Naim Ismajli. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Problemet e Shtimes në mandatin e tretë të Naim Ismajlit

Një komunë me 27 mijë e 324 banorë tash e 13 vite udhëhiqet nga një kryetar. Naim Ismajli nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës arriti që të udhëhiqte për tre mandate Komunën e Shtimes.

Për të folur lidhur me premtimet e tij për shtimjanët dhe punët që ka kryer për gjithë këto vite, Ismajli erdhi në emisionin “Jeta në Komunë” ku u përball me premtimet që kishte dhënë në zgjedhjet e fundit por edhe me mos- përmbushjen e disa prej tyre të cilat ishin kyçe në zhvillimin e qytetit.

Premtimin e dhënë në Debat Pernime në vitin 2017 në kohë zgjedhjesh, se do ta regjistronte pronën në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij, ai arriti ta realizoj. Pronën që e kishte hise të tij ai e kishte regjistruar edhe në emër të bashkëshortes së tij.

Megjithatë, hulumtimi në terren, opozita, rinia e qytetarët sfiduan kryetarin Ismajli në çështje të ndryshme, si ajo e menaxhimit të mbeturinave, ndërtimit të stacionit të autobusëve, ujit, rrugëve e edhe ndërtimit të lumit shtimjan, premtim ky i cili ende nuk është realizuar..

Në debat të ftuar ishin edhe asamblistët Ruzhdi Jashari nga Lëvizja Vetëvendosje, Besnik Seferi nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbresha Syla nga Partia Demokratike e Kosovës si dhe Resul Gashi nga Iniciativa për të rinjtë në Komunën e Shtimes.

Uji, kanalizimi, rruga, trotuaret, ndriçimi ende mbeten problematika me të cilat ballafaqohen banorët e fshatit Pjetërshticë. Madje ky fshat i cili kishte një Qendër të Mjekësisë Familjare tani më nuk e ka sepse është rrënuar. QMF-ja e re e cila do të ndërtohet sipas kryetarit do të përfundojë në fund të këtij viti, e banorët deri në përfundim të projektit do të marrin trajtim mjekësor në QMF-në më të afërt ose edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare e cila gjendet në qendër të qytetit.

Kryetari në debat u përball edhe me pyetjet për infrastrukturë të keqe të disa rrugëve në Shtime por edhe për ndotjen e ambientit dhe deponitë e shumta të mbeturinave.

Shtimja me rrugë të asfaltuara ngusht e me dëmtime 

Në qytetin e Shtimes gjen rrugë të asfaltuara edhe në fshatra të cilat kanë numër të vogël të banorëve.

Disa kilometra larg qytetit të Shtimes, në fshatin Carralevë, një lagje ka probleme me rrugë të ngushta e të cilat janë edhe me gropa.

Lagjja e cila njihet si “Valaviqe” ka probleme me rrugën e cila të shpie drejt brendësisë së fshatit. Kryetari Ismajli në debatin “Jeta në Komunë” tha se në po atë lagje ka edhe biznese të cilat operojnë tash e një kohë.

I pyetur nga Jeta Xharra në lidhje me gjobat e shqiptuara për bizneset të cilat me anë në bartjes së mallrave me mjete të rënda mund të dëmtonin rrugën, Ismajli u përgjigj se të njëjtat biznese edhe promovohen por edhe gjobiten.

“Dëmtimi është bërë por për shkak të ngarkesave të mëdha. Rruga nuk ka qenë për pe marr shembull 20 ton. Banorët vet që e shfrytëzojnë edhe aty ka kompani që operojnë që merren me dëmtime. Ne do t’i shohim të gjitha. Sa Ma shumë promovon si biznes edhe kapak me gjoba. Rrugët jo vetëm në Kosovë po flasim për Kosovë se është standart, rrugët që shohim që nuk ka lëvizje të mëdha, unë po flas për një kamion mjafton njëherë me lëviz e dëmton. Nuk është rrugë e ngushtë për atë pjesë sa ka fizibilitet”, tha Ismajli.

Dëmtimet e rrugës në fshatin Carralevë, Foto: KALLXO.com

Me të njëjtin problem përballen edhe banorët e fshatit Zborc të cilët kanë treguar se rrugët e ngushta krijojnë vështirësi në qarkullimin e më shumë se dy veturave.

Edhe për këtë pati përgjigje kryetari ismajli në debatin “Jeta në Komunë” .

