Problemet e komunave me ueb-faqet dëmtojnë transparencën

Të gjitha Komunat në Kosovë po ballafaqohen që rreth shtatë muaj me mos funksionimin e ueb faqeve të tyre ndërkaq, kohëve të fundit janë ballafaquar edhe ‘me zhdukjen’ e vendimeve e dokumenteve nga faqja.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kryesuesi i kolegjiumit për zyrtarët për komunikim me publikun Bekim Dobra, i cili njëherësh është edhe zëdhënës i Komunës së Drenasit.

Sipas Dobrës të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës kanë probleme të theksuara me ueb faqet e tyre për t’i pasur funksionale që nga muaji maj i këtij viti.

Dobra tha se si kolegjium kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por deri më tani kanë mbetur pa zgjidhje të problemit.

“Kemi bërë disa herë kërkesë si kolegjium i zyrtarëve të komunikimit me publikun në MAPL dhe në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, por ende kjo procedurë kjo zgjidhje nuk është bërë ndonëse dy javët e fundit kemi telashe edhe më të mëdha sepse nuk mundemi me publiku asnjë dokument në faqet zyrtare”- tha Dobra.

Sipas tij mos funksionimi i ueb-faqeve i penalizon jashtëzakonisht shumë institucionet lokale sidomos te granti i performancës.

“Dihet se shumica e vendimeve dokumenteve strategjike që prodhojnë institucionet lokale kanë afat ligjor që duhet me kanë të publikuara me datë të caktuar përndryshe komunat në ata indikator kanë m`u penalizu dhe në matjet kur t’i bën MAPL-ja kanë me dal keq”- u shpreh Dobra.

Dobra u ka bërë apel MAPL-së që këtë zgjidhje ta bëjë më shpejtë, për ndryshe sipas tij po mbesin jo transparent me qytetarët dhe në matjet që i bën MAPL-ja.

Dobra tha se përgjigjja që iu është dhënë nga MAPL-ja deri më tani është se kompania e kontraktuar për menaxhimin e ueb-faqeve nuk po i kryen detyrat sipas kontratës.

“Kompania e kontraktume nuk është t`u i bo obligimet ligjore sipas kontratës. Po kjo pjesë neve pak na intereson neve na intereson që me i pas funksionale ueb-faqet e komunave, sepse komunave nuk u lejohet me pas server për mirëmbajtjen e faqes së tyre. Përndryshe kish me qenë shumë më e lehtë nëse ministria e financon një projekt që serverët të jenë në komuna dhe pastaj përmes IT m`u menaxhu ueb-faqet nga vetë komuna”- ka dhënë propozim Dobra, duke shtuar se sa të jenë nën mëshirën e ministrisë dhe ASHI-së do të jenë me këto probleme edhe në vitin 2023.

Sa i përket ‘dokumenteve të zhdukura’, Dobra tha se secila komunë e ka protokollin e brendshëm dhe vendimet ruhen.

Por sipas tij zyrtarët e informimit i nxjerrë jashtë sistemit, pasi sipas tij duhet bërë punë me muaj në mënyrë që të rivendosen vendimet.

“Secili vendim duhet m`u përcjellë në afat ligjor përndryshe kjo procedura ka me qenë shumë e vështirësuar dhe edhe nëse kanë me qenë funksionale ueb-faqet nuk ka me pas mundësi m`u përcjellë secili vendim me datën e saktë kur o dashtë m`u publiku ai vendim”- shtoi ai.

Dobra ka treguar se nuk është hera e parë që janë fshirë vendimet nga ueb-faqet e komunave, pasi sipas tij kjo ka ndodhur edhe në vitet paraprake, por se nga përvojat e kaluara vendimet janë kthyer.

Dobra shtoi se si kryesues i kolegjiumit ka propozuar që indikatorët që kanë të bëjnë me matjen e performancës komunale për vitin 2022 me u ngri në të kundërtën sipas tij të gjitha komunat do të penalizohen.

Komuna e Drenasit, ka filluar ta përdor rrjetin social Facebook, për të publikuar njoftimet e ndryshme shkaku i mos funksionimit të ueb-faqes.

