Produktet e Fshatit Dalin Në Kryeqytet

Ku mund të blesh këpurdha të terura të Kamenicës në Prishtinë? Çaj sherbele vendore? A munden të ndihmohet dieta vegjetariane ose vejane?

Sacro është një dyqan i ri në mes të Prishtinës. Vetëm me u futë aty, njeriu ndihet më shëndetshëm. Mund të marrësh frymë me aromat e miellit të elbit, vajit të lajthisë, mjaltit prej Deçanit… Tashmë ndjehesh njeri më i mirë. Dhe erëzat, bimët, vajrat, arrat, frutat e terura, çaji, mielli, kurdo kur është e mundshme, prej Kosovës, të grumbulluara në një vend të gjitha shijet më të mira prej fshatrave. Për aq sa është e mundshme, janë gjithashtu produkte të rritura në mënyrë organike. Nëse i blen – sidomos nëse më pas i konsumon – me siguri je njeri më i mirë në të vërtetë…

Sacro është një butik i bukur i themeluar nga tri shoqe. Njëra nga to është Agata Çetta, një dizajnere që më duket ka udhëhequr paraqitjen e dyqanit. Prej maxhes ku shfaqet miell misri, thekër dhe elb në thes, deri te çaji i shitur ose me kile ose në qeset e letrës elegante me shkrimin e kujdesshëm në ngjyrat e bonbonave që tregon vetitë e secilit, dyqani është i shijshëm edhe për sytë edhe për gojën.

Ditën kur e vizitova, një farmaciste e trajnuar ishte duke shërbyer dhe më shpjegoi vargun e stogut, çajin e murrizit të Istogut dhe kulumbritë vendore të terura. Duke më dhënë lugë të mbushur me tahini të përzier me mjaltë vendore, vizita ime i ngjante një termini te mjeku, një shëtitje të gjatë nëpër fshatra dhe një turi në punëtorinë e magjistarit.

Si një bletare kosovare, natyrisht mjalti më la mbresa – ishte shumlulësh, gështenjash dhe bagremi. Për më shumë, kishte mjaltë me qumështin e amës, propolis si sprej dhe lëng. Propolisi është një lëndë ngjitëse e grumbulluar prej bletëve për ndërtim dhe si antiseptik në kosherë (bletarët rrëfejnë për atë se çfarë ndodhë nëse një mi të hyn në kosherë – pasi e kanë pikur fort, ai nuk mundet më të lëvizë rupin e tij, bletët e mbulojnë tërësisht me propolis për ta parandaluar kalbjen që do të mund të kërcënonte shëndetin e tyre). Bletët e grumbullojnë propolisin prej mbulimit vezullues në gjethet dhe lulet e reja, dhe nëse mund ta mendosh një shtresë kaq të hollë të vendosur në fyt kur të dhembë ose me rastin e paraqitjes së puçrrave në gojë, infeksionit të lëkurës, ai ka një efekt shumë qetësues. Në shtëpi unë përdor propolis në vend të masteve nga barnatorja dhe tash kam një furnizues.

Ç’bleve në Sacro? Një pako fara të zeza,domate të terura, vaj xhenxhefil dhe një shishe lëng Frutomania të dredhëzës së Kosovës… Nëse ende nuk ke oreks, ndoshta Sacro nuk të përshtat.

Besoj që shumica e lexuesve do të doni të shkoni vetë në Sacro; këtu janë hollësitë për dyqanin (shumë larg prej fshatrave, bash mbrapa kafiqit Metro që është përballë Hotel Grandit). Është i hapur prej orës 9 deri 20 prej të hënës deri të premten dhe prej orës 9 deri në 17 të shtunave, pra lehtë mund të gjendet në shëtitjen tënde, brenda orarit tënd dhe në tryezën tënde. Ju bëftë mirë!

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]