Prizreni

Prizreni 'Jerusalemi' i PDK-së nën qeverisjen e Vetëvendosjes 

Tri vjet më parë, Albin Kurti me një fjalim të gjatë me fjalë miradie i motivoi prizrenasit që të ndryshonin mendje dhe të votonin Mytaher Haskukën e Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit.

“Myta e ka dijen, Myta e ka vullnetin, Myta e ka përvojën. Myta e don Prizrenin, Myta e don zhvillimin, Myta e don përparimin. Kryetari Mytaher Haskuka do të jetë njeriu i Prizrenit të ri dhe i Prizrenit të vjetër, por jo i Prizrenit të tanishëm. Do të jetë kryetar i Prizrenit të ardhmërisë së ndritshme, i Prizrenit të së kaluarës së lavdishme, por jo i Prizrenit të tanishmes së errët e të mjerueshme”, ishte shprehur Kurti në njërën nga netët elektorale.

Tri vite më vonë ëndrrat e fushatës dhe premtimet elektorale u shpërfaqen kur premtimet e Haskukës nuk janë jetësuar plotësisht. Një varg i drejtorëve të Haskukës përfunduam me aktakuza në prokurori ndërsa qeverisja u kritikua për mospërmbushje të premtimeve e keq-qeverisje.

“Të gjitha deponitë ilegale do të rregullohen brenda afatit dy vjeçar dhe pas kësaj duhet të kujdesemi që të mos ketë më deponi ilegale”, kishte premtuar Haskuka në debatin Jeta në Kosovë gjatë serisë së debateve zgjedhore.

Pastërtia e qytetit ishte ndër premtimet e para të Haskukës, por fotografitë tregojnë se premtimi nuk është realizuar.

Mbeturina në rrugën Prizren-Zhur
Mbeturina në afërsi të Mullirit të Vjetër
Mbeturina në rrugën Prizren-Zhur

Përveç largimit të deponive ilegale, Haskuka pati premtuar edhe rregullimin e kanalizimit në Landovicë dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Nashec deri në fund të mandatit.

Por, për asnjërën nga këto premtime, komuna e Haskukës nuk ka dhënë detaje nëse këto projekte janë të ideuara.

Mirëpo, në projektin e impianit në Vlashnje, i cili sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ka përfunduar, por jo funksionalizuar, planifikohet që të kyçen 50 mijë banorë në fazën e parë. E në fazën e dytë mendohet që të gjendet zgjidhja edhe për 90 mijë banorë, por kjo sipas planifikimeve nuk do të ndodhë deri në vitin 2035.

Aktualisht, të dhënat nga terreni tregojnë se vetëm 7 nga 39 pikat e derdhjes së kanalizimit kalojnë në një impant të tjerat derdhen në lumenjtë që e përshkojnë Prizrenin, në Lumbardh e Drin.

Derdha e ujërave të zeza në Lumbardh
Kafshë e ngordhur në Lumbardh
Derdhja e ujërave të zeza në Lumabardh

Për të lehtësuar jetën e qytetarëve prizrenas, Haskuka kishte premtuar ndërtimin e 300 parkingjeve të reja dhe rregullimin e 300, deri në 400 të tyre ekzistuese.

Por zgjidhja për parkingjet ende nuk ka ndodhur. Komuna e Prizrenit ka krijuar vetëm 110 parkingje në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa vetëm 24 vendparkingje pranë Administratës Komunale.

Hyrjet e gjëra të qytetit kanë krijuar përshtypjen që në Prizren nuk ka problem me komunikacionin, mirëpo rrugët e ngushta në qytet krijojnë kolona të gjata.

Institucione si Administrata e Komunës, Gjykata Prokuroria e Policia janë të vendosura afër njëra tjetrës dhe në afërsi të qytetit.

Rreth Shatërvanit dhe qendrës së qytetit operojnë shumë biznese që e bëjnë këtë zonë të frekuentuar nga këmbësorët dhe veturat.

Rrugët dytësore dhe lidhëse janë vështirë të kalueshme, përpos që janë të ngushta janë edhe dy kahëshe, dhe veturat e parkuara nga banorët që jetojnë në këto lagje nëpër trotuare krijojnë vështirësi për të shfrytëzuar këto rrugica si alternativë.

Kryqëzimet e mëdha në lagjen Bazhdarhane dhe në lagjen Tabahane, krijojnë kolona të gjata, dhe kësaj i shtohet edhe mos-funksionimi i shpeshtë i semaforëve nëpër shumë kryqëzime.

Mungesa e parkingjeve të mëdha në qytet krijon problem për parkimin e veturave, dhe si alternativë  shfrytëzohen trotuaret.

Por, ndonëse nga kjo komunë kanë thënë për gazetën JNK se kanë rregulluar parkingje, situata me veturat në trotuare, të cilat vështirësojnë kalimin e këmbësorëve është pothuajse e njëjtë, sikurse ka qenë në qeverisjen e kaluar.

“Komuna e Prizrenit gjatë këtij mandati ka hapur parkingun e parë publik, mbrapa Shtëpisë së Bardhë për më shumë se 110 autovetura. Komuna e Prizrenit ka investuar për 24 parkingje afër Administratës Komunale”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Edhe pse parkingu mbrapa Shtëpisë së Bardhë është në shfrytëzim pa pagesë për prizrenasit, në 24 parkingjet te Administrata Komunale mund të hyjnë vetëm punëtorët e komunës.

Ndërsa, komuna ka deklaruar se është duke shqyrtuar projektin “Sheshi i Bazhdarhanes”, ku parashihet hapësira për 300-400 vend-parkingje nëntokësore.

Dëgjimi publik me një projekt-ide është mbajtur gjatë vitit 2019, mirëpo deri më sot nu ka pasur ndonjë lëvizje nga ana e Komunës për realizimin e këtij projekti, ndërsa nuk ka asnjë hapësirë tjetër që mund të shfrytëzohet për parking, përpos atyre private që në sezonin e verës operojnë dhe marrin pagesa minimalisht nga 1 euro për orë.

Parkingu për 110 vetura te Shtëpia e Bardhë
Parkimet në trotuar
Veturat e Drejtorisë së Inspektorateve të parkuara në trotuar
Veturat e parkuara në rrugë

Kujdesi për Qendrën Historike të Prizrenit

Në vargun e premtimeve elektorale Haskuka kishte premtuar se do të largonte kabllot e energjisë elektrike nga Qendra Historike pasi, sipas tij, ato i jepnin një pamje të shëmtuar qytetit, i cili është nikoqir i mijëra turistëve nga mbarë bota.

E kur ai po shkon drejt fundit të vitit të tretë qeverisës, Qendra e qytetit duket si një nga krijimtaritë e Stan Lee.

Gjithkund shihen rrjete kabllosh duke iu dhënë përshtypjen të gjithëve se aty tashmë ka qenë Spiderman.

Kabllot në Qendrën Historike
Kabllot në Qendrën Historike

Në një përgjigje për KALLXO.com komuna e Prizrenit ka thënë se tashmë është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me KEDS-in për shtrimin e rrjetit nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike në Qendrën Historike të Qytetit.

Sipas komunës, punimet e këtij projekti planifikohej që të fillonin gjatë këtij viti, mirëpo ato janë shtyrë për shkak të pandemisë.