“Ne jemi të vetëdijshëm se e përfundon një rrugë, është problemi tjetër menjëher trotuari, e ndreq trotuarin, është pastaj problemi i ndriçimit, por krejt këto punë i bëjmë në bazë të kapaciteteve dhe financave që i kemi. I kemi prioritetet. Është mirë që kemi ardh te ndriçimi dhe ambienti sepse i kemi kry të tjerat që janë ma të rënda. E dimë që buxheti sa është i madh i Kosovës”, vazhdoi Ismajli.

Renovimi dhe demolimi i Qendrës së Rinisë në Shtime

Qendra Rinore në Shtime qe një kohë të gjatë është jo funksionale. Kjo pasi që e njëjta qendër sipas Kryetarit Naim Ismajli njëherë ishte futur në listën e  trashëgimisë kulturore dhe investimet komunale ishin ndërprerë.

Të rinjtë e Shtimes, në mungesë të kësaj qendre, aktivitetet rinore i kryejnë në Shtëpinë e Kulturës. Kryetari Ismali u arsyetua për ndalimin e punimeve në këtë qendër rinore duke thënë se ato kanë nisur prapë.

Kjo temë u ngrit edhe nga asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Seferi. 

“Kur jemi te Qendra Rinore, ne e dijmë që diku 800 mijë euro kanë hy në këtë qendër, ka pasur investime jashtëzakonisht të mëdha. Realisht nëse flasim sot për Qendrën Rinore thuajse është demoluar e gjitha. Ne kemi kërkuar që të paktën të mos ketë meremetime por të ketë edhe mbikëqyrje. Dua ta pyes kryetarin se pse nuk ka pasur asnjëherë mbikeqyrje Qendra Rinore deri sa janë bërë të gjitha këto investime me këtë shumë kaq të madhe”, kërkonte përgjigje nga kryetari Ismajli, asamblisti Seferi. 

Besnik Seferi, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari Ismajli  arsyetoi dëmtimet që kanë ndodhur në Qendrën Rinore duke thënë se fillimisht kanë pasur një problem me Ministrinë e Kulturës në lidhje me objektin e cila do të përdoret për aktivitetet e të rinjve. 

“Aktualisht është duke u punuar në Qendrën Rinore. Ky dëmtim që ka ndodhur edhe për mua është brengosës, por ne kemi pasur një problem me Ministrinë e Kulturës me institutin që merret me trashëgimi kulturore. Ky objekt është fut në trashëgimi kulturore në një vit të caktuar që realisht vetëm se ka qenë shkollë, por ai i ka penalizuar investimet tona që një kohë të gjatë”, tha kryetari Ismajli 

Tutje Ismajli tha edhe se punët në Qendrën Rinore do të përfundojnë këtë vit.

“Është dashtë ta gjejmë modalitetin që të mos ndeshemi edhe me institutin, ne kemi gjetë mundësi me kry renovimin e brendshëm jemi duke e bërë këtë renovim, ky renovim kryhet sivjet sepse për këtë vit është. Mendoj se në momentin që përfundon, atëherë kjo hapësirë do të i destinohet të rinjve një pjesë kryesore do ta ketë Qendra Rinore por edhe shoqata të tjera që merren me aktivitete rinore, në fund të vitit do të jetë i gatshëm për punë”, shtoi ai.

Ani pse është funksionalizuar në fillim të vitit të kaluar, qendra sportive në Komunën e Shtimes ende ka probleme me të cilat ballafaqohet.

Pa sistem të ngrohjes, mure të jashtme me fasadë të prishur për shkak të reshjeve të shiut, ndryshku në shkallët dhe terasën e vendosur jashtë sallës, janë disa prej pamjeve të cilat iu prezantuan kryetarit Ismajli në debatin “Jeta në Komunë”.

 “Ky është muri i jashtëm edhe është i betonuar po befasohem me këtë pjesë se muri i jashtëm me u ly… Brenda nuk është ujë, salla është funksionale, kanë me u bo edhe disa investime. Këtë vit Ministria e Kulturës në kuadër të buxheteve që i ka të mirëmbajtjeve të objekteve kanë premtuar se do të ndihmojnë në aktivizimin e nxemjeve. Nuk e besoj që do të mbërrij para vitit të ri, po besoj që në vitin 2021 do të kryhet. Nëse nuk e kryen ministria do ta kryejmë ne”, tha Ismajli.  

