Paqësori i paluhatshëm, Ibrahim Rugova (1944 – 2006)

Janë bërë 13 vjet që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës, kur kjo e fundit nuk ishte ende Republikë.

Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të 2006, në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë që e kishte prekur muaj më parë.

Ibrahim Rugova kishte qenë një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe qëndroi në krye të kësaj partie deri në ditën e vdekjes.

Pas vdekjes së tij, në krye të LDK-së dhe në krye të presidencës erdhi Fatmir Sejdiu, i cili postin e kryetarit të partisë e mbajti deri në 2010, kur u pasua nga Isa Mustafa.

Sejdiu ishte deri në atë kohë edhe President i Kosovës. Në vitin 2011 ai u pasua nga Atifete Jahjaga.

Rugova ishte zgjedhur kryetar i LDK-së në 1989 kur edhe ishte formuar kjo parti. Ndërsa 1 vit më herët ai ishte zgjedhur edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Ndërsa, postin e presidentin ai e mori në zgjedhjet e 1992 dhe nuk e lëshoi deri në ditën e vdekjes.

Gjatë kohës së luftës, Rugova kishte qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, të cilat pastaj sollën reagimin e NATO-së ndaj krimeve që shteti serb po i bënte në Kosovë. Pjesë e Rambujesë ishte edhe Hashim Thaçi.

Rugova kishte vdekur në kohën kur Kosova dhe Serbia po zhvillonin bisedimet në Vjenë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Këto bisedime, dy vjet më pas, më 17 shkurt 2008, rezultuan me shpalljen e Pavarësisë.

Rugova gjatë kohës së luftës në Kosovë, kishte zhvilluar një takim me Slobodan Millosheviqin, liderin serb të asaj kohë. Ky takim thuhej se ishte bërë pa vullnetin e tij dhe se ai ishte marrë peng nga policia serbe dhe ishte detyruar që të takohej me Millosheviqin.

Pas këtij takimi ai ishte vendosur në Itali, për t’u kthyer pastaj në Kosovë pas luftës.

Njëri nga misteret më të mëdha të ish presidentit Rugova mbetet edhe fakti se pse asnjëherë nuk e vizitoi familjen Jashari. Përgjigjen e kësaj pyetje, ai e mori me vete, duke mos e bërë asnjëherë të ditur.

Edhe pse ishte president i një vendi që ende nuk njihej ndërkombëtarisht nga shtetet e fuqishme, ai megjithatë kishte arritur të takojë figura të larta politike, përfshirë Presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton, Papa Gjon Palin II, e të tjerë liderë botërorë të kohës.

Varrimi i Presidentit Rugova mbahet mend në Kosovë si njëri nga varrimet më numrin më të madh të pranishmëve. Mirëpo mbahet mend edhe për faktin që garda kombëtare e Trupave Mbrojtëse të Kosovës kishte refuzuar ta varroste me nderime shtetërore.

Pas vdekjes së Rugovës, pothuajse asgjë nuk shkoi mirë në partinë e tij.

Ata ishin ndarë mes grushteve e gjuajtjes me karrige në zgjedhjet e para për kryetar partie në fund të vitit 2006 kur anëtarësia u nda në dy kampe- atë të Nexhat Dacit dhe Fatmir Sejdiut.

Përveç kësaj, LDK, nga një parti që fitonte bindshëm zgjedhjet nacionale, tash e 13 vjet asnjëherë nuk është konfirmuar si parti e parë.

Inatet politike në mes të LDK-së dhe PDK-së u harruan pak kohë pas vdekjes së Rugovës. Në zgjedhjet e para pas vdekjes, LDK-ja kishte përfunduar poshtë PDK-së, mirëpo në fund ishin bashkuar në një koalicion të madh.

Jo vetëm në parti, ndryshuan gjërat.

Edhe në familjen e tij pësuan ndryshime drastike.

Djali i tij, Ukë Rugova akuzohet nga Prokuroria e Shtetit për krim të organizuar. Sipas Prokurorisë, Ukë Rugova kishte udhëhequr një grup kriminal të organizuar që kanë përgatitur viza itailiane Schengen në mënyrë jo ligjore.

Përveç karrierës politike, Rugova kishte pasur edhe një karrierë të bujshme akademike. Ai para se të kyçej në politikë, kishte studiuar për një kohë të gjatë në letërsi si dhe kishte doktoruar në këtë fushë në vitin 1984.

Punë punën dhe aktivitetin e tij, Rugova ishte nderuar nga Parlamenti Evropian në 1998 me çmimin Saharov.

Si shkrimtar dhe kritik letrar, Ibrahim Rugova ka të botuara mbi 10 vepra.

Ai tashmë është përjetësuar në bronz në një shtatore në qendër të Prishtinës, në sheshin që mban emrin e tij.