Para se të vinte në pushtet Haskuka kishte premtuar në debatin Jeta në Kosovë “Implementimin e planit të menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit. Themelimin i këshillit për Prizrenin në UNESCO, sinjalizimin nëpër rrugë të monumenteve të rëndësishme dhe të hoteleve, ndriçimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, fasadimi i shtëpive në Qendrën Historike të Prizrenit sipas aspektit historik, funksionalizimi i ndërtesës Ruzhdije (shkolla e parë e mesme në trojet shqiptare dhe përfundimin dhe funksionalizmin e bibliotekës së re të qytetit”.

Por, ende asnjëra nga këto premtime nuk është realizuar!

Shtëpi në Qendrën Historike të Prizrenit
Shtëpi në Qendrën Historike të Prizrenit

Sipas komunës që nga viti i kaluar kanë filluar me implementimin e planit të menaxhimit për QHP, por ende nuk është funksionalizuar për shkak të mos rekrutimit të pozitave të reja.

Ky mosfunksionalizim është kritikuar edhe nga Shoqëria Civile.

Organizata jo qeveritare ‘EC MA NDRYSHE’ ka reaguar për mosfunksionalizimin e Zyrës së Qendrës Historike të Prizrenit.

Sipas organizatës, kjo zyre nuk është funksionalizuar ende edhe pse vendimi për themelimin e saj ishte votuar në maj të vitit 2019 nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.

“Në vendimin e Kuvendit të Komunës thuhej se Zyra për Qendrën Historike të Prizrenit do të funksionoj si zyre e veçantë në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Prizrenit, dhe se do të ketë udhëheqësin e zyrës dhe dy zyrtarë. Për zbatim të këtij vendimi, Kuvendi kishte obliguar Zyrën e Kryetarit të Komunës”, thuhet në reagimin e organizatës.

E shtëpitë e vjetra të qytetit të Prizrenit në shumë vende nuk mund të shihen për shkak të vendosjes së çadrve nga bizneset në Qendrën Historike.

Komuna disa herë është ndeshur me rezistencën e pronarëve për të mos i larguar konstruksionet.

Konstruksionet metalike të një biznesi
Konstruksionet metalike të një biznesi

Edhe pse ato janë larguar dhunshëm në disa raste, të gjitha janë vendosur përsëri dhe qyteti ka marrë pamjen e mëparshme.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Inspektorateve, Edon Muqaj, i njëjti ka thënë se momentalisht nuk kanë ndonjë plan për aksione rrënimi për shkak të situatës me pandeminë.

Sipas Muqajt, bizneseve vetëm se iu është pamundësuar puna në hapësirat e brendshme të lokaleve dhe një rrënim i tillë i konstruksioneve metalike vetëm se do t’i dëmtonte ata edhe më shumë ekonomikisht.

Muqaj po ashtu ka thënë se janë në proces të krijimit të një rregulloreje rreth Qendrës Historike në raport me bizneset dhe ajo do të jetë e gatshme në fillim të vitit të ardhshëm.

“Po ashtu gjatë vitit 2018 është bërë lirimi i trotuareve nga automjetet brenda Qendrës Historike, duke i vendosur pengesat për parkime. Në fillim të vitit 2019 janë larguar të gjitha konstruksionet metalike brenda Qendrës Historike, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Nga ky aksion janë larguar gjithsej 23 konstruksione metalike të lokaleve afariste, ku nga këto në 6 raste është dashur të bëhet largimi i dhunshëm nga Inspektorati”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Komuna nuk ka themeluar këshillin për Prizrenin në UNESCO, sipas tyre, kjo për shkak të problemeve politike për statusin në UNESCO, po ashtu edhe funksionalizimi i bibliotekës së re të qytetit dhe ndërtesës Ruzhdije nuk është bërë me arsyetimin se pandemia ka vonuar punimet.

Ndërsa për fasadimin e shtëpive në Qendrën Historike, komuna ka thënë e do të bëhen me projektin për revitalizimit e rrugës “Marin Barleti”. E premtimi për sinjalizimin nëpër rrugë të monumenteve të rëndësishme të qytetit dhe hoteleve, sipas komunës, do të bëhet posa komuna të marrë lejen nga institucionet relevante.

Gjithashtu, në rrugët e gjarpëruara të Qendrës Historike edhe shihen pajisje mbrojtëse e mjete betoni të cilat mendohet se do ta parandalojnë rrëzimin e objekteve të vjetra.

Edhe materiale ndërtimore shihen në këtë zonë, duke i dhënë pamjen Qendrës Historike si kantier ndërtimi.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës me buxhetin e vitit 2020, do të financojë me 200,000 euro projektin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit.

Sipas buxhetit, i cili u votua në orët e hershme të mëngjesit të datës 10 mars, ky projekt është bartur nga viti paraprak.

Për vitin 2021 Qeveria e Kosovës ka paraparë për këtë projekt 1,000,000.00 euro, për vitin 2022 ka paraparë 1,000,000.00 euro.

Ndërsa totali që qeveria e Kosovës ka paraparë për këtë projekt është 2,376,642.00 duke llogaritur edhe shpenzimet deri në vitin 2019, që kanë qenë 176,642.00 euro.

KALLXO.com në gusht të vitit të kaluar ka raportuar se Komuna e Prizrenit ka angazhuar një kompani franceze të specializuar për projektimin e teleferikëve në bashkëpunim me organizatën Swiss Contact.

“Pas analizës së situatës në terren, matjeve të bëra dhe vlerësimit në aspektin ligjor, kjo kompani tanimë është në fazën e projektimit, ku do të jetë i përfshirë edhe fizibiliteti i operimit dhe çmimi i ndërtimit. Pasi të përfundohet projektimi, do t’i shikojmë mundësitë për realizimin e projektit”, thuhej në përgjigjen e komunës.

Por, shtegun e ecjes me lartësi mbi detare prej 525 metra, mijëra turistë do ta gjarpërojnë pjerrtësinë në këmbë edhe për një kohë të pacaktuar sepse ende nuk ka një kohë se kur do të jetësohet teleferiku në drejtim të Kalasë.

Tenderi për ndërtimin e teleferikut për qasje në Kalanë e Prizrenit, i cili ishte hapur në muajin prill të vitit 2017 është anuluar në muajin qershor të vitit 2018. Tenderi ishte anuluar me ndërhyrjen e kryetarit Mytaher Haskuka për shkak se sipas tij ky projekt ishte në kundërshtim me tri ligje, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar se për Komunën e Prizrenit, 28 projekte janë bartur nga buxheti i vitit paraprak, ndërsa vetëm katër projekte do të jenë të reja.

Mos-rehatia e Haskukës me drejtorët komunalë

Haskuka do të qeverisë me Prizrenin edhe për një periudhë më pak se dy vjeçare në mandatin e tij të parë, kurse ende nuk ka gjetur rehati me drejtoritë komunale.

Që nga fillimi i mandatit u dorëhoqën, shkarkuan e disa drejtorë lëvizën nga njëra drejtori në tjetrën.

Sipas Haskukës, nga 13 drejtori sa i ka Komuna e Prizrenit, dhjetë do të drejtohen nga drejtorë të rinj.

Gjatë mandatit të Haskukës, pesë drejtorëve të Komunës iu është ngritur aktakuzë, ndërsa tashmë në detyrë mbetet vetëm drejtori i Inspektoratit Islam Thaqi, ndërsa katër të tjerë, Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri dhe Ertan Simitqi janë dorëhequr ose shkarkuar.

Drejtori Islam Thaqi ka kaluar në Drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në vend të ish drejtorit Fejzë Kabashi, i cili u shkarkua pas prishjes së koalicionit me LDK.

