De Biasi, Italiani që Bëri Realitet Ëndrrën Shqiptare

Gianni De Biasi nuk dinte shumë për Shqipërinë kur mbërriti në dhjetor 2011.

Trajneri italian i futbollit pranoi një ofertë për të drejtuar skuadrën kombëtare të futbollit. Ai mbërriti me pak informacion për shtëpinë e tij të re dhe traditat e futbollit në Shqipëri.  Eksperienca e tij e fundit si trajner kishte qenë me Udinese Calcio në Itali. De Biasi vetë i dha fund kontratës atje në shkurt 2010.

Pas thuajse dy viteve larg fushës, De Biasi ishte gati të përballej me një sfidë të re.

“Shumë kolegë më pyetën nëse isha i sigurt rreth vendimit për të trajnuar skuadrën shqiptare”, tha ai për BIRN.

“Disa më këshilluan të marr më shumë kohë për të vlerësuar situatën. Por unë e mora vendimin shpejt. Të them të vërtetën, ka qenë një lloj aventure”.

Në mars 2015, teksa skuadra po arrinte sukses të paprecedent, De Biasi pranoi ofertën e presidentit shqiptar për shtetësi. “Ai çast ishte shumë i rëndësishëm për mua,” thotë trajneri. “Doja të përfshihesha plotësisht që të jepja më të mirën time. Shtetësia shqiptare më solli më afër me shqiptarët”.

Vendimi aventurier i De Biasit ka çuar në momentin më të suksesshëm të karrierës së tij – dhe në një mundësi të rrallë për Shqipërinë. Për herë të parë në histori, skuadra kombëtare e futbollit u kualifikua për kampionatin europian.

Trajneri i kombëtares shqiptare të fubtollit, Gianni De Biasi | Foto: LSA/Malton Dibra
Trajneri i kombëtares shqiptare të fubtollit, Gianni De Biasi | Foto: LSA/Malton Dibra

Rruga drejt suksesit

De Biasi konsiderohet një nga drejtuesit më të mirë teknikë të historisë së futbollit  shqiptar, por personaliteti i tij duket se ka luajtur një rol më të madh në suksesin që skuadra ka arritur.

De Biasi u mbështet në aftësitë e tij bindëse për të ndërtuar një skuaddër fitimtare. Në muajt e parë të detyrës së tij, ai komunikoi me lojtarë që më parë kishin refuzuar mundësinë për të luajtur me skuadrën shqiptare – përfshirë shqiptarët etnikë që luanin gjetkë në Europë. Ai i premtoi një mënyrë të re trajnimi dhe bindi disa lojtarë me eksperiencë t’i bashkohen misionit të Shqipërisë, duke i shtuar ata në një skuadër që ka gjithashtu lojtarë të rinj premtues.

“Çasti ishte i duhuri për neve,” thotë De Biasi. “Pata mundësinë të eksperimentoj dhe të njoh skuadrën gjatë kualifikueseve për Kupën Botërore të FIFA 2014. Kjo na dha mundësinë të ishim më të zgjuar dhe më të mirë dhe me kalimin e kohës të kualifikoheshim për kampionatin europian të UEFA në Francë”.

De Biasi luan një rol atëror me anëtarët e skuadrës, edhe kur bëhet fjalë për jetën e tyre personale.

“Jam shumë i afërt me djemtë”, thotë ai. “I kuptoj vështirësitë e tyre dhe përpiqem të jem një baba për ta. Përpiqem t’i jap këshilla jo vetëm rreth sportit, por edhe rreth jetës personale kur më kërkojnë”.

De Biasi gjithnjë e kujton skuadrën të tregojnë kujdes me paratë, ngaqë ndonjëherë lojtarët e rinj tregohen të pakujdeshëm në shpenzimin e asaj që fitojnë. “I këshilloj të jenë të zgjuar dhe të kujdesshëm me mënyrën si i shpenzojnë paratë”, thotë ai, “ngaqë nesër mund të jetë e vështirë. Duhet të lënë disa kursime”.

Portieri i kombëtaees shqiptare dhe trajneri De Biasi duke festuar kualifikimin | Foto: LSA/Malton Dibra
Portieri i kombëtares shqiptare dhe trajneri De Biasi duke festuar kualifikimin | Foto: LSA/Malton Dibra

Një karrierë e gjatë

Përpara se të fillonte një karrierë si trajner, De Biasi ishte një mesfushor për shumë skuadra italiane, përfshirë të famshmen Inter të Milanos. Vitet e shumta në komunitetin italian të futbollit e ndihmuan atë teksa negocionte karrierat e lojtarëve shqiptarë me skuadrat italiane. “Përpiqem të ndihmoj ku mundem,” thotë ai. “Bëj më të mirën për të prezantuar cilësitë e lojtarëve shqiptare te trajnierët që kam miq”.

Udhëtimi i skuadrës shqiptare u përball me çaste kritike. Ndoshta më i vështiri ishte ndeshja e tetorit 2014 me Serbinë.

“Për mua, personalisht, ishte një ndeshje si gjithë të tjerat,” thotë De Biasi. “Por isha plotësisht i ndërgjegjshëm që lojtarët ishin të tensionuar. Disa më thanë se kishin humbur të afërm në luftën Serbi-Kosovë. E dija që ishte e vështirë për ta të dilnin në fushë”.

