Profilet e pesë kandidatëve për postin e kryeministrit të Kosovës

Me pak orë të mbetura deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë më 6 tetor, vendimi i pesë kandidatëve kryesorë për të kandiduar veç e veç e ka lënë garën të hapur.

 

Një kombinim i fytyrave të vjetra dhe të reja politike janë në “menunë” e përzgjedhjes për votuesit më 6 tetor kur ata do të hedhin votën e tyre për një përbërje të re të parlamentit në Kosovë.

Për dallim nga zgjedhjet e fundit të vitit 2017, kur tre ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, të shndërruar në politikanë, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, qenë rreshtuar në një koalicion, këtë herë ata të gjithë po kandidojnë veç e veç.

Përveç këtyre treve, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje është gjithashtu në listë, për herë të dytë, ndërsa partia më e vjetër në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, këtë herë i ka vendosur bastet e saj tek një grua e re politikane, Vjosa Osmani.

Ndarja në pesë fronte politike e pretendentëve për postin e kryeministrit e bën rezultatin e zgjedhjeve veçanërisht të paparashikueshëm dhe të vështirë për t’u ditur.

Vjosa Osmani

Nëse zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të rezultojnë me ndonjë befasi, Vjosa Osmani është njëra prej tyre. 37-vjeçarja nga Mitrovica është e vetmja grua në garë e cila shpreson të bëhet kryeministrja e ardhshme e Kosovës.

Vjosa ka titullin Doktor në të Drejtën Ndërkombëtare dhe tani ligjëron në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ajo filloi jetën publike si këshilltare e ish presidentit Fatmir Sejdiu dhe ishte koordinatore e ekipit juridik të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ICJ, në vitet 2009-2010, kur Serbia i kërkoi gjykatës të deklaronte nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në 2008 ishte në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Vjosa i është futur kësaj gare me premtime se LDK kurrë nuk do të bëhet bashkë në një qeveri koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, të udhëhequr nga Kadri Veseli, dhe do të luftojë korrupsionin që nga ditët e para të qeverisjes së saj.

“Një qeveri e udhëhequr nga LDK do të ndërmarrë masa të shpejta për të dekriminalizuar sistemin e drejtësisë, duke përfshirë krijimin e institucioneve që do të hetojnë pasurinë,” deklaroi ajo përballë një turme mbështetëse ditën e parë të fushatës së saj në sheshin kryesor të Prishtinës.

“Siguria, rendi dhe ligji janë një domosdoshmëri dhe ne do të punojmë që drejtësia të jetë e lirë nga politika dhe krimi,” shtoi ajo.

LDK ishte partia e parë etnike shqiptare e formuar në Kosovë, e themeluar në vitin 1989, kur Kosova ishte akoma pjesë e Serbisë.

Nën udhëheqësin e saj të parë, Ibrahim Rugova, LDK ishte udhëheqëse e rezistencës etnike shqiptare ndaj regjimit brutal të Slobodan Millosheviqit, duke duke avokuar kundër dhunës dhe duke e bërë instalimin e sistemeve “paralele” të arsimit dhe qeverisë.

Në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në Kosovë pas përfundimit të luftës për pavarësi  ndaj Serbisë, në vitin 2000, LDK befasoi shumëkë duke fituar kontrollin mbi shumicën dërrmuese të komunave.

Me gjithë sharmin dhe magjepsjen që vinte bashkë me emrat e luftëtarëve të kohës së luftës, LDK mposhti partitë e udhëhequra nga ish komandantët guerilë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, të tilla si Partia Demokratike e Kosovës, PDK-ja, e Hashim Thaçit dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK-ja, e Ramush Haradinajt.

LDK dominoi politikën kosovare deri në zgjedhjet e vitit 2007, kur, pas vdekjes së Rugovës dhe rritjes së mosmarrëveshjeve të brendshme, ajo humbi terren kundrejt PDK-së e cila po shënonte rritje njëkohësisht.

Por rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2017 treguan një rritje të konsiderueshme të popullaritetit të saj kur fitoi numrin më të madh të komunave.

Në parlament, LDK aktualisht mban 25 nga 120 vendet në total. Një ndarje e dëmshme në radhët e partisë tjetër kryesore opozitare, Vetëvendosjes, i ka dhënë mundësinë LDK-së që të bëhet partia më e madhe opozitare në parlamentin e Kosovës.