Levent Kasëmi i cili udhëhoqi Drejtorinë e Shërbimeve Publike u dorëhoq ndërsa vendin e tij e zuri Osman Krasniqi dikur kundërshtar i Haskukës për të ulësen e të parit të Prizrenit.

Emërimi i Bajrush Sezairit në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrës vjen pas dorëheqjes së ish-drejtori Refik Shaqiri, i cili është njëri nga tre drejtorët që iu kishte ngritur aktakuzë për dhënien e pronës së Komunës në mënyrë të kundërligjshme.

Ish drejtori Ertan Simitçi kishte dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit për Financa në komunën e Prizrenit pas akuzave nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Simitçi akuzohet për veprimet e kryera në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016, në kohën kur kjo komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së, ndërsa në vend të tij është emëruar Leonora Cerreti, emër jo i njohur politikisht.

Haskuka kishte shkarkuar drejtorin e Urbanizmit, Fatmir Memaj, pas prishjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa Beni Kizolli do ta drejtojë këtë dikaster pas dështimit të tij për të fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit

Ndërsa drejtorinë e Shëndetësisë e ka marrë nën drejtim Narqize Arënliu- Hoxhaj, pasi drejtori i mëhershëm Visar Shehu është emëruar nënkryetar komune.

Edhe ish-ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti, Emilija Rexhepi, kryetare e partisë NDS, që përfaqëson komunitetin boshnjak, është rikthyer në Prizren për të marrë nën drejtim Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport, drejtori të cilën e udhëhoqi Ehat Oreshka, për të cilin Haskuka nuk ka bërë asnjherë të ditura arsyet se pse nuk është më në udhëheqësi të kësaj drejtorie komunale.

Në krye të Drejtorisë së Bujqësisë është emëruar Agron Limani, drejtori e cila është udhëhequr nga Egzon Elshani, i cili është shkarkuar nga Haskuka në ditën kur zyrtarisht u prish koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës në nivel lokal. Elshani vinte nga LDK.

Në krye të drejtorisë së Arsimit dhe Shkencës është emëruar Xhemile Thaçi- Vezgishi, drejtori kjo e cila pati dy drejtorë nga ish partneri i koalicionit Nisma Socialdemokrate, Fillimisht Skender Susuri, e së fundmi Gani Gërmizaj, dy drejtorë që së bashku arritën të përfundojnë vetëm gjysmë mandati qeverisje.

Drejtori i Emergjencës dhe Sigurisë, Faruk Dakaj, drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz dhe drejtori i Administratës, Osman Hajdari nuk kanë lëvizur nga drejtoritë në të cilat janë emëruar qysh prej fillimit të mandatit të Haskukës.

Ndërsa ka disa muaj që timonin e Drejtorisë së Inpektorateve në komunë ende nuk e ka rimarrë askush.

Nga këto emërime të reja, pesë gra drejtojnë drejtoritë komunale.

Barazia gjinore në drejtoritë komunale

Mytaher Haskuka ndër tentimet e shumta për drejtorë komunale, ka arritur që të emërojë pesë gra në krye të drejtorive, premtim ky i dhënë në debatin Jeta në Kosovë, ndonëse nuk e kishte bërë kur mori në dorë qeverisjen e Prizrenit, dy vjet e gjysmë më parë.

I pari i Prizrenit pati premtuar që 50 për qind e drejtorive në mandatin e tij do të udhëhiqeshin nga gratë.

“Nga 13 drejtori do t’i reduktojmë në 10, pesë prej tyre do të udhëhiqen prej grave”, pati theksuar kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka, i cili nuk ka mbjatur premtimin për zvogëlimin e numrit të drejtorive.

Xhemile Thaçi Vezgishi, Emilija Rexhepi, Narqize Arënliu Hoxhaj, Leonora Cerreti dhe Sevil Kazaz janë pesë drejtoreshat e Haskukës.

Problemet me ligjin të ish-drejtorëve të Haskukës

Komuna e Prizrenit që nga fillimi i mandatit ka pasur probleme me aktakuzat ndaj drejtorëve komunalë.

Ndonëse Haskuka kishte deklaruar në debatet parazgjedhore të Jeta në Kosovë se nuk i beson sistemit të drejtësisë dhe se vet nuk do të jepte dorëheqje, disa nga drejtorët komunalë pas presionit të OJQ dhe Ambasadave u dorëhoqën.

“Nuk i besoj sistemit të gjyqësisë dhe nuk do të jap dorëheqje në aktakuzë, nëse në vendim të shkallës së parë kërkohet që të mos e ushtroj veprimin atëherë do të jap dorëheqje”, kishte deklaruar Haskuka.

Komuna e Prizrenit pesë muaj kishte mbetur pa “mbajtës të kuletës” kjo pasi që ish drejtori i Financave Ertan Simitçi kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me nënshkrimin e kontratave me Televizionet lokale për reklamim pa hapur procedura të tenderimit.

Ish drejtori Ertan Simitçi akuzohet për veprimet e kryera në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016, në kohën kur kjo komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së, ndërsa rasti është në procedurë gjyqësore në shkallë të parë.

Edhe tre ish drejtor, Refik Shaqiri (ish drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër), Levent Kasëmi, ish drejtor i Shërbimeve Publike dhe Fejzë Kabashi, (ish drejtor i Mirëqenies Sociale), aktualisht po përballen me akuzat e Prokurorisë për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim në mënyrë të kundërligjshme.

Akuzat kanë të bëjnë me lokalet e Komunës së Prizrenit të cilat janë dhënë në shfrytëzim, e sipas aktakuzës që është vërtetuar dhe pritet të filloj shqyrtimi gjyqësor, të tre ish drejtorët akuzohen për kohën kur kanë qenë  pjesë e komisionit për dhënien e lokale të Komunës për shfrytëzim.

Sipas Prokurorisë që të gjithë të akuzuarit me dashje e kanë shkelur kriterin e vetëm të ankandit publik dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, duke favorizuar ofertuesen F. B. në dëm të të dëmtuarit Albert Doqi i cili nuk është përzgjedhur si përfitues i ankandit edhe përkundër faktit se i dëmtuari kishte kuotuar me çmim më të lartë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës ofertuesi, në këtë rast i dëmtuari Albert Doqi kishte ofruar shumën prej 25.20 euro për m2, për lokalin që gjendet në Shatërvan, ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2.

Në kohën e ngrtjes së aktakuzës asnjëri nga drejtorët nuk ishin shkarkuar nga kryetari Haskuka e as nuk kishin ofruar dorëheqje, ndërsa të njëjti janë larguar nga detyrat e tyre në kohën kur Haskuka po hyn në fundin e mandatit të tij dhe ka zëvendësuar shumë drejtorë me të rinj.

Ndërsa Islam Thaqi tashmë ish- drejtor i Inspektoratit bashkë me pesë zyrtarë tjerë po përballen me akuzat e Prokurorisë për çështjen e shumëpërfolur të Abi Çarshisë.

Islam Thaçi ësht larguar nga Drejtoria e Inspektoratit, ndërsa tash ka në drejtim Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Drejtori i parë i Arsimit Skender Susuri është dënuar nga Gjykata e Prizrenit për punësim të personave pa shpallur konkurs publik.

Rasti kishte ndodhur me datë 19 prill të vitit 2019 gjatë kohës kur Skender Susuri mbante pozitën e drejtorit, ndërsa ish drejtori Susuri cilësi të drejtorit të Arsimit ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës, pasi që në përputhje me këtë ligj ai është dashur të shpallte konkurs publik, me ç’rast ka dëmtuar personat e tjerë që kanë qenë të interesuar për një vend të tillë të punës.

