Luftëtarët e Mjedisit: Fytyrat jeshile në Evropën Juglindore

Nga Moldavia në Kosovë, aktivistët e mjedisit në të gjithë Ballkanin po mobilizohen për t’u marrë me çështje, të tilla si ndotja e ajrit dhe lumenjve deri te prerjet dhe transportimet ilegale të drunjëve, përdorimi i karburanteve fosile dhe hidrocentralet.

 

Aktivistët e mjedisit janë duke zhvilluar një betejë për ta luftuar shkatërrimin e mjedisit në Evropën Juglindore, duke u përfshirë në “flash mob” fushata (tubime të shpejta), duke orkestruar protesta masive dhe duke filluar festivalet e filmit për të promovuar konservimin – të gjitha ndërkohë që bëjnë zhurmë dhe sfidojnë autoritetet lokale.

Kush është në ballë të këtyre kryqëzatave?

BIRN ka zgjedhur gjashtë aktivistë nga e gjithë Evropa Juglindore për të nxjerrë në pah disa nga çështjet kryesore përmes të cilave ata po bëjnë kundërfushatë si dhe betejat e tyre për të përmirësuar jetën e qytetarëve të zakonshëm.

Le të njoftohemi me ta si më poshtë.

Kosova: Aktivistja që i doli përballë Bankës Botërore

Dajana Berisha

Nuk është e lehtë të gjenerosh tituj në një vend aq të politizuar si Kosova. Megjithatë, si kudo tjetër, edhe në Kosovë, rregullat përbëjnë ndonjë përjashtim. Dajana Berisha, Drejtore Ekzekutive e Forumit të Kosovës për Iniciativa Qytetare, FIQ, ishte befasi për shumëkënd në vitin 2016 kur, pasi ushtroi një ankesë, e detyroi Bankën Botërore të tërhiqet nga një prej projekteve më të mëdha dhe më të diskutueshme të energjisë në dekadën e fundit.

Paraprakisht, Banka Botërore kishte rënë dakord për të financuar një termocentral të ri  me thëngjill “Kosova e Re” (Kosova e Re), dhe planet parashikonin një zhvendosje të imponueshme të fshatit Hade, 15 kilometra larg kryeqytetit, Prishtinës, në mënyrë që të krijohet hapësirë e mjaftueshme për termocentralin “Kosova e Re”.

“Kjo është një kauzë që vërtetë e ndiej afër meje, që qëndron afër zemrës time, dhe unë jetoj me këtë kauzë për vite me radhë,” thotë Berisha, tre vjet më pas.

Ajo ka kaluar shumë kohë, bashkë me fshatarët vendas, duke marrë pjesë në protestat e tyre, pavarësisht motit.

“Ekzistojnë dy skenarë për të gjithë: njëra është të injoroni çdo gjë të gabuar që i ndodh shoqërisë në të cilën jetoni, sepse ‘kjo nuk më prek mua, kështu që unë refuzoj të marr pjesë” – dhe skenari tjetër është kur jeni shumë i ndjeshëm ndaj gjithçkaje që ndodh me shoqërinë në të cilën jetoni, me bashkëqytetarët tuaj dhe veçanërisht me fëmijët, gjeneratën tjetër,”, thotë Berisha.

“Zgjodha opsionin e dytë – të përfshihesha dhe të kundërshtoja gjithçka që nuk është e drejtë për vendin tim dhe për fëmijët tanë. Unë vërtet dëshiroj të bëj diçka për vendin tim” shpjegon ajo.

Ambicia e saj është të vazhdojë të marrë pjesë në jetën publike dhe t’i bëjë politikëbërësit të kuptojnë se mjedisi është me shumë rëndësi për zhvillimin e Kosovës.

“Ajo që më irriton më së shumti te politikëbërësit është mungesa e kompetencës së tyre profesionale për të kuptuar rëndësinë e mjedisit në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës,” thotë ajo.

Serbi: Mbrojtësit e gjelbër të cilët nuk u përkulen sfidave

Aleksa Petkoviç

Lëvizja “Let’s Not Drown Beograd” (Mos ta fundosim Beogradin) filloi si një grup joformal i njerëzve që protestojnë kundër prishjes së qarkut Savamala të Beogradit për t’i hapur rrugë projektit të rizhvillimit të një bregu liqeni në Prill të vitit 2016. Bulldozerët u zhvendosën për të shembur ndërtesat në orët e errëta të natës.