Ramush Haradinaj

Ndërkohë që deputetët opozitarë nxitonin të mblidhnin nënshkrimet për një votë mosbesimi ndaj qeverisë së tij më 19 korrik, kryeministri Ramush Haradinaj i befasoi partnerët e tij të koalicionit në fund të një mbledhjeje të rregullt të qeverisë, kur e bëri publike dorëheqjen e tij të papritur.

Haradinaj e justifikoi dorëheqjen e tij duke sqaruar se ai ishte ftuar për t’iu përgjigjur pyetjeve para Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton krimet e kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë.

“Nuk është një vendim i lehtë [por] ky është realiteti,” i tha mediave më 19 korrik ish komandanti i Zonës së Dukagjinit të UÇK-së gjatë luftës për pavarësi, në vitet 1998-99. Nuk mund të jem kryeministër dhe i dyshuar për krime të luftës në të njëjtën kohë, shtoi ai.

Disa ditë më vonë, ai u paraqit para prokurorëve të Hagës, por vendosi të heshtë në pyetjet e tyre.

Në lidhje me kandidimin e tij të sërishëm për pozitën të cilën ai e dorëzoi vullnetarisht dy muaj më parë dhe vendimin e tij për të dhënë dorëheqje, Haradinaj nuk shpreh keqardhje. “Nëse Haga më fton 100 herë, unë do të jap dorëheqjen 100 herë,” tha Haradinaj në emisionin e debateve televizive elektorale të BIRN Debat Pernime të premten në mbrëmje.

Një skenar i ngjashëm ndodhi në marsin e vitit 2005, kur Haradinaj ishte kryeministër i një qeverie të mëparshme dhe gjithashtu dha dorëheqjen pasi u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavinë, ICTY.

Ai u lirua nga akuzat për krime të luftës në vitin 2008 për shkak të mungesës së provave dhe më pas u lirua për herë të dytë nga gjykata e Kombeve të bashkuara në nëntor të vitit 2012 pasi fitoi apelin.

Haradinaj i është futur politikës në vitin 2000, kur zhveshi uniformën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, TMK, një organizatë që kishte statutin e Emergjencës Civile e dalë nga UÇK-ja.

Pasi fitoi rreth 7 përqind të votave në zgjedhjet e para pas luftës në vitin 2001, AAK-ja e tij u bë pjesë e një qeverie të gjerë, detyra kryesore e së cilës ishte të vendoste themelet për institucionet e reja.

Ai është i njohur për karizmin dhe stilin e tij të drejtpërdrejtë të komunikimit.

Periudha e tij e fundit si Kryeministër do të mbahet mend për kundërshtimin e tij ndaj planeve të Presidentit Thaçi për të negociuar një shkëmbim territoresh me Serbinë, si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare.

Qeveria e tij do të mbahet mend gjithashtu për përbërjen e saj të madhe; kishte jo më pak se pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe rreth 80 zëvendësministra.

Vendimet kundërshtuese përfshinin rritjen e pagave të tij dhe të kabinetit të tij për 100 përqind, dhe vendosjen e taksës 100 përqind për importet nga Serbia dhe Bosnja në nëntor të vitit 2018, në shenjë hakmarrjeje për dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol – gjë që i atribuohej gjerësisht lobimit serb.

Nuk është për t’u habitur se Haradinaj po garon në zgjedhjet e 6 tetorit nën moton “Kosova 100 %”.

Albin Kurti

Albin Kurti po garon me premtimet për të luftuar korrupsionin dhe të krijojë kushtet për një ekonomi të qëndrueshme nën moton, “Erdhi dita”.

“Sundimi i ligjit është i domosdoshëm për një shtet ku mbizotëron sundimi i ligjit, dhe kjo do të thotë që ndjekja penale të fillojë të bëhet aktive dhe të mos mbetet pasive, duke pritur që të tjerët të ankohen”, tha Kurti gjatë debateve zgjedhore televizive të BIRN në Debat Pernime të enjten.