Premtimet e realizuara të shëndetësisë

Haskuka kishte premtuar se do të riorganizonte personelin shëndetësor në Prizren dhe se do ta trajtonte atë. Ndërsa do të krijonte shërbime të reja e do të bënte dy ekipe për kujdes shtëpiak.

“Riorganizimi dhe funksionalizimi i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, pajisja me mjete, laboratorë funksionalë dhe trajnim i personelit mjekësor. Krijimi i shërbimit të rregullt mobil shëndetësor (më së paku dy automjete)”, kishte premtuar ai.

Stafi është trajnuar e është riorganizuar pasi shërbimi është zgjatur në 24 orësh. Të paktën kështu kishte deklaruar ish drejtori i shëndetësisë në këtë komunë, i cili kishte shtuar se janari i vitit 2019 ishte koha kur nisi transformimi i kujdesit shëndetësor në Komunën e Prizrenit.

Sipas Visar Shehut, drejtor i mëhershëm komunal i Shëndetësisë, transformimi ka nisur pas identifikimit të problemeve dhe mungesave të shërbimeve shëndetësore në nivelin komunal.

Një numër i analizave të cilat nuk kryhen në asnjë prej institucioneve shëndetësore në komunat e tjera, janë në dispozicion të qytetarëve prizrenas.

Analizat në QKMF në Prizren

Fraksionet e yndyrnave, kolesteroli (HDL,LDL)– për problemet kardiovaskulare, CRP-ASTO, TSH,T3,T4 (analiza të gjëndrës tiroide), Tumormarkeret (PSA, AFP), njësia diabetike, checkup-et, janë vetëm disa prej këtyre analizave.

Shehu ishte ankuar në shkurt për mungesë të furnizimit me barna nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij shërbimi shëndetësor në Prizren nuk është furnizuar as 60% në bazë të kërkesave dhe planeve komunale. Ndonëse me insulinë janë furnizuar më mirë se viteve të tjera, ai shton se që nga korriku i vitit të kaluar, kujdesi shëndetësor në Prizren nuk ka pranuar asnjë bar tabletar.

Pas kësaj, Shehu ka treguar se Komuna ka lidhur kontratë me operatorë me buxhetin e vet por kjo, sipas tij, është e pamjaftueshme për shkak se kërkesa është e madhe.

“Ne e kemi aparatin e Rëntgenit full digjital, jemi i vetmi institucion në kujdesin parësor shëndetësor një aparat të tillë dhe me filma për aparatë duhet të furnizohemi nga Ministria e Shëndetësisë dhe përgjigja që e kemi marrë nga MSh ka qenë se nuk kanë filma për aparat full digjital dhe na është dashur të lidhim kontratë me buxhetin komunal për të blerë filma”, kishte thënë Shehu.

Shehu ka treguar gjithashtu edhe për riorganizimin e kujdesit shëndetësor, ku nga marsi i vitit të kaluar e deri në përfundim të vitit kanë shërbyer mbi 10 mijë pacientë vetëm në ndërrimin e tretë, pasi QKMF ka filluar me shërbim 24 orësh.

Ai ka treguar edhe për krijimin e dy ekipeve të shërbimit Home Care për personat të cilët kanë nevojë për kujdes shëndetësor në shtëpi.

Sipas Shehut, gjate këtij viti, analizat që do t’i shtohen kujdesit ndaj qytetarëve janë; Jonogrami, analiza e vitaminave B, B12 dhe D, Analizat reumatike, Troponina, antitroponina dhe D dimër (Analizë për atakë kardiake), Helicobakteri, Tripl testi HCG dhe analiza te tjera për shtatzëna.

Shehu ka treguar se te një numër i madh prej këtyre analizave nuk parashihen në kujdesin parësor sipas Ligjit për Shëndetësi, por që këto i rregullon Udhëzimi Administrativ pasi që janë masa preventive për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve.

Ndërsa për vitin 2020, Komuna e Prizrenit ka planifikuar të fillojë ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare pasi ajo aktuale nuk i plotëson kushtet për shkak të hapësirave.

Administrata Komunale dhe mostransparenca

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në debatin Jeta në Kosovë, kishe deklaruar se brenda mandatit katër vjeçar do të krijonte qasje më të lehtë dhe transparente për qytetarët e Komunës së Prizrenit.

“Qëllimi i katërt është Administratë dhe shërbime publike efikase dhe transparente, modernizimi dhe digjitalizimi i qendrës për shërbim të qytetarëve”, kishte premtuar Haskuka me datën 27 shtator 2017.

Komuna e Prizrenit me 9 mars ka përuruar objektin e transformuar të Administratës Komunale. Përmes një projekti të Bankës Botërore, Komuna e Prizrenit është komuna e parë në Kosovë që ka të realizuar projektin Qendra e shërbime me një ndalesë, One Stop Shop.

Në publikimin e Haskukës të datës 9 mars, thuhet se kjo qendër do t’u kursejë qytetarëve 154,139 euro në vit nga aspekti material dhe kohor, ndërsa bizneset rreth 610,847 euro në vit.

“Pas analizës së shërbimeve dhe procedurave komunale me Bankën Botërore dhe IFC-në, ku janë analizuar rreth 290 shërbime dhe procedura, rreth 60% janë thjeshtësuar. Kjo ishte aspekti programatik. Si pasojë e kësaj qytetarët do të kursejnë 154,139 euro në vit nga aspekti material dhe kohor, ndërsa bizneset rreth 610,847 euro në vit”, thuhej në publikimin e Haskukës

Me 18 mars të vitit 2019, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për realizimin e projektit kapital për “Ndërtimin e Pikës së vetme të kontaktit (ONE STOP SHOP)” në Prizren.

Vlera e parashikuar e projektit ka qenë rreth 1 milion euro, për të cilin Komuna e Prizrenit do të financojë 50 mijë euro, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal deri në 200 mijë euro, kurse Ministria e Administratës Publike do të financojë pjesën tjetër të projektit deri në finalizim.

Drejtori i Administratës në komunën e Prizrenit, Osman Hajdari ka thënë për KALLXO.com se ky projekt do të lehtësojë për qytetarët qasjen në dokumentacionet e nevojshme.

“Gjithë ky projekt është në shërbim të qytetarëve të Prizrenit që t’i marrin shërbimet me një ndalesë. Ne kemi reformuar qendrën që qytetarëve t’u mundësojmë marrjen e dokumenteve me një ndalesë. Përmes një projekti tjetër të Bankës Botërore ë kemi bërë inventarizimin e procedurave administrative”, është deklaruar Hajdari.

Hajdari ka thënë se e veçanta e gjithë projektit është krijimi i qasjes së lehtë të qytetarëve me nevoja të veçanta, të cilët përveç infrastrukturës, sot e kanë një zyrtarë të caktuar, i cili do t’u kryejë të gjitha shërbimet komunale.

Haskuka ne zgjedhjet komunale të vitit 2017, transformimin e Administratës Komunale e ka pasur njërin ndër katër prioritetet.

Në anën tjetër KALLXO.com ka raportuar se kjo komunë ka publikuar vazhdimisht kontratat që i lidhë me operatorët ekonomik ndërsa që nga koha kur Prizreni ka kaluar në duart e Haskukës asnjë nga uzurpatorët e pronës komunale nuk është bërë publik, edhe pse ai kishte premtuar se një gjë e tillë do të bëhej më së largu gjashtë muaj që nga marrja e mandatit.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në lidhje me mos publikimin e uzurpatorëve, e komuna ka thënë se është formuar një komision për evidentimin e uzurpatorëve të pronës komunale, të cilët do të përgatisin listën e uzurpatorëve.