Nepotizmi në arsim dhe shkollat e reja të pa funksionalizuara

Komuna e Shtimes në një periudhë tre vjeçare ka të regjistruara edhe tri shkolla të reja. Premtimi për ndërtimin e këtyre shkollave ishte bërë në “Debat Pernime” në zgjedhjet e fundit lokale në Shtime në fund të vitit 2017.

Këto shkolla janë ndërtuar por ende nuk janë funksionalizuar për shkak se ende nuk ka nisur inventarizimi i tyre.

“Në Pjetërshticë tash është siguruar, informacionet e mia janë që inventari ka shku. Mendoj se shumë shpejt do të nis mësimi pasi që krejt problematika është që sot është aktuale është kyçja në rrjet elektrik që KEDS i ka disa standarde. Ne të gatshëm jemi me procedura dhe financa krejt por është pëlqimi i KEDS për kyçje dhe përfundon. Para vitit të ri (do të jetë gati e  gjitha)”, arsyetoi vonesën e funksionalizimit të shkollës, kryetari Ismajli.

Një premtim tjetër që e kishte dhënë Naim Ismajli në zgjedhjet e fundit pra në ato të 2017-tës, ishte edhe furnizimi nëpër shkolla me laboratorë dhe kabinete por një gjë e tillë ende nuk ka përfunduar.

KALLXO.com kishte kontaktuar të gjithë drejtorët e shkollave në Komunën e Shtimes të cilët kishin treguar, se ka mungesa të laboratorëve dhe kabineteve por edhe të tabelave smart e laptopëve nëpër klasa.

Kryetari Ismajli thotë se është në proces të përmbushjes së premtimit për këtë çështje.

“Jo si kemi të gjitha shkollat (me laboratorë dhe kabinete) por do t’i kemi të gjitha shkollat. Në fund të mandatit po se po, por kontrata që mendoj unë, ne tash i kemi bërë zotimet që parashihet që cdo shkollë në komunën tonë të ketë, kabinete të kimisë, biologjisë, fizikë dhe pjesën e informatikës. Problemi ka qenë që nuk i kemi pasur të siguruara mjetet, tani i kemi siguruar mjetet dhe kjo duhet të përfundoj më së largu në pranverë të vitit 2021”, tha Ismajli.

Për infrastrukturën shkollore, asamblisti i VV-së në Shtime, Besnik Seferi tregoi  se ka probleme edhe në disa fshatra.

“Kemi edhe katër shkolla në fshatrat Llanishtë, Topillë, Karaçicë dhe Ranc ku janë shkollat totalisht të demoluara a i takojnë fondit të bashkësisë së komunës së Shtimës për ruajtjen e tyre”, ishte një cështje e cila u ngrit nga Seferi. 

Në anën tjetër, në një përgjigje në mars të këtij viti, Komuna e Shtimes kishte thënë se nuk kanë asnjë drejtor me pozita politike të cilët drejtojnë shkollat e komunës.

Por në emisionin “Jeta në Komunë”, Naim Ismajli u përball edhe me rastet kur drejtorët e shkollave ani pse nuk kanë pozita në PDK, anë simpatizantë të kësaj partie.

Nga 12 drejtorë të shkollave të cilat KALLXO.com i ka hulumtuar në faqet e tyre në Facebook, ka dalë se gjashtë prej tyre e përkrahin PDK-në me postime të ndryshme për punën e PDK-së dhe Naim Ismajlit si kryetar.

Përkrahja e drejtorëve të shkollave ndaj kryetarit Naim Ismajli, Foto: KALLXO.com

Ambienti dhe deponitë e mbeturinave në Shtime

Komuna e Shtimes vetëm gjatë vitit 2019 ka pasur 43 deponi, shtatë të vogla, 15 të mesme dhe 21 deponi të mëdha të mbeturinave.

Në sistemin e grumbullimit të mbeturinave komuna ka thënë se nuk është i përfshirë vetëm fshati Rancë.

Për një deponi të cilën KALLXO.com kishte raportuar në korrik të këtij viti, ditë më parë kur është vizituar e njëjta deponi, ishte larguar dhe pastruar. Deponia gjendej rrugës e cila të dërgonte në fshatin Pjetërshticë.

Një deponi vetëm pak kilometra larg asaj e cila ka qenë në afërsi të fshatit Pjetërshticë, është në lagjen e “Valaviçve”. Kryetari Ismajli ka thënë se kjo deponi është pastruar disa herë.

