Profeti Muhamed si “Njeri i Dhënë pas Grave” Vazhdon të Nxisë Dhunë

Protestat e fundit janë zhvilluar në Pakistan, Afganistan dhe Indonezi në një valë që ka përfshirë shumë shtete me shumicë myslimane dhe që ka rezultuar deri edhe më vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi.

Janë paralajmëruar për këtë javë protesta të reja sërish edhe në shtete europiane.

Deri më tash në Kosovë reagimet kanë qenë vetëm në formë të opinioneve sporadike.

Shefqet Krasniqi, imami kontrovers i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, në një opinion të tij ka shkruar se kjo ndodhi “është një hallkë vazhduese e fyerjeve ndaj myslimanëve dhe lëndim i ndjenjave të tyre”.

Krasniqi i ka quajtur të drejta reagimet e myslimanëve nëpër botë, por ka kërkuar që ato të jenë të matura.

“Ne përpos që i përkrahim protestat në mënyrë paqësore, konsiderojmë gjithashtu se ne muslimanët e kemi për detyrë që të punojmë më shumë që ta bëjmë personalitetin e Pejgamberit Muhamed [alejhiselam] në nivel global shembullin më ideal dhe më meritor për nderim dhe respektim”, thotë Krasniqi.

“E gjithherë ka patur dhe do të ketë armiq dhe kundërshtarë të Zotit lartë në qiell dhe të njerëzve të mirë e të ndershëm në tokë”, ka shtuar ai.

Videoklipi është cilësuar fyes ndaj Profetit Muhamed, pasi ai paraqitet si “njëri i dhënë pas grave, ngacmues fëmijësh dhe vrasës i pamëshirshëm’.

Në natën e së martës të 11 shtatorit, një grup militantësh të armatosur ishin përzier me protestuesit në Benghazi të Libisë, të cilët po kundërshtonin videoklipin “Pafajësia e Muslimanëve” duke shkaktuar kaos. Të njëjtit kanë sulmuar ambasadën amerikane në Libi dhe pas katër orësh “luftime” kanë mbetur të vrarë ambasadori i SHBA-ve J.Christopher Stevens dhe tre punëtorë të tjerë të ambasadës. Tre të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe tani janë duke u shëruar në spitalin ushtarak amerikan në Gjermani.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se beson që sulmi kishte ndodhur në mënyrë spontane si rezultat i protestës, ndërkaq përfaqësues të Qeverisë së Libisë dyshojnë që vrasja e katërfishtë është planifikuar më herët. Është raportuar se deri më tani janë arrestuar 50 të dyshuar lidhur me këtë rast.

Pakënaqësinë dhe zemërimin me këtë film qytetarë të shumtë janë duke e shprehur përmes protestave të cilat janë organizuar më së shumti në Lindjen Mesme. Në Sudan bilanci i protestës që kundërshtonte këtë film është djegia e ambasadës gjermane dhe dëmtimi i ambasadës britaneze.

Protesta u zhvilluan edhe në Kajro, Tunizi, Jemen, Iran, Irak.

Ekipi i cili ka realizuar filmin ka reaguar përmes një komunikate duke treguar që kanë qenë të mashtruar dhe kanë shprehur keqardhje për dhunën e dalë si rezultat i videoklipit.

“Ne nuk qëndrojmë prapa këtij filmi. Jemi të shokuar nga ndryshimi i skriptave/dorëshkrimeve dhe gënjeshtrave që na kanë thënë të gjithë neve. Jemi trishtuar nga tragjedia që ka ndodhur” thuhet në deklaratën e tyre.

Besohet që filmi është bërë nga Nakoula Basseley Nakoula, i cili është marrë në pyetje nga autoritetet amerikane por më pas është lënë i lirë. Ai është treguar bashkëpunues gjatë intervistës së zhvilluar në policinë e Los Angelosit.

Nakaula ka qenë i dënuar për grabitje të bankës dhe ishte në lirim me kusht për pesë vite.

Llogaria në YouTube është hapur nën emrin “Sam Bacile” i cili dyshohet të jetë pseudonim. Ajo është ende e hapur në YouTube, por deri më tash është ndaluar në disa shtete si Kuwait, Emiratat e Bashkuara Arabe etj.

Shkrimi bazohet në raportimet e The Guardian dhe CNN