“Kryetari i Komunës së Prizrenit, Haskuka ka formuar një komision për evidentimin e uzurpatorëve të pronës komunale, me përbërje të pesë anëtarëve dhe ky komision është duke punuar për të formuar listën përfundimtare. Por për shkak të pretendimeve pronësore dhe procedurave gjyqësore që është në vazhdim e sipër, është sfida kryesore për përfundimin e kësaj liste”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Gjithashtu, komuna e Prizrenit nuk ka publikuar as listën e borxhlinjve të shfrytëzuesve të pronave komunale dhe atyre publike.

Sipas komunës është marrë vendim për hartimin e një plani për mbledhjen e borxheve e në kuadër të këtij plani të jetë procedimi përmbarimor për borxhlinjtë shumëvjecar.

Çalimet e Prokurimit Publik në Prizren

Qytetarët e Prizrenit do të kenë mundësi të ulen e pushojnë në një ulëse që është paguar hiq më pak se 995 euro.

Blerja e tyre është bërë përmes një kontrate të nënshkruar nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka që në vete ka shumë anomali që kanë mundësuar zhvatjen e buxhetit të komunës.

Kontrata tre vjeçare e  nënshkruar në dhjetor të vitit 2018 me konsorciumin e kompanive “NABS” dhe “Arching”, me një vlerë të përgjithshme prej 289 mijë e 124 euro, parasheh pajisjen e mini-parqeve të qytetit me ulëse, shtylla të ndriçimit e shporta të mbeturinave.

Drejtësia në Kosovë ka gjetur se janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra veç 11 euro. Loja e njëjtë me çmime është aplikuar edhe me shtylla elektrike.

Deri më tani, janë shpenzuar 289 mijë e 94 euro, apo vetëm 30 euro më pak se totali i kontratës. Por, me këto para, Komuna e Prizrenit ka blerë shumë më pak produkte se ato që ishin planifikuar.

Duke analizuar kontratën dhe produktet e porositura, del se janë vendosur 183 ulëse nga 340 sa i kishte planifikuar. Janë vendosur 157 ulëse më pak, por komuna e Prizrenit i ka paguar 107 mijë euro, apo 19 mijë euro më shumë së vlera e planifikuar për të blerë 340 ulëse. Pra, kemi më pak ulëse e 20 mijë euro më shumë të shpenzuara.

Hulumtimi ka zbuluar se e njëjta ka ndodh edhe me shtylla elektrike. Janë planifikuar të vendosen 230 shtylla nëpër qytet me një kosto prej 100 mijë e 320 euro. Ne kemi gjetur se deri më tani janë vendosur vetëm 143 shtylla e janë shpenzuar 128 mijë euro. Pra, janë vendosur 87 shtylla elektrike më pak se planifikimi, ndërsa janë shpenzuar 27 mijë euro më shumë.

Kjo ‘formulë’ për të shpenzuar shumë para dhe për të blerë më pak produkte është mundësuar nga komuna e Prizrenit, e cila ka vendos me porosit produkte të shtrenjta dhe shumë më pak produkte të lira.

Modeli i parë i ulëseve është kontraktuar me një çmim prej 995 euro copa. Të tilla ishin planifikuar të vendosen 60 copa.

Përkundër kontraktimit me një çmim enormë, Komuna e Prizrenit i ka porositur gjithsejtë 78 copa apo 18 copa më shumë se sa ishte planifikuar në kontratë. Këto 78 copa ulëse i kanë kushtuar Komunës së Prizrenit hiq më pak se 77 mijë e 610 euro.

Për këto 18 copa të ulëseve që janë porositur përtej sasisë së parashikuar, Komuna e Prizrenit ka paguar 17 mijë e 910 euro.

Kurse, modelin e dytë të ulëseve Komuna e Prizrenit i ka kontraktuar me një çmim prej vetëm 11 euro për copë. Në kontratë ishte planifikuar të bliheshin 70 ulëse të tilla. KALLXO.com ka gjetur se deri më tani ka blerë vetëm 20 copa.

Sa për krahasim, me paratë e një ulëse prej 995 do të mund të bliheshin hiq më pak se 90 copa ulëse me një çmim prej 11 euro.

E njëjta ‘lojë’ me çmime është aplikuar edhe në rastet tjera e rezultati është më pak ulëse dhe më shumë pare.

Janë kontraktuar dy modele të ulëseve të drurit: njëra me çmim prej 4.50 euro e tjetra hiq më pak se 450 euro për copë.

Komuna e Prizrenit i ka porositur vetëm 20 ulëse që kanë kushtuar 4.5 euro nga 60 të planifikuara.

Mirëpo, komuna nuk ka kursyer në ulëset e shtrenjta, përkundrazi i ka porositur 65 copa apo 15 më shumë se sa i kishte planifikuar. Vetëm këto 15 copa ulëse shtesë i kanë kushtuar Komunës 6,750 euro.

Sa për krahasim me parat që janë blerë 15 ulëse shtesë do të mund të bliheshin hiq më pak se 1,500 ulëse të 4.5 eurove.

Kurse, dy modelet tjera të ulëseve që janë kontraktuar me vetëm 48 euro copa, komuna e porositur asnjë edhe pse në kontratë janë planifikuar 100 copa.

E njëjta praktikë është aplikuar edhe tek produkte tjera. Shembull, dy shtylla elektrike  të cilat janë 90% të njëjta kanë dallim në çmim 889 euro.

Një shtyllë ndriçimi me dukje antike dekorative me llambë LED është kontraktuar nga komuna me një çmim prej 900 eurove.

Komuna i ka kontraktuar 50 shtylla të tilla, mirëpo i ka blerë 65 copa. Pra, për 15 copa shtesë, Komuna e Prizrenit i ka paguar 13 mijë e 500 euro.

Por, një shtyllë antike me specifikacione të njëjta dhe shtesë me sistem solar është kontraktuar me një çmim prej 11 euro. Është planifikuar të blihen 60 shtylla të tilla, por Komuna e Prizrenit e ka kursyer kompaninë duke mos porosit asnjë deri më tani. Sa për ilustrim, me 900 euro sa ka kështu vetëm një shtyllë e shtrenjtë do të mund të bliheshin hiq më pak se 81 shtylla të njëjta që e kanë shtesë edhe sistemin solar. Ndërsa, nëse e marrim vetëm shumën prej 13 mijë e 500 euro sa janë shpenzuar për 15 shtylla shtesë që janë blerë do të bliheshin hiq më pak se 1 mijë e 227 shtylla elektrike me sistem solar.

Një shtyllë tjetër elektrike me pamje moderne është kontraktuar me çmim prej 900 euro. Të tilla shtylla, Komuna e Prizrenit i ka porosit 78 copa, apo 18 më shumë se sa i kishte planifikuar.

Kurse, shtylla tjetër moderne, me specifika të afërsisht të ngjashme por me sistem solar, Komuna i ka kontraktuar me një çmim prej 11 eurove. Deri më sot, komuna nuk e ka porosit asnjë prej 60 të planifikuara.

Kontrata e nënshkruar në fund të vitit 2018, tashmë është afër përfundimit. Nga 289 mijë e 124 euro sa ka qenë vlera e parashikuar e kontratës, Komuna e Prizrenit ka shpenzuar tashmë 289 mijë e 94 euro. Meqë është kontratë kornizë, Komuna e Prizrenit ka të drejtë që të bëjë blerje edhe 30% më shumë se sa vlera e parashikuar e kontratës.