“Qeveria e fundit [Haradinaj] ka rritur borxhin publik, investimet kanë rënë dhe … gjithashtu kemi një rritje të migracionit,” shtoi Kurti. “Ne do të rikthejmë besimin në shtet,” vazhdoi ai.

Por ekonomia nuk është në të vërtetë fusha për të cilën partia e tij njihet më së shumti.

Vetëvendosje u themelua si një lëvizje nga rruga, duke bërë presion që Kosova të përcaktojë fatin e vet dhe kundërshtoi marrëveshjet ndërkombëtare të bëra për të ardhmen e vendit.

Më 12 qershor 2005, ndërsa Kosova po festonte përvjetorin e gjashtë të çlirimit nga sundimi serb, një grup të rinjsh dolën në rrugët e Prishtinës përpara Misionit të atëhershëm të KB në Kosovë, UNMIK.

Si një ish drejtues studentësh që ishte burgosur nga Serbia gjatë fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s në 1999, Kurti udhëhoqi grupin e njerëzve që kishin shkruar parullën: “Jo negociata, vetëvendosje”, në muret e selisë kryesore të UNMIK-ut.

Lëvizja Vetëvendosje sfidoi një sistem politik të sponsorizuar dhe mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, dhe ardhja e tij përkoi me kohën kur ish sekretari i përgjithshëm i KB kishte angazhuar diplomatin norvegjez, Kai Aide, për të dhënë propozimin e tij nëse kishte ardhur koha për të lëvizur përpara për të zgjidhur statusin final të Kosovës.

Pas veprimeve të shumta në rrugë, në shkurt  të vitit 2007 Vetëvendosje organizoi një protestë masive në Prishtinë kur i dërguari i KB për statusin final të Kosovës, diplomati finlandez Marti Ahtisaari, paraqiti planin e tij, për të cilin Lëvizja Vetëvendosje ishte këmbëngulëse në qëndrimet e saj se nuk i plotësonte pritjet.

Në vitin 2010, Vetëvendosje hyri në politikë me mision shumëkauzësh, duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4 përqind të votave dhe 14 nga 120 vendet në parlament.

Ndërkohë që shumë vëzhgues kishin mendim se tani ishte koha që kjo parti të kalonte nga veprimet në rrugë në angazhimin politik në parlament, Vetëvendosje vazhdoi me të dyja njëkohësisht.

Në qershor të vitit 2013, ndërsa deputetët diskutonin një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë, protestuesit e Vetëvendosjes bllokuan hyrjet në parlament. Ish ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, pësoi një gërvishtje në dorën e saj ndërsa po përpiqej të futej në ndërtesë.

Në vitin 2015, Vetëvendosje gjuajti me gaz lotsjellës brenda dhe koktej molotov jashtë parlamentit, për ta ndaluar parlamentin të ratifikonte një marrëveshje kufitare me Malin e Zi fqinj dhe të krijonte  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse në parlament.

Por më pak se një vit më vonë, 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, u larguan nga partia, të pakënaqur me fushatën e Kurtit për t’u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes.

Kadri Veseli

Kadri Veseli ka zgjedhur që luftën kundër korrupsionit ta bëjë fokusin kryesor të fushatës së tij zgjedhore, në një kohë kur gjykatat po përpunojnë raste të ndryshme korrupsioni kundër zyrtarëve të lartë, përfshirë deputetë, ish ministra dhe ish kryetarë të partisë së tij, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK.

Disa javë para fushatës zgjedhore, Veseli përjashtoi këta emra nga lista e kandidatëve të PDK-së, por shumë prej tyre mbeten aktivë në mbledhjet elektorale, në kërkim të votave për partinë.

Kosova ka pasur katër qeveri të koalicionit që nga viti 2007, dhe PDK ka qenë partneri më i madh në secilën prej tyre.

Kosova ka një problem të madh me korrupsionin. Raporti i fundit i organizatës Transparency International në lidhje me perceptimet e korrupsionit vë në dukje se “ndërhyrja politike në punën e gjyqësorit po dëmton pavarësinë dhe punën profesionale të sistemit të drejtësisë në Kosovë”. Si pjesë e të gjeturave të tij, ky raport përmend nepotizmin, punësimin bazuar në përkatësinë partiake dhe emërimet politike të anëtarëve të bordit në ndërmarrjet publike.

