‘Problemi i Fryrë Politik’, që Dëmton Mësimdhënësit e Malishevës

Shkolla e Mesme Profesionale në Malishevë numëron 855 nxënës, por ata po pësojnë për shkak të problemeve që ka niveli komunal me atë qendror.

Në këtë shkollë të quajtur “Qendra e Kompetencës”, nxënësit ndjekin mësimin profesional në drejtime të ndryshme si hotelieri, turizëm, juridik dhe ekonomik.

Konflikti është duke u zhvilluar mes autoriteteve komunale të Malishevës dhe përgjegjësve në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve.
Kjo agjenci operon në kuadër të Ministrisë së Arsimit. Udhëhiqet nga Ragip Gjoshi.

Ai tregon për Gazetën Jeta në Kosovë se pikë konfliktuese mes tyre dhe komunës është bërë konkursi i shpallur nga agjencia qeveritare që ai drejton.

Kjo agjenci qeveritare është udhëheqëse e shkollave të mesme profesionale në Kosovë.
Është përgjegjëse për menaxhimin e personelit, ndërtesave dhe menaxhimin e shkollave profesionale.

Gjoshi thotë se kjo agjenci ka pranuar një raport nga Inspektorati i Punës që operon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Raporti konkludonte se kishte pasur shkelje në Qendrën e Kompetencës në Malishevë në konkursin e hapur nga organet komunale të Malishevës.

Inspektorati ka urdhëruar këtë agjenci që ta rishpallë konkursin dhe plotësojë vendet e punës për të cilat ishte konstatuar shkelje.

Më 2 shkurt 2015 inspektorati i dërgoi sërish shkresë Agjencisë që të zbatojë vendimin për procedurat e konkursit të shkollës së mesme profesionale në Malishevë.

Inspektorati ka konkluduar se konkursi duhej të përsëritej për 16 vende të punës në të cilat ishin bërë shkelje dhe ishin punësuar njerëz joadekuat.

Gjoshi thotë se zbatimi i këtij urdhri të inspektoratit ka revoltuar autoritetet komunale të Malishevës.

Komuna ka vendosur të shkëpusë memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar me këtë agjenci qeveritare  më 18 korrik të vitit 2014.

Memorandumi parasheh bartjen e të gjitha përgjegjësive mbi këtë shkollë nga organet komunale tek agjencia qeveritare që operon në kuadër të Ministrisë së Arsimit.

“Në marrëveshjen e mirëkuptimi kryetari i Komunës (Ragip Begaj) ka nënshkruar pa kurrfarë presioni pas dy muaj bisedimesh dhe analizave me vullnet të plotë,” tha Ragip Gjoshaj.

Por kryetari Begaj thotë se ishte i detyruar që ta shkëpusë memorandumin.

“Shumë shpejt jemi gjetur në situatë jobashkëpunuese të cilën e reflektoi agjencia,” thotë Begaj duke shtuar se niveli qendror filloi të paraqesë veprime me tendenca politike që cenojnë Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Begaj thotë se konkursi i shpallur nga Agjencia ishte i panevojshëm dhe si i tillë ka karakter politik.

“Agjencia filloi me shkeljen e marrëveshjes me rastin e hapjes së konkursit për mësimdhënës në këtë shkollë, pa u konsultuar fare me drejtorin e shkollës. Edhe pse i njëjti e ka lajmëruar drejtorin e Agjencisë se nuk ka pasur nevojë për kuadro të reja në këtë shkollë,” thotë kryetari Begaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Thotë se kryetari nuk mund ta shkëpusë njëanshëm marrëveshjen dhe se ky veprim ka karakter politik.
Gjoshi thotë se rishpallja e konkursit ka qenë obligative.
Mosshpallja e konkursit, sipas tij, do të rrezikonte me një dënim nga inspektorati në vlerë  prej 160 mijë eurosh për institucionin që drejton.

Por disa të punësuar nëpërmjet konkursit të hapur nga kjo agjenci nuk po lejohen të kryejnë punën e tyre.

Gjoshi për këtë fajëson Nazmi Zogajn, drejtorin e shkollës së mesme profesionale.

“Drejtori i shkollës nuk merret as me procesin mësimor, as me zbatimin e ligjit, por merret me zbatimin e

urdhrave të kryetarit të komunës dhe urdhrave partiakë,” thotë Gjoshi.

Gjoshi thotë se i kanë  dërguar vërejtje me shkrim dhe se Agjencia ka ndërmend ta shkarkojë Zogajn.

“Nëse ai vazhdon kështu, sepse ai është vetëm pengesë në zbatimin e ligjit”.
Nazmi Zogaj, sipas Gjoshit, është duke zbatuar vendimet e agjencisë në mënyrë selektive.