Shumë shpejt, mijëra njerëz iu bashkuan një vale protestash masive, duke rritur popullaritetin e Lëvizjes “Let’s Not Drown Beograd”, e cila përfundimisht vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale për qytetin e Beogradit në vitin 2018.

Kjo Lëvizje gjithashtu ndërhyri për të ndihmuar qytetarët e rregullt në iniciativa tjera, për të shpëtuar parqet e qytetit, për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve dhe që të ndërmerret diçka në lidhje me asgjësimin e mbeturinave. Aktivistët e saj morën pjesë rregullisht në këto demonstrata – sado të vogla.

Lëvizja “Let’s Not Drown Beograd” ka avokuar për një qytet të gjelbër që nga fillimi, për një qytet që i kushtohet mbrojtjes së mjedisit,” i tha BIRN-it Aleksa Petkoviç, një anëtar i kësaj lëvizjeje.

Ndotja e ajrit është prioritet në agjendën e saj aktuale. “[Lufta kundër] ndotjes së ajrit mendoj se është e arritura jonë më e madhe,” tha Petkoviç.

Më 31 tetor, kjo lëvizje organizoi një protestë kundër niveleve të larta të ndotjes së ajrit në Beograd, i cili shumë shpesh, gjatë stinës së dimrit,  renditet në mesin e qyteteve më të ndotur në botë.

Për ta ndryshuar këtë, ata nisën një peticion duke kërkuar që qyteti dhe autoritetet shtetërore të ndërmarrin masa konkrete kundër ndotjes së ajrit.

Kërkesat e tyre përfshinin reduktimin e trafikut në ditët kur ajri është jashtëzakonisht i ndotur si dhe  mbylljen e përkohshme të çerdheve dhe shkollave në disa pjesë të qyteteve kryesisht të rrezikuara nga ndotja.

Lëvizja “Let’s Not Drown Beograd” është e njohur edhe për metodat e saj guerile dhe veprimet “flash mob” (tubime të shpejta). Njëherë ata vendosën një kopje të një rose të verdhë përballë kuvendit të qytetit, e cila u bë një simbol i rezistencës ndaj skeles së kontestueshme të Beogradit dhe tani është një tipar ikonik i fushatave të kësaj lëvizjeje.

Çfarë tjetër për “Let’s Not Drown Beograd”? “Një betejë e madhe na pret me furrën e Vincas,” tha Petkoviç, duke iu referuar një furre mbeturinash që do të ndërtohet në lagjen Vinca të Beogradit, për të cilën lëvizja “Let’s Not Drown Beograd” pretendon se do të ketë një ndikim të kushtueshëm në riciklimin e mbeturinave dhe ndotjen e ajrit.

Kroaci: Eko-luftëtari që përdor filma për të përhapur ndërgjegjësimin

Daniel Pavliç

Daniel Pavliç, një eko-aktivist kroat, gazetar dhe regjisor filmi, është përballur me çështje mjedisore për një dekadë. Ai jeton në Hrvatska Kostajnica, një qytet i vogël në Kroacinë qendrore, që ndodhet në lumin Una, në kufi me Bosnjën fqinje, afër një zone ku Kroacia po mendon t’i deponojë mbeturinat radioaktive të nivelit të mesëm dhe të ulët nga termocentrali bërthamor Krsko që menaxhohet bashkërisht dhe është në bashkëpronësi të Kroacisë dhe Sllovenisë.

Pavliç e përshkruan veten si një njeri që gjithmonë ka jetuar në natyrë dhe e ka dashur natyrën, dhe ai e sheh planin e deponisë të mbetjeve radioaktive si një nga çështjet thelbësore të mjedisit në Kroaci sot.

Ai po përpiqet t’i “aktivizojë njerëzit që të apelojë në kongresin e ESPOO të Kombeve të Bashkuara”, i cili jep specifikat në lidhje me mbrojtjen e mjedisit dhe i cili, sipas Pavliç, “paralajmëron që asnjë deponi e tillë nuk duhet të ndërtohet afër një kufiri”.

Një nga fushatat e tij të shumta ka qenë organizimi i EkoFilm Festivalit  Smaragdni (Emerald) në Hrvatska Kostajnica dhe zonën përreth, i cili ekranizon filma edukativë që synojnë të rrisin vetëdijen ekologjike.

