Problemet e investitorit me Inspektoratin Shëndetësor

Përparim Aziri, i cili ka ardhur nga Holanda të investojë në Kosovë në një ordinancë për zbardhimin e dhëmbëve, thotë se është penguar në punën e tij nga inspektorja shëndetësore Ajla Zymber Çeshko, e cila ka një ordinancë stomatologjike në lagjen “Kalabria” të Prishtinës.

Aziri pretendon se deri te ndalimi i punës për një pjesë të ordinancës së tij ka ardhur si pasojë e çmimeve të ulëta që ai i ka vendosur për zbardhimin e dhëmbëve dhe se nga kjo ulje e çmimeve është ndjerë konkurrenca te ordinancat e tjera.

“Problemet kanë plasë se kanë ardhë këtu Ministria, unë krejt e kam bë në mënyrë normale. Kam investu këtu me do kursime të miat. Tash është puna te çmimi. Unë e kam shku me një çmim shumë standard me rrogat kosovare se gjithkush ka qejf me pasë një buzëqeshje të mirë, por nëse është çmimi shumë i lartë nuk shkon kurrkush. Unë kam shku me një çmim të ulët që gjithkush e ka qejf. Kanë ardhë inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ma kanë ndalu punën këtu. Ajo që ka ardh këtu [inspektorja] e ka ordinancën e vet në “Emshir”. Punon edhe atje edhe është inspektore dhe për atë arsye ka ardhë dhe ma ka ndalu punën”, ka thënë Aziri.

Perparim Aziri

Po ashtu, Aziri pretendon se sikurse shërbimi që kryhet në ordinancën që ka investuar ai, ka në shumë shtete evropiane.

“Këtu bëhet vetëm zbardhimi i dhëmbëve dhe  e kemi ordinancën, është doktori që nëse ka nevojë për trajtime më të thella, shkojnë klientët aty dhe këtu bëhet vetëm zbardhimi dhe ke të drejtë gjithkund, edhe në pasqyrë. Këtu i bie me prit 20 minuta ose 40 dhe i ka të gjitha, me masazh e me të gjitha dhe ndihet rehat. Të gjitha! Së pari e kam rregullu lokalin, pastaj kanë ardhë e kanë shiku Komuna, inspektorët e Komunës  dhe e kam marrë pëlqimin. Tani kam bë kërkesë në Ministri të Shëndetësisë, kanë ardhë më pas këtu, kanë qenë 5 ose 6 vetë, e kam me licencë e me krejt që është e drejtë”, ka shtuar më tej ai.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me inspektoren Ajla Zymber Çeshko, por ajo nuk ka pranuar të flasë për pretendimet e Azirit.

Më pas, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe aty kemi kuptuar se Aziri ka të vendosura karrige që nuk janë në përputhje me udhëzimin administrativ.

Sipas Ministrisë, puna në ordinanca stomatologjike nuk lejohet me karrige të tjera përveç atyre stomatologjike.

“Mbështetur në Raportin e inspektimit të datës 02.04.2021, Inspektorati Shëndetësor ka rekomanduar të largohen disa nga pajisjet (karrige) të cilat nuk kanë qene në përputhshmëri me Udhëzimin Administrativ nr. 09/2014, kushtet për Pune sa i përket Hapësirës, Kuadrit Profesional dhe Pajisjeve Medicinale te Institucioneve Private Shëndetësore Jashtë Spitalore. Sipas këtij raporti nuk iu është ndërprerë veprimtaria shëndetësore e Institucionit si tretësi”, thuhet në përgjigjen e MSh për KALLXO.com.

Edhe Këshilli Etik i Odës së Stomatologëve ka dhënë një opinion për Inspektoratin Shëndetësorë të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me zbardhuesin e dhëmbëve Amsterdam.

Sipas tyre, Oda nuk ka kompetenca për vlerësimin e punës dhe përmbushjen e kushteve për ushtrimin e veprimtarisë në institucionet private shëndetësore, por ka dhënë opinion profesional.

Sipas Odës, çdo ndërhyrje stomatologjike mund të bëhet vetëm me karrige stomatologjike.

“Këshilli Etik jep opinion profesional sipas të cilit çdo  shërbim apo ndërhyrje stomatologjike që ofrohet te pacienti mund të bëhet vetëm me karrige stomatologjike me unitin përcjellës dhe pajisjet tjera stomatologjike sipas kritereve të përcaktuara në udhëzimet administrative që dalin nga Ligji për Shëndetësi”, thuhet në opinionin e oOdës së Stomatologëve.

Të dhënat na tregojnë se pas rekomandimit të Odës së Stomatologëve të Kosovës, Inspektorati Shëndetësorë ka dënuar Përparim Azirin me 2,000 euro pasi ky i fundit nuk i kishte larguar karriget me “masazh” sipas rekomandimit të Odës e vendimit të Inspektoratit.

KALLXO.com gjatë hulumtimit ka kuptuar se 8 inspektorë shëndetësorë janë punonjës në ordinanca private.

Pas gjetjes, KALLXO.com mbi dyshimet për konflikt interesi, ka kërkuar informacione dhe interpretim nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Pas interesimit tonë, AKK ka filluar hetimet për konflikt interesi në situatën kur mjekët stomatologë janë të angazhuar edhe si inspektorë shëndetësorë.

Pra, AKK ka filluar hetimet se a përbën konflikt interesi kur një mjek stomatolog përpos që mban pozitën e inspektorit shëndetësor ushtron veprimtari edhe në sektorin privat.

“Lidhur me pyetjen tuaj se a ka konflikt interesi në rast se një mjek stomatolog përpos që mbanë pozitën e Inspektorit Shëndetësor, ushtron veprimtari edhe në sektorin privat, Agjencia kundër Korrupsionit ju njofton se bazuar në përgjegjësit e përcaktuara me Ligjin nr.06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit, ka filluar procedurën e hetimit paraprak për shqyrtimin e gjendjes së konfliktit të interesit dhe është në kontakt me inspektoratin shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.