Fatlum Berisha: Kur tragjedia tejkalohet përmes sportit

Ndarja e drejtësisë në fushën e gjelbër do ta ndihmonte gjyqtarin kosovar të futbollit ta tejkalonte dhimbjen e madhe të humbjes së të birit.

 

Më pak se një muaj para se të debutonte si gjyqtar anësor në kualifikimet për Evropianin U-21 në shtatorin e vitit 2018 që po mbahej në Francë, Fatlum Berisha pësoi një tronditje të madhe. Jeta e djalit të tij, Drenit 10 vjeçar, u shua në një aksident tragjik komunikacioni në gushtin e atij viti në qytezën e Fushë Kosovës.

Humbja e të birit që po ndiqte hapat e babait në futboll duke qenë pjesë e përfaqësueses U-11, la gjurmë të pashlyera në kujtesën e të atit, familjes dhe të gjithë komunitetit futbolldashës në Kosovë.

Dilemat Berishës u shtuan edhe më tej, nëse pas kësaj humbje të madhe, ai do të gjente forcë për të udhëtuar në Francë krahas gjyqtarit tjetër kosovar Genc Nuza për të ndarë drejtësinë në ndeshjen mes Francës dhe Luksemburgut. Dilema kishte edhe brenda vet institucionit të UEFA-s.

“E vërteta është se në Strasburg kisha një thirrje nga Komisioni i Delegimit të cilët më kanë pyetur ‘Fatlum, çka po ta merr mendja?’ [për të referuar]?, Iu kam thanë se jam pajtu me realitetin dhe e di saktë që nuk mundem me e kthy mbrapa”, kujton ai vendimin e vështirë për të udhëtuar në Strasburg pas humbjes së Drenit.

Fatlum Berisha. Foto: Atdhe Mulla

Sot, ai thotë se futbolli i ka ndihmuar ta përballojë më lehtë humbjen e djalit por ia atribuon edhe të tjerëve kontributin që kjo dhimbje që ka pllakosur familjen e tij, të kalojë sa më lehtë dhe njëkohësisht karrierën e gjyqtarit ta vazhdojë me më përkushtim.

“Jam i obliguar me e falenderu gjithë Kosovën. Ka pasë shumë njerëz të profileve të ndryshme që më kanë ngushëllu, kanë qenë prezent në ceremoninë e varrimit dhe kanë vazhduar me më mbështetë edhe më shumë pas fatkeqësisë që e kam pasur.”

Futbolli si një histori rehabilitimi të së kaluarës

Përballimi i dhimbjeve pas tragjedive familjare, të tillë çfarë e përjetoi Berisha, nuk është aspak i lehtë por sporti dhe përkushtimi ndaj tij, sikurse në rastin e Fatlumit, tregon rëndësinë që ka për të tejkaluar fatkeqësitë si dhe shpirtin e përbashkuar të komunitetit sportiv për mbështetje në këso raste zie.

Lidhja e Berishës me sportin dhe historitë e dhimbshme, kanë një të kaluar më të gjatë.

Dy dekada më parë, Berisha  ishte strehuar me familjen e tij në kampet e refugjatëve në Maqedoni [tashmë Maqedonia Veriore], si një prej mijëra shqiptarëve të Kosovës që po përjetonin eksodin e një spastrimi etnik nga regjimi serb. Më vonë, familja Berisha kishin fluturuar si refugjatë në Suedi për të qëndruar rreth një vit në shtetin skandinav.

Me të shkuar në Suedi, ai menjëherë filloi të dallohet si futbollist i grupmoshave të reja.

“Unë kam luajtur gjashtë muaj për ekipin Junior të  FC-Vingäker, pastaj edhe pesë muaj tjerë për ekipin B të po atij ekipi”.

“Në rastin konkret, në kategorinë U19, më ftuan mu, më thanë ‘a don me u bo refer si i vetëm, pa ndonjë refer tjetër’. Aty ka qenë hapi i parë që e kam bërë si refer. Madje as bilbilin s’e kam pasur timin. Ka qenë bilbili i trajnerit të cilin e përdorte për seanca stërvitore”, rrëfen ai.