Kadri Veseli, 52 vjeçar, reflektoi në lidhje me këtë, duke e marrë fjalën kur partia e tij mbajti një kongres zgjedhor në Prishtinë për të filluar kandidaturën e tij për t’u bërë kryeministër. “Nëse ne duam të luftojmë korrupsionin, gjëja e parë është të pranojmë problemin dhe të fillojmë ndryshimin nga [shtëpia] jonë,” tha ai më 8 shtator.

“Unë ju siguroj se me politika më të mira, të gjitha sfidat do të trajtohen, të gjitha problemet do të zgjidhen dhe ëndrrat e rinisë sonë do të bëhen realitet,” shtoi ai.

PDK u formua në tetor të vitit 1999 nga udhëheqësit kryesorë të UÇK-së. Kryetari i parë i PDK-së, Hashim Thaçi, tani President i Kosovës, ishte drejtori politik i UÇK-së. Anëtarët e tjerë themelues të PDK-së nga UÇK-ja janë Xhavit Haliti, i cili kishte drejtuar financat e UÇK-së dhe Azem Syla, ish komandanti suprem i UÇK-së.

Fillimisht, një parti e së majtës me status të vëzhguesit brenda bllokut socialist evropian, PDK më vonë u bë parti e profilit të djathtë.

Pas tetë vjetësh si e dyta pas LDK-së, PDK doli e para në zgjedhjet e treta shumëpartiake të mbajtura në Kosovë në nëntorin e vitit 2007. Që nga ajo kohë, PDK e ka mbajtur më tej këtë pozitë udhëheqëse.

Partia e ndryshoi udhëheqjen në qershorin e vitit 2016, kur Kadri Veseli, nënkryetari i saj dhe një ish-udhëheqës i Shërbimit Informativ në hije të Kosovës, SHIK, zëvendësoi Thaçin, pasi ky i fundit u bë President i Kosovës.

Fatmir Limaj

Fatmir Limaj, Kryetar i NISMA Social Demokrate po kandidon për top pozitën dy vjet pasi shërbeu si Zëvendëskryeministër në qeverinë e Haradinaj.

Tani 48 vjeçar, ish-udhëheqësi i UÇK-së iu fut politikës menjëherë pasi mbarimit të luftës në vitin 1999 kur ai u bë bashkë me Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin në themelimin e PDK-së.

Në 2003, Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi me seli në Hagë, ICTY, e akuzoi Limajn dhe dy ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së për krime lufte kundër serbëve dhe shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me forcat serbe gjatë luftës së pavarësisë.

Në nëntor të vitit 2005, ai u lirua dhe u kthye në shtëpi, i pritur si hero dhe me festime në rrugët e kryeqytetit. Një rigjykim në Hagë në vitin 2007 e nxori Limajn të pastër përsëri.

Në prill të vitit 2010, misioni i sundimit të ligjit në BE, EULEX, bastisi apartamentin e tij në Prishtinë dhe shtëpinë e tij në qytetin e Malishevës. Dy vjet më vonë, ai u akuzua për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion në ministrinë e transportit.

Në verën e vitit 2011, Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij nga UÇK u akuzuan gjithashtu për krime lufte kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës, të akuzuar për abuzim ndaj civilëve serbë dhe shqiptarë dhe ndaj të burgosurve ushtarakë dhe policë serbë të cilët ishin mbajtur në një qendër të improvizuar të paraburgimit të UÇK-së në fshatin Kleçkë. Limaj përsëri doli i pastër në të dyja rastet.

Në vitin 2013, marrëdhëniet e tij me Thaçin u ftohën dhe ai vendosi të largohet nga PDK-ja dhe të themelojë një parti të re, të cilën e quajti NISMA, së bashku me ish sekretarin e përgjithshëm të PDK-së, Jakup Krasniqi dhe të tjerët.

Në zgjedhjet e para të vitit 2014, kjo parti fitoi 5.15 përqind të votave, duke kaluar vetëm pragun e nevojshëm prej 5 përqind për të hyrë në parlament.

Për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, NISMA ka nënshkruar një koalicion parazgjedhor me Aleancën për Kosovën e Re, AKR, të udhëhequr nga manjati Behgjet Pacolli.