Fotografi kroat me prejardhje shqiptare, Luka Mjeda. Foto: Facebook

Lartësitë e Luka Mjedës

Përderisa ka studiuar për inxhinieri mekanike artisti kroat që krenohet me prejardhjen tij shqiptare, Luka Mjeda, nuk duket ta ketë çuar ndonjëherë në mend se do të bëhet fotograf.

Një aparat Kodak Retina 3C ishte i pari që i kishte rënë në dorë Lukas.

Prindërve të tij që janë rritur në Prizren thotë t’u ketë kushtuar shumë ky mjet fotografik, që ishte i rrallë për atë kohë.

Shumë dekada më vonë, teksa kujton fotoaparatin e tij të parë me të cilin nuk ka realizuar shumë fotografi, Luka kujton çmimin e lartë që ka paguar babai i tij për të.

“Ai (babai) ka qenë argjendar dhe ka paguar për të 20 kilogramë argjend që ka qenë shumë para për atë kohë”, tha ai.

Fotografinë e ka mësuar në mënyrë autodidakte dhe mësues ka pasur të gjithë ata fotografë që ka arritur t’i bëjë miq nëpër punëtori të ndryshme dhe të cilët kanë ndarë fshehtësitë e këtij profesioni më të.

Gjithë kjo kishte filluar në një seminar në Zagreb në vitin 1975 ku pas punës me disa fotografë amerikanë, ai zhvilloi një interes të fortë në fotografi.

Magjia e shkrepjes së aparatit për t’i përjetësuar kujtimet në celuloid e shtyri pastaj që të bëhet anëtar i kubit të fotografisë në Zagrebit për të filluar më pas edhe bashkëpunimin me Jozo Cetkovic.

„Në 1975 kam qenë me disa fotografë amerikanë ,shumë njerëz të mirë. Në fotografi dhe më ka pëlqyer shumë dhe e kam pasur një vullnet me mësu më shumë për fotografinë”, tha ai.

Puna në këto punëtori të ndryshme i mundësoi që ai të kursente të holla për të blerë një Kanon F1, aparatin e tij të ri fotografik.

Ky është aparati me të cilin realizoi edhe ciklin Crystal Sky i prezantuar edhe në Kosovë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, muret e të cilës për një muaj do të jenë të veshura me fotografitë që janë pasqyrë e të kaluarës së Luka Mjedës.

Bardh e Zi

Fotografitë e artistit janë të thjeshta por bartin në vete një bukuri tërheqëse. Shprehja në gjuhën angleze “Less is more” thotë se i përgjigjet më së miri punës së tij.

Por këtë shprehje e ka të vështirë ta bëjë në shqip, gjuhë të cilën e flet ngadalë dhe mundohet të bëjë sa më pak gabime.

Shumicën e rasteve edhe ia arrin.

Fotografitë e tij të ndërtesave tregojnë se bota po bëhet njësoj dhe kjo, sipas tij, ka anët e saj pozitive por edhe negative.

“Të gjitha këto fotografitë mos me e ditë njeriu, mos me ardhë me e pa çka kam nënshkruar dhe ku janë, nuk dinë se ku i kam bërë” , shpreha ai.

Fotografia e tij e parë e ndërtesave është realizuar në Venecia kurse pas katër viteve artisti është vendosur në Francë ku fillon edhe ciklin e tij Crystal Sky, për të vazhduar në Amerikë, Gjermani dhe Kroaci.

Sipas tij, ndërtesat tregojnë që njeriu ka nevojë të ngjitet çdo herë lartë e më lartë kurse vetë cikli i fotografive paraqet filozofinë e jetës së tij në të cilën ngjyrat nuk kanë rendësi.

“Kur i largon ngjyrat, kur i largon gjërat që pengojnë dhe bën diçka që është vetëm elementare e ke arritë esencën ku gjithçka është e qartë”, thotë ai.

Në moshën në të cilën gjendet, tash Luka mund t’ia lejojë vetes t’i kujtojë ngjarjet që kanë lënë gjurmë në të kaluarën e tij.

Por në procesin e të kujtuarit, thotë se e ka harruar edhe tonalitetin e ngjyrave prandaj “vetëm ngjyra e bardhë dhe e zezë kanë rendësi”.

Sipas tij, fotografitë bardh e zi jo vetëm të ndërtesave por edhe të njerëzve, të prindërve të tij, të gjyshit, gjyshes madje edhe ato para 200 vjetëve mbesin çdo herë të bukura.

“Bardh e zi i këqyrin edhe janë të mira, unë bëj shumë fotografi edhe me ngjyra po se di që kam me i shiku për 30 vjet pasi që kam me i largu edhe me vendos diçka tjetër por këtë fotografi mundem me e këqyr edhe një 15 vjet”, tha ai.

Kosova dhe fotografia

Artisti për herë të parë kishte ardhur në Kosovë me ftesën e Afrim Spahiut për të punuar me studentët që studionin për film dhe fotografi.

Ai në Kosovë ka gjetur njerëz që janë të dhënë shumë pas fotografive mirëpo, sipas tij, fotografia nuk vlerësohet vetëm duke thënë së është e bukur.

Njerëzit e vlerësojnë punën e fotografit duke i blerë fotografitë mirëpo kjo nuk po ndodh askund pasi që “fotografitë nuk po blihen dhe ato askush nuk po i vendos më në mure”.

Sipas tij, fotografia sot është universale dhe të gjithë që kanë një fotoaparat apo kompjuter mund të bëjnë fotografi prandaj për të qenë fotografë duhet realizuar një cikël me fotografi të mira dhe jo vetëm një.

“Sot të gjithë po thonë se janë fotografë, dizajnerë, futbollistë, politikanë… të gjithë janë krejt mirëpo kur fillon me punu diçka, sa më shumë punon mundesh me e pa që nuk është lehtë me e ba shumë mirë”, tha ai.

Zhvillimi i teknologjisë që po mundëson që çdo njëri të realizojë fotografi të ndryshme, sipas tij, do të bëjë ndarjen e fotografive në fine art dhe të tjera.

Fotografin Luka Mjeda e tërheqin edhe portretet.

Ai para 20 viteve pati realizuar 80 portrete të artistëve kroatë të cilat i kishte blerë Ministria e Kulturës në Kroaci.

Fotografia e tij më të re është portreti i kosovarit Llazrok Lumezi i cili jeton në Kroaci ku punon si argjendar, një zanat i mishëruar me shqiptarët që kanë emigruar në këtë shtet.

Artisti i cili në dy ciklet e tij me fotografi ka portrete të artistëve të ndryshëm tregon se do të kishte dashur që edhe Kosovës t’i dhuronte një cikël me portrete të artistëve.

“Dy cikle i kam portet, më pëlqen me punu me njerëz dhe kisha dëshiru me e fillu një cikël portret me artistë të Kosovës dhe ndoshta e filloj vitin tjetër apo ketë vit por për këtë duhet me ardh me nejt ma shumë se disa ditë. Dy tri javë, një muaj pastaj tri katër muaj”, thotë ai.