Pallati i Drejtësisë - FOTO Fatrion Ibrahimi - KALLXO

Kush është gjykatësi Mentor Bajraktari, i zgjedhur në Departamentin Special

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një takim të mbajtur dje, ka caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, gjyqtarët: Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani.

Pas zgjedhjes nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Mentor Bajraktari, gjykatësi në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pritet që të fillojë punën në Departamentin Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me 1 janar 2021.

Bajraktari, në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Gjakovës është duke gjykuar disa raste të rëndësishme në këtë rajon. Në nëntor të vitit 2019 kishte kaluar nga Departamentit i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Mentor Bajraktari

Që nga viti 2015, është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Gjakovës, ndërsa më parë ka punuar në Gjykatën e Prizrenit si bashkëpunëtor profesional.

Ai ka diplomuar në vitin 2007, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Republikën e Maqedonisë Veriore, ndërsa në vitin 2013 kreu provimin e Jurisprudencës.

Gjatë viteve 2009/10 ka punuar në Institucionin Mikrofinanciar “Finca”, si nënpunës i kredive në vonesë, ndërsa nga viti 2011 kishte punuar në Gjykatën Komunale në Prizren, si referent.

Rasti i shtatë të akuzuarve për projektin e kanalizimit në komunën e Malishevës, po vazhdon të gjykohet nga gjykatësi Mentor Bajraktari.

Edhe rasti i drejtorit të Urbanizmit e bashkëpunëtorit profesional të tij në Gjakovë, është ende në proces.

Një rast tjetër është edhe ai i ish-komercialistit të një kompanie private, i cili rast pas përmirësimit të aktakuzës, u delegua në Departamentin e Përgjithshëm.

Edhe rasti i një shtetasi të Republikës së Shqipërisë, i cili ka marrë epilogun me burgim me kusht dhe gjobë.

Rast tjetër, është edhe ai i sulmit ndaj zyrtarëve policorë.

Edhe një rast i vrasjes si shkak nga konflikti rreth një prone, i cili pritet të merr një përfundim nga gjykatësi Bajraktari.

Dje, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte mbajtur mbledhjen e fundit për vitin 2020.

KGjK ka marrë vendim për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve për vitin 2021.

Ndërsa, pas miratimit të rendit të ditës takimi u mbajt me dyer të mbyllura, me ç’rast u caktuan gjyqtarët që do të shërbejnë në Departamentin Special si dhe në Gjykatën e Apelit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, gjyqtarët: Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani.

Ndërsa për Gjykatën e Apelit – Departamenti Special, janë caktuar: Afërdita Bytyçi, Bashkim Hyseni dhe Tomislav Petroviq.