Isniqi i Deçanit në vitet 1970. Foto: Ann Christine Eek

Jeta në Isniq në vitet 1970 në objektivin e artistes suedeze

Prishtina Insight u takua me fotografen Ann Christine Eek, autoren e rreth 9,000 fotografive bardh e zi përmes të cilave përshkruhet jeta e vitit 1976 në fshatin Isniq afër Deçanit, 50 prej të cilave do të ekspozohen në Prishtinë duke filluar nga data 5 dhjetor.

 

Në vitin 1976, fotografja Ann Christine Eek, atëbotë në të njëzetat e hershme, bëri një udhëtim në Kosovë për të dokumentuar jetën rurale në Isniq, një fshat i vogël afër Deçanit në rajonin e Dukagjinit në Kosovë. Eek, tani 71 vjeçare, ka studiuar fotografinë në Fotoskolan në qytetin e Stokholmit, por jeton në Oslo dhe ka punuar si fotografe e pavarur dhe fotoreportere që nga viti 1972.

Në udhëtimin e saj të parë në Kosovë në vitin 1976, ajo i bëri shoqëri Berit Backer, një antropologe dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Gjatë qëndrimit të tyre shtatë-javor në Isniq, Backer, e cila e fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe e cila tashmë ishte e afërt me banorët vendas, zhvilloi intervista dhe studioi traditat e tyre, duke përfshirë hierarkitë familjare dhe strukturën, ndërkohë që Eek shkrepte fotografi të panumërta të jetës brenda dhe jashtë kullave të Isniqit – shtëpi të ndërtuara nga guri, tipike për zonën e Dukagjinit.

Fotografitë e Ann Christine Eek nga udhëtimi i saj tani do t’i hijeshojnë muret e bardha të Galerisë së Arteve të Ministrisë së Kulturës duke filluar nga dita e enjte, 5 dhjetor deri në mes të janarit të vitit 2020, dhe do të ofrojnë një perspektivë të re të jetës rurale të Kosovës në vitet 1970. Kjo është ekspozita e fundit e programit 2019 nga Galeria e Arteve të Ministrisë së Kulturës, koordinatori i së cilës, Ramosaj Shala, e kishte zbuluar Eek-un përmes një njohjeje të ndërsjellë.

“E kam parë punën e saj në internet dhe kam qenë kurioze për këtë punë për ca kohë,” thotë Shala për Prishtina Insight. “Meqenëse jam me origjinë nga Deçani, ma ka marrë mendja se mund ti njoh disa nga njerëzit në fotografi. I kam shikuar nga afër dhe arrita ta njoh njërin prej personave, Shkelzen Kuklecin, me të cilin kontaktova dhe ai menjëherë më vendosi në kontakt me Ann Christine Eek.”

Ann Christine Eek, fotografe nga Suedia. Foto: Atdhe Mulla

Ekspozita titullohet “Jeta në një fshat shqiptar – Isniq, Kosovë 1976” dhe do të shfaqë 50 seri fotografish të Eek për Isniqin të zgjedhura me shumë kujdes nga ajo.

“Jam përpjekur të bëj një përzgjedhje të pamjeve më të fuqishme dhe kuptimplote nga fotografi të panumërta që i kam shkrepur gjatë qëndrimit në Isniq,” shpjegon Eek. “Unë kam postuar fotografi në faqen time zyrtare në Facebook dhe gjithashtu jam ndikuar nga komentet dhe reagimet e njerëzve. Më dukeshin interesante reagimet e tyre ndaj fotografive. Disa prej tyre i njohin njerëzit në ato fotografi, të tjerët i njohin lojërat që fëmijët luajnë në to ose ritualet që mund të jenë zbehur sot. ”

Gjatë vizitës së tyre, Eek dhe Becker qëndruan në shtëpitë e protagonistëve të tyre – fshatarët e Isniqit, me të cilët Eek ka mbajtur kontakte gjatë gjithë viteve. Përveç disa admiruesve të fshehtë në fshat, dhe disa propozimeve të papritura për martesë që ajo mori, Eek thotë se gjatë qëndrimit të saj në Isniq, ajo u trajtua me “respekt maksimal” .

Isniqi i Deçanit në vitet 1970. Foto: Ann Christine Eek

“Ne qëndruam në shtëpitë e familjeve të ndryshme, duke përfshirë shtëpitë Kukleci, Tishukaj, Pajazitaj,” kujton Eek. “Meqenëse Backer njihej tashmë me ata dhe kishte krijuar besim të ndërsjellë, unë u pranova me shumë lehtësi nga ata.”