“Që kur kam organizuar festivalin … Unë mund të bëj një ilustrim të 12 viteve që kemi filluar, dhe … [ndryshimi] është i dukshëm,” thotë Pavliç, duke shtuar se më shumë njerëz në Kroaci tani kanë filluar të mendojnë për klimën globale.

“Fatkeqësisht, ato ndryshime ndjehen gjithmonë nga ata që janë larg [nga burimet e ndotjes]. Hrvatska Kostajnica e ka ndjerë atë. Viteve të fundit kemi pasur përmbytje të mëdha. Ne kishim një rrëshqitje dheu që shkatërroi tetë shtëpi, “kujton ai.

Edhe pse ai planifikon të largohet nga Kroacia vitin e ardhshëm, ai nuk planifikon të dorëzohet në luftën e tij në mbrojtjen e mjedisit.

“Do të vazhdoj ta bëj, por jo në këtë vend. Me siguri do të vazhdoj aktivizmin tim jashtë Kroacisë sepse mendoj se kam ende energji dhe forcë për të luftuar. Unë besoj se do të ketë disa ndryshime globale, “thotë ai.

Bosnje: Inxhinieri i cili u bë guardian i mjedisit

Anes Podic

Inxhinieri Anes Podic la punën e tij në informatikë në vitin 2009 për të themeluar Shoqatën Eko Action në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë. Një alpinist i kahmotshëm dhe adhurues i natyrës, ai dëshironte të ndihmonte në ruajtjen dhe zgjerimin e zonave të mbrojtura të Bosnjës, për të cilat ai thotë se përbëjnë vetëm 2 përqind të territorit të vendit.

Por duke zbuluar gjerësinë e çështjeve mjedisore me të cilat përballet vendi, ai shpejt zgjeroi fokusin e tij dhe Eco Action filloi të punojë intensivisht edhe në lidhje me cilësinë e ajrit, mbrojtjen e ujit, hapësirat e gjelbra dhe deponimin e mbeturinave.

“Asnjë sistem i mbrojtjes së mjedisit nuk ekziston fare në Bosnjë dhe Hercegovinë,” thotë Podic. “Ajo që po ndodh është një plaçkitje e përgjithshme e burimeve. Së pari, ne patëm një valë privatizimi kur u plaçkiten kompanitë tona, dhe tani ata i janë qepur pyjeve, lumenjve dhe ujit të pijshëm ”.

Ndër veprimet e tij më të mirënjohura ishin mbrojtja e lumit Una nga planet për ndërtimin e një hidrocentrali mbi këtë lum në vitin 2015, dhe fushatën për një ujë më të mirë në Sarajevë – “Mbrojtja e Ujit 2017”.

Megjithatë, lufta vazhdon. “Tani ka disa tentime për të ndërtuar një hidrocentral të vogël në çdo lumë, në çdo rrjedhë në Bosnje dhe Hercegovinë,” paralajmëron Podic.

“Urgjentisht kemi nevojë për një moratorium për ndërtimin e hidrocentraleve të rinj; me të vërtetë nuk kemi nevojë për to ”.

Një nga “aktet më të mëdha të heroizmit” që ai dëshmoi vitet e fundit ishte protesta e suksesshme e banorëve lokalë në qytetin veriperëndimor të Bihaçit kundër planit të Këshillit për të ndërtuar një hidrocentral në Martin Brod, në zemër të një parku kombëtar.

“Qytetarët mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme nëse kanë besim te vetja,” thotë ai.

“Por lufta vazhdon. Politikanët tanë thjesht kërkojnë një rast tjetër për të vazhduar me të njëjtat përpjekje për t’i privatizuar burimet tona”

Podic thotë se aktivizmi mjedisor nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e natyrës; ajo ka një ndikim më të gjerë në shoqëri në tërësi si dhe në cilësinë e jetës.

“Një shoqëri në të cilën nuk ka asnjë shqetësim për mjedisin është një shoqëri plot me probleme, dhe mënyra e vetme për t’a parandaluar këtë është përmes aktivizmit,” thotë Podic. “Ne duhet ta ruajmë këtë botë të gjallë dhe me të vërtetë të brishtë e të çmuar që kemi.”

Rumania: Alpinisti (bjeshkatari) që lufton për të shpëtuar peshq të lashtë

Alex Gavan

Një alpinist profesionist i cili është ngjitur në gjashtë maja 8,000 metërshe pa ndonjë bombolë oksigjeni apo pa ndihmën e një banori vendas nepalez (sherpa), Alex Gavan është gjithashtu një ambientalist i palodhshëm, i përfshirë në disa kauza për të shpëtuar planetin si në Rumani ashtu edhe jashtë saj.