“Për shkak të mosfunksionimit të ueb-faqeve zyrtare të komunave në nivel vendi, jemi të detyruar që njoftimin ta bëjmë nëpërmjet rrjetit social Facebook në mënyrë që të informoheni lidhur me njoftimet e ndryshme nga Komuna e Drenasit”- thuhet në një njoftim të komunës.

Edhe Komuna e Vushtrrisë shkaku i mos funksionimit të ueb-faqes së komunës, ka filluar që njoftimet publike t’i bëjë përmes rrjetit social në Facebook.

“Për arsye të mosfunksionimit të ueb-faqës së Komunës (për shkak të problemeve qendrore) po i publikojmë këtu të gjitha Konkurset deri në kthimin në funksion të ueb”- thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Ymer Berisha, udhëheqës i njësisë për komunikim me publikun, e kishte konfirmuar për KALLXO.com se vendimet e kryetarit të Prizrenit të vitit 2021 dhe 2022 janë fshirë të gjitha nga sistemi.

“Kemi informacione që vendimet e kryetarit të Komunës janë fshirë nga ueb faqja dhe këto paraqesin vështirësi dhe probleme të vazhdueshme. Paraqesin probleme edhe në vlerësimet që i bëjnë institucionet e tjera për performancën e komunës, madje paraqesin probleme edhe kur qytetarët, OJQ-të, e gazetarët i qasen një vendimi të publikuar dhe tashmë ne nuk e kemi në posedim në ueb faqe” – ka thënë Berisha.

Ai bëri me dije se nuk është hera e parë që ueb-faqet e komunave të Kosovës kanë probleme pasi bien prej sistemit, nuk janë të qasshme, e nuk hapen dokumentet.

Edhe Liridona Marovca zëdhënëse në Komunën e Kamenicës e ka konfirmuar për KALLXO.com se edhe në këtë komunë është problemi i njëjtë.

“Problemin më të madh e kemi për konkurse që duhet me u postu datat e intervistave me gojë, datat e testeve, etj. dhe nuk po mundemi me i postu ne ueb dhe nuk po kemi platformë tjetër ku mundemi m`i postu për atë arsye po na shtyhen edhe afatet”- tha ajo.

Marovca shtoi se pjesa e uebit është indikator shumë me rëndësi në performancën e komunës por sipas saj pasi i kanë këto probleme nuk po munden me qëndruar në linjë me secilin zhvillim.

Ajo tha se në kolegjiumin e komunave e kanë adresuar si shqetësim.

“Po thonë se është problem i gjitha komunave dhe janë duke u mundu me gjet një zgjidhje por po zgjatë si shumë zgjedhja e ne po penalizohemi si institucion”- shtoi ajo.

Ajo tha se nuk ka njohuri nëse ka dokumente të fshira.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MAPL dhe në ASHI lidhur me problemet në ueb-faqet e Komunave të Kosovës.

Në përgjigjet e MAPL-së për KALLXO.com thuhet se pronësia e sistemeve elektronike të teknologjisë së informacionit të komunave nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është bartur në përgjegjësinë e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI/MPB).

Në përgjigjet e ministrisë theksohet se nga data 27 gusht 2022, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, referuar detyrimeve ligjore dhe kontraktuale, do të vazhdoj të realizoj vetëm obligimet financiare për sistemet deri në korrik të vitit 2023, ndërsa, sipas tyre ASHI, tani e tutje do të përkujdeset për menaxhimin, administrimin, sigurinë dhe mirëmbajtjen e ueb faqeve.​

“Ministri i MAPL-së, z. Elbert Krasniqi dhe Ministri i MPB-së, z. Xhelal Sfeçla, kanë nënshkruar Marrëveshjen për transferimin e sistemeve elektronike të teknologjisë së informacionit të komunave nga MAPL në përgjegjësi të ASHI-së. Me këtë marrëveshje është përcaktuar bartja e pronësisë së sistemeve elektronike të teknologjisë së informacionit të komunave nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI/MPB)”- thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Kurse, ASHI, ende nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e drejtuara nga KALLXO.com