Isniqi mbetet edhe sot një komunitet patriarkal, por në vitet ’70 pati një hierarki edhe më rigoroze në kontekst të moshës dhe gjinisë. “Ne u pranuam nga burrat – kryefamiljarët – dhe në një mënyrë e siguruam mbrojtjen nga ana e tyre gjatë qëndrimit tonë, por neve nuk na lejohej të shkonim pas tyre. Nuk më lejohej të fotografoja në oda për shembull,” shpjegon Eek.

“Megjithatë, njëherë u përvodha në odë dhe shkrepa një fotografi shumë të shpejtë e cila do të shfaqet në ekspozitë,” shton ajo.

Isniqi i Deçanit në vitet 1970. Foto: Ann Christine Eek

Fotografitë shfaqin fëmijët teksa luajnë lojëra me njëri-tjetrin, si dhe kafshë të ndryshme shtëpiake, përfshirë lopë, gomarë dhe kuaj, dhe burra që shkojnë për të punuar tokën. Por janë fotografitë me gratë teksa bëjnë punët e tyre shtëpiake, që paraqesin fotografitë më të fuqishme të kësaj serie fotografish: Gratë që përgatisin brumë për pite (një byrek tradicional shqiptar), duke përkundur foshnjat në djepin e tyre, duke u përgatitur për t’u bërë nuse, dhe duke shërbyer ushqim për burrat e tyre.

“U bëra shumë e afërt me gratë që fotografova,” thotë Eek. “Ishte shumë e rëndësishme të vëzhgohej roli i tyre që ndryshohej ngadalë në ato hierarki strukturash familjare, të cilat po sfidoheshin prej tyre pasi që kishin filluar të shkojnë në shkollë dhe të arsimoheshin.” Ajo ndalon për ca momente dhe tregon njërën prej fotografive ku shihet një vajzë e re e ulur në tavolinë me një fletore: “Për shembull, kjo vajzë është vajza e parë në fshat që studion mjekësinë,” shpjegon Eek përplot entuziazëm.

Isniqi i Deçanit në vitet 1970. Foto: Ann Christine Eek

Në anën tjetër, Berit Backer nuk pati rastin ta shihte këtë ndryshim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në jetën e këtyre grave dhe rolet e tyre në shoqëri, pasi që, pasi i kaloi disa vite duke punuar si punëtore sociale me refugjatë në Oslo, ajo u godit me thikë për vdekje nga një kosovar 29 -vjeçar në vitin 1993.

Lajmi për vdekjen tragjike të Backer tronditi Norvegjinë, si dhe shqiptarët në të gjithë botën, duke shprehur fjalë ngushëllimesh të panumërta drejt familjes së saj. Disidenti i mirënjohur shqiptar nga Kosova Adem Demaçi mori pjesë në funeralin e Backer.

Në faqen e parë të librit të saj, Behind Stone Walls (Prapa mureve me gurë), Backer shkroi: “Ky libër i kushtohet Hajrisë, Miradisë, Mirushës dhe Rabisë – vajza që tronditën fshatin duke shkuar në shkollë.” Libri u redaktua nga Robert Elsie dhe u ilustrua me fotografitë e Ann Christine Eek, dhe u botua pas vdekjes së Backer, në Prishtinë në vitin 2003 nga Shtëpia Botuese, Dukagjini. Në maj të vitit 2018, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dekoroi me post mortem Backer me Medaljen Jubilare Presidenciale, e cila u pranua nga miqtë e saj, duke përfshirë edhe Eek.

“Megjithëse ishim kolegë dhe miq për vite të tëra, mbas vdekjes së saj dhe me lejen e familjes së saj unë e lexova të gjithë punën e saj,” thotë Eek për Backer. “Ishte nga dorëshkrimet dhe shënimet që pashë se sa e bollshme, e rëndësishme dhe shumështresore ishte puna e saj për popullin shqiptar dhe kulturën e tyre, dhe unë jam e lumtur që, të paktën, për një pjesë të punës së saj [veprës] isha atje duke e dokumentuar atë përmes fotoaparatit tim.”

Ekspozita “Fshati shqiptar i Isniqit, Kosovë 1976“hapet në ora 19:00 të enjten, 5 dhjetor 2019, në Galerinë e Arteve të Ministrisë së Kulturës, me lokacion në Qafa në Prishtinë. Orari i hapjes është nga e hëna deri të premten, ora 8:00 e mëngjesit – 4:00 pasdite.