Rruga e gjatë e Albin Kurtit për t`u bërë kryeministër

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës, në seancën e sotme të Kuvendit.

Pas miratimit të ekzekutivit të ri qeveritar me 66 vota për të ligjvënësve, Kurti bëri betimin e kabinetit të tij, duke u zotuar se e me përgjegjësi, përkushtim dhe me ndershmëri do t’i kryejmë të gjitha detyrat dhe punët sipas mandatit të dhënë nga legjislativi.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deklarimet, dallimet dhe takimet e disa muajve arritën t’i zyrtarizojnë në një koalicion të dielën e 2 shkurtit 2020, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Pas një sërë takimesh mes grupeve punuese të të dyja subjekteve për harmonizimin e programit të përbashkët qeverisës, si dhe dhjetëra takimeve në nivel kryetarësh, lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa i vunë firmën një dokumenti për qeverisje të përbashkët në 4 vitet e ardhshme, duke lëshuar pe për pozitat për kryeparlamentarin dhe për president të vendit.

Por rruga politike e Kurtit drejt udhëheqjes së ekzekutivit të Kosovës është tejet e gjatë dhe me shumë zhvillime.

Rrugëtimi i Albin Kurtit nga student deri tek fituesi i zgjedhjeve

Rrugëtimi i Albin Kurtit nga student deri tek fituesi i zgjedhjeve

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 9 octobre 2019

Kush është Albin Kurti?

Albin Kurti ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai iu bashkua kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.

Sipas të dhënave të Lëvizjes Vetëvendosje, kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.

Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999.

Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.

Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë politik e bashkë themeluan një iniciativë qytetare të quajtur Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ishte kryetar i LVV-së deri në mars të vitit 2015. Kurti garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për kryetar të saj në janar të vitit 2018 dhe fitoi.

Albin Kurti ka qenë deputet i LVV-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Albin Kurti ishte kandidati që fitoi numrin më të madh të votave në vend. Albin Kurti gjithashtu ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.

Albin Kurti flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë.

Rruga e Lëvizjes Vetëvendosje drejt pushtetit

Pas 9 viteve në opozitë, e gati 14 viteve aktive në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Nga protestat në rrugë, te protestat në Kuvend, Vetëvendosje ka shënuar rritje në secilin proces zgjedhor.

Për profesorin universitar në Norvegji Sead Zimerin, ky tranzicion nuk është ndryshim i Albin Kurtit, por ndryshim i rrethanave politike në vend.

“Albin Kurti nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar situata e tij, rrethanat në të cilat ai do të veprojë nëse bëhet kryeministër dhe obligimet që do t’i ketë ndaj qytetarëve”, kishte thënë Zimeri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa për Artan Mustafën, hulumtues në fushën e politikës sociale, fitorja e VV-së vjen si rezultat pas pabarazisë sociale të krijuar në Kosovë.

“Historia politike na tregon që partitë bëhen në rrugë e sipër. Vetëvendosje e sotme nuk është ajo që ka qenë në 2007, dhe Vetëvendosje e sotme nuk do të jetë ajo e vitit 2031”, ka thënë Mustafa për gazetën JnK.

Rritja e VV-së, nga një organizatë deri në parti fituese

Lëvizja Vetëvendosje u themelua më  12 Qershor 2005 , si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

Në ditën kur Kosova festonte çlirimin, (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohet historia e Vetëvendosjes.

Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

Ndërsa në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, Lëvizja Vetëvendosje kishe fituar 16 ulëse.

Në vitin 2015, Vetëvendosje dhe partnerët opozitarë AAK e NISMA  gjuajtën me gaz lotsjellës e vezë brenda parlamentit, për ta ndaluar parlamentin të ratifikonte një marrëveshje kufitare me Malin e Zi fqinj dhe të krijonte  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse në parlament.

Por më pak se një vit më vonë, 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, u larguan nga partia, të pakënaqur me fushatën e Kurtit për t’u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes.