Kryeprokurori i ri i Mitrovicës – rastet e ndjekura nga ai dhe pasuria

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e mbajtur sot ka zgjedhur kryeprokurorët e rinj të prokurorive themelore

Prokurori Ismet Ujkani u zgjodh si kryeprokuror i Prokurorisë së Mitrovicës. Ai nuk kishte asnjë kundërkandidat.

Ujkani është zgjedhur me 10 vota për dhe 1 kundër.

Deri më tani, kryeprokuror i Prokurorisë së Mitrovicës ka qenë Shyqri Syla.

Mandati i kryeprokurorëve është katërvjeçar kurse kryeprokurorët e zgjedhur pritet të fillojnë punën në këto pozita nga 1 janari 2021.

Ismet Ujkani ka qenë prokuror në Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë e Mitrovicës.

Ujkani ka qenë zëvendësprokuror në Prokurorinë e atëhershme Komunale në Mitrovicë për një vit, 1986 – 1987. Kurse nga viti 1987 deri në vitin 1990 prokuror në Prokurorinë Komunale në Mitrovicë, ndërsa prej vitit 2000 deri ne 2007 prokuror i Prokurorisë se Qarkut në Mitrovicë.

Ndërsa deri sot kur është votuar si kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Ujkani ishte prokuror në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj Prokurorie.

Provimin e Jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 1988, kurse përveç gjuhës shqipe njeh edhe gjuhen serbe.

61-vjeçari është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë së Mitrovicës, ndërsa punën në këtë pozitë pritet ta fillojë nga 1 janari i viti 2021.

Pasuria e kryeprokurorit Ujkani

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Ujkani ka deklaruar se ka një shtëpi – ndarje e bashkësisë familjare në vlerë prej 45,000.00 euro.

Gjithashtu në Agjenci ka deklaruar truall 10.09 ari në vlerë prej 20,000.00 euro, tokë bujqësore 25.00 ari në vlerë prej 25,000.00 euro dhe objekte përcjellëse 80.00 metra katrorë në vlerë prej 15,000.00 euro.

Në pasurinë e deklaruar të Ujkanit është edhe një veturë e tipit VW Tiguan e blerë ne vitin 2019 në vlerë 14,000.00 euro, si pasuri e përbashkët. Ujkani ka deklaruar edhe një traktor me pajisje të blerë në vitin 2018 në vlerë 5,500.00.

Po ashtu Ujkani ka deklaruar edhe një kredi prej 10,000.00 për blerjen e automjetit.

25,519.15 euro pagë vjetore ka deklaruar ai në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Si prokuror në Departamentin për Krime të Rënda, Ujkani ka përfaqësuar disa aktakuza për korrupsion dhe aktakuza për vepra tjera penale në Mitrovicë, sikur rasti i zyrtarit të gjendjes civile në fshatin Lipë komuna e Zveçanit,

Ai ishte përfaqësues i akuzës në rastin e vrasjes se vitit 2014 në veri të Mitrovicës.

Ujkani ka përfaqësuar akuzën ne rastin e ish-drejtoreshës se Arsimit në Mitrovicë.

Po ashtu Ujkani ka përfaqësuar edhe akuzën në rastin e zyrtarëve të Urbanizmit në Skenderaj.  Gjithashtu, Ujkani ka përfaqësuar akuzën te rasti i të akuzuarve për kontrabandim me migrantë, dhe rasti i te akuzuarve për narkotikë.

Ujkani ka përfaqësuar edhe akuzën ndaj ish-zëvendëskomandantit të Policisë në veri të Mitrovicës.

Pesë kryeprokurorë të rinj në pesë rajone të ndryshme të Kosovë janë zgjedhur sot në  një takim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Xhevdet Bislimi.

Kryeprokuror i Prokurorisë së Pejës, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Agim Kurmehaj.

Kryeprokuror i Prokurorisë së Ferizajt, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Shukri Jashari.

Për kryeprokuror të Prokurorisë së Prizrenit gara u zhvillua në mes të prokurorëve Admir Shala dhe Ervehe Gashi, ku pas procesit të votimit Admir Shala është zgjedhur kryeprokuror i kësaj Prokurorie me 7 vota për.

Ndërsa kundërkandidatja e tij mori 4 vota.

Për kryeprokuror të Prokurorisë së Gjilanit gara u zhvillua në mes të prokurorëve Arben Kadriu dhe Agron Uka, ku pas procesit të votimit Arben Kadriu është zgjedhur kryeprokuror i kësaj Prokurorie me 6 vota për. Ndërsa kundërkandidati i tij mori 5 vota.

Ndërsa, për Prokurorinë e Gjakovës do të rishpallet konkursi, sepse kandidatja për kryeprokurore, Ardita Beqiraj-Hyseni, nuk u votua për këtë pozitë.