Jeffrey M. Hovenier - Foto: U.S. Embassy Pristina, Kosovo

Rikthimi në Kosovë, kush është ambasadori i ri i ShBA-së Jeffrey Hovenier?

Diplomati i karrierës në Departamentin e Shtetit, Jeffrey M. Hovenier, sot edhe zyrtarisht pranoi detyrën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Kjo nuk është përvoja e parë e Hovenier në Kosovë. Në vitin 1999 ai kishte qenë pjesë e stafit të të dërguarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Martti Ahtisaari, si dhe në angazhime të përkohshme në vendet fqinje si Serbi dhe Mal i Zi.

Përveç kësaj, Hovenier në vitit 1999 ka qenë pjesë e delegacionit të ShBA-së për bisedimet paqësore për çështjen e Kosovës, në Konferencën e Rambujesë, e cila ka filluar punimet më 6 shkurt të atij viti.

Pikërisht për kontributin e tij gjatë kësaj periudhe, ish- presidenti Hashim Thaçi më 4 qershor të vitit 2018 e kishte nderuar atë me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, kishte thënë Hovenier pas pranimit të Medaljes.

Sipas biografisë së publikuar në web-faqen e Departamentit të Shtetit, Jeffrey M. Hovenier, përpara se të emërohej ambasador ka shërbyer si zëvendësambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.

Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.

Më herët, ai ishte zëvendësshef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.

Karriera mbi 31-vjeçare në diplomaci e Hovenier nuk është vetëm në Ballkan. Ai ka shërbyer edhe në shumë vende të tjera të botës.

Në misionet e Shteteve të Bashkuara, Hovenier ka shërbyer në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru, dhe në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ndërsa në Uashington, diplomati Hovenier ka shërbyer si drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Në korrik të viti të kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kishte emëruar diplomatin Jeffrey M. Hovenier për ambasador në Kosovë.

Në letrën dërguar Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit, Hovenier ishte zotuar se në misionin e tij do të ndihmojë tranzcionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Unë do të mbështes zhvillimin e vazhdueshëm gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë multietnike, ndërvepruese me NATO-n dhe mbrojtëse të territorit. Duke u bazuar në dislokimin e parë ndërkombëtar të Kosovës së bashku me forcat amerikane dhe organizimin e ‘Defender Europe 21’, ne mund të ndihmojmë kalimin e Kosovës nga konsumues në ofrues të sigurisë”, ka shkruar ai.

Hovenier pritet të jetë ambasador për 3 vite në Kosovë. Para tij ambasador në Kosova ka qenë diplomati Philip Kosnett, i cili para pak muajsh ka përfunduar mandatin e tij në Kosovë si ambasador.