Deponia e mbeturinave në lagjen e Valaviçve, Foto: KALLXO.com

“E kemi pastruar edhe këtë, disa herë edhe me kompaninë e pastrimit edhe me qytetarë. Ne në vazhdimësi jemi duke punuar në ambient dhe në vazhdimësi po kemi raste se po ngritën këto deponi. Kjo do të jetë një punë e jona e pandërprerë nuk do të dorëzohemi ndaj asnjë dukurie negative por jemi të vetëdijshëm që jemi duke punuar në dy drejtime, në sensibilizim për mos me hedh mbeturina dhe mundësi për qasje që të gjitha shtëpitë të kenë në mbeturina”, tha Ismajli.

Kompania kampione për tenderë në Komunën e Shtimes

Komuna e Shtimes vetëm në vitin 2020 i ka dhënë kompanisë ‘Ardhmëria’, pronë e Dashnim Jasharit, 10 tenderë, katër prej të cilëve janë për punë shtesë. Në total kjo kompani që nga viti 2016 e deri më sot ka marrë 54 tenderë nga e njëjta Komunë.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari Naim Ismajli në debatin “Jeta në Komunë” e arsyetoi dhënien e tenderëve një kompanie të vetme siç është ajo “Ardhmëria”.

Kompania ‘Ardhmëria’ vetëm për periudhën qershor- dhjetor 2019, pra për shtatë muaj, ka fituar 16 tenderë nga Komuna e Shtimes. Ndërsa në periudhat korrik- tetor të këtij viti e njëjta kompani ka fituar edhe 10 tenderë të tjerë, katër nga to për punë shtesë.

“Tenderët janë të hapur, ka kritere të vlerësimit dhe komisioni është i obliguar të respektojë Ligjin e prokurimit. Në këtë rast menaxheri i cili përkujdeset për respektimin e ligjit ndërsa komisioni bazohet në procedura dhe në bazë të procedurave ndodh në 95 për qind të rasteve shumë rrallë ndodh që të ketë formë që parasheh ligji ndryshe, por në 95 për qind të rasteve tenderët i jepen operatorëve që ka ofertën më të lirë por që duhet të jetë i përgjegjshëm”, ishte arsyetimi i Ismajlit.

Tutje Ismajli tregoi nëse e brengos fakti se vetëm një kompani në Shtime i ka marrë 54 tenderë.

“Dëshira ime do të ishte sikur të kishte një balancim në fitimin e konkurrencës mirëpo ndërhyrja jonë nuk mund të jetë ajo që ta favorizojmë atë që ka ngel sepse është e qartë në këtë aspekt është fat i mirë që është mandati i katërt si kryetar dhe gjithmonë je i informuar sepse eksperienca e bën që të jesh i informuar”, vazhdoi Ismajli.

Për këtë rast u diskutua edhe me asamblistin e LVV-së, Ruzhdi Jashari. Kjo për arsye se i njëjti ka qenë ish- kryetar i Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së ndërsa në zgjedhjet e fundit ka kandiduar si i pavarur për kryetar të komunës.

Dashnim Jashari pronari i kompanisë “Ardhmëria” është nipi i Ruzhdi Jasharit. Ky i fundit e pranoi që në rast se një kompani e vetme fiton tenderë të shumtë në një komunë, kryetari duhet të jap përgjegjësi.

Ruzhdi Jashari, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Nëse ka përgjegjësi, është e vërtetë që është nip i imi, unë që 23 vite jetoj ndaras nëse do ta jap firmën që djali im ka firmë të veten edhe në asnjë punë as nënkontraktor nuk është kurrë. E vërteta është, ai i mban 40 punëtorë. E padrejtë është nëse ia jep (tenderët) në mënyrë të padrejtë”, tha Jashari.

“Sipas mendimit tim, dhënia e shumë tenderëve një firme atëherë duhet me lidh kryetarin me përgjegjësi. Nipi e ka firmën që 18 vite prej Sllovenisë, nuk është që është pasuru tash dhe nuk ka pasuri sa ka kryetari”, tha Jashari tutje.

Komuna e Shtimes vetëm në vitin 2020 i ka dhënë kompanisë ‘Ardhmëria’, pronë e Dashnim Jasharit, 10 tenderë, katër prej të cilave janë për punë shtesë. Në total kjo kompani që nga viti 2016 e deri më sot ka marrë 54 tenderë nga e njëjta Komunë.