Problemet e shëndetit mendor - identifikimi i hershëm ndryshon jetën e fëmijëve

Të jesh i shëndetshëm mendërisht gjatë fëmijërisë do të thotë të arrish kulmin zhvillimor, emocional, të mësosh aftësi të shëndetshme sociale dhe t’i përballosh problemet. Fëmijët e shëndetshëm mendërisht kanë një cilësi pozitive të jetës dhe mund të funksionojnë mirë në shtëpi, në shkollë dhe në komunitetet e tyre. Shëndeti mendor i fëmijëve është njëri ndër komponentët kryesorë që ndikon në zhvillimin normal të fëmijëve.

Sipas statistikave të përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në gjashtë persona me probleme të shëndetit mendor është një fëmijë i moshës 10-19 vjeçare.

Po ashtu, gjysma e të gjitha problemeve të shëndetit mendor fillojnë në moshën 14-vjeçare, por shumica e rasteve janë të pazbuluara dhe të patrajtuara.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara (CDC), çrregullimet mendore tek fëmijët përshkruhen si ndryshime serioze në mënyrën se si fëmijët zakonisht mësojnë, sillen ose trajtojnë emocionet e tyre, duke shkaktuar shqetësime dhe probleme gjatë ditës. Ndër çrregullimet mendore më të zakonshme që mund të diagnostikohen në fëmijëri janë çrregullimi i deficitit të vëmendjes / hiperaktivitetit (ADHD), ankthi dhe çrregullimet e sjelljes.

Ndonëse diagnoza e hershme dhe shërbimet e duhura për fëmijët dhe familjet e tyre mund të bëjnë një ndryshim në jetën e fëmijëve me çrregullime mendore, gjysma e problemeve të shëndetit mendor të fëmijëve mbesin të patrajtuara.

Psikologu i specializuar për fëmijëri të hershme, Arian Musliu, ka thënë se shëndetit mendor të fëmijëve i jepet shumë pak rëndësi në Kosovë. Sipas tij, secili ndryshim madhor në shëndetin mendor në fëmijërinë e hershme siç është pandemia COVID-19, ndikon në mënyrën sesi fëmijët perceptojnë, sillen dhe adaptohen me rrethanat.

“Prindërit njohin fëmijët e tyre më së miri”

Një nga shkaktarët kryesorë, që çojnë në përkeqësim të shëndetit mendor te fëmijët konsiderohet neglizhenca e prindërve apo mungesa e komunikimit prindër-fëmijë.

“Tek fëmijët, problemet më madhore në aspektin e shëndetit mendor vijnë si pasojë e neglizhencës së prindërve. Mungesa e komunikimit në mes të prindërve dhe fëmijëve, e sidomos në rrethana negative, rezulton në mos krijimin e aftësive reziliente tek fëmijët, rrjedhimisht në probleme afatgjate psikologjike”, thotë Musliu.

Psikologu Musliu rekomandon që prindërit dhe mësimdhënësit të diskutojnë individualisht me secilin fëmijë në rast se ata shohin ndryshime në sjelljet e tyre pasi janë personat e parë që kanë kontakt me fëmijët dhe simptomat e para problematike mund të identifikohen nga ta.

“Secili prind dhe mësimdhënës duhet të jetë “psikolog” për fëmijët. Nga këto diskutimet, ata mund të kuptojnë nëse problemet janë momentale dhe të kohës, apo nëse ka probleme të cilat kërkojnë intervenim të menjëhershëm. Për këto të fundit, rekomandohet që të vizohet psikologu apo edhe terapistët e tjerë që punojnë në fushën e shëndetit mendor. Simptomat përfshijnë ndryshime në sjelljet e fëmijëve dhe në rutinën e tyre”, shton tutje ai.

Përveç prindërve, identifikimin e ndryshimeve në sjelljen e fëmijëve mund ta bëjnë edhe mësuesit apo edukatorët, të cilët po ashtu mund të kontribuojnë në ngritjen e alarmit për trajtimin e këtyre ndryshimeve në faza sa më të hershme.

Emergjencat, siç është pandemia COVID-19, mund të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin mendor dhe mirëqenien psikosociale të një fëmije. Sipas psikologut Musliu, një nga pasojat e pandemisë te fëmijët është edhe ndryshimi i sistemit të të mësuarit.

“Sistemet e ndryshme të të mësuarit që janë aplikuar në Kosovë, përveç konfuzitetit që kanë shkaktuar, janë perceptuar edhe si të mangëta. Në rastin kur fëmijët kanë ndjekur klasën e parë online, gjersa pas një viti e kanë kontaktin e parë fizik me mësimdhënësit, ndjenja e parë që raportohet është ndjenja e të qenit mbrapa. Por, problemet kryesore janë në aspektin e të mësuarit. Këtu duhet të jetë fokusi i sistemit tonë edukativ post-pandemik”, është shprehur Musliu.

Cilat janë simptomat dhe çka ndikon që fëmijët të shfaqin probleme të shëndetit mendor?

