Rrugëtimi i Pejanes si gjyqtare e Federatës Kinologjike të Kosovës në njohjen e racës së Deltarit Ilir si e shtetit të Kosovës

Zerina Kajtazi nga Peja, anëtare e Federatës Kinologjike në Kosovë, dhe stomatologe, në një interviste për KALLXO.com ka rrëfyer për perpetitë që e shoqërojnë atë në përpjekjet për organizmin e garave të qenve në Kosovë dhe njohjen e racës së Deltarit Ilir si racë autoktone.

Federata Kinologjike e Kosovës është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Kinologjisë që nga viti 2014. Selia e Federatës gjendet në qytetin e Pejës.

Kajtazi si anëtare e Federatës tregoi për aktivitetet, ekspozitat kinologjike që zhvillohen në shtetin e Kosovës dhe përfitimet që merr Kosova nga këto organizime në nivelin e zhvillimit të turizmit.

“Unë jam anëtare e Federatës Kinologjike të Kosovës, njëra nga aktivitetet është mbajta dhe organizmi i ekspozitave kinologjike, ku gjatë këtyre organizimeve kemi shumë turizëm, vijnë njerëzit nga Evropa dhe jashtë saj, dhe ata kur marrin pjesë në ekspozita i shfrytëzojnë baret, restorantet dhe e ngrisin turizmin në Pejë”, tregoi Kajtazi.

Gjyqtarja Kajtazi tha se këto ekspozita në Kosovë i mbajnë 4 herë në vit, por që dëshira është që të mbahen edhe me shpesh, ashtu që në njërën anë të behët vetëdijesimi i të rinjve por edhe zhvillimi i turizmit në Pejë e në Kosovë.

“Ne i mbajmë këtë ekspozita 4 herë në vit, por nëse kishim pas më shumë fonde i kishim mbajtë më shpesh dhe e kishim ngritë kinologjinë, vetëdijesimin e të rinjve dhe sjelljen e turizmit në Pejë, andaj kemi nevojë për fonde më shumë në këtë aspekt”, tha ajo.

Zerina tregoi për nevojën e fondeve nga niveli lokal dhe ai qendror, që pastaj të mundësohet edhe organizimi i trajnimeve nëpër shkollat e Pejës, me qëllim vetëdijesimin  të rinisë dhe trajtimin e problemit me qentë endacak.

Duke rrëfyer për eksperiencën e saj me qentë, gjyqtarja ndau edhe informacionin për racën autoktone të qenit shumë të lashtë të Kosovës, racën e Deltarit Ilir.

“Kosova e ka një racë të veten autoktone shumë të lashtë, ka dëshmi që kjo racë ka ekzistuar nga kohërat ilire dhe quhet Deltari Ilir, është qen i deleve. Ne si federatë e kultivojmë këtë racë dhe përpos federatës ka shumë persona që janë mundu me mish e shpirt dhe mundohen me kultivu këtë racë edhe nga pasioni”, tregoi ajo.

Kajtazi foli për përpjekjet e vazhdueshme që kjo racë të pranohet ndërkombëtarisht si racë shqiptare dhe ngecjet në këtë aspekt.

“Hapi ynë i ardhshëm që kjo racë autoktone të pranohet ndërkombëtarisht në botë, por Federata Ndërkombëtare ka shumë kërkesa të rrepta që të pranohet kjo racë, një që edhe kemi problem, janë testet gjenetike të qenve që kushtojnë shumë, dhe fotografimi i kukave”, u shpreh ajo.

Për fund për këtë çështje ajo tha se ekziston dëshira e flaktë dhe përpjekjet 40 vjeçare për njohjen e kësaj racë e Kosovës, por është e nevojshme ndihma financiare, për finalizimin e regjistrimit të kësaj race.

Lidhur me problemet komunale që e shoqërojnë qytetin ku jeton gjyqtarja Pejane, tha se është duke u investuar shumë në infrastrukturë, e me pak në socializmin dhe zhvillimin e të rinjve, e në edukimin e tyre.

“Unë personalisht nuk po e vlerësoj të rëndësishme të fokusohemi në ndërtimin e shkollave, por më shumë  në zhvillimin dhe socializimin e të rinjve dhe edukimin e tyre. Unë po kuptoj që Peja po merret shumë më infrastrukturë, dhe është shumë qytet i bukur, por besoj që më mirë pak m`u marr me pedagogjinë apo si të them, ndoshta edukimin e mësuesve dhe profesorëve tanë, që janë thelbi i këtij vendi, i edukimit të të rinjëve”.

Zerina u ndal edhe të çështja e mbeturinave dhe mbrojtës së ambientit në qytetin e Pejës, ku tha se Peja si një vend i rrethuar me male e me bistricën në mes, por që sipas saj është e pamundur të ruhet imazhi i mirë i qytetit për shkak të mbeturinave.

Ajo e vlerësoi së këtu kemi ngecje të qeverisjes lokale, por njëkohësisht e nevojshme është edhe krijimin i një programi për vetëdijesimin e qytetarëve në këtë aspekt.

Zerina përveç që është anëtarë e Federatës Kinologjike të Kosovës, njëkohësisht ushtron edhe profesionin e rregullt të stomatologes, ku për qeverisjen lokale shtroi kërkesën për mundësin e lehtësimit të ushtrimit të profesionit.

“Ne si stomatolog jemi shumë të diskriminuar në çdo seminar që organizohet nuk kemi ndihma as nga niveli qendror as ai lokal, dhe secili seminar që shkojmë që kushton ne duhet t`i paguajmë vet, e jemi të detyruar me i ndjek, sepse nëse si marrim pikët brenda vitit na ndërpritet licensimi”, u shpreh ajo.

Ajo tha se një ndihmesë nga niveli lokal dhe ai qendror në specializimin e saj në ortodonsi në Tiranë, do ishte mbështetje për të dhe të tjerët si ajo që po mundohen të ngrisin mjekësinë me profesionalizëm.