Deri më tani Komuna e Prizrenit ka zbatuar katër faza të kontratës ndërsa ka bërë porosinë e disa produkteve në fazën e pestë në shkurt të këtij viti, por për shkak të pandemisë COVID-19, faza e pestë ende nuk është zbatuar.

Kompania e kontraktuar nga Komuna e Prizrenit “NABS” e kanë dhënë një arsyetim për çmimet me dallime të mëdha.

“Në bazë të relacioneve tona kontraktuese me furnitorët, në shumë raste produktet të cilat janë të prodhuara në sasi të mëdha na ofrohen me zbritje, qoftë për shkak të tepricës së prodhimit ose rabateve tjera që i pranojmë ne në kuadër të afarizmit tonë”, thuhet në përgjigjet e Kompanisë “NABS” për emisionin Drejtësia në Kosovë.

Përveç kësaj, kompania thotë që këto çmime të ofruara janë pjesë e politikës së tyre biznesore.

“Normalisht, edhe ne në kuadër të politikave të kompanisë tonë, në disa raste fitojmë më shumë në produkte, në disa raste veprojmë me çmime më të ulëta dhe marzhe minimale për të qenë konkurrues në treg. Në çdo rast, klientët tanë, qofshin autoritete kontraktuese ose klient të rregullt afarist, produktet i kanë në dispozicion për blerje sipas çmimeve të vendosura nga kompania jonë dhe politikave tona afariste”, thuhet në përgjigjet e Kompanisë “NABS”.

Po ashtu edhe në lidhje me dallimet tek ulëset siç ka qenë dorezat, kompania thotë se nuk e di se sa kushton një dorezë e tillë.

“Ne e kemi të pamundur të përgjigjem për dorëzat anësore të ulëseve për shkak se ulëset ne i importojmë si tërësi dhe jo me pjesë. Sipas specifikave të tenderit, ne kemi ofertuar për të dy llojet e ulëseve, të dyja i kemi në dispozicion me çmimet e ofertuar dhe të dyja i kemi ofruar sa here janë kërkuar nga autoriteti kontraktues”, thuhet tutje në përgjigje.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasëmi, nuk ka dashur të jep detaje në lidhje me këtë çështje përkundër insistimit të vazhdueshëm të KALLXO.com. I njëjti ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit gjatë kohës sa Drejtësia në Kosovë ka nisur hulumtimin për këtë tender.

Modelet e ulëseve nga druri
Shtyllat elektrike
Modelet e ulëseve nga çeliku
Modelet e llampave

Në një raport të cilin fillimisht kishte marrë KALLXO.com tregohej se në cilat lokacione kishte përfunduar procesi i vendosjes së produkteve të kontraktuara gjë që nuk e bënte të qartë se cila produkte saktë ishin vendosur.

Me anë të telefonit, Kasami i kishte thënë KALLXO.com se ishin vendosur të gjitha llojet të cilat janë porositur. Dokumentet dhe faturat që na i ka ofru komuna e demantojnë Kasëmin pasi aty vërtetohet se disa prej produkteve nuk janë porositur fare.

Në anën tjetër zyrtarisht me anë të një e-maili, Kasëmi kishte thënë se nuk mund të jepte detaje për çmimet e kontraktuara.

“Ju lusim që për të gjitha detajet në lidhje me produktet dhe çmimet e tyre të kontaktoni me Operatorin Ekonomik fitues për shkak se ne si Komunë nuk kemi informata dhe obligim për të marr informata mbi çështjet afariste të Operatorëve”, ka thënë Kasëmi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se nuk kishte shumë detaje në lidhje me kontratën.

“Nuk e di, si të them, në këtë aspekt se di sa operator ekonomik kanë aplikuar. Edhe në raste të tjera janë parashtruar pyetje se pse ky çmim. OE japin çmimet e tyre. Nuk mundem me paragjyku se çfarë matematike kanë pasur por kam kërkuar që të gjitha të blihen dhe normal me siguri janë marrë të gjitha dhe të gjitha produktet janë dorëzuar komunës edhe ato me çmim të lartë edhe ato më çmim të ulët”, ka thënë Kryetari Haskuka.

Haskuka tutje kur ishte pyetur në lidhje me daljen në terren për të parë mini-parqet, ka thënë se nuk është detyrë e tij.

“Të themi të drejtën nuk është detyrë e imja por e di kur e kemi bërë përurimin e disa parqeve, ne nuk mund të diktojmë çmimet e operatorëve ekonomik”, ka thënë Haskuka për emisionin Drejtësia në Kosovë.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, tha se rregullorja nuk e specifikon se çka ndodh në rastet kur çmimet janë normalisht të ulëta, ndërsa për çmimet e larta ai tha se oferta bie.

“Çmimet jo normalisht të ulëta, e thamë rregullorja nuk e specifikon shumë. Autoritetet Kontraktuese duhet me u siguru që çmimet janë të tregut dhe çmimet jo normalisht të larta ai bie dhe nuk ka asgjë të specifikuar në ligj”, tha Vishaj.

Tutje Vishaj shtoi edhe se janë duke punuar në ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik.

“Ne jemi duke e ndryshu Ligjin për Prokurimin Publik, koncept dokumentin e kemi përfundu por prapë edhe në ligj nuk mundem me thanë por nuk e kemi paraparë këtë fenomen kur çmimi është më i lartë”, shtoi Vishaj.

Tenderi “pajton” Komunën dhe Irfan Fushën

Edhe pse gjatë vitit të kaluar patën probleme e akuza ndaj njëri – tjetrit, Komuna e Prizrenit dhe Kompania “Abi ShPK“ duket se kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe atë nëpërmjet një kontrate të nënshkruar në vlerë prej 30 mijë euro.

Më 4 maj, Komuna e Prizrenit i ka dhënë një kontratë në vlerë prej 30 mijë euro kompanisë “Abi” me pronar Irfan Fusha. Tenderi ka të bëjë me shujta që pritet t’u ofrohen familjeve skamnore në Prizren.

Rrënimi i aneks objektit të Abi Çarshisë

Në ndërkohë, disa zyrtarë të Komunës së Prizrenit janë të akuzuar për keqpërdorim detyre në lidhje me rrënimin e një objekti pa leje brenda qendrës “Abi Çarshia”, po ashtu pronë e Irfan Fushës.

Komuna e Prizrenit dhe kompania “Abi Çarshia” nuk kanë pasur një të kaluar miqësore.

19 Korriku i vitit 2019 ishte dita kur Drejtoria e Inspektorateve me drejtorin Islam Thaqi ishin nisur për të rrënuar aneks objektin e ndërtuar pa leje në kompaninë “Abi Çarshia”.

Në një ditë me shumë tensione dhe prani të madhe të Policisë, Drejtoria e Inspektoratit kishte filluar rrënimin, mirëpo puna iu kishte mbetur në gjysmë.

Ndërhyrja e Prokurorisë dhe një vendim i Gjykatës, kishte ndaluar vazhdimin e rrënimit.

Kur kishin kaluar 5 muaj nga ky aksion i drejtorie së Inspektoratit, gjashtë zyrtarë të saj përfshirë Drejtorin Islam Thaqi përfunduan me aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Nga aktakuzat e Prokurorisë nuk janë kursyer as menaxherët dhe familjarë të Irfan Fushës.

Ndaj tre personave është ngritur aktakuzë për kanosje dhe sulm ndaj gazetarëve ditën e 19 qershorit, kur filloi rrënimi i një pjese të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka kishte thënë se Komuna e Prizrenit ka nxjerrë 7 aktvendime për ndalim të punimeve, rrënim vullnetar dhe rrënim të dhunshëm.