Sipas CDC, shkalla e çrregullimeve mendore ndryshon me moshën e fëmijëve. Diagnozat e depresionit dhe ankthit janë më të zakonshme me rritjen e moshës ndërsa problemet e sjelljes janë më të zakonshme tek fëmijët e moshës 6-11 vjeç sesa fëmijët më të vegjël ose më të mëdhenj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përvojat e hershme negative në shtëpi, shkolla ose hapësira digjitale, të tilla si ekspozimi ndaj dhunës, sëmundjet mendore të një prindi ose kujdestari tjetër, ngacmimi dhe varfëria, rrisin rrezikun e sëmundjeve mendore.

Psikologu i specializuar për fëmijëri të hershme, Arian Musliu thotë se fëmijët shfaqin probleme në aspektet e të nxënit si dhe në raportet emocionale me prindërit dhe bashkëmoshatarët. Ndërsa sipas tij, nëse problemet e shëndetit mendor nuk trajtohen me kohë ato mund të kenë potencial të shkaktojnë probleme të mëdha në të ardhmen.

“Secili problem minor mund të jetë shkaktar për një problem madhor. Fëmijët të cilët manifestojnë probleme të shëndetit mendor, zakonisht shfaqin probleme në gjuhën ekspresive dhe sjellje të cilat janë disruptive”, thotë ai.

Simptomat e çrregullimeve mendore ndryshojnë me kalimin e kohës kur fëmija rritet dhe mund të përfshijnë vështirësi në mënyrën se si një fëmijë luan, mëson, flet dhe vepron, ose se si fëmija i trajton emocionet e tij.

Simptomat shpesh fillojnë në fëmijërinë e hershme, megjithëse disa çrregullime mund të zhvillohen gjatë viteve të adoleshencës. Diagnoza vendoset shpesh në vitet e shkollës dhe ndonjëherë më herët, megjithatë, disa fëmijë me një çrregullim mendor mund të mos dihen ose të mos diagnostikohen se kanë një të tillë.

Cilat janë kapacitetet e shkollave për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor te fëmijët?

Kosova llogaritet t’i ketë 1 mijë e 58 institucione arsimore publike. Por, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) janë vetëm 57 psikologë të punësuar në tërë shkollat e Kosovës. KALLXO.com në muajin maj kishte publikuar të dhëna ku tregohej se vetëm 50 pedagogë shërbejnë në institucionet shkollore. Të dhënat po ashtu flasin se në disa komuna një psikolog mbulon disa shkolla.

Në anën tjetër, zëvëndësministri i arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka deklaruar se MASHTI do të shtojë në këto institucione edhe 400 psikologë e pedagogë. Por, sipas tij, kjo pritet të bëhet në katër vitet e ardhshme të qeverisjes aktuale.

“Këtë vit do të punësohen 100 edhe në vitet e tjera do të vazhdojë njëjtë. Pritet të adresohen problemet e mësimdhënësve e po ashtu edhe atyre nxënësve që mund të kenë probleme. Por ne mendojmë që punësimi i psikologëve dhe pedagogëve nuk mund të zgjidhë në tërësi problemet për shkak se kanë rëndësi edhe prindërit dhe faktorët e jashtëm”, ka deklaruar Pupovci.

Sa mbrohet shëndeti mendor i fëmijëve ligjërisht?

Shërbimet e shëndetit mendor për fëmijët janë pjesë përbërëse e shërbimeve në të gjitha kategoritë e shërbimeve të shëndetit mendor sipas Ligjit pёr Shёndetin Mendor, i cili përmbanë disa nene specifike për shërbimet, trajtimin dhe parimet e përgjithshme të kujdesit.

Gjendja e krijuar nga pandemia globale e COVID-19 ka nxjerr në pah edhe më shumë mangësitë për realizimin e tё drejtave tё fёmijёve si dhe ka thelluar pabarazitë ekzistuese.

Sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, kufizimet e jetesës rutinore si dhe stresi psikosocial i shkaktuar nga mbyllja në shtëpi ose izolimi kanë ndikuar në shëndetin mendor të fëmijëve.

“Kjo pandemi ka theksuar më shumë se kurrë rëndësinë e programeve të shëndetit mendor dhe qasjen e të gjithë fëmijëve në shërbime psiko-sociale. Fatkeqësisht kёto programe dhe shërbime janё tё rralla dhe tё pakta nё vendin tonё”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Edhe sipas Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, periudha e zgjatur e izolimit, kushtet e rënda të jetesës dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje.

“Ndërprerja e menjëhershme e shkollave, kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit mendor, prandaj mbështetja profesionale ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Fëmijët e përfshirë në punë të rënda, edhe gjatë pandemisë po vazhdojnë të jenë në rrezik për jetën, shëndetin dhe po ekspozohen ndaj abuzimit, shfrytëzimit seksual dhe trafikimit”, kanë thënë nga KOMF.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’PROtectChild’’ nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) që zbatohet bashkarishtë me Save the Children në Kosovë, dhe financohet nga Qeveria Suedeze. Përgjegjësia për përmbajtjen qëndron tek zhvilluesi i saj.