Pjesa e dytë

Ashtu sikurse ndeshja e futbollit që përbëhet nga dy pjesë, edhe jeta e Berishës ngjason në një të tillë. I kthyer nga Suedia, ai u bë pjesë e ekipit të Fushë Kosovës në vitin 2000 duke filluar një etapë të re të jetës së tij në Kosovën e pasluftës.

Dy vite më pas, si një futbollist, ai kujton se si referimi i dobët në një ndeshje i kishte ngjallur atij një dëshirë për të ndarë drejtësinë dhe të kishte një tjetër rol në fushën e futbollit – atë të referit.

“Ka ndodhur rastësisht gjatë kohës kur unë isha duke luajtur futboll në mënyrë aktive në vitin 2002, mirëpo unë dola ta shihja një ndeshje tjetër dhe një prej dobësive të asaj ndeshje të cilën unë e vërejta, ishte gjykimi. Referimi nuk ishte në nivel dhe linte shumë për të dëshiruar”, rrëfen ai duke qeshur.

“Në parim, kisha probleme nëse do të mund të isha edhe lojtar edhe refer në të njëjtën kohë, por pasi u interesova për këtë gjë, përgjigja e tyre ishte ‘po nuk ka problem’, e vetmja ndalesë që të bëhet është se nuk ke të drejtë me referu në ligën ku luan”.

Prej vitit 2002 deri në vitin 2006, Berisha kishte ndarë drejtësinë në ligën e katërt duke u avancuar tutje në Ligën e Tretë dhe Ligën e Dytë të Kosovës në futboll para se të kalonte si refer i Superligës së Kosovës dhe njëkohësisht të luante futboll aktiv.

Ai e kujton ndeshjen e tij të parë si gjyqtar.

Fatlum Berisha. Foto: Atdhe Mulla

“Në ndeshjen e parë kam qenë asistent i referit kryesor në ndeshjen ndërmjet ‘Luftëtarit’ nga Gjakova dhe  ‘2 Korrikut’ nga Prishtina.”

Atëherë, kjo ndeshje luhej në Ligën e Katërt.”

Në 2006, Berisha kishte kryer provimin e dytë për gjyqtar, që i lejonte atij referimin në nivelin më të lartë të futbollit kosovar.

Ndonëse ky provim ia solli mundësinë për të referuar, viti 2006 ishte ogurzi për referin e sapokualifikuar në ndeshjen mes ‘Llapit’ dhe ‘Fushë Kosovës’.

“Gjatë zhvillimit të lojës njëri prej lojtarëve ka bërë ndërhyrje të rrezikshme duke e larguar topin me taka të larta dhe ma ka thyer këmbën. Pastaj, për një vit kam pushuar edhe prej referimit edhe prej futbollit”, rrëfen ai.

Kjo përvojë e hidhur si futbollist, do t’i linte Fatlumit një vrragë të madhe në karrierën e tij si futbollist. Por, të qenit futbollist për gjithë ato vite para se të lëndohej, për Fatlumin ishte një përparësi ndaj kolegëve të tij gjyqtarë që nuk kanë luajtur futboll. “Kur rrëzohet lojtari, apo kur simulon në reagimet që i ka, unë e vërej shumë më lehtë se ata referë që nuk kanë që nuk kanë qenë lojtarë”.

“Unë e marr një shembull timin. Edhe të rrëzuarit e një lojtari edhe reagimet e tij përderisa vet i kam përdorë ato dhe kam kaluar nëpër to, kam mundësi me i ditë. Në bazë të reagimit të lojtarëve ne jemi të thirrur me ditë nëse ka pasë apo jo kontakt. Në të shumtën e rasteve ne e dimë në bazë të gjesteve që i bën lojtari, inskenimeve të ndryshme”, shton ai bindshëm.

Në Kosovën e pasluftës, referimi ka sjellë skena të dhunshme në fushat e futbollit, duke i pasur edhe vet gjyqtarët si cak të sulmeve fizike.