Prokuroria e Prizreni bashkë me aktakuzën ka bashkangjitur edhe një ekspertizë të kryer në bazë të urdhëresës së Prokurorisë e dëmi i shkaktuar nga ekzekutimi i rrënimit të objektit “Abi” arrin shumën e përgjithshme prej 69,729.66 euro.

Kjo aktakuzë ndaj ish drejtori të Inspektoratit dhe 5 zyrtarëve tjerë është vërtetuar nga shkalla e parë, dhe rasti është me ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe nëse edhe shkalla e dytë e vërteton aktakuzën atëherë pritet të fillon shqyrtimi gjyqësor.

Proklamimet e Haskukës për promovimin e turizmit në Prizren 

Më 29 qershor të këtij viti, Myta së bashku me disa nga drejtorët e tij, ishin prezent në hapjen dhe prenë shiritin për ofertën e re turstike “Auto Kamp” pranë Lumbardhit në parkun e Marashit.

Në hapësira dukeshin disa shatorë për kamping, vende për t`u ulur, dhe shumë pjesëmarrës.

Projekti i turizmit Auto Kamp

Në përgjigjet për KALLXO.com Komuna ka thënë se në hapësirën e auto kampit nuk përfshihet operimi i ndonjë biznesi, por me arnë të kërkesave të parashtruara nga shoqatat e bjeshkatarëve për mirëmbajtjen e Autokampit dhe sigurinë e hapësirës, momentalisht për një periudhë të përkohshme mbikëqyrja i është dhënë Shoqatës së Bjeshkatarëve “Sharri”.

Komuna ka thënë se për fazën e parë ka investuar në kubëza të betonit, dheu dhe mbushja e tyre, furnizimi dhe montimi i parkut të fëmijëve, furnizimi me material si dhe montimi i ulësve, tualeti hapësira për parkingje, instalimi i përkohshëm i energjisë elektrike.

Mirëpo verifikimi nga gjendja në teren tregon diçka tjetër.

Nga fotografitë e realizuara nga hulumtuesit në teren, shihet se oferta tursitike e “Auto Kamp” nuk duket sikurse ditën kur është bërë përurimi i saj.

Një hapësirë për parking për vetura gjendet jashtë kampit, por jo si rezultat i ndonjë investimi apo punimi, por një hapësirë e krijuar shumë kohë më parë, që shfrytëzohet nga qytetarët për të parkuar veturat.

Disa shporta të stërmbushura nga mbeturinat, zona të gjelbëruara të pa mirëmbajtura, mungesë e rrymës elektrike, toalete të dëmtuara dhe të pashfrytëzuara janë disa nga pamjet që shihen në këtë hapësirë.

Në këto hapësira nuk ka zonë të veçantë për parking të veturave të llojit “Auto Kamp”, ndërsa edhe hyrja për në këtë hapësirë është e pashtruar dhe shumë e vështirë për qasje për lloj të veturave “Auto Kamp” ndërsa në rrugën kryesore nuk ka asnjë tabelë informuese se kjo është zonë për “Auto Kamp”.

Në këtë hapësirë gjithashtu funksionon një operator ekonomik, i cili ofron kafe dhe pije tjera, mirëpo Komuna nuk ka njohuri për operimin e këtij biznesi.

Sa i përket fazës së dytë, Komuna e Prizrenit ka thënë se kanë paraparë të bëjë furnizimin me ujë, vendosjen e dush- kabinave dhe qasjen në rrugë kryesore, mirëpo për këtë projekt ende nuk është paraparë buxheti që do të shpenzohet sepse janë në fazën e hartimit të projektit.

Gjithashtu edhe një ofertë tjetër turistike e reklamuar nga Komuna, në ditën e përurimit dukej bukur dhe atraktive, por që nga realizimi në teren ka dallime.

Në prill të vitit 2019, Haskuka “i përveli mëngët” dhe personalisht e provoi kajakun në Lumin Drin në fshatin që dikur njihej si vend turistik, Nashecin.

Promovimi i Kajakut në lumin Drin

Por duket që dita kur u bë përurimi i këtij atrakcioni dhe Haskuka ishte i vetmi që e provoi këtë ofertë të promovuar, pasi që nga dita e përurimit qytetarët nuk arritën të shfrytëzojnë këtë atrakcion turistik.

Hulumtuesit kanë vizituar vendin ku është bërë përurimi i këtij atraksioni mirëpo aty nuk dukej asgjë nga ajo se çfarë ishte reklamuar ditën e përurimit.

Edhe banorët e fshati Nashec kanë thënë se ky atraksion turistik ka qenë aty vetëm ditën kur ka qenë edhe vet Myta, mirëpo pas asaj dite nuk kanë dijeni se kush i ka shfrytëzuar kajakun dhe ofertat tjera.

Mirëpo edhe pse lëvdatat dhe reklamimin e këtij aktiviteti e bëri vet Myta, Komuna e Prizrenit nuk është në dijeni si funksionon ky aktivitet, dhe kanë thënë se për këtë shërbim duhet t’i drejtohemi “Supercampers” të cilët sipas Komunës kanë qenë përfitues të projektit “Grante për Biznese”, dhe shërbimi i ofruar për këtë produkt dhe menaxhimi është i varur nga ta.

Mirëpo “Supercampers”  kanë thënë se Komuna e Prizrenit kishte marrë përsipër sigurimin e infrastrukturës së ujit dhe pastrimin e Drinit në Nashec, por ky zotim dhe kontratë e nënshkruar nga Komuna e Prizrenit sot e asaj dite nuk është realizuar fare.

Pra komuna nuk e ka përfunduar pjesën e vet, dhe kajaku pranë Lumit Drin në fshatin Nashec asnjëherë nuk është funksionalizuar dhe nuk është shfrytëzuat nga askush pos Mytës.

Kontratat e dyshimta në emër të pandemisë COVID-19

Janë bërë afër gjashtë muaj që kur janë shfaqur rastet e para me COVID-19 në Kosovë, ndërsa menaxhimi i pandemisë është kritikuar në masë të madhe nga njëri institucion në tjetrin.

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar gjashtë kontrata me procedurë të negociuar për të menaxhuar pandeminë, ndërsa në dy prej tyre ngrihen dyshime rreth kompanive që i kanë fituar këto dy tenderë.

Komuna e Prizrenit kishte nënshkruar një kontratë në vlerë 20 mijë euro me procedurë të negocimit, për “Sensibilizimin e qytetarëve të Komunës së Prizrenit për parandalimin e COVID-19“.

E veçanta e kësaj kontrate është që kompania të cilës i është dhënë kjo kontratë, “CONS ENG SH.P.K”, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në përshkrimin e aktivitetit të saj del se aktivitet primar e ka tregtinë me pakicë të pjesëve dhe aksesorëve të automjeteve.

Ndërsa, aktivitetet e shoqatave profesionale është aktiviteti sekondar i kësaj kompanie.

Disa nga aktivitetet tjera të kësaj kompanie janë edhe aktivitetet e këshillimit për biznes dhe këshillat tjera për menaxhim, aktivitete të këshillimeve kompjuterike, aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike.

Kurse kjo kompani në asnjë aktivitet të saj nuk ka të evidentuar ofrimin e shërbimeve të cilat parashihen me kontratë.

