Rrugëtimi i Albin Kurtit nga protesta në pushtet

Pas 9 viteve në opozitë, e gati 14 viteve aktive në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit është duke prirë si partia me numrin më të madh të votave, me 203.052 vota apo 25,49%.

Nga protestat në rrugë, te protestat në Kuvend, Vetëvendosje ka shënuar rritje në secilin proces zgjedhor, e si asnjëherë më parë, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin është afër pozitës së kryeministrit.

Për profesorin universitar në Norvegji Sead Zimerin, ky tranzicion nuk është ndryshim i Albin Kurtit, por ndryshim i rrethanave politike në vend.

“Albin Kurti nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar situata e tij, rrethanat në të cilat ai do të veprojë nëse bëhet kryeministër dhe obligimet që do t’i ketë ndaj qytetarëve”, ka thënë Zimeri për gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa për Artan Mustafën, hulumtues në fushën e politikës sociale, fitorja e VV-së vjen si rezultat pas pabarazisë sociale të krijuar në Kosovë.

“Historia politike na tregon që partitë bëhen në rrugë e sipër. Vetëvendosje e sotme nuk është ajo që ka qenë në 2007, dhe Vetëvendosje e sotme nuk do të jetë ajo e vitit 2031”, ka thënë Mustafa për gazetën JnK.

Rritja e VV-së, nga një organizatë deri në parti fituese

Lëvizja Vetëvendosje u themelua më  12 Qershor 2005 , si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

Në ditën kur Kosova festonte çlirimin, (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohet historia e Vetëvendosjes.

Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

Ndërsa në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, Lëvizja Vetëvendosje kishe fituar 16 ulëse.

Në vitin 2015, Vetëvendosje dhe partnerët opozitarë AAK e NISMA  gjuajtën me gaz lotsjellës e vezë brenda parlamentit, për ta ndaluar parlamentin të ratifikonte një marrëveshje kufitare me Malin e Zi fqinj dhe të krijonte  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse në parlament.

Por më pak se një vit më vonë, 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, u larguan nga partia, të pakënaqur me fushatën e Kurtit për t’u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes.

Pritjet nga qeveria ‘Kurti’

Opsionin e vetëm për formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje, e ka lënë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me të cilën koalicioni parazgjedhor i dështoi për shkak të ‘ulëses’ së kryeministrit.

Dështimi i një koalicioni paszgjedhor me LDK-në do të mund ta çonte vendin në një palë zgjedhje të reja.

“Ose po merremi vesh, ose le të shkojmë prapë në zgjedhje. Çka të bëjmë, ose le të bëhet koalicioni LDK – VV, ose të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Kurti në një intervistë në KTV.

Sipas hulumtuesit të politikave sociale, Artan Mustafa, qeveria Kurti, para vetes ka një përgjegjësi të madhe, sidomos për sa i përket dialogut me Serbinë.

“Në bisedimet me Serbinë duhet me tentu  me pasë përfshirje më të madhe të akterëve të shoqërisë tonë, dhe me qenë transparent në këtë proces, por njëkohësisht mos me lënë anash zhvillimin e brendshëm’, ka thënë Mustafa.

Ndërsa sipas profesorit universitar, Sead Zimerit, Albin Kurti, paraqet liderin e cili është i aftë ta përfaqësojë Kosovën si në bisedime ashtu edhe në krijimin e raporteve me ndërkombëtarët.

“Edhe me Serbinë madje do të ndërtojë marrëdhënie bilaterale përderisa Serbia njeh Kosovën si shtet sovran. Kosova është shtet sovran dhe duhet të respektohet si i tillë. Servilizmi i madh diplomatik nuk i sjell asnjë interes dhe levërdi afatgjate shtetit të Kosovës”, ka thënë Zimeri.

Gjatë fushatës zgjedhore, Vetëvendosje kishte deklaruar se në planin e tyre një ndër ‘top’ prioritetet do të jetë ekonomia.

Artan Mustafa thotë që veprimet që do t’i bëjë Lëvizja Vetëvendosje do ta definojnë të ardhmen e saj në pushtet.

“VV-ja nuk është për një ekonomi komplet të udhëhequr nga qeveria por është për një marrëdhënie më komplekse mes qeverisë dhe tregut dhe këto mund ta ndihmojnë njëra tjetrën teorikisht dhe empirikisht”, ka thënë ai.

Për Sead Zimerin, Albin Kurti e ka theksuar qartë që në qeverinë e tij tregu do të jetë plotësisht i lirë.

“Taksat do të jenë progresive për t’i mbuluar shpenzimet bazike të qytetarëve dhe për të krijuar dhe mirëmbajtur shtetin minimal të mirëqenies sociale dhe atë maksimal të drejtësisë dhe mbrojtjes. Ai ka qenë dhe vazhdon të mbetet kundërshtar i madh i privatizimit të disa ndërmarrjeve shtetërore që i duhen shtetit”, ka thënë Zimeri.