Berisha pohon se nuk është sulmuar asnjëherë fizikisht ndonëse ankesa ndaj tij pashmangshëm ka pasur. “Nuk do të thotë që unë nuk gaboj. Edhe unë gaboj sepse edhe unë jam njeri. Edhe unë kam gabuar.”

38 vjeçari beson se ka një tendencë që njerëzit t’i shohin gjyqtarët si qenie të pagabueshme. “Në referim është një thënie e pashkruar por ne e citojmë shumë shpesh: “refer i mirë është ai që brenda një ndeshje bën më së paku gabime. Refer pa gabime nuk ka.”

Sidoqoftë, ankesat ndaj gjyqtarëve i kalojnë kufijtë e Kosovës dhe janë prezent edhe në arenën ndërkombëtare të futbollit, ku Berisha tashmë ka synime serioze.

Një rrugë e re

Ndërkombëtarizimi i futbollit kosovar dhe pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA në vitin 2016 hapi jo vetëm një dritare të re për futbollistët por edhe për gjyqtarët nga Kosova.

Performanca dhe ndarja me kompetencë e drejtësisë në nivelin lokal nga Berisha, nuk është se nuk është vërejtur nga bota e futbollit ndërkombëtar.

Në vitin 2017, tre gjyqtarë të futbollit, Genc Nuza si refer kryesor, Berisha si refer i dytë dhe Bujar Selimaj si refer i tretë, pajisen me stemën e FIFA-s, që ua lejonte referimin në ndeshjet me karakter ndërkombëtar.

Më 17 mars të vitit 2017, treshja kosovare debutoi në ndeshjen e parë ndërkombëtare me karakter miqësor ndërmjet Turqisë dhe Moldavisë e luajtur në “Eskisehir Attaturk Stadium” dhe paraqitjen e treshes kosovare para më shumë se 30,000 tifozëve, Berisha e quan të paharrueshme.

Ky ndryshim i nivelit të ndarjes së drejtësisë, sigurisht pati impakt edhe në të konceptuarit e referimit më ndryshe, për Berishën si refer anësor.

Ana fizike padiskutim se duhet të jetë në nivelet e larta. “Nëse ti nuk je i përgatitun fizikisht, nuk mundesh me qenë afër aksionit dhe nuk ka mundësi me qenë. Përderisa lojtarët janë mbi nivelin tënd të përgatitjes fizike, topi ecën shumë shpejtë, atëherë mundësia e gabimeve është shumë e madhe”, shpjegon ai.

Fatlumi shprehet i bindur se vetëm me përgatitje të mirë fizike minimizohen gabimet e mundshme në referim.

“Unë ushtroj dhe kur ka ndeshje, unë i bëj pesë ditë trening, plus ndeshja, pra gjashtë ditë në javë”.

Garat ndërkombëtare e kanë ndryshuar po ashtu ritmin dhe planifikimin në karrierë.

Prej 3 deri 19 maj, Berisha do të udhëtojë në Irlandë. Ai është i përzgjedhuri i vetëm nga Kosova dhe në mesin e 20 gjyqtarëve ndërkombëtarë që do të ndajnë drejtësinë për Kampionatin Europian të grupmoshave nën moshën 17 vjeçare.

Përveç aspektit fizik, përgatitja psikologjike luan rol të rëndësishëm.

Ai thotë se përgatitja e tij e mirë mentale ka ndikuar që ai të jetë në nivele të larta, edhe pas tragjedisë që i ndodhi. Sipas tij, çelësi kryesor që ai ka marrë ftesë për Europianin U17, kanë qenë paraqitjet e mira në vitin e kaluar për kualifikimet në Turqi.

Humbja e të birit ka lënë dhimbje të madhe, por Berisha është i bindur se duhet ecë përpara, pavarësisht dhimbjes që akoma vazhdon ta trazojë atë.

“Nëse unë kisha me u ngarku në mënyrë psikike në lojërat që i kemi pasur në Europë, në lidhje me këtë ngjarje, iu garantoj se unë sot nuk do ta kisha ftesën për Kampionatin Europian U17, për shkak të performancave të dështuara.”