Gavan ka marrë pjesë aktive në organizatat e gjelbra nga Rumania për t’i dhënë fund prerjeve të paligjshme të drunjëve dhe të shpëtojë atë që ka mbetur nga pyjet dikur të gjera të Rumanisë, ndër më të mëdhenjtë në BE jashtë Skandinavisë.

Por fushata më ikonike e Gavan ka qenë shpëtimi i asprete ose romanichthys valsanicola, një lloj jashtëzakonisht i rrallë i një peshku që daton 65 milion vjet më parë, i cili ishte bashkëkohës me dinosaurët dhe tani është në prag të zhdukjes.

Me gjithsej 10 ekzemplarë të mbetur, të gjithë jetojnë në një shtrirje një kilometërshe përgjatë lumit Valsan në Rumaninë qendrore, pas dekadave të shfrytëzimit të habitatit të tyre për të gjeneruar energji hidroelektrike, peshku i rrallë, Asprete, do të zhduket përgjithmonë në pak vite nëse nuk ndërmerret asgjë në këtë drejtim.

“Ruajtja e këtij peshku do të jetë një dëshmi e madhe jo vetëm për Rumaninë, por për të gjithë planetin – një rreze e ndritshme shprese,” thotë Gavan, i cili po mobilizon politikanë, biznesmenë dhe shkencëtarë për të nisur një plan të suksesshëm të ripopullimit që shpreson ta lejojë këtë specie që të vazhdojë “odisejadën që ka filluar 65 milion vjet më parë.”

Moldavia: Deputeti që u bë a rojtar i lumenjve ’

Ilya Tromtbisky

Biologu gjashtëdhjetë e pesë-vjeçar, shkrimtari dhe ish deputeti, Ilya Tromtbisky, ishte një nga aktivistët e parë në Moldavi që u mor me çështjet e mjedisit në vitet 1990 dhe njihet gjerësisht sot për projektet e tij të shumta kushtuar ekologjisë në Evropën Lindore në përgjithësi.

Me një doktoraturë në biologji nga Universiteti Shtetëror i Moskës, ai tani është drejtor i Shoqatës Ekologjike Ndërkombëtare të Ruajtësve të Lumenjve, ECO-TIRAS, një shoqatë ndërkufitare pellgje lumenjsh që bashkon rreth 50 eko-OJQ të pellgut të lumit Dniester, duke përfshirë Moldavinë dhe Ukrainën.

“Në një konferencë në Kaliforni [në fillim të viteve 1990], zbulova se sa të rëndësishme janë OJQ-të në jetën e përditshme në shoqëritë demokratike. Pasi u ktheva, themelova një nga OJQ-të e para që kanë të bëjnë me mjedisin në Moldavi”, kujton Tromtbisky.

Fokusi i tij ka qenë prej kohësh Lumi Dniester, i cili siguron 80 përqind të ujit të pijshëm në Moldavi, por që, sipas tij, ky lum po dëmtohet shumë nga mbeturinat, ndotjet dhe erozioni si rezultat i mungesës së mbrojtjes së tokës.

“Çështja kryesore është administrimi i territorit, që nënkupton se ne nuk jemi brengosur sa duhet për nevojat mjedisore të territorit. Ne nuk i kushtuam kujdes menaxhimit të lumenjve, si p.sh., ndërtimin e rripave të gjelbër mbrojtës përgjatë lumenjve, “thotë ai.

Ai argumenton se në shumë raste, toka është privatizuar përkundër legjislacionit që ishte kundër, “dhe ne nuk kemi i kemi kushtuar kujdes çështjeve që kanë dalur nga kjo”.

Si deputet në parlamentin e parë të formuar pasi Moldavia fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në 1991, Trombitsky i dha shtytje ligjit mbi mjedisin duke e përçuar këtë në vëmendjen e kolegëve të tij. Më vonë, si deputet nga viti 1994 deri në vitin  2001, ai dha kontribut të rëndësishëm në krijimin e legjislacionit për OJQ-të në Moldavi.

Sfida tjetër e tij është zgjerimi i kësaj ekspertize ekologjike në të gjithë pellgun e Detit të Zi. “Nëse këta lumenj [hyjnë në Detin e Zi] janë të pastër, edhe vetë Deti i Zi do të jetë gjithashtu më i shëndetshëm,” thotë ai.