Ai kujton se ndeshja u bë e dhunshme dhe loja u ndal kur tifozët serbë filluan të hidhnin objekte drejt lojtarëve shqiptarë. Pastaj një dron me simbolet e “Shqipërisë Etnike” fluturoi mbi stadium.

“Ishte tashmë shumë e vështirë,” thotë De Biasi. “Pas episodit të dronit, besuam se gjërat  do të përshkallëzoheshin dhe të bëheshin më keq”.

Një tjetër çast i vështirë ishte ndeshja e tetorit 2015 me Armeninë. “Ishte një lloj ndeshjeje ‘jeto ose vdis’”, thotë trajneri. Ishim vetëm një hap larg ëndrrës sonë për t’u kualifikuar në kampionatin europian. Na duhej fitorja me çdo kusht”.

De Biasi thotë se në atë ndeshje ai përjetoi çastin më të lumtur që nga hyrja në skuadrën shqiptare. “Kur arbitri i ra bilbilit në fund të ndeshjes lumturia ishte e pamat,” thotë ai.

Fitimi i ndeshjes me Armeninë i dha Shqipërisë një vend në kampionatin europian dhe njëkohësisht i dha një shtytje karrierës së De Biasit.

Tifozët Kuq e Zi, gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare, Shqipëri-Armeni, 2-1, e vlefshme për eleminatoret e “Euro 2016” | Foto: LSA/Adnan Beci
Tifozët Kuq e Zi, gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare, Shqipëri-Armeni, 2-1, e vlefshme për eleminatoret e “Euro 2016” | Foto: LSA/Adnan Beci

Franca dhe përtej

Më pak se dy muaj përpara se Shqipëria të luajë ndeshjen e parë në kampionat, De Biasi ndihet i qetë dhe plot besim. Trajneri po studion skuadrat kundërshtare si dhe po punon për përzgjedhjen e lojërave shqiptarë për ndeshjet e mëdha duke mbajtur parasysh fuqinë fizike dhe aftësitë e tyre.

Suksesi i De Biasit me Shqipërinë ka nxitur zërat rreth sfidës së tij të ardhshme. Media italiane spekuloi se De Biasi mund të zgjidhet kreu i skuadrës kombëtare italiane dhe media shqiptare shpejt i bëri jehonë thashethemit.

Ai nuk do të flasë apo të mendojë për këtë. “Gjëja më e zgjuar që duhet bërë tani është të pëqendrohemi te kampionati që kemi përpara,” thotë ai. “Kjo është një eksperiencë për herë të parë për mua, për skuadrën dhe për Shqipërinë. Le të përqendrohemi aty”.

Trajneri do të mbushë 60 vjeç më 16 qershor, në mes të ndeshjeve të grupeve në Francë. Kontrata e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit mbaron në 2017.

“Ne kemi një marrëveshje verbale me kreun e federatës të ulemi dhe të flasim pas kampionatit dhe të shohim se çfarë vendimi do të marrim,” thotë ai.

Teksa Shqipëria përgatitet për ndeshjen e parë të grupit – skuadra do të përballet me Zvicrën në 11 qershor – De Biasi po bën thirrje për një lojë të qetë pa shumë presion të padobishëm. “Duhet të luajmë të lirë nga pesha e përgjegjësisë që kanë skuadrat e mëdha,” thotë ai. “Duhet të japim 100 për qind të potencialit tonë… por nuk është gjë e mirë të përcaktojmë se çfarë suksesi do të arrijmë”.

Përtej kampionatit

Trajneri italian beson se skuadra shqiptare është në pozicion të favorshëm për të arritur sukses për të paktën në katër vitet e ardhshme.

“Kemi krijuar tashmë një skuadër të rëndësishme, por për t’u rritur duhet durim”, thotë ai. “Duhet mbajtur parasysh të luash si skuadër dhe të kujdesesh për të tjerët”.

“Shqipëria ka arritur një moment të rëndësishëm dhe ruajtja e tij do të kërkojë investim në infrastrukturë dhe vazhdimësi të teknikave të trajnimit” – Gianni De Biasi

Thashethemet e një skuadre të re kombëtare të Kosovës nuk e trazojnë De Biasin. “Çdo shqiptar i Kosovës që luan me ne mund ta zgjedhë lirshëm ku të luajë,” thotë ai. “Por unë besoj se ata që janë në skuadër nuk do të largohen, përveç disa lojtarëve më pak aktivë që do të duan të luajnë më gjatë. Në të ardhmen, skuadra kombëtare shqiptare mund të ketë një fushë më të vogël të përzgjedhjes së lojtarëve nëse formohet skuadra e Kosovës, por tashmë ka një bazë lojtarësh shqiptarë të mirë dhe nuk mendoj se do të krijohen probleme të mëdha”.

Shqipëria ka arritur një moment të rëndësishëm, thotë trajneri, dhe ruajtja e tij do të kërkojë investim në infrastrukturë dhe vazhdimësi të teknikave të trajnimit për t’u përballur me një brez të ri lojtarësh.

“Shembulli i skuadrës kombëtare është frymëzues,” thotë ai. “Nëse punon në drejtimin e duhur, suksesi do të vijë. Shqiptarët e rinj nuk janë vetëm tifozë të Cristiano Ronaldos, por edhe të Lorik Canës, Gashit, Abrashit, Berishës dhe shumë të tjerëve gjithashtu… dhe kjo do të thotë shumë,” tha ai.