Tregon se nga 16 të punësuarit në këtë shkollë drejtori Zogaj ka pranuar vetëm dhjetë veta që të mbajnë mësim, ndërsa gjashtë po i refuzon.

“Ai (Zogaj) e ka marrë ligjin në dorë,” thotë Gjoshi duke shtuar se drejtori nuk ishte ankuar kur ishte shpallur konkursi, por pasi janë pranuar mësimdhënësit në punë.

Agjencia thotë se ata, gjashtë personat të cilët nuk po mund të mbajnë mësimin në shkollë, janë futur në sistemin e pagave. Agjencia i paguan edhe dhjetë tjerët që i ka punësuar nëpërmjet konkursit dhe të cilët janë të pranueshëm nga drejtoria e shkollës.

Por janë dhjetë të tjerë që agjencia nuk i njeh si mësimdhënës në shkollë dhe nuk i paguan. Këta dhjetë kanë përkrahjen e komunës dhe drejtorisë së shkollës për të mbajtur mësim. Por nuk marrin paga.

Ndërkohë Nazmi Zogaj, drejtor i shkollës, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë tha se e ka pozitën më të vështirë në konfliktin mes komunës dhe nivelit qendror.

Thotë se konkursi i shpallur nga agjencia nuk ishte i nevojshëm.

“Numri i nxënësve nuk ka qenë i mjaftueshëm për me marrë punëtorë të rinj.  Bile të them të drejtën bazuar në numrin e nxënësve, ndoshta duhet të largohet dikush nga puna sepse mungojnë normat,” thotë ai.

Zogaj thotë se kompetencat mbi këtë qendër i ka niveli qendror.
“Në realitet, që nga janari i këtij viti ka kaluar edhe buxheti në kompetencë të agjencisë…tani për tani buxhetin e ka agjencia dhe nga agjencia duhet të na vijnë pagat”, thotë Zogaj.

Ankesat e mësimdhënësve

Njëri prej profesorëve që nuk po mund të kryejë punën e tij është Sedat Sahitaj.

Ai është punësuar për të dhënë lëndën e historisë. Edhe pesë tjerë pengohen ngjashëm si Sahitaj.

“Edhe përkundër që kemi kontrata për tre vjet dhe jemi në sistem të pagave, drejtori i Qendrës së Kompetencës (Nazmi Zogaj) dhe drejtori i drejtorisë së Arsimit në Malishevë (Blerim Thaçi) nuk janë dukee përfillur për arsye kisha me thanë vetëm politike,” thotë Sahitaj.

Por thotë se përkundër mospranimit nga drejtorët Zogaj e Thaçi ai dhe shokët e tij shkojnë çdo ditë në shkollë.

Sahitaj dhe të tjerët kanë qenë të punësuar në këtë shkollë që prej themelimit të saj.

Atëherë stafi përzgjidhej nga organet komunale.

Ai tregon se me ardhjen në pushtet të partisë “Nisma për Kosovën”, ai ka mbetur pa punë.

Por kur kompetencat e shkollës i kanë kaluar Ministrisë së Arsimit atëherë Sahitaj konkurroi për t’u bërë sërish pjesë e kësaj shkolle.

Por ai merr vetëm pagën, por nuk mund të mbajë mësimin pasi që organet komunale nuk e njohin konkursin e shpallur nga Ministria e Arsimit.

Hall të ndryshëm me Sahitaj ka kolegu i tij Bashkim Krasniqi.

Ai është i punësuar nga Komuna e Malishevës. Atij i lejohet të mbajë mësimin, por nuk merr pagë.

“Është dashur me vazhdua punën, e jo të jemi pjesë e këtij konkursi. E tash të mbesim pa paga në këtë vit shkollor, ” thotë Krasniqi.

Deputetët e Malishevës mbrojnë Qendrën e Kompetencës

Lidhur me këtë problem në Komisionin Parlamentar për Arsim ka raportuar Arsim Bajrami, ministër i Arsimit.

Bajrami tha se përgjegjës dhe autoritetet ekzekutiv për këtë shkollë në Malishevë është agjencia, e jo organet komunale.

Por, sipas tij, në Malishevë problemi është politik e jo ligjor.

“Unë nuk marrë përgjegjësi për probleme politike dhe as për raportet midis PDK-së dhe Nismës,” tha Bajrami.

Ai shtoi se për shkak të qeverisjes në Malishevë nga kjo parti opozitare gjithnjë ka pasur ankesa nga kjo komunë.

“Ky është problem i fryrë politik”, tha Bajrami.