Kritikja e artit, Rachael Rakes. Foto: Tughan Anit

Fotografia e Korrupsionit

Artistët mund të kontribuojnë në vetëdijësimin e njerëzve mbi korrupsionin.

Por për kritiken amerikane të filmit, Rachael Rakes, kjo është detyrë e gjithë shoqërisë, ngase korrupsoni duhet të shikohet si ‘fotografi më e gjerë’ dhe kontribut në luftimin e këtij fenomeni duhet të japin të gjithë.

Ajo vjen për herë të parë në Prizren për ta shijuar atmosferën e ngjarjes vjetore të DokuFest, por thotë se ka dëgjuar edhe më parë për këtë qytet.

“Si selektore filmash në Nju Jork kam dëgjuar vite më parë për Dokufest. Kjo ngase festivalet në të cilat unë punoj, kanë pak a shumë të njejtin identitet siç ka ky festival,” shpjegon Rakes për KALLXO.com.

Anëtarja e jurisë në katëgorinë “International Dox”, thotë që pasi mori ftesën nga drejtori i festivalit, Veton Nurkollari, nuk është menduar shumë ta pranojë apo jo.

Prandaj veç për filma e ndeja, ajo ka ardhur edhe për qytetin dhe komunitetin – njerëzit dhe hapësirën të cilat nuk e bëjnë festivalin të izoluar, por shumë atraktiv.

“Konkurenca e filmave është shumë e fortë, duket se ky festival më shumë është bazuar në kualitet dhe selektim se sa në idenë e të pasurit filma premierë,” vazhdon ajo.

Rakes, e cila vjen për herë të tretë në Ballkan, thotë që nuk di shumë specifikisht për nivelin e korrupsionit këtu, por krahasuar me vendin nga vjen, shprehet se “atje korrupsioni është më i fshehur dhe sofistikuar”.

E pyetur se cfarë mund të bëjnë artistët në luftimin e korrupsionit, ajo përmend dokumentarët si njërin ndër format, duke shtuar që artistët mund të influencojnë, por pa u përzier në politikë.

“..mendoj që kur artistët përfshihen komplet në poltikë, kjo krijon huti dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Por, mendoj që ka forma tjera që artistët të ndikojnë, kryesisht me veprat e tyre. Kjo mund të jetë pak, por korrupsioni duhet të shikohet në një fotografi më të madhe, dhe secili të jap kontributin e tij për ta luftuar”, shprehet ajo.

Ndërsa në pyetjen se a duhet artistët të distancohen komplet nga plotika, apo duhet të “përfshihen për të ndikuar”, Rakes thotë se kjo është pyetje “tricky”.

“Kultura dhe politika janë të ndara, por kultura mund të ndikojë në përmirësimin e politikës. Shembull, dokumentarët mund të jenë një formë e mirë për të ndikuar, ngase roli i artistit është që t’I bëjë njerëizit të mendojnë ndryshe”, thotë Rakes.

Si kritike filmi, Rakes do ta sprovojë vetën edhe si autore libri. Ajo është duke shkruar një libër për regjisorin Peter Ëatkins.

“Jam mësuar të shkruaj kritikë, por është hera e parë që po shkruaj libër. Po mundohem t’i them vetes që ka dallim mes këtyre dyjave, por ende jam në fazën fillestare,” shpjegon ajo.

Gjatë kohës që do të jetë në DokuFest Rake thotë se planifikon të shikojë edhe filma shqiptarë.

Rachael Rakes është programere për Film Society të Lincoln Center dhe bashkë-themeluese e Art of the Real Festival, redaktore e sektorit të filmit në Brooklyn Rail, dhe redaktore në Large for Verso Books. Ajo ka shkruar ese dhe kritikë për Art Agenda, Artforum, Hyperallergic dhe Bomb. Tani po mban një kurs në Shkollën Verore në Harvard mbi Estetikën e Dokumentarëve në Artin Bashkëkohor.