penal kanë përshkruar konfiskimin e materialeve të dyshimta si narkotikë dhe mjete që përdoren për të përpunuar marihuanën para konsumimit.Një mulli për bluarjen e drogës, një thikë dhe një cigare e dyshuar për marihuanë ishin konfiskuar gjatë kontrollit të makinës Golf 4.
Gjithmonë sipas dëshmive që kishte siguruara nga KALLXO.com, djali i Maxhunit kishte pranuar se thika është e tij personale dhe se i ishte nevojitur “për ndonjë punë e për asgjë tjetër”.
Policia e Kosovës në atë kohë kishte publikuar një sqarim në të cilin thuhej se as arma e as lëndët narkotike të gjetura nga Policia na një pikë kontrolli nuk janë të djalit të Shpend Maxhunit.
Me 27 nëntor të vitit 2018, Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e zyrtarit policor Afrim Karaxha, nën dyshimin për rrjedhje informacioni konfidencial, gjegjësisht për njoftimin e mediave se djali i shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shpend Maxhuni është përfshirë në një rast penal.
KALLXO.com kishte kontaktuar me Inspektoratin Policor të Kosovës të cilët kanë deklaruar se ”në bazë të kompetencave ligjore për interes të hetimit penal, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor në fjalë me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” e paraparë me nenin 433 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Në prill të këtij viti, Afrim Karaxha, polici i cili ishte suspenduar nën dyshimin se ka zbuluar rastin e Shpëtim Maxhunit, djalit të ish shefit të AKI-së, është rikthyer në punë.
Pasuria e Shpend Maxhunit
Në deklarimin e pasurisë të bërë sa ishte në pozitën e të parit të AKI-së, Shpend Maxhuni ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme 257 mijë euro, ku ka llogaritur dy banesa në vlerë 107 mijë euro, një shtëpi në vlerë 30 mijë euro, dhe dy toka në vlerë 120 mijë euro.
Ndërsa në pasurinë e luajtshme, ish-shefi i AKI-së ka deklaruar dy vetura, njëra e cila është deklaruar se është blerë në vlerë 10 mijë euro, ndërsa për veturën e dytë ka deklaruar se e ka blerë nga kursimet dhe shitja e veturës paraprake, vlera e së cilës arrin 13 mijë euro.
Maxhuni ka deklaruar se posedon edhe aksione në shoqëri komerciale, ku ka deklaruar se biznesi “Diamond Shine shpk”, i cili është deklaruar si biznes personal, pronar i së cilës është djali i tij.
Maxhuni ka deklaruar se ky biznes që nga maji i vitit 2018, ka pasur qarkullim 21 mijë euro.
Përveç kësaj pasurie, Maxhuni ka deklaruar se posedon para të gatshme në institucionet financiare në vlerë 89 mijë euro.
Ish-shefi i AKI-së po ashtu ka deklaruar se ka detyrime ndaj institucioneve financiare në vlerë 10 mijë euro, në kohëzgjatje për 5 viteve.
Maxhuni ka deklaruar se merr 33 mijë e 216 euro në vit.
Përveç të hyrave vjetore personale, Shpend Maxhuni ka deklaruar edhe të hyrat vjetore të bashkëshortes nga paga e saj në Gjykatën e Prishtinës në shumën 1 mijë e 830 euro si dhe mëditje nga Gjykata në Prishtinë në vlerë 102 euro.
Në të hyrat vjetore të Maxhunit kontribuojnë edhe fëmijët e tij, nga të cilat ka deklaruar se ka të hyra vjetore në vlerë 730 euro, burimi i të cilave sipas deklarimit është Telekomi i Kosovës.