Komuna e ka arsyetuar këtë kontratë me përpjekjet që po bën për sensibilizimin e qytetarëve që në mënyrë sa më efikase të përballen dhe të tejkalojnë këtë pandemi, andaj në kuadër të këtyre përpjekjeve bën pjesë edhe kjo kontratë.

Gjithashtu kjo nuk është kontrata e vetme, Komuna ka nënshkruar kontratë për “Furnizimin me  material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Koronavirusi” me një kompani që aktivitet primar ka “Organizimin e konferencave dhe panaireve”, ndërsa bën edhe tregti me shumicë të paspecialisuar.

Sikur të gjitha kontratat në kohën e pandemisë, edhe për këtë, Komuna e Prizrenit ka zhvilluar procedurë të negocimit, pa Operator Ekonomik konkurrent.

Në kontratën e nënshkruar të Komunës së Prizrenit dhe operatorit “EKA TRADEING SH.P.K”, shihet se shuma e kësaj kontrate është 102 mijë e 40 euro.

Sipas kontratës së nënshkruar, kjo kompani do ta furnizonte komunën për një periudhë 3 mujore me material sanitar si dhe dezinfektues e masa të tjera mbrojtëse.

Raporti Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin financiar për vitin 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Prizrenit në vitin 2019 kishte realizuar 84% të buxhetit final.

Buxheti Final i Komunës së Prizrenit ishte 50 milion e 880 mijë euro, ndërsa Komuna e Prizrenit nuk ka ditur ti shpenzojë 8 milion e 64 mijë euro nga ky buxhet.

Kryetari është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e dhëna.

Pra sipas ZKA-së, në vitin 2019, Komuna ka shpenzuar 84% të buxhetit final dhe se, krahasuar me vitin e kaluar kemi një rënie të realizimit të buxhetit për 2%.

Buxheti final për investime kapitale në 2019 ishte 21,862,010€, prej tyre ishin shpenzuar 15,642,244€. Ato kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve lokale, mirëmbajtjen investive, objektet arsimore, pajisje tjera etj

Zyra Kombëtare e Auditmit për vitin 2019 i ka bërë 23 rekomandime Kryetari të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskukës, të cilat brenda 30 ditëve nga pranimi i raportit final kryetari Haskuka duhet të dorëzoi një plan veprimi për zbatimin e këtyre rekomandimeve.

ZKA ka gjetur se Komuna e Prizrenit për tre vitet e fundit ka dështuar të arkëtoj 126 mijë euro nga qiratë e bizneseve që shfrytëzojnë pronën Komunale.

Deri te kjo situatë ka ardhur pasi që komuna me datë 01.08.2001 ka bërë Marrëveshje mbi Koncesionin për tregjet “B. Curri “dhe “Qylhani” me kohëzgjatje për 10 vite, deri më dt. 01.08.2011, nga kjo datë kanë bërë Aneks kontratë për një periudhë dy vjeçare deri më 01.08.2013, duke u bazuar mbi kushtet e marrëveshjeve fillestare dhe duke cekur se kjo kontratë nuk mund të vazhdohet më tutje.

Që nga viti 2013 tregjet janë shfrytëzuar pa kontrata dhe komuna nuk ka ndërmarr asnjë hap për lirimin e këtyre dy pronave (tregjeve). Mirëpo nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave është vendosur të ngarkohet me tarifë deri në vitin 2016.

Komuna nga viti 2017 nuk i ka faturuar këta dy shfrytëzues të pronave, pasi që nuk ka bazë ligjore për ngarkesë, përderisa shfrytëzuesit privat brenda këtyre tregjeve, paguajnë qira për shfrytëzimin e tezgave apo lokaleve që gjinden në treg.

Pos kësaj që nga viti 2016 tetë parti politike shfrytëzojnë pronat-lokalet komunale me çmim prej 1€ në muaj për lokal, prej tyre tri parti vazhdojnë t’i shfrytëzojnë objektet me kontrata të skaduara.

Këto lokale ishin dhënë duke u bazuar në vendimin e asamblesë komunale të datës 29.12.2005.

Zbatimi i ligjit të gabuar nga zyrtarët e Komunës i ka kushtuar Komunës rreth 40 mijë euro mos inkasim.

Kjo pasi që ZKA ka gjetur se në 28 raste, komuna ka anashkaluar kërkesat e Udhëzimit Administrativ Për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, dhe ka aplikuar rregullore tjetër, që parasheh tarifa më të ulëta për të njëjtin qëllim.

Nga aplikimi i rregullores dhe jo i Udhëzimit Administrativ, Komuna ka rezultuar 39 mijë 661 euro më pak të hyra të arkëtuara, dhe Komuna ka realizua të hyra vetëm 3,200 euro në vend të 42 mijë euro.

Adaptimi dhe miratimi i rregullores së brendshme me mbi 2.5 vite vonesë ka ndodhë për shkak të mos angazhimit të zyrtarëve kompetent komunal (pran DSHP) për të propozuar përditësimin e rregullores komunale respektivisht ndryshimin e tarifës në kohën e duhur.

Gjatë vitit 2019 Komuna e Prizrenit ka pranuar 41 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Nga ky numër i kontratave me shërbime të veçanta, gjashtë prej tyre ishin rekrutuar në vitin 2018 për periudhë 6 mujore, por atyre i ‘u ishte vazhduar kontrata edhe për 6 muaj në vitin 2019. Kurse edhe pesë raste të tjera ishin angazhuar në vitin 2018 për kohëzgjatje prej 4 muajsh, duke i ‘u vazhduar kontrata në vitin 2019 edhe për 4 muaj tjerë.

Lumbardhi
Puseta në rrugën William Walker – Prizren
Ndërtimet e larta në lagjen Jeni Mahalla
Ndërtimet e larta në lagjen Jeni Mahalla
Rruga në fshatin Karashingjergj në Has

Bazuar në interpretimin e zyrës ligjore komunale, kryetari ka marrë vendim për vazhdimin e këtyre kontratave në heshtje për shkak të ndjeshmërisë së disa punëve të cilat nuk ishin përfunduar.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit angazhimet e tilla rezultojnë me parregullsi ligjore dhe në këtë formë dhe në të njëjtën kohë është mungesë konkurrencës apo ofrimit të mundësisë për të konkurruar dhe zgjedhur sipas meritës.

Komuna nuk i ka penalizuar kompanitë që kanë pasur vonesa në ekzekutimin e kontratave.

Në tre raste të ndryshme punimet nuk ishin realizuar sipas afateve të përcaktuara me kontrata. Në asnjërin rast nuk ishin aplikuar penalet për mos përfundimin e punëve me kohë. Më tutje, menaxheret e këtyre kontratave nuk kishin raportuar vonesat, si dhe nuk kishin ofruar asnjë arsyeshmëri për këto vonesa.

Vonesat në realizimin e kontratave rrisin rrezikun që obligimet kontraktuale të barten për tu paguar në vitet e ardhshme, të cilat do të jenë barrë për buxhetin e viteve në vijmë.

Tre kontratat në të cilat ka pasur vonesa kapin vlera të mëdha.

Kontrata e parë lidhet me krijimin e ambientit si atraksion turistik që kap vlerën 71 mijë euro, ndërsa vonesa në realizimin e projektit kishin shkuar deri në 155 ditë.

Kontrata e dytë ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, me vlerë 626 mijë euro, ndërsa projekti ishte paraparë të përfundonte në prill të vitit 2019 ende nuk ka përfunduar.

Kurse kontrata e tretë parasheh ngritjen e 50 serave me participim, me vlerën e kontratës prej 161 mijë euro, dhe kishte pasur 85 ditë vonesë në realizimin e punëve.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).